TA NDIESH SHIJEN E SUBLIMES ESTETIKE

Sh. Beqiri “Muzeu i mërzisë” (The museum of Boredom), botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica” Prishtinë, 2023

Kemajl ALIU

Poeti Sh. Beqiri në librin e tij më të ri “Muzeu i mërzisë”, që shquhet për leksikun, figuracionin dhe sintaksën e tij, ka arritur nëpërmjet figurave stilistike si: metafora personifikimi, komparacioni, kontrasti e mbi të gjitha me metaforën dhe metoniminë e tij,të shpërfaqë bindshëm gjuhën e tij të individualizuar poetike.

Në këtë gjeografi poetike të atmosferës së zymtë me ngjyrimet dhe nuancat karakteristike, lëvizin subjektet që nga tragjikja dhe situatat dramatike e deri nëpër dilemat situatore skjashmërisht të polarizuara, duke e bërë rrugëtimin e tyre, deri në gjetjen e qeniesimit të vet.

Libri ndahet në shtatë cikle poetike. Është përzgjedhje si dhe përmban edhe poezi të reja. Por, edhe pse ato janë të periudhave të ndryshme kohore, kjo nuk e bën librin aspak një përmbledhje poezish apo të fragmentarizuar. Përkundrazi, ai është i standardizuar në libër tipikpoetik, që është unikat si për nga gjuha, mjetet shprehëse, figuracioni, stili, përmbajtja poetike dhe në fund mesazhi.

Për nga përmbajtja tematike, libri “Muzeu i mërzisë ”, është libër i fatit individual të integruar në fatin e përgjithshëm, apo në fatin e kolektivitetit nacional njerëzor, ku historia është boshti gravitues rreth të cilit përqendrohet i tërë mozaiku artistik, i epokave dhe fateve me imanencën e përplasjeve mes tyre, sepse fati-jeta është e determinuar pashmangshmërisht nga dyndja e hordhive;/…Dhe ndërrohen mbretëritë /Përditë o zot përnatë …/ Çdo gjë del në breg/… /Po asgjë s`duket nga hija e një shkabe/.“Dyndja e hordhive”Fq. 27.

Dyndja e hordhive në tokën e vogël të arbrit ku s’mbetet asgjë nga hija e një shkabe,sugjestinon përshkallëzimin në përmasë dramatike, prandaj edhe ligjërimi poetik merr një intensitet ankthi në vazhdimin e mëtejmë ligjërimor mbi situatat ngjarjet dhe përmbajtjet pasuese në vijim, ku ankthi i shpërfaqur në trajta të shumëfishuara, e tërheqë lexuesin në akt leximi të pashkëputshëm.

Vërejmë se autorit nuk i mungon aspak historia, si lëndë poetike. Bile,kjo tematikë ështëdominante në pjesën dërrmuese të librit “Muzeu i mërzisë”. Por, falë gjuhës së tij simbolike, atij jo vetëm që nuk i ndodh deskripcioni e aq më pak deklarativizmi, por ai shmangë suksesshëm madje çdo formë apo trajtë të “poetizimit historicist”. Kjo qasje dhe frymë e pastër e shprehjes puro artistike, mbase i ka mundësuar poetit të depërtojë deri në përmasat e thellësisë së tragjikes dhe të dramacitetit njerëzor.

Përpara subjektit të tij tani shtrihet hapësira e trisht dhe pafundme, hapësira dhe koha e fjalëve të pathëna dhe e heshtjes, ajo heshtje, zëri i së cilës nuk arriti kurrë të bëhej zë kohe dhe të flas: /Nëse heshtjen e bëjmë të flas si historia/ Ndodh e ngjallemi për fjalën që se thamë /”“Kthetra mesnate”(Beqir Musliu) fq. 43

Ky është piedestali i gjakimit të poetit, ëndrra më e lartësuar të ndodhë Rilindja.

Në vazhdën e kërkimit të qenësisë nacionale dhe njerëzore, autori do të vazhdojë kalimthi me provokimin sugjestionues të imagjinatës së lexuesit (Cikli: Para se të fundosej Atlantida), duke filluar me poezinë Ilirishte” ku poeti thotë: /Ja e njëjta rrënjë/Pas kaq mijëra vjetësh/, Dheun ta ruan nën këmbë/..po aty, fq.59.

Konsideroj se çdo varg, çdo fjalë në vazhdim të ligjërimit artistik do ta zvetënonte jo vetëm këtë varg, por do ta reduktonte kuptimisht, përmbajtësisht dhe estetikisht madje gjithë poezinë. Prandaj këtu vërejmë se poeti Sh. Beqiri përpos që e ka vargun e ekonomizuar dhe konciz, gjithashtu edhe mesazhet i transmeton përmes simbolikës metaforike, duke ia lënë mundësinë kredos imagjinatave vetë lexuesit mbi Atlantidën dhe përmbysjen e saj si dhe mbi Ilirinë,/ Që ruan drejtpeshimin/ E valës dhe bregut/. Po aty, fq. 59

Poezia e Sh. Beqirit përpos që ka shtrirje të gjerë imagjinate, karakterizohet edhe me guximin e theksuar intelektual, për thyerje të tabuve, deklishitizim formash, si dhe riformulim perceptimi. Kjo vërehet qartë në poezinë e “Përshkrimi i ankthit”, (fq. 215,217), ku ai fokusohet në rrugëtimin e poetit, i cili gjithmonë ecë /Nëpër perin kaherë të këputur/Nyjave ku lidhet e pazgjidhura/.Fq. 217. Ai është në përballje imanente me njeriun ideologjik, kundërshtarit të vargut /Që jeton përtej epokave të arta/ fq. 217, sepse si i tillë ai paraqet një herezi.

Një karakteristikë tjetër që duhet vënë në pah është qasja e poetit Sh. Beqiri lidhur me faktorin kohë. Kalendari i kohës nuk është i objektivizuar në materien poetike të tij, siç ndodhë në poezinë tradicionale, gjegjësisht klasike, e cila konceptin kohë e realizon në njëfarë kronologjie tablore, gjegjësisht suksesiviteti, ndërsa te poeti Beqiri koncepti kohë është i determinuar në mënyrë simultane.

Ai i shmanget në plotni konceptit të suksesivitetit kohor-tablove kronologjike, duke e inkuadruar hapësirën dhe subjektin në konceptin e kohës simultane e cila subjektivizohet në përmasën imagjinative të mendimit artistik. Psh: /Do të vish patjetër ti /Të lidhësh plagën që kullon/Ndërmjet ashtit tim e hapit tënd/ Pas të pesëqindenjëzetekatërtës verë/”Ninulla e gurtë (Bijës sime, Albulenës) fq. 79. Është e tashmja e cila qenësinë e saj që e kishte dikur para pesëqindenjëzetekatër viteve do të ripërtërijë në hapin e ri.

Hapi i ri, mbase do t’ju takojë një ditë të tjerëve, por jo poetit. Atij i duhet të takoj xhelatin e tij të ngopur, me të cilin, siç thotë:/Shpiknim kupat me verë qind vjeçe/Për luftën që do të bënim nesër/ Deri në të mbramën pikë të gjaku/, “Xhelati im i ngopur”, fq. 207/

Xhelati është fatkeqësi e tre brezave, të cilët tashmë janë të shkapërderdhur metropoleve:Babai, biri dhe nipi. Përderisa babai jeton nën kthetrat e vetmisë vrastare dhe të pafundme, i biri do të rrugëtojë në natën me njëmijë sy, ku dita e nesërme që do ta gdhijë birin e tij është ditë e flatrave të tija të gjymta. Prandaj, poeti thotë: /Hapma derën të thashë /Se s’po më nxë hapësira Përjashta./:”Dera e mbyllur”(Nipit tim, Bujarit). Është simbolika për mungesën e dheut hapësirave ku endet ai. Aty ku përfunduar atdheu i tij, në ato hapësira përfundon edhe frymëmarrja e mjaftueshme…

Prandaj, ai gjithnjë është në kërkimin- jetësimin e qenësisë së vet, qoftë si rrugëtim apo madje edhe si fund: /Ai nuk ecte sipas yjve as erës/ Vërtitej pas gurit të vet/Që e mbante pezull/ Midis vetëtimash/“Rrënja e dhembjes”,Fq. 271

Poeti gjithmonë do të ballafaqohet me mungesën e Lirisë. Ajo mbetet e përhershme vetëm në ëndrrat dhe të kërkuarit të tij nëpërmjet botës së artit. Ky zaten është misioni i artit, i poezisë:/Të tri motrat gjeniu i ri i ka paraqitur si tri lule /Lidhur në një zinxhir prangash të praruara/“Ekspozita e parë në mërgim”(Birit tim, Agonit),fq. 255

Poeti dhe kritiku R. Musliu, në një rast, duke folur për poezinë e Sh. Beqirit, thotë:” …kjo poezi është tepër elitare, vetëm për ata që nga poezia kanë kërkesë të qartë: të ndiejnë shijen e sublimes estetike”.

Krejt në fund, duke pasur parasysh se libri “Muzeu i mërzisë”, jo vetëm për faktin se përmbledhë në njëfarë mënyrë gjithë përvojën e tij krijuese poetike, por për shkaqe kryesisht estetike, konsiderojmë se është një nga ato libra që nuk përfundojnë me një lexim. Në rafte të bibliotekave janë disa libra që edhe pas leximit mbahen afër vetes për rikthim, rilexim të përsëritshëm: sikur bie fjala“Trungu Ilir”, (S, Hamiti), “Bukuria e Zezë”, (B. Musliu), “Në zemrën e gjërave” (R. Musliu) etj. Aty duhet të vendoset edhe vëllimi poetik “Muzeu i mërzisë” i poetit, Sh. Beqiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published.