TAKIMI ME POETIN E SHQUAR, JANIS RICOS

Ai më nguli sytë e ndritshëm, u ngrit në këmbë duke më marrë dorën mes duarve të tij, pastaj mori librin në dorë dhe më tha; – po, ju shqiptarët ishit nga të parët që përkthyet librin tim

Luan ZUKA

Ishte viti 1985 ku në stadiumin e Lojërave me Dorë të Selanikut “Aleksandrio Melathro”, do zhvillohej një takim me poetin idhull të rezistencës greke ndaj nazistëve dhe juntës ushtarake.Ne, studentët, ishim shumica mes mijëra vetëve në atë sallë, kur kumbonte zëri i thekshëm i Ricosit, duke recituar poezitë e tij me atë theks grykor të “r-së”, dhe kori i zërave tanë që e shoqëronin në një atmosferë magjike, ku në vend të ajrit kishte vetëm tinguj dhe fjalë…Ishte fuqia jetëdhënëse e poezisë.

Pas mbylljes së takimit, njerëzit u dyndën për ta takuar Ricosin. Ai, ashtu trup vogël, i qeshur, qëndronte ulur në cep të tavolinës duke u dhënë dorën njerëzve. Erdhi edhe radha ime. Radha për t’u takuar me historinë e poezisë; isha para atij që Palamas i kishte thënë “të hapim rrugën, poet”. Më dukej se aty ishte ulur edhe Majakovski, edhe Neruda, edhe Nazim Hikmet…

I humbur në përsiatje, u kujtova se në dorë kisha librin e tij të parë të përkthyer në shqip “Mëhallat e botës” nga Spiro Çomora më 1961.

– Jam nga Shqipëria, i thashë me zë të dridhur, ja libri i juaj i parë i përkthyer në shqip.

Ai më nguli sytë e ndritshëm, u ngrit në këmbë duke më marrë dorën mes duarve të tij, pastaj mori librin në dorë dhe më tha; – po, ju shqiptarët ishit nga të parët që përkthyet librin tim. Pastaj ngriti kokën me vështrimin hedhur tek njerëzit përreth dhe foli me zë të lartë “u dedikohemi shumë shqiptarëve (οφείλουμε πολλά στους Αλβανούς…)”. U ul përsëri, dhe me zërin e tij të ngadaltë po më përmendte lidhjet historike të dy popujve tanë. Unë i thashë disa vargje në shqip nga poezia e tij “Pse kemi faj ?”, duke i thënë në mënyrë metaforikë për mungesën e lirisë në Shqipëri, por pa guxuar t’i tregoj se kishte vite që regjimi i vendit tim nuk lejonte qarkullimin e poezive të tij. Nuk desha ta lëndoj.

Pas disa vitesh, në tetor të vitit 1990, në lajmet e mbrëmjes së radios së Athinës, dëgjoj lajmin e vdekjes së Janis Ricosit. U pikëllova, dhe ndjeva një peng që nuk kisha përkthyer poezitë e tij në shqip. U ula, dhe gjithë natën përktheva disa poezi të cilat ditën ia dhashë Bardhyl Londos për t’i botuar tek gazeta “Drita”, duke i treguar edhe për takimin me Ricosin.

I kërkova patjetër t’më botonte poezinë “Pse kemi faj?”.

Gazeta “Drita” dilte vetëm të dielave, dhe të nesërmen, të hënën, një student poet M.M., në orën e leksionit tim, ua tregon studentëve faqen e gazetës me poezitë e përkthyer nga unë. Mund ta lexosh, i them.

Ai pasi i lexoi më thotë, t’i lexoj përsëri dy vargjet e fundit?

Pa pritur përgjigje nga unë, i recitoi me zë të lartë:

“Dhe unë ç’faj kam të eci mes natës i lidhur

pas lirisë sime duke dënuar ?- i dënuari tha”

Duartrokitje nga studentët. Ishte 19 tetor 1990.

Edhe në Shqipëri po frynte era e lirisë. Para studentëve qëndroja unë pedagogu, poeti M.M me gazetën e hapur, dhe atmosfera që po shqyej nga një rini e etur për LIRI. Por çfarë lirie? Çfarë kuptonin më lirinë studentët e mi të rritur ndrydhshëm në një kohë kur ishte ndaluar të flisje për lirinë e njeriut?

-Çfarë kuptoni me konceptin “liri”?, pyeta unë.

U ngrit një student – të lirohet ai i dënuari, tha, ai që kujton se është i lirë.

U ngrit një tjetër – unë dua të jem i lirë të shkoj jashtë shtetit, sepse me ato që shikoj në televizor, më duket se jetoj në planet tjetër.

“U prish” ora ime e leksionit, duke vazhduar bisedën për lirinë. Gjatë viteve të ngurta ishin mbledhur kaq shumë dëshira për liri, ku secili e shpjegonte dhe e donte lirinë sipas perceptimit dhe halleve të jetës së tij, sa mua më dukej se shqiptarët pasi të dilnin në liri, nuk do dinin se çfarë të bënin me atë.

Megjithatë, unë isha me idenë e Hayek se “liria është e rëndësishme, sepse pikërisht nuk e dimë se si do e përdorin njerëzit”, por megjithatë historia e ka vërtetur dobinë e saj për njerëzimin.

Qoftë edhe “të dënuar pas lirisë”, siç e thotë poeti…

(Autori në vitet 1981-1987 ka qenë student në Universitetin “Aristotel” të Selanikut)

Leave a Reply

Your email address will not be published.