(Rreth novelës së Mitrush Kutelit“E Madhe është gjëma e mëkatit – Tat Tanushi i Bubutimës”)
Blerina Rogova GAXHA
Mitrush Kuteli është autor i prozës së një fuqie e fantazie të jashtëzakonshme, poet, kritik letrar e përkthyes. Prozatori që e imagjinoi dhe e projektoi botën e vdekjes të ngjashme me botën e të gjallëve. Shkrimtari që u varros për së gjalli në sistemin diktatorial, i dënuar dhe anatemuar nën moton e “armikut të popullit”, dhe jetoi edhe i vdekur, edhe i gjallë. Ai njihet si shkrimtari që refuzoi letërsinë e modeleve zyrtare dhe nuk u pajtua me ideologjinë komuniste. Autor i një vepre të llojllojshme ku hyjnë tregimi, novela, rrëfimi, rrëfenja, romani, poezia, publicistika dhe kritika letrare.
Mitrush Kuteli përfaqëson një model të veçantë të rrëfimit në letrat shqipe. Ai është “një variant tjetër i tregimtarit modern shqiptar, i cili bashkon fantazinë folklorike dhe skemën rrëfimore të saj me kulturën shkrimore biblike e gogoliane. Që nga libri i parë Net shqiptare (1938) deri te vepra e mbetur në dorëshkrim E madhe është gjëma e mëkatit (1947), Kuteli ka zbuluar dhembjet e pasionet individuale të ndeshura dramatikisht me normën e vdekjen.” Madje, Kuteli bashkë me Ernest Koliqin, “konsiderohet themelues i prozës moderne shqipe dhe njëri ndër autorët më të njohur të modernitetit shqiptar. Ka mendime që Kutelin e shohin bashkë me Lasgushin si autor themelor të gjithë letërsisë moderne shqiptare.”
Në këtë punim synojmë të japim një pamje të prozës së Mitrush Kutelit, vepra e të cilit përfaqëson njëkohësisht kulturën letrare shqipe të rrëfimit tradicional dhe kulturën e rrëfimit modern. Më 1947, Kuteli do ta shkruajë kryeveprën e tij tregimtare “E madhe është gjëma e mëkatit – Tat Tanushi i Bubutimës”, në të cilën vepër na zbulon një histori që rrjedh si një tregim bibliko-letrar për hirin hyjnor që i është dhënë dashurisë dhe pasionit të njeriut për tjetrin dhe për zotin.
Tata dhe Kalija: Toka e Erosit / qielli i Theosit
Gruaja. E dashura e zemrës. Kalija. Muza e botës tokësore të Tatës. Fuqia dhe dobësia e tij, ikona të cilës i këndon si një hyjnie që ia mban gjallë frymën, luan melodinë e erosit, herë me nota të forta e herë të qeta dhe sprovon fuqinë e dashurisë së tij. Një jetë me gruan për gruan nxjerr kryet plot finesë poetike në faqet ku shkruhet poezia e dashurisë. Poetika e erosit, si kategori e ndjeshme dhe e fuqishme estetike, është toka në të cilën rron e realizohet dashuria mes dy protagonistëve, me karakterizime të forta emotive, detaje e situata të ndjera.
Tata e flet gjuhën e adhurimit të gruas, pra njerëzores, dhe njëkohësisht flet gjuhën e adhurimit të Zotit. Ai i njeh dhe i flet të dyja, duke lëvizur në poetikat e njëra-tjetrës. Prek bukurinë njerëzore te gruaja, i mahnitur me dritën brenda e jashtë këtij njeriu, një prekje sensuale e plot pasion. Kalija e Tatës i ngjan Laurës së Petrarkës, i ngjan Beatriçes së Dantes, Isoldës së Tristanit, po për Uratën ajo është mbi të gjitha. Ajo është lule, mjaltë, verë dhe më e këndshme se të gjitha erërat e mira mbarë Lindjes. Përshkrim bukurie e rrëfim dashurie ndaj Kalijes, të cilën Tat Tanushi e kishte marrë nga detet e largëta të Lindjes, para së cilës bukuri impresionohet e mrekullohet dhe vetë narratori: Nuk di në them mirë ç‘dua të them, po edhe ata që më kanë rrëfyer rrëfimin mbeteshin të tronditur në këtë prag, kur flisnin për bukurinë e saj. “Një rrëfim për Tat Tanushin e Kalijen bëhet edhe histori sakrale letrare, e ngjizur mes një diskursi biblik e përkushtues, erotik e oral në të njëjtën kohë. Aty fjalës i atribuohen kuptime shenjte duke i dhënë kështu edhe gjuhës poetike të letrave ton sakral”. Një dashuri në të cilën emocioni shkruhet në shkallën e një intensiteti të lartë “Dashuria e egër” përshkruhet me trajta aq konkrete e njëkohësisht aq abstrakte, sa të bën të dyshosh në është fjala vërtet për dashuri ndaj një qenieje konkrete apo ndaj një gjësendi abstrakt.”
Në këtë përshkrim dashuror e erotik, ku flasin dëshirat e pasionet njerëzore, ndërfutet fjala biblike, e cila shtrihet gjithandej, edhe aty ku sugjeron edhe aty ku e plotëson imagjinaren poetike të erosit. Po praninë eksplicite të teksteve biblike në tekstin e Kutelit e jep ndërfutja e citateve erotike nga Kënga e Këngëve. Kënga poetike biblike, e cila e ngre në superlativ dashurinë mes dy qenieve njerëzore, në dialog e monolog ku shpërthejnë emocionet në shprehje të thella dashurie, ndërfutet në tekstin letrar të Kutelit. Teksti religjioz brenda tekstit letrar i jep lirizëm dhe sensibilitet të veçantë, duke u shkrirë si model në idenë e dashurisë dhe bashkëndarë nëpërmjet intertekstualitetit botën e religjionit e të poezisë. Vendin e të fejuarve të Shkronjës e zënë Tata dhe Kalija. Citatet harmonizohen me situatën dhe semantizohen sipas intencës autoriale.
Po derisa në rrafshin njerëzor ndjeshmëria e tillë e dashnorëve sugjeron universalen erotike të qenies, për misionarin e besimit, i cili para konfesionit dashuror ka pasur një konfesion religjioz, me storjen erotike e mbyt rrëfimin para Zotit. Në fillim të novelës, narratori vë në dukje se besa në Zotin është fuqia e madhe e Tatës, por më pas shohim se ky pohim do të zbehet krejtësisht, meqë konfesioni për Erosin (dashurinë), e mund konfesionin për Theosin (Zotin). Dhe nëse dëshirat e Tatës anojnë kah shqisat, kah njeriu, “ajo do t’i njihet si dëshirë, mëkat, kërkesë e ulët për njeriun e veshur me petkun e priftërisë.”
Tat Tanushi në përballje mes Erosit e Theosit vihet mes dy udhëve, asaj eternale për të cilën ka veshur petkun e priftërisë dhe asaj efemere/trupore, për të cilën vesh rrobën e dashurisë. Në këtë relacion, autori vë pikëpyetjen e madhe, e cila shtrihet përgjatë novelës: Cila dashuri është më e fortë? Dashuria si ndjenjë fisnike për qenien njerëzore apo dashuria hyjnore? “Erosi është fenomeni më poetik dhe më subtil i natyrës njerëzore, toka më e pëlleshme për poezinë, si tokë për të cilën ka motivim shpirtëror e fizik, metafizik e fizik, lirik e trupor, i cili jep bazën instiktive, emotive, shqisore; mendore e shpirtërore, më të fuqishme të poetikës që qenies njerëzore, parë nga fuqia e pasionit apo motivimit. Ai është fuqia e arsyes së çdo paarsyeje.” Te Tat Tanushi, megjithëse fuqia e tij e parë e madhe na është thënë të jetë besa ndaj Zotit dhe gëzimi i dytë Kalija, erosi bëhet toka e frytshme, duke ua ndërruar ‘rangimin’ Zotit dhe Gruas, nga e dyta në të parën dhe anasjelltas. Nga toka e erosit, Tata e veçon dukshëm të shtrenjtën e zemrës, për t’i dhënë vendin para Zotit:
– Dua të them, Noemi, se të dua kaq shumë, kaq shumë…
– Dhe sa herë të tjera të ma thuash aq më shumë et do të kem ta dëgjoj.
Ai vazhdoi sikur s’e pat dëgjuar fare.
– … dhe s’ka gjë tjetër as në dhe, as në qiell, as në ujëra që ta dua sa ty.
– Tan!, i thirri Kalija.
Mes të dyve që dashurohen egërsisht, siç cilësohet në detajin ligjërimor, qenia më mëkatare është Tata, sepse Kalija mbetet përherë në hapësirat qiellore, me gjithëfuqinë e madhe me të cilën e do burrin e saj. Në sentencën e mësipërme dëgjojmë zërin qortues të saj, apo edhe frikën nga Zoti, e cila e shtyn protagonisten t’i tërheqë vëmendjen Tatës, siç del në të kundërtën, po mungesa e frikës që e bën Tatën indiferent ndaj kësaj thirrjeje. Është e qartë se individualja njerëzore e tejkalon universalen hyjnore. Nëse dashuria për gruan tejkalon qiellin, dheun e ujërat, vepra këto vetëm të Krijuesit, siç thuhet në Shkrimin Shenjt, atëherë Tata vë Gruan mbi Krijuesin, kur pohon se …s’ka tjatër gjë as në dhe, as në qjell, as në ujra që ta dua sa ty…
Tata e do më shumë Gruan se Zotin, dhe ajo, Naomi e Galilesë, e pagëzuar nga Tata – Kalije, bëhet rivale me Zotin. Mes dy dashurive dhe dëshirave shpirtërore e fizike, Urata nuk di të ndajë atë çfarë përbën shkelje të rregullave dhe porosive fetare nga ajo që s’përbën mëkat, prandaj harron thirrjen e zërit të brendshëm dhe anon kah dëshira, dhe kështu bie në mëkat. Po me këtë vetëdije lutet: Aq shumë e desh Urata Kalijen sa trembej nga lumturia dhe i lutej Tënezotit mos ia shkruaj si mëkat. Predikuesi i fjalës së shenjtë, duket sikur kërkon t’i thyejë edhe ligjet e shenjta, i cili, për ta justifikuar veten, dashurinë e egër, kërkon të ndryshojë gjykimin e Zotit, për atë që mund të cilësohet si mëkat ose jo. Një përpjekje për ta bindur Zotin se veprimi i tij nuk është i turpshëm apo i dënueshëm. Kësisoj, protagonisti që do duhej të ishte model i fjalës e frymës së shenjtë para të tjerëve, i përmbys ligjet e shenjta të cilat vetë i ka përfaqësuar ose pretendon se i përfaqëson akoma, ndaj veprimi kundër dogmës dhe rregullave fetare, e aq më shumë vënia në pikëpyetje e të vërtetave të Zotit, e shpien drejt rënies në mëkate.
E vërteta qiellore e Uratës dhe e vërteta tokësore e Tatës
E madhe është gjëma e mëkatit, kjo vepër e veçantë si motivim, rrëfim, shtrim e shkrim letrar, shpall që në titull motivin nga Libri i shenjtë, atë të dënimit për shkak të mëkatit, duke e shtrirë në tërë veprën kodin biblik, dhe ndërtuar mbi këtë kod botën ideore e rrëfimtare të historisë së dashurisë së një prifti, marrëdhënien e tij me mëkatin deri në rrugën e shpëtimit. Relacioni me Shkrimin Shenjt, pra shtrirja e kodit të madh biblik si rrjet në tërë veprën, e ka përcaktuar edhe qasjen tonë të leximit e të interpretimit të kësaj vepre në raport me frymën e krishterë.
Tat Tanushi, personazhi ikonë i Mitrush Kutelit, kleriku ortodoks që i njeh dhe i flet të vërtetat hyjnore, bie shkallë-shkallë në kurthin e mëkatit, i tradhtuar nga dashuria për të shtrenjtën e zemrës që i bëhet më e madhe sesa ajo për Krijuesin. Kësisoj, në vertikalen nga qielli në tokë dhe nga toka në qiell, tjerret rrëfimi për thelbin e marrëdhënies trup/shpirt, rrëfimi për të uruarin e Perëndisë dhe të nëmurin prej tij, të bekuarin e të mallkuarin, apo shndërrimin nga Urata prift në Tatën mëkatar, dhe në fund, të penduarin Tat të ringjallur në Uratë. Dy vetat apo dy qeniet e protagonistit që simbolikisht krijohen mes dritës e territ dhe territ e dritës, janë dy forca figurative që tërheqin njëra-tjetrën dhe marrin kuptim nga lidhja e ngushtë e ndërmjemë. Në këtë dysi apo ndërmjet këtyre dy poleve enden të gjitha fijet narrative.
E vërteta qiellore e Uratës dhe e vërteta tokësore e Tatës, e cilësuar e dyta si ‘gjëmë’ nga rrëfimtari, zbulon protagonistin mes dy udhëve: hyjnores e tokësores. Një prifti që i ka përkushtuar frymën Zotit dhe Gruas, rrëfimtari nis t’ia ngre kultin e dashurisë tokësore, duke e dalluar nga ajo hyjnore, dhe formësuar gradualisht përgjatë rrëfimit, prirjen e Tatës kah tokësorja.
Kjo vepër e ideuar mes dy poleve të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, po konceptualishttjetërfare, rrëfen historinë e jashtëzakonshme për dashurinë dhe vdekjen, në tërë simbolikën dhe domethënien e fenomeneve, duke e përplasur fort dashurinë për zotin e njeriun, përkushtimin hyjnor e emocionin mashkullor, besimin e dyshimin, trupin e shpirtin, gruan e hyjin. Rrëfimi për priftin dhe të dashurën e tij, Tat Tanushin e Kalijen, na kallëzon për forcën e jashtëzakonshme të dashurisë, për mëkatin e çmimin e mëkateve, për fuqinë e vdekjes dhe pafuqinë e njeriut, në një lojë brilante mes jetës e vdekjes. Autori portretizon protagonistin në udhëtimin e tij, në historinë që jep aventurë, udhë e udhëkryqe, duke e shtruar filozofinë e tij kulturore e letrare “nën vellon e tejdukshme të legjendës, nën dritën vezulluese të shkrimeve të shenjta, nën jehonën sensuale mikluese të “Këngës së Këngëve” të Solomonit dhe grishjes tunduese të Ekleziastit”.
Predikuesi i fjalës së shenjtë, për shkak të dashurisë dhe vdekjes së ikonës tokësore, guxon ta kundërshtojë Perëndinë dhe të rebelohet ndaj tij, duke e shkelur shumëfish doktrinën, në kundërshti të plotë pra me modelin e Shpirtit Shenjt, sipas të cilit është formuar. Mohimi dhe braktisja e hyjnores për tokësoren, e dërgon në udhën përgjatë së cilës protagonisti do të njohë dhe përjetojë vdekjetë shumta.
Libri për Tat Tanushin e Kalijen end fijet e rrëfimit që për themelore ka temën e dashurisë e të vdekjes, krijuar në një komunikim të jashtëzakonshëm mes dy botësh, subjekt ky që është “nyjë esenciale në letërsinë e Kutelit.” Për Aurel Plasarin, në qendër të novelës është vendosur drama e një qenieje të dashur që vdes duke përmbysur gjithçka në jetën e kësotokshme të protagonistit. Më tej, Plasari kur flet për hirin e fjalës si fuqi dashurie, i gjen heronjtë e Kutelit, ndër ta Tat Tanushin dhe Kalijen, në lojën mes botës së këndejme dhe të përtejme “Këtë takim qenësor, pas shumë e shumë leximesh të rrëfimeve të Kutelit, kam mundur ta përfytyroj si dialog jo vetëm dy shpirtrash, por edhe dy botësh, çka përbën në të vërtetë menteshën rreth së cilës sillet proza e tij rrëfimtare.”
Nëse Toka simbolizon përkohshmërinë e qenies njerëzore, ndërsa Qielli dimensionin kohor e hapësinor ku çdo gjë është e përsosur si vetë krijuesi i saj, Tat Tanushi reprezentohet fillimisht ‘zëdhënës’ i asaj të vërtete hyjnore te qeniet tokësore. Kjo nënkupton se ai është njeri i frymës së shenjtë, pra i gjykimit të shëndosh në raport me detyrën që ka, dhe jo i ndjenjave. Po duke i dhënë peshë më shumë se mendimit, ndjenjave të tij, sepse mishi e shpirti i tij e kërkonte Kalijen më fort se çdo tjatër gjë, Tata prift na zbulohet më pas i zotëruar plotësisht nga ato që quhen anë e brendshme emocionale e njeriut. Sipas Karl Jung-ut, marrëdhënia mes ndjenjës dhe mendimit, ndjek këtë linjë të thjeshtë “Nëse kam një orientim ndaj një mendimi, atëherë nuk mundem që në të njëjtën kohë ta orientojë veten kah ndjenja, sepse mendimi dhe ndjenja janë dy funksione krejt të ndryshme.”
Prandaj, në gjedhen artistike autori vë Uratën prift përballë Tatës, burrë të dashuruar, duke e konfrontuar protagonistin me anën e dy shëmbëlltyrave të përkundërta të tij, si prift dhe si burrë, si Uratë dhe si Tat; përballë instinktit mashkullor biologjik të seksit të parë dhe motivimit hyjnor. Po të orientohej Urata kah hyjnorja, atëherë dashuria e tij tokësore do të ishte e kufizuar, “e menduar” të mos e kalojë pragun, sepse të menduarit për Zotin dhe të dashuruarit gruan, janë aspekte, të cilatsipas doktrinës që përfaqëson personazhi, vetvetiu kundërshtohen. Edhe në zgjedhjen narratologjike, rrëfimi në vetën e tretë për Tat Tanushin nga Bubutima e Ilirisë rrëfehet nga rrëfimtari “me fuqi të madhe shpirtërore, që vrojton, mban shënime e komenton; ai rrëfimtar që bart mbi vete “hirin e Zotit”; qëllimi i tij është ta kthejë lexuesin nga ana e vet, ta bindë, në mos ta shtrëngojë për një adhurim të plotë.” Ky rrëfimtar na rrëfen atë që është tokësore te protagonisti i tij, dhe njëkohësisht na dëfton se cilat cilësi e ngritin besimtarin në një lartësi që e bën të denjë në sytë e Zotit. Prandaj, me urtësinë e besimin e tij, na dëfton të vërtetat tokësore të protagonistit, e në anën tjetër na shtyn ta njohim të vërtetën hyjnore.
Përmbyllje
Vdekja e Kalijes dhe simbolika e vdekjes së saj në pranverë, dëfton vullnetin e Zotit dhe kobin e Tatës, që njërin ta lë këndej e tjetrin ta marrë përtej. Plasari nënvizon se “rrëfimtari e paraqet këtë vdekje të barabartë me ‘shembjen’ e protagonistit.”
Aq shumë e tronditi kjo Tatën sa iu duk se u shemb gjithë jeta dhe ranë kryqet e lartësirave. Kish parë shumë të vdekur në jetën e tij, po tjatër ish Kalija. Ajo s’duhej të vdiste. A mos e kish sjellë që largë për ta varrosur aty?
Humbja e të dashurës së zemrës e rrënon protagonistin dhe çon në shkëputjen e plotë të kësaj qenieje nga fryma e shenjtë. Mëkati ka hyr tashmë në Tatën si një “hop cilësor”. Ngasja e mëkatshme rrjedh pandalshëm. Individi në ankth, thotë Soren Kierkegaard, “nuk reagon, por tërhiqet dhe shtyhet nga kjo asgjë e panjohur dhe, më në fund duke e braktisur veten bie në mëkat.”Në anën tjetër, Kalija e ka kryer misionin e vet, për sa i takon planit filozofik të rrëfimit. Vdekja e saj mbyll pjesën e parë të tekstit, për ta nisur tërësinë e dytë, fazën tjetër të narracionit.
Dëshira e gjallë për Kalijen banon akoma në Tatën, madje sa refuzimi për ta pranuar vdekjen e saj, aq edhe dëshira për ta ringjallë atë. “Një dashuri, e cila duke mos arritur të mbetet në këtë botë, pra vetëm konkrete, ngrihet në nivelet supreme shpirtërore, aty ku ka vend vetëm përkushtimi ndaj Zotit, ndaj jetës së përtejme.” Me këtë qëndrim ndaj vdekjes së Kalijes, Tat Tanushi i ikën plotësisht konceptit biblik për vdekjen si vullnet i Zotit e përbashkim me të, duke mohuar kështu pushtetin hyjnor. Sintagma Ajo s’duhej të vdiste dëfton mohimin e vullnetit të Perëndisë dhe rebelimin ndaj pushtetit të tij.
Me vdekjen e Kalijes fillon të vdesë shpirti i Tatës. Tata, në mos si prift, qoftë pra pa petkun fetar, është i vetëdijshëm se vdekja është ligj universal i qenies, dhe si e tillë, e pashmangshme. Ankthi që e shtrëngonte protagonistin para e pas sinjalizimit në ëndërr, kur i frikësohej dashurisë së madhe e më pas vdekjes së saj derisa ende lëkundej mes hyjnores dhe tokësores, i humb gjurmët tashmë, meqë mëkati triumfon fare lehtë. Këtu mbaron njëra, dhe nis jeta tjetër e Tat Tanushit. Në vijën narrative kjo pjesë, si e parë e tekstit, përmbyll gjithçka njerëzore, dashurinë, mëkatin dhe shembjen e protagonistit. Pjesa e dytë e novelës hap faqen tjetër të rrëfimit, vuajtjen e dënimit drejt pastrimit dhe shpagimit të shpirtit.
Personazhi ikonë i Kutelit, Tat Tanushi, ai që bie dalëngadalë nga drita në terr, në lumin e mëkatit, do të ringrihet me anë të pendesës, për t’iu rikthyer sërishmi dashurisë për Krijuesin, si rilindje e tij në një krijesë frymore, apo nga Tata sërish në Uratë, të mëshiruarin e Zotit. Atëherë kur qiriu i Tat Tanushit po shuhej, protagonisti e përqafon idenë e vdekjes si përbashkim me Perëndinë, duke e pranuar ikjen e tij sipas planit hyjnor dhe shpëtimin përfundimtar të shpirtit në ditën e shëlbimit.
Me veprën E madhe është gjëma e mëkatit, Mitrush Kuteli i ka dhuruar letërsisë shqipe një nga veprat tregimtare më të bukura për dashurinë ndaj gruas dhe dashurinë ndaj Perëndisë.
P.S.
Poshtëshënimet për shkaqe teknike janë mënjanuar