TË GJITHA RRËFIMET MBI IDENTITETIN KULTUROR

Shqiptarët, tashmë, të paktën deklarativisht, e dëshmojnë me krenari identitetin e tyre kulturor proevropian! Por, mbi çka mbështetet identiteti kulturor i evropianëve?

Nga Avni HALIMI

Janë disa rrëfime mbi identitetin kulturor shqiptar! Qëndrimet “akademike” serbo-maqedonase (dhe të disa “shkencëtarëve” aleatë të tyre) ngrihen mbi teza tendencioze dhe ofenduese për shqiptarët! Tezat e tyre, të shprehura edhe nëpër tekste “shkencore” dhe “mësimore”, ngrehin rrëfimin (serb) se “shqiptarët janë pa identitet etnik e kulturo”, se janë “njerëz me bishta dhe të egër”; ngrehnin rrëfimin (maqedonas) se, shqiptarët janë “egërsira që në shekullin XIX kanë zbritur nga majat e larta të maleve dhe kanë uzurpuar tokat maqedonase”!

Te popujt evropianë identiteti kulturor është më i shenjtë se besimi

Historia, antropologjia, arkeologjia, arkivat e ndryshme botërore i përgënjeshtrojnë të gjitha këto teza shovene dhe për shqiptarët flasin si për një popull nga më të vjetrit në Evropë! Megjithatë, përditshmëria jonë nuk ngrihet mbi rrëfimin autokton për identitetin kulturor shqiptar! Cila është qasja kombëtare ndaj kulturës sonë! Cilat janë politikat kombëtare për kulturë, për antropologji, për arkeologji, pastaj, për teatër, për film, për letërsi, për artizanate! Në fakt, kemi dhënë kontribute profesionale e institucionale vetëm sa për vetvete, për t’i njohur këto shkenca dhe për t’u krenuar e vetëkënaqur! Çka kemi bërë dhe sa kemi bërë që Perëndimi t’i bllokojë të gjitha rrëfimet sllave të “thurura” për identitetin tonë kulturor! Fatkeqësisht, kemi plotë kuazi-intelektualë perëndimore, madje edhe deputetë evropianë, kulturologë etj. që janë edhe më tej të impresionuar nga rrëfimet serbe-maqedonase mbi identitetin kulturor “inegzisten” të shqiptarëve!

Fundja, në çka konsiston identiteti kulturor evropian i BE-së? Në “heqjen” e kufijve, vetëm në eliminimin e trerëve doganorë? Në paranë e përbashkët? Në ushtrinë dhe sigurinë e përbashkët (NATO, INTERPOL etj.)? A mund t’i kërkojë dikush gjermanëve që të heqin dorë nga identiteti kulturor gjerman në të mirë të një “identiteti evropian”! Cili do të ishte ai rrëfim mbi identitetin evropian që do t’i bindte gjermanët? Po francezët? Po italianët? Austriakët? Për ta relativizuar këtë fakt, pra, për ta mjegulluar rrëfimin e çdo etnie evropiane mbi identitetin e vet kulturor, kanë shpikur “bashkësinë me diversitet të begatë kulturor”!

Evropa, në Maqedoni, në Kosovë, në Luginë, prej shqiptarëve kërkon që ta zhvillojnë multi-kultin nëse dëshirojnë të sigurojnë ndonjë “kore bukë” si përkrahje financiare për projektet e tyre kulturore! “Shoqëria e hapur” është e garantuar për maqedonasit dhe serbët vlerat e të cilëve kërkohen që të shijohen edhe nga shqiptarët! Edhe në Kosovë, më tepër përkrahen “aktivitetet internacionale” shqiptare, që nuk e vënë theksin mbi identitetin kulturor kombëtar por që angazhohen për një rrëfim të një “identiteti hibrid” përmes projekteve multi-kulti!

Shqipërisë dhe Kosovës i sponsorizohen me qejf vetëm ato projekte që mund të realizohen në bashkëveprim me shtetet fqinje: Shqipëri-Mal të Zi, Shqipëri-Maqedoni e Veriut, por jo dhe Shqipëri-Kosovë!

Përfundimisht, shqiptarëve u mungon rrëfimi autokton mbi identitetin kulturor, punë kjo e akademive tona, e institucioneve kulturore, e politikave dhe strategjive kombëtare mbi kulturën tonë! Kemi qindra ambasada ndërsa kemi dy-tri (apo fare!) atashe kulturor. Edhe aty ku kemi, ndonjë aktivitet kulturor më tepër do të ishte si iniciativë private se sa ndonjë aktivitet i diplomacisë kulturore, sesa, fatkeqësisht, mungojnë direktivat shtetërore që mbështeten në strategjitë dhe synimet kombëtare për sa i përket kulturës sonë.

Po, Tirana përfundoi me sukses misionin si kryeqytet evropian i rinisë, duke realizuar rreth 1000 projekte!!! Tani do të jetë kryeqytet evropian i sportit, ishte edhe kryeqyteti kulturor kozmopolitan i Ballkanit, ndërsa shpreson që më vitin 2024 të bëhet kryeqytet evropian i kulturës! Po çka bëri dhe çka do të bëjë Tirana, respektivisht Shqipëria, për këto gatishmëri nacionale të kërkojë nder nga shtete evropiane që ta prezantojnë kulturën shqiptare nëpër shtetet e BE-së me qëllim që të njoftohen me atë rrëfim burimor mbi identitetin kulturor të shqiptarëve si komb?! Është rrëfim i mangët nëse do të flitet vetëm për mikpritjen e shqiptarëve për evropianët që kanë dëshirë të dëfrehen në kryeqytetin shqiptar, ndërkohë që shtetet evropiane nuk shprehin interesim për kulturën shqiptare. Samiti evropian për Ballkanin që u mbajt në Tiranë, dëshmoi që shqiptarët kanë potencial dhe vlerë dhe se, vetëm me një segment kulturor ia dolën që t’i mahnitin liderët evropianë dhe me kënaqësi të duartrokasin bashkërisht me artistët shqiptarë në një pikë artistike nga thesari ynë kulturor!

Identiteti kulturor evropian dhe “ne të tjerët”

Aktualisht, mbase edhe për dekada të tëra, nuk mund të flitet për një identitet të vetëm kulturor evropian! BE-ja ka vendosur që ky identitet të jetë “multikulturalizmi” i një bashkësie të gjerë që diversitetin kulturor e ka si “dy sytë e balli”! Unioni i shteteve, secili me kulturë të vet nacionale dhe që përkujdesen për kulturat e ndryshme të komuniteteve dhe të bashkësive të tyre etnike. Për gjithë këto vite janë dashur shumë angazhime dhe fonde prej miliarda eurosh me qëllim që të ngrenë një strukturë kulturore që do të jetë vlera më e madhe e një Unioni të shteteve evropiane!

Po “ne të tjerët” që pretendojmë të përfshihemi në këtë Union, si do t’ia bëjmë me kulturat tona? Me kulturat tona nacionale a jemi duke dhënë sinjale të forta se do t’ia dalim që të bëhemi një “vidhë konstruktive” në tërë atë strukturë kulturore evropiane tashmë të “çeliktë”! Për momentin e kemi të sigurt vetëm shijimin nga distanca të vlerave të pacenueshme të kësaj kulture të bashkuar; të lakmojmë dhe të ëndërrojmë ditën se kur do të mund të përfshihemi institucionalisht në politikat kulturore të BE-së!

Fatkeqësisht, ne të tjerët, shtetet që jemi kandidatë për t’u inkuadruar në këtë familje të madhe, me politikat kulturore që i zhvillojmë jemi shumë larg, gati në kufij e të pamundshmes që të inkuadrohemi ndonjëherë në BE! Kjo Familje e Madhe nuk do të na pranojë me “kultura problematike”, me një mentalitet që kulturën e sheh si mundësi për përfitime personale, për ta manipuluar historinë nacionale, rajonale e botërore. Pra, popujt dhe shtetet me “kulturë me prirje konfliktuale”, por edhe ata shtete e popuj me prirje për “tallava kulturë” as që guxojnë të shohin ëndrrën e bashkimit të madh! Sepse, kjo nuk do të mund të ndodhë asnjëherë. Nuk ka strategji, nuk ka pozitë gjeostrategjike, ushtarake, madje as ekonomi gjigante, që mund t’i anashkalojë problemet kulturore në të mirë të afrimit dhe bashkimit me BE-në!

BE-ja e ka shumë të qartë rolin e kulturës dhe të industrisë kreative në zhvillimin e saj ekonomik, pra, në shtimin e mirëqenies së përgjithshme. Prandaj për strategjinë Evropa Kreative përgjatë viti 2013-2020 janë ndarë 1.8 miliardë euro. Politikat evropiane kanë detektuar se, në bruto prodhimin evropian, kultura si dhe industria kreative arrijnë vlerën prej 4.8%, apo rreth 3.8% të të punësuarve në BE (diku rreth 8.5 milion vende pune)! Falë këtyre synimeve të politikave evropiane, gjatë vitit 2000-2007, punësimi në sektorin e kulturës dhe industrisë kreative për çdo vit ka shënuar rritje prej 3.5 %!

“Ne të tjerët”, a mund të themi se po hartojmë strategji nacionale për t’i përcjellë këto trende evropiane në sektorin e kulturës? Jo, sepse, “ne të tjerët” akoma jemi në stadin e “ndërtimit dhe përforcimit” të identitetit kulturor, madje edhe më keq, akoma nuk jemi të prerë dhe të qartë se si do të duket identiteti ynë kulturor në 100 vitet e ardhshme! Buxhetet e kulturave tona janë për të gjeneruar “heshtje të intelektualëve” dhe nuk janë burime që gjenerojnë punësime, që hapin vende të reja pune, që nuk premtojnë kurrfarë rritje të industrisë kreative.

Pra, BE-ja, përkundë fragmentarizmit kulturor e gjuhësor, me politikat e veta kulturore angazhohet fuqishëm në promovimin dhe në ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor si dhe në shtimin e konkurrencës, sepse vetëm kështu do të rritet punësimi, respektivisht, mirëqenia dhe zhvillimi i përgjithshëm. Në BE funksionon Strategjia e përbashkët e ngritur mbi programet e veçanta ta aktiviteteve kulturore. Dhe, sa më të ndryshme dhe më të larmishme që të jenë këto aktivitete aq më i fuqishëm do të jetë përkushtimi i shoqërisë për ta ruajtur dhe zhvilluar diversitetin kulturor, vlerë kjo mbi të cilën ngritët identitet kulturor evropian.

Me politika diskriminuese, me politika për kultivim të kultit “popull bibliko-mitik”, me politika për të ngritur identitet kulturor duke shkelur identitete të tjera dhe duke ua vjedhur vlera e faktuara në historinë botërore, nuk ka BE, sepse identiteti kulturor evropian nuk toleron që brenda vetes të ketë “trup tumoral” që paraqet problem shëndetësor! Identiteti kulturor evropian nuk mund të tolerojë që të jetë i përfshirë në asnjë konflikt identitar dhe as brenda vetes të ketë ndonjë segment kulturor konfliktual!

“Burimet” e idesë për zhvillim autonom të “kulturës provinciale”

Në fondin e dokumenteve nga politika e jashtme e Mbretërisë së Serbisë, të përfshirë në Librin i të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, gjendet edhe një letër e Nikolla Pashiqit, i cili hedh idenë për një strategji të re të serbëve në raport me “Arnautët”! Ai apelon në korrigjimin e qasjes nacionale serbe ndaj shqiptarëve, duke nënvizuar se si serbët, me dëbimin e shqiptarëve, humbën një “aleat” të fuqishëm të mbrojtës së tokave serbe! Me qëllim që pikëpamjet nacionale serbe të jenë sa më të qarta duhet që të kihet një kujdes më i madh në raportet serbo-arnaute, “duke kërkuar mënyra dhe rrugë që Arnautët të vihen në shërbim të idesë nacionale sere”!

Obligim parësor i serbëve, sipas Pashiqit, duhet të jetë që para Evropës të dëshmohet se populli serb është gjallë i interesuar që t’i ndihmojë shqiptarët në zhvillimin e tyre kulturor duke i bindur në atë se, shpëtimi i tyre është vetëm nën kupolën e rilindjes evropiane. Dhe kjo, sipas Nikolla Pashiqit, do të arrihej vetëm përmes angazhimit të strukturave politike serbe në zbutjen e vëllavrasjes fisnore e familjare te shqiptarët si dhe duke ua shtuar besimin se vetëm në bashkëjetesë me serbët, Arnautët mund t’i ruajnë viset si dhe gjuhën e vet, dhe të sigurohen plotësisht se Serbia është e gatshme t’u garantojë autonomi në zonat e tyre fisnore!

Përmbajtja e letrës së Nikolla Pashiqit është kjo: “Me qëllim që pikëpamjet nacionale serbe të jenë sa më të qarta duhet që të kihet një kujdes më i madh në raportet serbo-arnaute, duke kërkuar mënyra dhe rrugë që Arnautët të vihen në shërbim të idesë nacionale serbe.

Politika nacionale serbe ka bërë një gabim jashtëzakonisht të madh që, gjatë çlirimit të tokave tona të reja i detyroi Arnautët që të shpërngulen dhe, me këtë, e ndërpreu një lidhje natyrore dhe shumë të favorshme në mes të Shtetit Serb dhe popullit Arnaut duke i shndërruar ata në armiq të pikëpamjeve nacionale serb! Me qëllim që, në njërën anë të përmirësohet ky gabim dhe, në anën tjetër të sigurohet një angazhim i përbashkët në mbrojtjen e tokave të banuara me Serbë dhe Arnautë, si dhe para evropianëve të dëshmohet se Serbët dhe Arnautët mund të jetojnë së bashku njëri pranë tjetrit, kurse Serbët janë gjallë të interesuar që ta ndihmojnë zhvillimin nacional dhe kulturor të Arnautëve dhe me këtë t’i orientojnë kah vatrat e rilindjes evropiane – është e patjetërsueshme që fillimisht të përgatiten në një vatër arsimore ku do të mësonin mbi tokat serbo-arnaute si dhe ku do ta zbusnin hakmarrjen fisnore e familjare. Kjo do t’i mbushte plotë me besim se vetëm në marrëveshje dhe në harmoni me serbët mund t’i ruajnë viset si dhe gjuhën e tyre, ndërsa serbët janë plotësisht të gatshëm t’ua garantojnë një autonomi në zonat e tyre fisnore, e cila, në kuadër të shtetit serb mund të zhvillohej gjithnjë në të mirë të vëllazërisë serbo- arnaute”! (Koncept. AS, MID, PO, 1095, nr. 2601, F-I, D-IV)

Çka flet ky dokument sot! A nuk është një “koncept-ide” mbi të cilën do të pasojnë të gjitha përpjekjet dhe strategjitë nacionale serbe, përgjatë një shekulli, që ta nënshtrojnë popullin shqiptar dhe atë ta vënë në shërbim të “mendimeve nacionale serbe”! A mos është “Ballkani i Hapur” një përpjekje e tërthortë e neo-pashiqëve që t’i detyrojnë shqiptarët vullnetarisht të punojnë mbi konceptet nacionale serbe të hartuara këtu e më shumë se një shekull më parë!

“Ballkanin e Hapur”, ndonëse është projekt serb, “nuk e dëshirojnë serbët” por e kërkon Evropa Sot në Shqipëri ka plotë “kultorologë” që mendojnë se pa një bashkëpunim intensiv të kulturëbërësve serbo-shqiptar, vështirë se do të hidhej ndonjë hap më i madh në sendërtimin e projektit “Ballkan i Hapur”, ndërsa kjo do të thoshte “distancë e pakalueshme” e popullit shqiptar për në Evropë. Pra, pa një dëshmi se është e mundshme bashkëjetesa dhe harmonia serbo-shqiptare, duke u dëshmuar kjo përmes kontributit serb në zhvillimin kulturor të shqiptarëve të cilët duhet të përqafojnë idetë nacionale serbe, Serbia nuk do të na ndihmojë që të kyçemi në Evropë!

Shqiptarët bëjnë mirë që herë pas herë, sa për vete, po zbulojnë dhe publikojnë strategji, ide dhe vizione serbe se si t’i përdorin shqiptarët për jetësimin e pikëpamjeve nacionale serbe. Po a kanë shqiptarët ndonjë koncept-ide, ndonjë dokument nacional të përjetshëm, i cili do të shërbente si Libër i Shenjtë kombëtar nga i cili nuk guxon të ketë shkarje asnjë milimetër! Vetëm një dokument që do të dëshmonte për zhvillim kulturor kombëtar i cili do t’i zhbënte të gjitha ato koncepte serbe për zhvillim kulturor me “autonomi të plotë në zonat fisnore”?! Kështu si po na shkojnë punët, mund të na ndodhë që problemet brenda shqiptare të marrin po ato përmasa historike që i kanë sot populli maqedonas dhe ai bullgar!

Leave a Reply

Your email address will not be published.