TË SHKRUASH PËR LETËRSINË

Letërsia nuk është as thashetheme rrugësh dhe as intrige që rrjedh si status nëpër facebook, apo rrjetet e tjera sociale. Letërsia, ashtu si edhe arti, janë një shkallë e lartë e emancipimit shoqëror

Kliton NESTURI

Të shkruash për letërsinë sot në Shqipëri është një budallëk. Madje, do të thosha është çmenduri. Letërsia nuk është as thashetheme rrugësh dhe as intrige që rrjedh si status nëpër facebook, apo rrjetet e tjera sociale. Letërsia, ashtu si edhe arti, janë një shkallë e lartë e emancipimit shoqëror.

E them me dhimbje këtë, pasi shoh se jeta shqiptare, si asnjëherë më parë, sa po vjen e po jepet pas gjërave të lehta, rrjeteve sociale ku gëlon populizmi dhe perversiteti, thashethemeve dhe intrigave, gjërave që prodhojnë vetëm stres, jetë boshe dhe asgjë më shumë. Duket sikur tek shqiptarët jeta e ka humbur kuptimin, dhe jetohet ngushtë, vetëm sot për sot, pa mundur të hidhet vështrimi drejt së ardhmes. Kësisoj edhe temat për vlerat e larta njerëzore të shoqërisë që duhet të reflektojmë dhe ndërtojmë, mund të konsiderohen pa vlerë.

Tek po bisedoja me një mik të ngushtë, tek i cili besoj shumë për vlerat intetelektuale dhe artistike, fjala ra në temën e letërsisë. Të dy ishim në një mendje, se sot letërsi në Shqipëri shkruhet, por pa hyrë në analizën se cilit lloj i përket, vihet re se, si asnjëherë më parë se mungon fryma e debatit, e analizës së veprave.

Të flasësh për letërsinë apo për artin, nuk është se po flet për një vepër apo fushë të caktuar. Jo. Duke qenë se letërsia dhe artet kanë karkater reflektiv, ato gjenerojnë tema të pafundme njerëzore dhe sociale, nëpër të cilat kalon udha e shoqërisë. Aristoteli thoshte se “Teatri është katarsis”. Këtë funksion ka sot arti në vetvete; Të prodhojë katarsis, duke e bërë shoqërinë edhe më të mirë, vazhdimisht më të mirë.

Pë hir të së vërtetës, në median e shkruar dhe elektronike, ekzistojnë suplemente letrare apo kulturore. Kjo është diçka e mirë. Por vetëm kaq. Deri më sot, të paktën dekadën e fundit, nuk është vënë re që këto suplemente të karkaterizohen nga fryma a debatit, analizat e thella dhe përplasjet që e forcojnë klimën artistike dhe intelektuale. Kjo sepse këto suplemente duke ruajtur autorësinë një botuesi apo grupimi të caktuar, e kanë pasur të pamundur të dalin nga kornizat e tyre, apo shprehur më qartë, rrethi i ngushtë, për t’i dhënë hapësirë mendimit të pavarur dhe përplasjeve së ideve. E përkufizuar në një fjalë të vetme, forca e tyre ka qenë dhe është e butë (soft), çka nuk i ka shërbyer aspak klimës letrare dhe zgjimit të interesimit të lexuesit. Vetëm debati e nxit zhvillimin dhe bën që të kthehet vëmendja ndaj një teme apo një vepre të caktuar. Çdo gjë “e butë” kalon pa u vënë re.

A është e vërtetë kjo? Natyrisht që po. Por historia e këtyre tridhjetë viteve, na ka treguar se për veprat e artit, letërsisë, pikturës, muzikës, filmit, teatrit, vëmendja ka qenë shumë e ulët, çka dëshmon shkallën minore të emancipimit të shoqërisë shqiptare. Në Shqipëri dhe ndër shqiptarë, vëmendje kanë tërhequr vetëm debatet shterpe politike, debatet për ndërtesat e institucioneve, kronikat rozë, kronikat e zeza, apo thashethemet dhe intrigat e rëndomta që mbushin rrugët dhe rrjetet sociale. Është e dhimbshme, të mendosh që ky popull që nuk gjeneron vlera të larta të ndërtimit të shoqërisë, jeton në Evropën e mençur dhe plot kulturë.

Një komb udhëhiqet nga elitat, ata që shkruajnë përçojnë dhe reflektojnë ide dhe debate për ekonominë, perspektivën, zhvillimet sociale, artin dhe vlerat humane. Sa duket, në Shqipëri kjo klimë do të mungojë edhe për shumë kohë, pasi shqiptarët e kanë më të kollajshme që të rendin me ngulm drejt gjërave të lehta dhe jetës së varfër shpirtërore, thashethemeve të rrugëve dhe atyre që mbushin rrjetet sociale në internet, duke mos menduar fare për ballafaqimin që i pret me të ardhmen e afërt.

Leave a Reply

Your email address will not be published.