TË ZBËRTHESH NJERËZIMIN SI PARADOKS

*OR* n. 22 seconda guerra mondiale - shoah: Il poeta Eugenio Montale, riferendosi agli anni delle leggi razziali ebbe a dire: "Distilla veleno una fede feroce"

Një pjesë e madhe e njerëzimit vjen me padëshirën për të krijuar diçka që t’i përkasë në këtë botë, dhe mbi të gjitha, nuk ushqehet shpirtërisht, intelektualisht, nga ato që zbulon vetë, por ngopet nga e vjella e kuesëve që çdo brez mbart

(Hamdi) Erjon MUÇA

Arti poetik ka qenë gjithnjë një udhëtim kërkimi; kërkimi i përsosmërisë së fjalës. Duke nisur nga antikët grekë me Homerin në krye, tek latinët e Virgjilit, duke përvijuar me rilindësit e Alighierit dhe më pas, ka qenë gjithmonë një rendje drejtë asaj përsosmërie që kulmoi me artin hermetik të shekullit të XX, me katërshen e artë, Quasimodo, Saba, Ungaretti dhe Montale. Jo se ky shekull nuk pati të tjerë poetë të mëdhenj, kërkues dhe gjetës të përsosmërisë, pati por jo hermetikë të këtij kalibri. Do të flasim për Montalen që mbetet maja, arritja kulmore e kësaj forme poetike. Për ta zbërthyer, morëm një krijesë të vogël dhe e sollëm edhe në gjuhën origjinale, pasi mjaft imazhe të furishme qëndrojnë pikërisht fshehur pas disa fjalëve të kësaj gjuhe. Montale e nis këtë poezi me fjalën tentamo – në shqip do t’i shkonte edhe fjala synuam, apo gjakuam, por në kontekstin e kësaj poezie këto fjalë do të stononin, pasi hollo-hollë, shkon përtej synimit, apo gjakimit, thuajse bëhet gati për të ndërmarrë një veprim; ndaj unë vendosa ta përkthej si orvatje, as synuam dhe as kërkuam e as gjakuam. Te kjo fjalë shohim dy arsye. Arsyeja e parë ishin bisedat me profesor Anton Nikë Berishën; menduam ta lëmë tentuam, ngaqë edhe në shqip e përdorim këtë fjalë, por ai nuk ishte i bindur për përsosmërinë poetike të kësaj fjale në shqip, dhe bëri mirë që nuk e pranoi këtë lëshim, pasi na vuri të mendojmë për një mori fjalësh të tjera. Ndërsa arsye e dytë është fryma disfatiste e kësaj fjale në italisht; tentimet nuk përfundojnë kurrë, ato mbeten gjithnjë të pambaruara. Pra u orvatëm, bëmë disa prova mbi baza që ekzistonin edhe më parë, por pa mbërritur kurrë në një përfundim. Nuk kishim se ç’kërkonim, ne njerëzit, tashmë gjithçka ekzistonte, ekziston dhe ne do të orvatemi. “Orvatëm një ditë të gjenim një mënyrë të Bukur-vdekje – që të mos ishte vetëvrasja dhe as mbijetesa.” Në fund të këtij vargu, që nis me këtë orvatje, Montale përdor një tog fjalësh në latinisht “Modus Morendi” Modus do të thotë mënyrë, dhe ai shumë mirë, po të donte, e përdorte në italisht, në gjuhën e vet, dhe jo në latinisht, në gjuhën e paraardhësve të tij. Mirëpo, nuk e përdor në funksion të fjalës Morendi, që në italisht nuk ekziston si ekspresion: në shqip përdorëm një fjalë të formuar Bukur-vdekje, e megjithatë prapë nuk i afrohet Morendi-t latin: ajo i përmbledh brenda të gjitha llojet e vdekjeve, heroike, ngadhënjimtare, sakrifice, vetëmohimi; ato lloje vdekjesh që kanë mbetur në apoteozën e kujtesës njerëzore. E gjithë marrëzia njerëzore mbledhur në këtë bukuri makabër. Nuk mjafton vetëm vdekja, ai dënimi që njeriu merr që në lindje, njeriut nuk i mjafton aspak; me vdek për fe dhe atdhe; për idealet. Në asnjë legjendë a tregim të vërtetë, nuk thuhet se jetoi për fe dhe atdhe, dhe ideale. Te jetesa nuk ka asgjë madhështore, jo, njerëzimi e ka kërkuar lavdinë, ngadhënjimin, madhështinë te vdekja. A thua se jeta nuk ka asnjë vlerë, dhe e vetmja vlerë e saj qëndron pas mënyrës se si vdes; në këmbë apo ulur; mbi tank apo përballë topit. Mirëpo, tashmë as vetëvrasja, e tipit harakiri prej kamikazi nuk është më në modën e Morendit, por as mbijetesa ndaj vuajtjeve, siç ishin të mbijetuarit e holokaustit – kjo poezi është shkruar në vitet 71-72 të shekullit të XX- nuk përbëjnë më lajm, nuk yshtin kërshëri, keqardhje. Përsa do të orvatemi, bukur-vdekjen nuk do ta gjejmë kurrë. Nuk ekziston një e tillë, ekziston vetëm vdekja. “ Të tjerë e morën iniciativën për ne”. Ne, shumica vetëm orvatemi, me mendje, me fjalë, me përbetime, të tjerë bien, të tjerë vijojnë të “bukur-vdesin”, në të katër anët e botës; në fillim na ndjellin keqardhje, revoltë, mirëkuptim, e më pas, si për çdo gjë jashtë nesh, i harrojmë. Vetëm se, thotë, poeti: “është vonë për t’u rizhytur nga shkëmbi”. Në të gjithë popujt e botës ka nga një legjendë të gjallë apo gjysmë-harruar si ajo e Argjirosë tonë, por tashmë edhe kjo lloj sakrifice nuk hyn më tek Morendi; njerëzimi ka shfaqur mjaftueshëm për të mahnitur me këtë lloj vetëflijimi, madje, një pjesë e madhe e tij, këtë, e quan naivitet dhe asgjë më tepër. Askush nuk e vëren që përherë e më tepër njeriu zhvleftëson jetën, ndaj shkruan: “Që një shpirt i rreckosur të ishte vetë jeta në diapazonin e vet, nuk e besove kurrë”. Në të gjithë hapësirën e saj, prej njerëzve, jeta është nënçmuar, deri në kufijtë e urrejtjes. Ose më keq akoma, e banalizuar nën thundrën a statistikës: “orët të ngusnin, por ty të mjaftoi sahati”. Njerëzve duket sikur nuk u intereson ora që shkoi, si shkoi, çfarë bënë, çfarë duhet të bënin, por që nuk e bënë, dhe dita apo ora që do të vijë, jo, jo njeriu mjaftohet me katalogimin e tyre, me matjen; jeton me iluzionin se po kontrollon kohën. Tani mbërrijmë te pjesa kulmore, aty ku poeti me vetëm pak fjalë ndërton një tablo marramendëse, paradoksale, njerëzore.

Ndërsa njëra pjesë e njerëzimit është e magjepsur pas klasifikimit, siç thamë më sipër, pjesa tjetër e njerëzimit, të cilën poeti i klasifikon, gjen një vrimë. Në italisht është e shkruar Nicchia, pra vrima, që shumë herë përdoret nga shpendët për të jetuar, pra një lloj foleje, por jo Nido që do të thotë fole, por vrimë; krijuar nga kushtet atmosferike, në mure, në shkëmbinj.. Një fole zogu e ndërton, lodhet, mundohet, lufton për të, ndërsa vrimën e gjen gati. Pra, një pjesë e njerëzimit nuk krijon asgjë vetë, mjaftohet me atë ç’gjen të ngrehur, gati, e pranon ashtu siç është, madje edhe e braktis pa i bërë as më të voglin ndryshim; nuk ka se si, atë nuk e ka krijuar ai dhe thellë-thellë nuk e ndjen të tijën, vetëm sa e përdor. Dhe çfarë pret? Këtu poeti tejkalohet. Në italisht emri i përgjithshëm i gjinisë mashkullore, kues; Imbeccatore, nuk ekziston. Ekziston folja Koj- Imbeccare, dhe në bazë të kësaj Montale krijon emrin.

Një pjesë e madhe e njerëzimit vjen me padëshirën për të krijuar diçka që t’i përkasë në këtë botë, dhe mbi të gjitha, nuk ushqehet shpirtërisht, intelektualisht, nga ato që zbulon vetë, por ngopet nga e vjella e kuesëve që çdo brez mbart. Shtyn kohën pa vlerësuar as kohën dhe as jetën, në rendje marramendëse pas paradokseve më absurde të mundshme, me shpirtin dhe mendjen mbushur me besime dhe ide që nuk i ka vjelë vetë. Por, të ndalemi pak tek titulli; si rregull duhej përmendur që në fillim, por e lamë për në fund, ngaqë edhe titulli bëhet edhe më tepër provokues kur e mendon pas fundit. A.C. Në italisht kjo nënkupton edhe Para, Krishtit, Para erës së re. Pra kjo orvatje, nuk i përket ditëve tona, por historisë, ose- ose në vend të një “circolo vizioso” , qerthull vicioz, kemi të bëjmë me një “circolo di tentativi”, qerthull orvatjesh. Çdo brez bën orvatjet e veta, duke i harruar orvatjet e brezave që shkuan; ose- ose bën po të njëjtat orvatje të brezit që shkoi. Hermetizëm provokues që në titull. Ja pra ky ishte Eugenoi Montale, ky është hermetizmi. Kjo është magjia të cilën vetëm pak të përzgjedhur mund ta zotërojnë.

Eugenio Montale

A.C.

Tentammo un giorno di trovare un modus

morendi che non fosse il suicidio

në la sopravvivenza. Altri ne prese

per noi l’iniziativa; e ora ë tardi

per rituffarci dallo scoglio.

Che un’anima malviva

fosse la vita stessa nel suo diapason

non lo credesti mai; le ore incalzavano,

a te bastò l’orologio, a me la nicchia

del’imbeccatore.

A.C.

Orvatëm një ditë të gjenim një mënyrë

të Bukur-vdekje që të mos ishte vetëvrasja

dhe as mbijetesa. Të tjerë morën

për ne iniciativën; e tani është vonë

për t’u rizhytur nga shkëmbi.

Që një shpirt i rreckosur

të ishte vetë jeta në diapazonin e vet

nuk e besove kurrë; orët të ngusnin

por ty të mjaftoi sahati, mua vrima

e një kuesi

Leave a Reply

Your email address will not be published.