Kush e shkatërroi Teatrin Kombëtar? A ka adresë ku duhet të trokasim, apo fajtori banon diku klandestin, me qira…
Nga Agron GËRGURI
Nëse konstatojmë se Teatri është në krizë, jo si manifestim por si art, do t’i kemi vënë vetes detyrë të ngremë institucionin e debatit të munguar?! Edhe pse vazhdimisht konstatojmë se na duhet debati që të filtrojmë gjendjen, dikush, për ta mirëmbajtur krizën, hoqi edhe ato pak debate që bëheshin në festivale të teatrove. Nëse nisemi të gjejmë fajtorë e faktorë, hasim në mirëqenie dosllakishë në produktimin teatror! Disa të tjerë argumentojnë se shkaktarë të krizës janë ata që do duhej të ishin bartës të zhvillimit të teatrit si institucion dhe si art, fakulteti, teatrot publike, aktorët “yje” që kënaqen me seriale e diku – diku edhe si karrem i politikës për të vjelë vota. Disa thonë se fajet i ka dramaturgjia, e cila po gazetarizohet. Ka tjerë që për këtë gjendje e akuzojnë administrimin e tepërt të kulturës në përgjithësi dhe artit në veçanti. Tashmë shumë prej atyre që e bëjnë artin teatror janë trajnuar apo janë në proces të trajnimit për të mos çarë kokën për produktin artistik, kryesorja të jesh mirë me letra. Krejt në fund apo në gjenezë fajin e ka shoqëria e akomoduar në mungesën e sistemit të vlerave?! Këtu ironia bëhet fakt dhe çështja bëhet edhe më shqetësuese?
Duke qenë se Teatri si art sublim sigurisht se i ka edhe arsyet “objektive“ të ngecjes apo të humbjes së rrugës deri te spektatori….?! Ashpërsia e mediumeve tjera të digjitalizuara ka “blerë“ shumë prej spektatorëve dhe krijuesve të mundshëm teatror … dhe i ka blerë shumë lirë?! Por, teatri i zënë ngushtë sikur këlthet: mos më digjitalizoni, sepse vetëm ashtu siç më ka bërë Dionisi, Thespisi, Eskili, Shekspiri, Çehovi mund të jetoj. Shembull është, po e zëmë Japonia, ku digjtalizimi i jetës ka shkuar larg, por Teatri ruhet ashtu siç është që nga lindja, me njeriun për njeriun!
Tjetra është se dikur teatri, artisti – aktori, shkrimtari, regjisori përjetoheshin apo ishin “të tjerë”, ishin TABU – FETISH dhe kjo sikur i ka mbajtur dhe të kultivuar si të veçantë. Sot, duke mos pasur një sistem të qëndrueshëm vlerash, kemi një ngatërrim kriteresh, ndërsa edhe pse ka ndodhur detabuizimi, defetishizimi, mirëpo është prish rrëfimi, stisur përjetimi e ka humbur kuptimi.
Teatri, ngjashëm si gjithë shoqëria, u fut në qorrsokakun e krizës së vlerësimit apo në vakumin e sistemit të munguar të vlerave, ku shumëçka lëvizë e askund nuk shkon…suksesit i mbetet dëshmimi në fb, instagram. Pra, rrjeti social bëhet kriter. Nuk u gjend autori, nuk u bë repertori, nuk u zu spektatori, iku tema u objektivizuar, ideja, gjithçka u shndërrua ne rutinë aty ku mbretëron skllavërimi i kreativitetit! Fundja, në teatrin kosovar (lexo shqiptar) nuk është profilizuar thuaja asgjë: as zhanret, as stilet, as meta shprehjet teatrore, as llojet e teatrit ( teatri social, teatri i padukshëm, çehovian, shekspirian, kamertal). Teatrin e ka prekur virusi i monotonisë, amullisë dhe provincializmit në njërën anë, ndërsa në anën tjetër kemi teatër manifestiv, një lloj teatri publicistik, të cilën e stimulon dramaturgjia bulevardeske, e cila e ka humb personazhin në përpjekje për të kapur problemet si perceptim publik.
Më e keqja është se mungon dashuria për artin teatror, përkushtimi, sinqeriteti në qasje, vullneti në veprim, mungon kritika teatrore, ka sa të duash vetëmjaftueshmëri, por mungon autoritetit krijues, jo – meskin. Përveç lirisë në shprehjen e dëshirave seksuale eksplicite në skenë të sjella nga jashtë, asgjë tjetër. Qeshje ironike, urime hipokrite për sukses, derisa e vërteta rri e strukur dhe pret artistin. Meteorologë të kësaj klime janë kryesisht aktorët që thirren në tituj, studentët ambiciozë që qëllim e kanë diplomën dhe kapjen e ndonjë projekti, regjisorët që kanë smirë ndaj njeri tjetrit, “bardët” e teatrit me nga një rol dytësor në karrierë, profesorë të kënaqur me statusin e vetëmjaftueshmërisë. Profesional me bindje, talente për imitime, “resurse” të shterura nëpër rrjetet sociale. E skena pret rrëfimin, emocionin, dashurinë, përkushtimin, veçantinë artistike për të thënë diçka për sot e reflektuar nesër për njeriun. Skenës teatrore aktuale i mungon serioziteti i Muharrem Qenës, trema mobilizuese e Istrefit, figura markante e Avdushit, sinqeriteti i Farukut, përkushtimi artistik i Ismet Azemit e tjerëve që janë jashtë zhurmës e britmave shurdhuese për sukseset e dështimeve ?!. Nuk i mungon as kullerizmi dhe të qenët (lexo ndenjurit) jashtë vetes pa profil. Shkurt, është tepruar me mësimin se teatri është lojë dhe vetëm lojë edhe kur abuzohet me rregullat e lojës. E spektatori ikën, sepse mungon jeta në teatër, mungon rrëfimi me njeriun në qendër, është prishur iluzioni mbresëlënës, maska e çjerrë prolog nuk mblidhet dot në epilog. Shfaqjet të ngarkuara me modernitet e postmodernitet pretendojnë të kapin probleme përmes të ashtuquajturit diskurs, edhe kur nuk dihet kursi! Është prishur muri i katërt e ka rënë çatia e estetikës?! Ka hipur spektatori në skenë, e aktori nuk mbeti as spektator?
Kur ta hapim kutinë e Pandorës (lexo Talias) dëgjojmë britmat: ka, nuk ka teatër, banalitete që prishin metaforën, kurtuazitete në foajet e teatrove, urime me buzëqeshje të uthullta për suksesin…Në ndërkohë spektatori po ikën e ne ende nuk e dimë peshën specifike kur matemi me vetveten… Fabrikime pafund të madhështisë së paqenë?! Gazetarët heshtin kur duhet shkruar, shkruajnë kur duhet heshtur. Nganjëherë duke vënë veten në shërbim të ndonjë të “keqtrajtuari” ne rrugën e afirmimit ”afirmohen” vetë duke u bë palë simpatizuese?!
Teatri është sikurse jeta, një tkurrje e jetës ku kriza (problemi) shihet më ngushtë, por reflekton më qartë. Duke mos qenë sot kështu ngase teatri u mbush me mikrofona e video, u digjitalizua në garën e autorëve për t’ju ngjitur aktualitetit që po e vrasin teatrin, pikërisht gjallërinë e drejtëpërdrejtshmërinë, e cila e shquan nga artet tjera. Natyrisht, ndikimi spontan i tij në jetën shoqërore e ka humbur tehun duke vrapuar pas trendeve apo asaj që e quajmë eksperiment apo avangarde e emocionalizuar dhe pa domethënie. Teatri nuk të dërgon askund tjetër, përveçse te njeriu që është qëllim final i ekzistencës për të mos thënë i mision të teatrit prej antike e këtej.
Po ta kishim përfillur, po e zëmë, mendimin dhe praktikën e Artos, teatri do duhej të përcillte tematikisht nën lëkurë ndryshimet në shoqëri… E keqja është se në salto-mortalet e tranzicionit, kulturës i është thënë prit në rend… Teatrit vazhdo konfliktin, fute edhe pak intrigë…rrite zogun e qyqes derisa një ditë ai t`i nxjerr sytë. E ne? Kënaqemi si Jago, e kemi shaminë e Dezdemonës në dorë, intrigën mund ta zhvillojmë tutje Jagos, derisa ta shkatërrojmë tjetrin. Harrojmë se ai tjetri jemi ne……e jo Othello?! Dikur Teatri e kishte qetësinë e tempullit fetar… joshjen e shtëpisë publike, dua të them kishte intimitet (lexo identitet) që sot i mungon. Politika e ka eklipsuar të vërtetën, të cilën e detekton teatri që sot është jashtë vetes.
Adhurimi për Begollin, Hasanin, Petrovcin, Pallaskën, Fehmiun është zëvendësuar me politikanët, madhërohen analistët që e kanë të sofistikuar sensin e shpërfaqjes së vetvetes përmes problemeve të kësaj shoqërie, ashtu siç e bëjnë edhe përmes përgojimit të problemeve kulturore (e teatrore në kontekst) sa herë që atyre u bije ndërmend, e jo sa herë ka nevojë, pa koherencë, e kritere. Kur kritikojnë amatorisht, nxjerrin titujt akademik si argument në fund të gazetës, sa për t`ju besuar?! Ata i dinë gjërat më “mirë” se, po e zëmë, Josif Papagjoni, Emin Emini, Agron Gërguri, Primo Shllaku, Besim Rexhaj…hije mbi tjetrin, hijeshi askund…?! Këlthasin mungon kritika teatrore derisa nuk i lexojnë. Mujshorët mediatik nuk qajnë hallin të vënë kritere për vlerësim kritik, e as për kritikët teatror e të artit në përgjithësi!
Teatri po vuan nga dija e mosdijes… se e ka ngulfatur zhgënjimi nga sukseset… se e mbyti amatorizmi në krijimtari e mungesa e amatorizmit në qasje… S`ka dashuri, ka interes do thonë njerëzit praktik…Biznesmenët e ashtuquajtur kulturor e teatror, të cilët jo rrallë i bëjnë politikat kulturore, duke i estradizuar e fejsbukizuar. Sa herë flitet për tepricë administrative, ato shtohen?
Kush e shkatërroi Teatrin Kombëtar? A ka adresë ku duhet të trokasim, apo fajtori banon diku klandestin, me qira… Derisa ta gjejmë adresën e saktë dhe të ngremë zërin pa të keqen e askujt, na mbetet të trokasim tek ajo që na rri mbi qafë, gjithsecili prej nesh që, hajt po them, kemi njëfarë brenge për gjendjen artistike dhe institucionale të teatrit sot?!