TEKI DËRVISHI DHE LOJA E TIJ

Teki Dërvishi është i lidhur ngushtë me teatrin dhe këtë mund ta identifikosh në çdo tekst të tij. Çdo pamje që na jep duket se procesin e krijimit e kalon në syrin e autorit nëpërmjet një inskenimi imagjinar në skenë teatri

Adriatik ZEQIRI

Teki Dërvishi është mjeshtri brilant i fjalës së shkruar. Ai krijimin e tij e përjeton si lojë. Lojë e fjalës së thënë, lojë e figurimit të fjalës, lojë retorike pambarim, lojë e ideve që lindin, jetën si lojën e madhe njerëzore. Diskursi i tij është në funksion të lojës shprehëse të tij, të nevojës aq të madhe të artistit për të treguar dhembjen e tij. “E, Teki Dërvishi është poet. Ky edhe është gjakimi i tij. Çfarë tjetër do të ishte gjakimi i njeriut që fatkeqësinë personale e vë në lojë pandërprerë, në lojën e vetme që e njeh, në lojën e shkrimit letrar.”

Në strukturimin e tekstit është shumë i mirë, duke i ngërthyer zhanret njërin në tjetrin. Pra diskurset e tij dhe zhanret shpeshherë nuk janë nga ato klasiket. Dalin përtej duke krijuar kështu strukturime të reja zhanrore. Në interpretimin që i kemi bërë romanit PIRGU I LARTË kemi konstatuar që, për nga forma është roman, por nga diskursi është tragjedi, pra një kombinim zhanresh që deri në kohën sa është shkruar romani PIRGU I LARTË nuk kishte në letërsinë shqipe diçka të tillë. Njëjtë ndodhë që strukturat retorike të dramës, të i shohim në romanin Herezia e Dërvish Mallutës, apo pastaj te kalimi tek zhanri fiksional i biografisë, siç është Palimpsest Dush Kusarit. Pra shkrimi i Teki Dërvishit është modern, përveç që i njeh format, ka tendencë që të krijojë forma të reja, ose më saktë të shtrihet në format e eksploruara deri në atë kohë. Po themi kështu ngase qëndrojmë në bindjen se zhanret janë aty për t’ u shfaqur gjithmonë siç konstaton edhe Todorov te Origjina e zhanreve: “Ajo që është edhe më domethënëse është fakti se libri si tërësi është i bazuar në distinksionin midis mënyrave fondamentale, narratives dhe romanit: mënyra narrative karakterizohet nga kërkimi këmbëngulës për origjinën e saj – të cilën mënyra e romanit e zhduk dhe e përjashton. Prandaj “zhanri” si i tillë nuk është i zhdukur; zhanret e së kaluarës thjesht janë zëvendësuar nga të tjerat. Ne më nuk flasim për poezinë dhe prozën, për dokumentarin apo fiksionin (tregimin), por për romanin dhe narracionin, për mënyrën e narracionit dhe për mënyrën e diskursit, për dialogun dhe shënimet. Fakti se vepra e “tradhton” zhanrin e vet, nuk do të thotë se zhanri nuk ekziston.”

Një “ngatërrim” zhanror e kemi në prozën e Teki Dërvishit dhe ky është edhe rezultat i lojës së tij, nevojës së pashmangshme të tij për të shprehur më shumë, po gjithmonë duke qenë i mbuluar nga figura, një metaforë e tejzgjatur. Disa autorë te proza e Teki Dërvishit do të identifikonin të ashtuquajturën prozë poetike. Bile Sabri Hamitit do të ketë gjetjen si proza lirike, duke dhënë edhe një shpjegim: “Proza lirike është përherë e orientuar nga të ndriçuarit e anëve psikike të njeriut dhe i detyrohet botës së brendshme të individit. Duke u marrë me këtë sferë të interesimit të saj nga bota e brendshme e njeriut na imponohet një mendim. Njeriu nuk krijohet, formohet vetëm me praninë e rrethanave të jashtme, konkrete dhe të shpjegueshme. Ajo që thelbësisht ndikon në fatin e tij janë forcat që përcaktojnë qenien e tij individuale, të brendshme, të ndërdijshme dhe irracionale, të pamatshme. Pra, gjithçka këtu i detyrohet individit, prandaj, jeta, si e tillë, nuk është tragjike, vetëm jeta individuale e njeriut është e kalueshme dhe tragjike.

Proza lirike, zakonisht shkruhet ne Ich-Form, në vetën e parë, e kjo është në të parë karakteristikë e prozave të shkurtra…Në një atmosferë tonën kësodore, proza lirike ka gufuar herë-herë nga dora e disa autorëve tanë, por kurorë e një orientimi të tillë në prozë është romani i Teki Dërvishit, Pirgu i lartë.”

Teki Dërvishi është i lidhur ngushtë me teatrin dhe këtë mund ta identifikosh në çdo tekst të tij. Çdo pamje që na jep duket se procesin e krijimit e kalon në syrin e autorit nëpërmjet një inskenimi imagjinar në skenë teatri. Gjithçka përshkruhet në detajet e nevojshme për të paraqitur tablo skenike. Loja është me sa më pak aktorë të mundshëm. Monologë të gjata dhe dialogë të shkurtra e krejt në dyshe dhe shumë pak nga rrëfimi si histori. Kjo ndryshon më shumë te romani i fundit, Palimpsest Dush Kusarit, aty tash kalohet te një diskurs tjetër, ai i dëshmisë dhe rrëfimi merr tjetër konotacion duke iu përgjigjur zhanrit te romanit dokumentar.

Ashtu siç thamë edhe në fillim, loja e Teki Dërvishit është brilante në ndërthurjen e njohjeve të tij letrare në tekst. Ai aplikon çdo gjë nga njohja e tij, që nuk është e vogël duke bërë kështu një gërshetim të jashtëzakonshëm strukturash të cilat vazhdimisht japin në rrafshin stilistik dhe estetik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.