TERESA WILMS MONTT

Shkrimtarja e re Teresa Wilms, edhe pse një pjesë të mirë të jetës e kaloi larg vendlindjes, ajo u bë një mit dhe një idhull i vërtetë për bashkatdhetarët e saj. Edhe kur ishte e mbyllur në manastir, ajo u kthye në legjendë në Kili

Bajram KARABOLLI

Teresa Wilms Montt lindi në Vinja del Mar (Kili) në 1893. E bija e një familjeje të elitës tregtare dhe politike kiliane. Idetë e saj feministe dhe anarkiste, bënë që ajo, e nxitur nga shqetësime të brendshme, qysh herët, të fillojë të botojë tekste poetike. E aftë për t’i përvetësuar me lehtësi gjuhët e huaja, mësoi frëngjisht (në këtë gjuhë e shkroi edhe ditarin e saj), anglisht, italisht, portugalisht dhe pak gjermanisht. Teresa, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, u martua me Gustavo Balmaceda Valdés. Kjo lidhje e lejoi atë të jetonte në vende të ndryshme të Kilit. Me të pati dy vajza, por alkooli dhe xhelozia e të shoqit shkaktuan konflikte të ashpra familjare. I shoqi, pasi e akuzon për një pabesi të supozuar me kushëririn e tij, Vicente Balmaceda, e mbyll me forcë në Manastirin e Gjakut të Çmuar të Santiagos. Aty shkroi një pjesë të konsiderueshme të ditarëve të saj.

Pas një kalimi të shkurtër nëpër Shtetet e Bashkuara, ajo shkon në Spanjë, ku u fërkua me intelektualët e kohës – shumica e të cilëve ranë në dashuri me këtë vajzë me sy të mëdhenj dhe pasion të lirë. Aty nga mesi i udhëtimeve të vazhdueshme nëpër Europë, ajo ribashkohet me dy vajzat e saj në Paris.

Në qershor të vitit 1916, bashkë me poetin e njohur kilian, Vicente Huidobro, shkojnë në Argjentinë dhe qëndrojnë në Buenos Aires. Falë qëndrimit të saj në këtë qytet të madh, shquhet për intelektualitetin e saj kozmopolit dhe krijon miqësi me shkrimtarët e mëdhenj argjentinas: Viktoria Okampo, Jorge Luis Borges, Pelegrina Pastorino, etj., një rrymë kjo që pati ndikim të madh tek Teresa. Poetja Teresa Montt, për shkak të dhimbjeve të padurueshme të kokës, konsumonte droga opiumi. Ky qe edhe shkaku kryesor që ajo kishte tentuar disa herë t’i jepte fund jetës. Dhe këtë e bëri në vitin 1921, kur ndodhej në Paris. Kësisoj, kjo shkrimtare përfundon tragjikisht, nga një dozë e rëndë opiumi, duke ikur nga kjo botë, pasi jetoi vetëm 28 vjet.

Gjatë një periudhë tre vjeçare në kryeqytetin argjentinas, Teresa Montt botoi të gjithë librat e saj, duke u bërë e njohur në qarqet intelektuale spanjolle.

Shkrimtarja e re TeresaWilms, edhe pse një pjesë të mirë të jetës e kaloi larg vendlindjes, ajo u bë një mit dhe një idhull i vërtetë për bashkatdhetarët e saj. Edhe kur ishte e mbyllur në manastir, ajo u kthye në legjendë në Kili. Në krijimtarinë artistike kishte zgjedhur pseudonimin THÉRÈSE DE LA CRUZ. Ja, ç’ thotë për të, miku i saj i fëmijërisë, poeti Vicente Huidobro: «Teresa Wilms është gruaja më e madhe që ka prodhuar Amerika. Fytyrë e përsosur, trup i përsosur, elegancë e përsosur, edukim i përsosur, inteligjencë e përsosur, forcë shpirtërore e përsosur, hir i përsosur.» Ndërsa ajo vetë, në ditarin e saj, i thotë kështu lexuesit: «Unë jam TeresaWilmsMontt dhe, megjithëse kam lindur njëqind vjet para teje, jeta ime nuk ka qenë shumë e ndryshme nga jeta jote».

Veprat e saj janë: “Shqetësimet sentimentale” (Buenos Aires, 1917), “Tri këngët” (Buenos Aires, 1917), “Në qetësinë e mermerit” (Madrid, 1918), “Anuarí” (Madrid, 1918) dhe “Tregime për burrat që janë ende fëmijë” (Buenos Aires, 1919). Pas vdekjes, shtëpia botuese Nascimento botoi në Kili “Çfarë nuk është thënë” (1922), ku ndër të tjera përfshihen edhe një pjesë e ditarëve të saj. Në vitin 1993, Ruth González Vergara publikoi një biografi të gjerë dhe të dokumentuar të saj, të titulluar “Teresa Wilms Montt: një këngë për lirinë”.

TERESA WILMS MONTT

BIE SHI…

Pikat e shiut këndojnë në ulluqet prej zinku.

Drita e llambës më është bërë më intime;

portretet më shikojnë plot besim dhe gërhitja

e maces vjen shtruar, me butësinë e një violine.

Zemra ime pret. E kam mashtruar, duke bërë

të besojë se sonte do të vijë një qenie e dashur.

Dhe e mjera zemër, me shpresë të madhe, pret!

A thua jeta nuk qenka një shpresë e amshuar,

një pritje e përjetshme për diçka që nuk vjen kurrë?…

Bie shi…

(Përktheu: B Karabolli)

Leave a Reply

Your email address will not be published.