Poezia e këtij liriku të madh gjithnjë e më shumë po bëhet e njohur dhe e pëlqyer për lexuesit tanë, pavarësisht përpjekjeve të disa autoriteteve të rrejshme krijuese që provojnë ta përbuzin siç e përbuzën edhe sa ishte gjallë
Bardh FRANGU
Kur flasim për testamentin si formë e shprehjes poetike të krijuesit, kuptojmë se në një mënyrë e gjithë krijimtaria është një lloj testamenti. I tillë është edhe opusi poetik i poetit tonë të jashtëzakonshëm Frederik Rreshpja. Po në këtë refleksion, objekt trajtimi kemi poezinë e tij emblematike “Testamenti”, të cilën Anton Nikë Berisha me të drejtë e ka vënë në ballë të librit, përkatësisht përzgjedhjes së poezisë së Rreshpjes me titull metaforik “Era përkund pikëllimin e luleve”, botuar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, në Gjilan. Berisha në fakt e vë si moto të librit, përkatësisht si një lloj prologu për librin si përzgjedhje e poezisë së Rreshpjes, të cilën e shoqëron me një analizë të gjerë prej 28 faqesh. Sigurisht që në këtë analizë vend të rëndësishëm zë edhe poezia “Testamenti”, e cila për shumë arsye meriton analiza nga më të ndryshmet, për më tepër që gjuha poetike e Rreshpjes e mundëson këtë.
Që në vargun e parë të kësaj poezie Rreshpja pohon: “Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art”. Kjo dëshmon se Rreshpja besonte se të bërit poezi ishte një dhunti hyjnore. Por, kur e analizojmë poezinë e Rreshpjes në tërësi dhe kur shohim se përmbysjet e situatave të ndryshme jo vetëm si fiksion, por edhe si fakt, janë prodhim i fatit të tij, na bëhet e qartë se deri te kjo pandehmë poeti ka ardhur shkaku që bota tokësore e kishte përbuzur në shkallë absurde, madje duke iu shndërruar në një varr të gjallë. Gjithë këtë e dëshmon me vargjet pasuese: “Gjërat i shihja ndryshe: Nëpër shirat e vdekur”. Në kuptimin tokësor shiu simbolizon bereqetin, begatinë, përkatësisht të bukurën utilitare, ndërsa shiu i vdekur në këtë rast shënon përbuzjen tokësore, shënon shpirtin e poetit të mbetur si një tokë, ku bimë e gjallë nuk lëshon rrënjë. Kjo mbase na bën të kuptojmë se Rreshpja që herët i ishte bashkuar poetëve të lirikës moderne evropiane, të cilët për peizazh kishin shpirtrat e tyre të zhytur në pellgun e dëshpërimit dhe të vetmisë.
Sigurisht që vargu “Peshqit fluturonin drejt çerdheve, te yjet”, është vargu që kërkon një analizë më të zgjeruar, sepse këtu më së miri shohim përballjen e tokësores me hyjnoren. Peshku është simbol shumë i vjetër, madje përmendet edhe te vedat, por dihet se peshku si simbol më domethënës u bë në fillet e krishterimit, kur edhe u bë simbol identifikimi i këtij besimi. Në këtë kuptim, peshqit atdheun e tyre duhej ta kishin në qiell, përkatësisht atje ndër yjet, atje ku edhe shpirti i poetit kishte krijuar universin e tij.
Vargu pasues i kësaj poezie na dëshmon se Rreshpja ishte mjeshtër i ndërtimit të harmonisë absurde: “Në vend të borës binin zogj në çdo dru”. Kjo antitezë e bukur para së gjithash dëshmon se Rreshpja ishte një mjeshtër i jashtëzakonshëm i ndërtimit të hapësirës poetike. Poezia vazhdon me një krahasim brilant: “Era si ketër brente degët”.
“Qante mbi mua nëna, Shën Mëria ime. Ave nëna ime!” Identifikimi i nënës me të shenjtën Mari është edhe një element më shumë për universin e tij biblik dhe observimet e tij hipersensibile, të cilat dëshmojnë se sikur Rreshpja është i bindur në atë që besonte G. Bashlar se lart në qiell parajsa është një bibliotekë e madhe. Në këtë mënyrë poeti do të dëshmojë se është vetë Krishti, ngjashëm i gozhduar nga regjimi i kohës së diktaturës dhe i përbuzur edhe pas rënies së saj.
Vargu: “Mos e pastë njeri këtë fat!” na vjen si një klithmë tronditëse e poetit, i cili përpëlitet mes tokës së përbuzur dhe qiellit të pakapshëm, duke ndërtuar kështu një hapësirë poetike, brenda së cilës përplasen jeta dhe vdekja në një dimension krejt absurd.
“Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave”, është vargu në vazhdim që nuk nënkupton një bukuri dhe një dashuri të thjeshtë, sepse po ta kundrojmë nga aspekti mitologjik, shohim se Afërdita, e cila personifikon trëndafilat në Olimp,nuk shfaqet këtu vetëm si simbol i bukurisë dhe dashurisë, por edhe si simbol i pafatësisë, ndërsa nuk kishte arritur që në dashuri të kishte lidhje të qëndrueshme. Mbase, këtë e shpjegon më mirë vargu pasues, një si epitaf për fatin e poetit: “Pastaj erdhe ti tërë ikje”. Nuk e di a mund të gjejmë një varg më të bukur në letrat tona se ky i Rreshpjes që përkufizon një dashuri të paarritshme, e cila: “Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire”, do të shprehet Rreshpja, për ta mbyllur fatin e tij jetësor me vargjet: “Kështu iku edhe rinia, filigrani i djalërisë, i mallkuar me art”.
Pjesa e fundit e poezisë, e cila na shfaqet në formë epilogu, na dëshmon se Rreshpja, i lodhur dhe i dërrmuar nga jeta në tokë, i ishte kthyer qiellores, përkatësisht hyjnores, por jo si besim, por më shumë si ngushëllim. “Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka/ dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes/ të më ndjekë mallkimi i artit/ Mos e pastë njeri këtë fat!”. I vetëdijshëm që ishte peng i fjalës së tij, për të cilën u sakrifikua si Krishti, përsëritë urimin që në fakt përbën mallkimin e tij.
“Po kur të vdes portreti im ka për t’u shfaqur/ nëpër gjethe/ se unë kam pasur miqësi me çdo dru”. Në këto vargje Rreshpja nuk do të na dëshmojë faktin se njeriu është pjesë organike e natyrës, por faktin tepër dëshpërues se ishte i braktisur nga njerëzit. “Në stinën kur bien gjethet/ do të bien edhe sytë e mi”, për ta përmbyllur poezinë me vargjet gjithashtu të mrekullueshme: “Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi/ Mos e pastë njeri këtë fat!”
Duke e analizuar nga këndi i ndërtimit të hapësirës poetike, brenda së cilës vendosen metafora të jashtëzakonshme, nuk kemi si të mos sjellim ndërmend mendimin e Floberit se poezia është si gjeometria. Në këtë rast, pra kur është fjala për Rreshpjen, vlen thënia e Valjdit: “Në vend se poeti të shkruaj poezinë, poezia e shkruan poetin”. Dhe krejt në fund duhet të theksojmë se poezia e këtij liriku të madh gjithnjë e më shumë po bëhet e njohur dhe e pëlqyer për lexuesit tanë, pavarësisht përpjekjeve të disa autoriteteve të rrejshme krijuese që provojnë ta përbuzin siç e përbuzën edhe sa ishte gjallë.