THE CRUCIBLE

Grigor JOVANI

Padyshim, Artur Miler (1915 – 2005), shkrimtari amerikan i teatrit, më i spikaturi i shek. 20-të, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë e vendit të tij dhe më gjerë, me veprat thellësisht të menduara dhe të realizuara kaq vërtetësisht, saqë duhet të rendim epokave të thella të letërsisë botërore, të gjejmë emrat e dramaturgëve më të shquar, për ta krahasuar. Modernia tek ai ka ardhur natyrshëm, bashkë me kohën, rrjedhës së lumenjve nëntokësorë të artit, që nuk kanë shteruar qysh nga epoka e skenës së artë të antikitetit. Kohën e tij, Artur Miler e përfaqësoi në mënyrën më adekuate, mbase më mirë se çdo shkrues tjetër i letërsisë. Në teatër, po se po.

Qofsha i tepruar në vlerësimin tim të mësipërm, por vepra të tilla të repertorit milerian, si “The Crucible”, nuk të lenë shkas për interpretime të tjera. Ky krijim vërtet është një kryevepër, parë kështu jo vetëm në prizmin letrar, për vlerat artistike që mbart, por edhe si një vepër e thellë shoqëroro-politike, për vetë mesazhet që transmeton.

“The Crucible”, që unë do ta shqipëroja në mënyrë metaforike “honi thithës”, u shkrua në një periudhë të vështirë për artet dhe letërsinë amerikane, gjatë viteve 50-të të shekullit të kaluar, kur ithtarët e McCarthyist kishin filluar “gjuetinë e shtrigave” dhe nën flamurin e antikomunizmit, synonin të shkatërronin çdo gjë progresive në artet amerikane. Mirëpo, madhorja këtu është se ndonëse u shkrua gjatë këtij ballafaqimi dramatik forcash shoqërore, për t’iu kundërvënë regresit makkarthist në Hollivud dhe në krejt letërsinë bashkëkohore, kjo vepër i kapërceu kufijtë e kohës, duke u bërë një alegori e përgjithshme për ndjekjet dhe persekutimet e njerëzve të pafajshëm, në sajë të një sistemi të tërë shpifjesh dhe dëshmish të rreme. Brenda historisë së tij të hershme të dëshmive të rreme dhe të sajuara për “mëkatin e magjisë” në Salem – vegël ogurzezë e çdo kohe gjatë së përhershmes “gjueti të shtrigave”, Miler eksploron edhe tema të tjera, atë të pushtetit, të allishverisheve ekonomike, të korrupsionit, ndërgjegjes shoqërore dhe të histerisë së përgjithshme.

Ku qëndron thelbi i kësaj vepre, e cila tronditi kaq shumë sistemin shoqëror të kohës dhe vazhdon ta bëjë edhe sot? Pikërisht se zbulohet fakti fatal: interesat e disa grupeve apo kastave politike për të ruajtur me çdo kusht hegjemoninë e tyre, mund të çojnë në atë realitet që po përjetonte Amerika e viteve 50-të, në shfrytëzimin e sistemit (gjoja) të pavarur të Drejtësisë për të shtrembëruar të vërtetën. E vërteta bëhet relative dhe manipulimi një mjet i qëllimshëm. Kjo temë është rrënjosur thellë në historinë njerëzore dhe nuk vjetrohet kurrë. Vetë hegjemonët e çdo kohe janë të interesuar ta kenë gjithmonë në rend të ditës, për rastin më të parë që do u nevojitet. Kësisoj, shkrimtarët e mëdhenj shoqërorë si Miler, nuk mund ta heqin kurrë nga radari i tyre krijues. Ngaqë thjesht, arti i tyre madhor ndjek hap pas hapi shoqërinë. Kjo, parë në prizmin më të gjerë të rëndësisë shoqërore të kësaj vepre. Por s’mund të ishte kaq madhore ajo, pa veçanësitë artistike, letrare dhe dramaturgjike, të cilat e bëjnë kaq të rëndësishme në botën e letërsisë dhe veçanërisht të teatrit.

KARAKTERE TË THELLË: Karakteret e “The Crucible” janë kompleksë dhe shumëdimensionalë. Përplasjet brenda tyre, pasionet dhe dilemat psikologjike ku janë mbërthyer, përbëjnë brumin e parë për teatrin, shkallët më të sigurta ku spektatorët juanë ftuar të hypin, për të mbërritur tek thelbi i çështjes. Kuptimi sa më i thellë prej spektatorëve i historisë që preokupon veprën në fjalë, kalon nëpërmjet karaktereve që zhvillohen në të, lidhjes ndjeshmërive që shikuesi krijon me çdo personazh.

RRJEDHE E TENSIONUAR: Kemi të bëjmë me dramë. Nuk mund të kuptohet pa ndeshjet e tensionuar, intrigat dhe përmbysjet. Subjekti shtjellohet në mënyrë dinamike, gjë që ngjall entuziazëm dhe ankth. Spektatori, me shpirt nëpër dhëmbë, pret shpjegimet…

SIMBOLIKE E FORTE: Vepra është e mbushur me simbolizma, që kanë të bëjnë jo vetëm me ngjarjet në Salem, por edhe me probleme më të përgjithshme shoqërore dhe politike. Kjo ngjeshje simbolike i shërben thellësisë së veprës dhe ndihmon zbërthimin e shumanshmërisë së kësaj ngjarjeje dramatike.

MJESHTERI GJUHESORE: Vepra më e punuar, gjer në hollësira, gjuhësisht e Milerit. Nuk ka neglizhuar askund, nga dialogët gjer tek monologët. Risitë e tij janë efektive dhe shpesh mbartin kuptime të rrënjosura thellë, që shpalosen teksa historia vazhdon.

TEMA TE DITES: Ndërsa ngjarjet zhvillohen alegorikisht në shek. e 17-të, drama preokupohet prej temash të ditës. Xhanëm, temat në fjalë kanë preokupuar gjithë kohërat. Çështje pushtetesh, korrupsioni, shqyrtimi i histerisë së përgjithshme shoqërore – janë tema universale, gjithmonë në rend të ditës. Aq shumë në kohën kur jeton shoqërisht edhe Artur Miler.

DILEMA NDERGJEGJEJE: Është drama me më shumë dilema të tilla, jo vetëm në bagazhin krijues të këtij autori të madh, por në gjithë letërsinë amerikane. Të merret fryma nga dendësia me të cilën shpalosen ato para karaktereve dhe spektatorit. Ky eksplorim i thellë i shpirtit të njeriut, i natyrës njerëzore në përgjithësi, njëkohësisht i fal edhe thellësi dhe shumëkëndshmëri shikimi kësaj vepre.

ALEGORIA: E thamë ca më lart, drama nuk është thjesht një histori e hershme zhvilluar në Salem, por një alegori e thekshme për kohën e pasluftës në Amerikë, kur po ç’demokratizohej dramatikisht jeta shoqërore, me ndjekjet, ekstremizmin e djathtë dhe me korrupsionin gjithnjë në rritje. Kjo vlerë alegorike e veprës e bën atë gjithmonë aktuale. Gjithashtu, është një dramë që të bën të mendosh gjatë dhe thellë.

***

“The Crucible” është një nga diamantët më të çmuar në veprën e Artur Milerit, por në asnjë mënyrë nuk mund t’i neglizhohet pjesa tjetër e krijimtarisë. Ka një gamë të pasur veprash. Ajo që nuk ndryshon është kjo: gjithmonë eksploron natyrën njerëzore dhe dinamizmin shoqëror. Në më të shumtën ia ka arritur të sjellë diamante më të vegjël, por gjithsesi me shumë vlera. “Vdekja e një shitësi” shqyrton ambiciet, dilemat shpirtërore të njeriut dhe marrëdhëniet brenda familjes, kurse drama “Pas rënies” thellohet në introspeksion dhe shpall pyetje rreth përgjegjshmërisë dhe fajit.

Lamë për në fund të kujtojmë se Artur Miler ishte për një kohë bashkëshorti i njërit prej yjeve më të ndritshëm të Hollivudit, aktores Marilyn Monroe. Kjo lidhje natyrshëm ngjalli interesim më të madh nga publiku për veprën e shkrimtarit, por në vetvete është fakt jo ndikues në madhështinë dhe thellësinë e veprës së Milerit. Aftësia e tij e jashtëzakonshme për të krijuar histori botërore, të cilat pasqyrojnë forcën dhe pamundësitë e gjenit njerëzor, e ngre në piedestalin e njërit prej shkrimtarëve më të mirë teatrorë të shek. 20-të, me mesazhe të gjithkohshme.

(Athinë, gusht 2023)

Leave a Reply

Your email address will not be published.