TIPOLOGJIA E URREJTJEVE BALLKANASE PËRTEJ MUREVE TË NJË SHTËPIE

(Rreth romanit “Shtëpia e verdhë” e shkrimtarit Bashkim Hoxha, botim i Onufrit, Tiranë)

Agim BAJRAMI

Romanet e Bashkimit iu ngjajnë xhirimeve të një dubli filmik. Fillojnë me një çak të thjeshtë standard, por vazhdimin dhe mbylljet i kanë me plot të papritura. Janë skena ku regjisori dhe aktori, s’e kanë për gjë t’i ndërrojnë vendet me njeri tjetrin dhe monologu që ishte përgatitur për aktin e fundit, mund të zë vend befas në aktin e parë dhe anasjelltas. Për autorin, që jeton në një vend, ku çudia më e madhe nuk zgjat as 24 orë, sepse pasohet menjëherë nga çudia tjetër, ku njerëzit janë mësuar aq shumë me skandale dhe ngjarje absurde, aq sa mund të sëmuren pa praninë e tyre, skena të tilla janë më se normale. Ndaj askush nuk duhet te habitet për asimetritë e përhershme që vihen re në këto vepra mes fiksionit dhe fakteve jetësor, mes asaj që pretendohet dhe asaj që ekziston. Fakti që proza e tij merr përsipër të trajtojë ngjarje me pesha të renda dhe nuk trembet prej tyre, tregon më së miri për potencën dhe pjekurinë e një autori me pretendime të larta artistike.

Edhe pse në qendër të veprës së tij të fundit duket se është shtëpia e verdhë, kundër së cilës mjeshtërit gri të propagandës antishqiptare, nxitën një valë akuzash dhe shpifjesh nga më të tërbuarat, për gjoja krime lufte dhe trafikim organesh nga ana e UÇK kundër robërve serbë të luftës, në të vërtetë, në qendër të saj është vetë Ballkani me historitë e tij të trazuara, mes të vërtetave dhe trillimeve. Është një vepër, ku realja dhe surrealja dublojnë më së miri njeri tjetrën, duke i dhënë kështu veprës një shumësi kuptimore. Pa u hutuar dhe pa rënë në kurthet e patetizmit apo retorikës patriotike, autori ka ditur të ndërtoje pak nga pak tipologjinë e vërtetë të ngjarjes, duke i hequr asaj pak nga pak ndryshkun intrigues. Brenda një teksture të pasur pohimesh dhe mohimesh, thëniesh dhe kundërthëniesh, akuzash dhe kundërakuzash, përballë të cilave një shkrimtar i papërvojë, do ta humbiste fillin, Bashkim Hoxha ia ka dalë të ndërtojë kundërtekstin e tij, apo më saktë kurthin e tij artistik, duke i dhënë ngjarjeve të romanit një kthesë të motivuar dhe një rrjedhë logjike. Grupi i artistëve të huaj, i mbushur plot paragjykime dhe i indoktrinuar tërësisht, përpara realizimit të filmit ndërmerr një udhëtim njohës nga vendi i akuzës, tek vendi i të akuzuarve, njihet me vendet, hulumton faktet dhe befas kupton se ishin përballë një fiaskoje të madhe, nga ato që mund t’i prodhojnë vetëm kokat e nxehta të zjarrvënësve të Ballkanit.

Ky është edhe momenti kur ngjarjet e romanit pësojnë një thyerje të beftë, që shuajnë çdo dilemë, kur linjat shtyjnë njëra tjetrën në një hon, duke i detyruar vrasësit dhe viktimat, të zënë vendet që u takojnë në skenën e madhe të së vërtetës. Autori ka mënyrat e tij të vizatimit të personazheve. Ai i vendos ata në udhëkryqet e dilemave dhe i lë ata të veprojnë natyrshëm. Nëse do të këmbëngulin të ndalen në vend, apo do vazhdojnë të ecin më tej, është çështja e tyre. Kështu vepron ai me Feliksin, operatorin e filmave horror dhe me regjisorin rumun të filmit, Viktorin. Dritat dhe hijet që reflektojnë njëra tjetrën dhe shoqërojnë ata hap pas hapi, nuk ndriçojnë vetëm rrugën, por edhe ngjarjet më pikante që lidhen me subjektin e këtij romani.

Artistë nga profesioni, bota e tyre janë filmat dhe projektet. Ata janë tipi i njerëzve që në ndjekje të karrierës, largohen aq shumë nga ADN-ja e tyre origjinës, sa nuk gjejnë më kohë për të shkuar as në varrimin e nënës. Si produkte të shoqërive dhe ambienteve që iu përkasin, fatet dhe kënaqësitë e çastit, ata shpesh herë i vendosin në të njëjtën peshore, pa u menduar dy herë për pasojat, që mund të lenë tek të tjerët. Kjo është arsyeja pse autori i përshkruan veprimet e tyre me një tis alegorie të hollë dhe fatet dhe të ardhmet e tyre i vendos shpesh në një sfond të errët, ose i lë pa emër. Krejt ndryshe sillet ai me Naimin dhe Destanin, të zotin e shtëpisë së verdhë, të cilit akuzat e propagandës serbe dhe prokurores Karla Del Ponte, i kishin hapur një vragë të madhe në shpirt, dhe e kishin i çuar gjer ne tentativë vetëvrasje. Edhe pse e respekton tej mase teorinë e “pafajshmërisë së pasqyrave” dhe paanshmërinë e shkrimtarit, ai del nga kjo paanshmëri me vetëdije të plotë, sepse është i bindur që duke mbrojtur Destanin, ai është duke i bërë një nder drejtësisë dhe të vërtetës. Ai e kundron këtë karakter nga kënde të shumtë dhe të ndryshëm, i vjen disa herë rrotull dhe e nxjerr herë pas herë përballë thirrjeve të së vërtetës, si për t’ia bërë atij më të dukshëm kontrastin me hijet. Portreti i tij dramatik dhe dialogu i tij i jashtëzakonshëm, veshur me ngjyra të gjalla epiciteti dhe madhështie është një monument artistik i veçantë. Ndofta këtë veprim kanë bërë dikur edhe krijuesit e epeve të veriut, përballë heronjve të tyre, madhështorë, me mendimin për t’i vendosur ata në përjetësi. Në fillim kundrimi dhe më pas veshja e tyre me vargjet dhe shprehjet më të rralla. Unë që e kam lexuar disa herë këtë kapitull, më është krijuar përshtypja se këtij, brenda këtij personazhi, i janë bashkëngjitur copëza të vërteta nga eposi ynë, dimensione qëndrese dhe gjendje emocionale gjer në kufijtë e të pabesueshmes, Kjo më bën të besoj se portreti grafik i Destanit, nuk mund të jetë vetëm i tij, por edhe i asaj mase të heshtur të kombit që i përket, copëzave të historisë përbaltur dhe i frustruar në shekuj nga megalomania dhe cinizmi i fqinjëve të pabesë dhe gardianëve të Evropës. “Dalja e tyre nga përmasat e heshtjes dhe konturet hijerënda të mjedisit, ku janë zhvilluar, është një proces që i ngjan krisjes së akujve të një lumi dimëror në ditët e para të prillit. Parabola jetëshkruese e tij, nuk është se ndryshon kaq shumë nga ajo e bashkëvendësve të tij malësorë, por përmasat, rrethanat dhe ngjyrat e epicitetit që e formojnë atë, e bëjnë atë më të veçantë. Jeta e Destanit ishte e rrethuar nga zërat e ngrohtë të njerëzve të fisit, gjer atë ditë të kobshme, kur mbi të ra guri i rëndë i akuzës. Pastaj jeta ngriu, ngriu. Nuk kishte fjalë tjetër”. Ky është parakobi, ose më mirë heshtja që vendoset mes natyrës dhe njeriut, para një furtune rrënimtare. Kobi vjen menjëherë më pas. Për të pasqyruar peshën e tij të rëndë, në jetën e këtij njeriu të pafajshëm, autori përdor një sërë sferash metaforike, secila me tinguj dhe kumbime që vijnë duke u zmadhuar në trajtë rrathësh. Fillim i kobit, ose sfera e parë: Në fillim erdhën një grup gjeologësh që kërkonin të strehoheshin në shtëpinë e verdhë. Vazhdimi i kobit ose sfera e dytë: Një mbrëmje teksa ndiqte lajmet, ai dëgjoi diçka për fshatin e tij. Rrjedhojat e kobit ose sfera e tretë: I pari dhe i vetmi që i ktheu shpinën ishte Arditi, djali i Besnikut.

Të tjerët vinin por qëndronin pak, sepse Destani nuk donte t’i takonte, derisa ata të mërzitur i rralluan vizitat. Përshkrime rrënimesh shpirtërore dhe lojëra të ngjashme psikologjike brenda individëve të tij letrare vihen re në shumë nga dramat, romanet dhe komeditë e këtij autori, por loja psikologjike më këtë portret ka një thellësi krejt tjetër. Ky është dhe shkaku që Destani pranon të shihet sy me sy me lexuesin dhe grupin e kineastëve të huaj. Pasi përfundon rrëfimin e tij që e mbante të ngurtësuar nga brenda, i bindur se me këtë akt, ka shkarkuar nga vetja një turp dhe ankth të pamerituar. Nga ana tjetër, një akt i tille i ka shërbyer autorit për të bërë edhe një rivlerësim të personazhit të tij, pesha dhe madhështia e të cilit mbetet aq imponuese dhe e veçantë për lexuesin. Të njëjtat fjalë duhen thënë edhe për bashkëshorten e tij dhe njëherësh të zonjën e shtëpisë. Rebelimi i saj ndaj autorëve të akuzës, veçanërisht ndaj Karla Del Pontes, që kishin ngritur dorën ndaj dinjitetit të familjes së saj, e nxjerr atë nga guaska e rëndomtë e një gruaje dhe i jep tjetër vlerë. Vartësia që lexuesi krijon ndaj këtyre personazheve, i zbeh si pa ndjerë linjat grafike të personazheve enigmatike dhe gati të ftohtë të palës tjetër. Edhe përkundër faktit që ata lëvizin dhe frymojnë gjatë gjithë veprës, ata mbesin vazhdimisht në sfond.

Njerëzit e këtij romani, nuk e masin kohën e tyre me kalendarë, por me copëzat e ngjarjeve dhe peripecive që kanë kaluar. Ndërthurja e tekstit autorial me fragmentet e skenarit të filmit të gënjeshtërt, që nuk u xhirua kurrë, krijojnë dy paralele që e kundërshtojnë vendosmërisht njëra tjetrën. Një vendosje e tillë që e bën më intensive dhe më të pasur rrjedhën narrative të veprës është në vazhdën e eksperimentimeve të herë pas hershme të ketij autori, por edhe një risi njëkohësisht. Edhe pse në pamje të parë të ngjan se romani është ndërtuar mbi dy blloqe, që veprojnë në mënyrë të pavarur nga njeri tjetri, ata janë të ndërlidhur nga prekjet dhe shtyrjet që i bëjnë njëri tjetrit, në mënyra te shumëllojshme dhe tendencioze. Vepra përshkohet nga ideja se jeta është një film, por asnjë nga filmat i jetës nuk mund të jenë qind për qind të vërtetë, sepse ata nuk duan, ose nuk mundin ta pasqyrojnë realitetin, por përjetimin dhe, meqë faktet apo përjetimet janë diçka personale, të vërtetat mbeten utopi.

Natyrisht, për të mbërritur në të tilla përfundime, autorit i është dashur të krijojë një subjekt dramatik me përplasje dhe konflikte të forta, të hyjë nën lëkurën e ngjarjeve dhe  t’i lejojë fantazitë e tyre të fluturojnë edhe në qiell, por duke i mbajtur si gjithmonë të shtrënguara në duar fijet e tyre. Si një vepër të trazuar me akuza dhe kundërakuza, rolin dhe peshën më të madhe e mbartin faktet që fillojnë të zbulohen gradualisht. Përdorimi efikas i monologut dhe dialogut janë instrumente plus në procesin gradual të këtyre zbulimeve. Lojë kukafshehthi mes reales dhe ireales, mes asaj që pretendohet dhe asaj që është në fakt, ka kaq intensitet dhe të papritura, sa është vështirë të parashikohet fundi dhe fituesi. Si përherë, autori di të ndërtojë subjekte të bukura dhe intrigues, ku e folura koncize dhe e ngjeshur me arsyetime, nuk lë vend për dilema dhe supozime, por të çon gjithmonë drejt rrjedhës së kërkuar. Kështu, nëse në kapitujt e parë lexuesi provon një lloj hutimi dhe çorientim, përballe malit të lartë dhe të ftohtë të aktakuzave dhe akuzuesve, ne kapitujt pasardhës ky hutim fillon të zbehet për t’ia lënë vendin rregullit. Pena e autorit lëviz sa nga një personazh te tjetri, me një saktësi matematike, regjistron monologje dhe dialogje dhe në baze të akustikës dhe tonaliteve të tyre, nxjerr konkluzionet e kërkuara.

– A nuk të duket se në këto vende, njerëzit e ndërtojnë jetën e tyre mbi urrejtjen për njeri tjetrin”, thotë i habitur një nga personazhet që ka lidhje me shtëpinë e verdhë, mbasi është njohur me historitë dhe tragjeditë e panumërta të banorëve të kësaj treve të lashtë. Ky pohim kaq i vërtet dhe i trishtë veshur me shtresëzime të vërtetash të hidhura, nuk ka nevojë më për shpjegime shtesë. Ai është burimi, nga ku burojnë të këqijat dhe dramat e tmerrshme të kësaj toke ballkanike, që nga kohët që s’iu gjendet filli e gjer më sot, nga popuj dhe udhëheqës me ndërgjegje të deformuar nga shovinizmi dhe etja e përhershme për ekspansion dhe zgjerim territoresh në kurriz të kombeve të tjerë të pambrojtur, Dialogu i Nenadit, taksistit që i përcolli kineastët deri në Prishtinë, është vetëm një ishull i vogël paqe, në një oqean të trazuar nga absurdi i urrejtjeve.

“Në një kohë që ne pranojmë të mashtrojmë fëmijët tanë me idhuj, që nuk ekzistojnë dhe pranojmë të vetëmashtrohemi prej tyre, kjo e ardhmja jonë do të ketë pasoja të frikshme. “Shtëpia e verdhë” si një vepër që shkruhet në një rrafsh gjeografik shumë të gjerë, është e natyrshme të gëlojë nga të tilla pohime. Njerëzit që lëvizin mbi të, janë të shoqëruar në çdo hap nga pengjet dhe thirrjet për hakmarrje dhe revansh. Çlirimi i tyre nga këto hije, do të jetë një proces i zgjatur dhe plot zikzake, ngaqë e kanë vuajtur dhe vazhdojnë ta vuajnë ende faktin që bota, fatkeqësisht, ka kohë që vazhdon të lëkundet mes të vërtetave dhe të pavërtetave dhe një pjesë e njerëzve jetojnë në fiction, duke u bërë kësisoj skllevër të verbër të këtij dyzimi të pafund.

Autenticiteti i rrëfimit, stili i shkathët narrativ, dykuptimësia e metaforave, atmosfera e rënduar e ngatërresave ballkanike, mbushur plot pabesi dhe skena përplasjesh të forta në distancë, dublet e aksioneve që zhvillohen njëri pas tjetrit, duke dalë shpesh nga skenari dhe regjia, e bëjnë këtë vepër të të ndizet në duar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.