Fatbardh AMURSI
Thuhet se vepra duhet ndarë nga autori. Nuk është e lehtë të bëhet, ja që: eruditi LumoSkëndoja u nda nga kolaboracionisti, Mit`hat Frashëri. Thuhet se simpatia dhe antipatia nuk duhet të ndikojnë në gjykimin e veprës. Nuk është e lehtë, se ai që s`të do, të zhyt shtatë pashë nën dhè, dhe e kundërta: të çon në qiell të shtatë. Të gjithë rrëshqasim në detin e ngrirë të subjektivizmit, por ndryshe në akull dhe ndryshe në baltë. Në vend t`i jemi mirënjohës atij që na jep kënaqësi, pikërisht atij ia nxijmë jetën, ngaqë na duket se na ka vjedhur kismetin?! Nëse doni të dalloni njerëzit e kategorisë së dytë, thotë Ayn Rand, shihni nëse ata hidhërohen, kur dikush arrin një sukses. Por, kush e certifikon suksesin? Në një postim të fundit; poeti, shkrimtari, dramaturgu dhe studiuesi Sulejman Mato reagon i indinjuar: “Së pari, dua t`ju them se jo çdo person që vargëzon quhet poet dhe jo çdo vargëzim quhet poezi. Së dyti, kur i etiketon këto vargëzime me epitete “perlë”, “fantastike”, “antologjike”, e të tjera si këto, unë mendoj se ju tregoheni hipokritë me miqtë, ndërkohë që vargëzuesit ua kthejnë lajkatimet me falënderime.” Pazar lajkash. (Nuk ka më keq: kur të lyejnë me varak dhe ti kujton se je i veshur me ar?!) Tjetër të çmosh dhe tjetër të lavdërosh. Preç Zogaj, në një koment, nisur nga eseja për poeteshën nga Uzbegistani, Xosiyat Rustamova, sigurisht dhe nga vetja, vë në dukje: “Ai, (dmth unë), lexon si pakkush brendinë e vargjeve dhe bëhet kështu një interpret që lartëson vlerën e tyre pa i zbukuruar siç nuk janë.” Zbukurimet janë lëvdata. Kur Nafija tundte dylbegun, s`po i binte ndonjë vegle muzikore. “Citimet vënë në provë shijet e eseistit. Aty kuptohet nëse po lavdëron e po ekzaltohet “për zakon” apo vlerësimet e tij mbështeten në cilësinë e poezisë që po analizon.”-vazhdon Zogaj komentin e tij. Në asnjë shkrim timin nuk gjeni pasthirrma të llojit: e mrekullueshme, gjeniale, e nivelit evropian apo botëror, e të tjera si këto, që shpenzohen pa hesap në komente apo në shkrime ekzaltuese. (Edhe në politikë retorikat nuk merren seriozisht.) Në promovimet që bënim dikur, më kujtohet një ekspert, i cili, kur donte t`i ngrinte në qiell të preferuarit e tij, e niste diskutimin njësoj: “Poeti na ka sjell një buqetë me lule të freskëta.” Në fakt, sikur i mallkonte se asnjë prej tyre nuk lulëzoi.
Dikur me kërkesën tim i shkrova parathënien librit poetik të një mikut tim. Pas botimit të librit, na bashkohet dhe një i tretë. “Si t`u duk parathënia e Bardhit?” Më bëri përshtypje, që, miku nuk po i kërkonte mendim për librin e tij, po për parathënien time. Në fakt, duke njohur tipin e tjetrit, nuk e kishte menduar keq. “Ai, duhet ta kishte thënë aty, që ti je poet botëror!” I tha fjalët me një autoritet të tillë, sikur “ai”, të mos isha unë. Miku pa nga unë, duke mos e fshehur pakënaqësinë. Pas 5 vitesh, shoh parathënien të botuar në një gazetë. Me të rënë zilja e celularit e mora me mend, që do të ishte ai. “Ke parë ti, që më pëlqeu dhe e çova për botim!”, “Duhet të prisje 5 vjet, që ta pëlqeje?! Prit dhe nja 5 të tjerë, mbase do të pëlqej edhe më shumë.”, “Lëre, lëre ma prishi mendja me atë, botërorin!” Historia u mbyll me të qeshur, sikurse ndodh shpesh kur ndahemi me të shkuarën. (Edhe dinozaurët fluturonin.) “Lëvdatat shpesh e kanë brenda paramendimin”-thotë Konica, duke lënë të kuptohet, se tallashi shpesh merret për barut. Kush përkundet në ninulla fjalësh, do këndellet si një pallua në ekstazë, duke iu ngritur pëndët, tallet Konica. Së bashku me esenë, mbarova së lexuari dhe “Alkimistin” e Paulo Coelhos, romani që i dha atij famë. Kur e botoi për herë të parë, përgjatë një viti, fillimisht u shit vetëm një kopje. Më pas edhe një kopje e dytë, blerë nga i njëjti person. Një person i dytë u kujtua ta blinte kopjen e tretë nga fundi i vitit, kujton shkrimtari në parathënie të librit. Trishtimi bëhet dhe më i madh, kur ky zhgënjim të vjen nga vendlindja. Në këtë rast Brazili. (Dy shtete ranë dakord të bënin një shkëmbim territori, ngaqë njëri kishte vetëm fushë dhe tjetri male e kodra me bollëk. Ata të ultësirës kërkuan një kodrinë në këmbim të fushës. Kur shkëmbimi u bë fakt, fusharakët u dyndën drejt kodrinës, edhe pse ishte një lartësi e huajtur.)