TMERRI I NJË LUFTE TEK “ASGJË E RE NGA FRONTI I PERËNDIMIT”

Libri i shkruar nga Remark cilësohet si një roman klasik kundër luftës, i cili ofron një portret të mprehtë e pikëllues të përvojës së ushtarëve gjermanë gjatë Luftës së Parë Botërore

Leonard VEIZI

Mizoritë e një lufte nuk mund të përshkruheshin më mirë se nga dora e një mendje brilante që ishte instaluar brenda qenies njerëzore të Erih Maria Remark. “All Quiet on the Western Front”, në anglisht por që në gjuhen origjinale gjermane kishte këtë kontekst: “Im Westen nichts Neues” do të ishte romani i tij i pazakontë, i cili edhe pse pas debateve e replikave të shumta u përkthye në rreth 50 gjuhë, vazhdon të provokojë reagime të polarizuara… Për herë të parë, – ajo që në shqip erdhi si përkthimi i pazakontë i Robert Shvarcit: “Asgjë të re nga fronti i perëndimit”, – u botua në vitin 1929. Lufta e Parë Botërore kishte të paktën 11 vjet që kishte mbaruar. Por gjurmët dhe dhimbja ishte e freskët. Ndërsa sot, pas gati 100 vitesh romani mbetet si një nga librat më të rëndësishëm të shkruar me subjekt ngjarjet e Luftës së Madhe.

Publikimi

“Im Westen nichts Neues”, u publikua për herë të parë pjesë-pjesë nga datat 10 nëntor – 9 dhjetor 1928, në revistën “Vossische Zeitung”. Ndërsa u botua i plotë një vit më pas, duke shitur mbi një milionë e gjysmë kopje brenda atij viti. Paraqitja realiste nga Remark e luftës së llogoreve nga perspektiva e ushtarëve të rinj, provokoi reagime të forta, si pozitive ashtu edhe negative, në mbarë botën. Romani u përkthye në shumë gjuhë të botës, dhe u përshtat në një film të mirënjohur amerikan që në vitin 1930. Ndërsa më pas pati edhe përshtatje të tjera filmike. Kritikët më të ashpër të Remark, qenë vetë bashkatdhetarët e tij, shumë prej të cilëve mendonin se libri denigronte luftën gjermane, dhe se shkrimtari i kishte zmadhuar qëllimisht tmerret e luftës në funksion të axhendës së tij paqësore. Nuk është e habitshme që zërat më të fortë kundër Remark erdhën nga Partia Nacional Socialiste (naziste), një grup ultranacionalist i udhëhequr nga Adolf Hitler. Në vitin 1933, kur nazistët u ngjitën në pushtet, “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”, u bë një nga librat e parë që u dogjën publikisht duke u përjashtuar nga bibliotekat dhe leximet.

Romani

Libri i shkruar nga Remark cilësohet si një roman klasik kundër luftës, i cili ofron një portret të mprehtë e pikëllues të përvojës së ushtarëve gjermanë gjatë Luftës së Parë Botërore. Protagonisti i romanit “Asnjë e re nga Fronti i Perëndimit”, është Pol Baumer, një ushtar i ri gjerman që lufton në llogoret e Luftës së Madhe. Pikërisht në vitin 1914, një dhomë plot me nxënës gjermanë, me fytyra idealiste, nxiten nga mësuesi i tyre të shkojnë në “luftën e lavdishme”. Me zjarrin dhe patriotizmin e rinisë ata regjistrohen në ushtri. Ajo që vijon më pas është historia prekëse e një “ushtari të panjohur” që përjeton tmerrin dhe zhgënjimin e jetës në llogore. Në vitin 1917, gjysma e kompanisë së Baumer – shumica e tyre shokë e gjimnazit – janë vrarë në betejë. Vetë Pol plagoset dhe shtrohet në spital, kthehet në shtëpi me leje dhe pas disa ditësh rikthehet në front, vetëm për t’u vrarë një javë para armëpushimit dhe fundit të luftës në vitin 1918. Kantoreku është profesor i Baumer, Kropit, Mylerit dhe Lerit, 18-vjeçarë gjermanë kur oshtimat e predhave të luftës së madhe gjëmojnë nga njëra anë e Evropës në tjetrën. Një burrec i rreptë i veshur në gri, me një fytyrë prej miu, kërkon të jetë udhëzues i të rinjve në botën e punës, të kulturës dhe të progresit. Në orët e gjimnastikës, ai i shigjeton djemtë me vështrim të rreptë dhe u mban fjalime për atdheun në rrezik apo për madhështinë për t’i shërbyer shtetit, duke i udhëzuar e frymëzuar që të shkojnë vullnetarë. Por kur janë në front, nxënësit e Kantorekut, nga Albert Kropi më inteligjenti i shkollës e deri te Pol Baumer, poeti që kërkon të shkruajë drama, e kuptojnë shpejt që nuk janë aspak “rinia e hekurt”, e thirrur për të mbrojtur Gjermaninë në rrezik. Zbulimi se terrori i vdekjes është më i fortë sesa madhështia për t’i shërbyer atdheut i befason qysh atë ditë kur, gjatë një sulmi, Jozef Bem, një shok shkolle i shëndoshë dhe i qetë, vritet egërsisht në llogore. Në pak muaj nxënësit e Kantorekut e ndiejnë veten të plakur, të dërrmuar, të privuar jo vetëm nga rinia por nga çdo e shkuar, ëndërr e shprese.

Në shqip

Në kujtimet e përkthyesit të njohur Robert Shvarc, të botuara në Revista Përpjekja, nr. 13-14, 1998 thuhet se romani “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”, u botua në shqip në vitin 1988, në tre numra radhazi në të vetmen revistë letrare të asaj kohe, “Nëntori”. Ndërsa në vitin 1992, romani u ribotua edhe si libër më vete, me një parathënie nga Ismail Kadare. Në parathënien e tij mes të tjerash Kadare do të shkruante: “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit” ishte një paralajmërim në kohën e duhur. Në qoftë se nuk hyri sa duhej në punë në kohën e vet, ai e ruan vlerën e tij për aq kohë sa në botë do të ketë kërcënim, agresorë, ethe dhune dhe barbari. Një letërsi e tërë, një opinion i tërë botëror përparimtar u kundërvihet gjithmonë forcave agresive kudo në botë. Në këtë arsenal të fuqishëm libri i Remarkut mund të duket i thjeshtë, por s’duhet harruar se ai u shkrua më se gjysmë shekulli më parë, nga një ish – ushtar i frontit, të cilit, kur afronin vranësirat e vjeshtës, i dhembnin vendet e plagëve të luftës. Si i tillë ai të trondit, veç të tjerash, me autenticitetin e tij”. Në fakt “Im Westen nichts Neues” apo siç njihet në anglisht “All Quiet on the Western Front” nuk është thjesht autobiografik, siç supozojnë shumë lexues. Studiuesit shkruajnë se Remark nuk shërbeu në llogore, por si pjesë e trupave xheniere prapa vijave të frontit, dhe ai ishte në aksion vetëm për rreth gjashtë javë përpara se një plagë e marrë do ta nxirrte nga detyrimi për të punuar. Megjithatë, ai e njihte temën dhe ritmi i rrëfimit të tij, me shpërthime të egra që ndërhynin në magjitë e mërzisë, u bë një shabllon për histori të panumërta të mëvonshme të luftës. Po me të njëjtin përkthim të Robert Shvarc “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit” njohu dhe botime të tjera nga shtëpi të tjetra botuese, si nga shtëpia “Horizont” në vitin 1999 por dhe nga “Dituria” në vitin 2018.

Filmi 1930

I konsideruar si një nga përshkrimet më të sinqerta dhe autentike të luftës në letërsi, romani i njohur i Remark u përshtat për herë të parë për ekranin në filmin: “Gjithçka e qetë në Frontin Perëndimor”. Ai është një film amerikan epik antiluftë i vitit 1930. Me regji të Luis Milestone, në film luajnë Lev Aires, Luis Volheim, Xhon Vrai, Arnold Lusi dhe Ben Aleksandër. “Gjithçka e qetë në Frontin Perëndimor” pati një vlerësim të gjerë në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1990, filmi u zgjodh dhe u ruajt nga Regjistri Kombëtar i Filmit i Bibliotekës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara i konsideruar si “kulturor, historikisht ose estetikisht i rëndësishëm”.

I konsideruar si një rrëfim realist dhe tronditës i Luftës së Parë Botërore, ai u rendit në listën e 100 filmave të Institutit Amerikan të Filmit në 1997. Një dekadë më vonë, pasi e njëjta organizatë anketoi mbi 1501 filma, “All Quiet on the Western Front” u rendit filmi i shtatë më i mirë epik amerikan. Filmi ishte i pari që fitoi çmimet e Akademisë si për prodhim të jashtëzakonshëm ashtu edhe për regjisorin më të mirë. Është fituesi i parë i filmit më të mirë i bazuar në një roman. Për shkak se është një film i prodhuar në vitin 1930, ai do të hyjë në domenin publik më 1 janar 2026, pas skadimit të së drejtës së autorit për romanin në vitin 2024.

Filmi 1979

“All Quiet on the Western Front” është një film epik televiziv kundër luftës i prodhuar nga ITC Entertainment. Ai u publikua më 14 nëntor 1979. Bazuar në librin e vitit 1929 me të njëjtin emër nga Erih Maria Remark, në të luajnë Riçard Tomas dhe Ernest Borgnine. Me regji të Delbert Man, ky film është një prodhim i përbashkët britanik dhe amerikan për të cilin shumica e xhirimeve u zhvilluan në Çekosllovaki.

 Filmi 2022

“Qetësi në frontin perëndimor” që në gjermanisht njihet si: “Im Westen nichts Neues”, është një film epik gjerman i prodhuar në vitit 2022. Ky prodhim është përshtatja e tretë filmike e librit, pas versioneve të 1930 dhe 1979. Drejtuar nga Eduard Berger, në film luajnë Feliks Kamerer, Albriht Shuh, Daniel Brühl, Sebastian Hulk, Aron Hilmer, Edin Hasanovic dhe Devid Shtrisov.

“Im Westen nichts Neues” u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto më 12 shtator 2022 dhe u publikua për transmetim në Netflix më 28 tetor. Materiali burimor, me disa sekuenca kryesore nga romani janë hequr ose ndryshuar. Ndërkohë që kritikët ishin të ndarë ndaj Remark në lidhje me besnikërinë e filmit. Megjithatë filmi mori vlerësime pozitive të drejtuara ndaj tonit të tij, grimit, partiturave muzikore të Volker Bertelmann, regjisë së Bergerit dhe mesazhit përkatës kundër luftës. Ai mori 14 nominime kryesore në çmimet e 76-të të Akademisë Britanike të Filmit. Ai u nominua në dymbëdhjetë kategori për Çmimet e Filmit Gjerman 2023, dhe fitoi tetë prej tyre, plus Çmimin e Argjendtë për filmin më të mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.