TOSKËRISHTJA SI KËNGË E SI MUNDËSI LIRIE

Botimi integral i “Fjalor dialektikor”, përveç risive që sjell në fjalë, ofron edhe një visar shumë të çmuar etnolinguistik

Ledi Shamku SHKRELI

Ky fjalor i toskërishtes të jep mundësi me kuptu se ka shumë e shumë jetë përtej varietetit standard, pra shumë shtigje lirie për me ia ushqy shqipes së përbashkët fuqinë e saj shprehëse.

Ky fjalor është njëmend një nga dashnitë e mia. E kam përgatitur vetë dikur për botim, nisur nga dorëshkrimi i mbetur i Pano Tases, dorëshkrim të cilin institucionet e gjuhës nuk ia patën botuar kurrë ngaqë e gjykonin – dhe po i citoj recensat – “pa të drejta qytetarie”.Pano Tase vdiq në vitin 1971 dhe mori me vete këtë peng.

Sakaq një e treta e këtij fjalori të sotëm, qe botuar në vitin 1941 në “Visaret e Kombit” nën kujdesin e Sotir Koleas, i cili zgjodhi me botu Gazullin dhe Tasen (gegë e toskë) për ta pasur kësisoj shqipen frymëplotë. Tase e vijoi punën e vet përtej atij botimi, ndaj dorëshkrimi që m’u besua nga i biri, pasi i qe refuzuar botimi nga institucionet, qe rritur me dy të tretat, dhe ishte vërtet një visar i toskërishtes plot ngjyra.

Lënda gjuhësore besohet të jetë vjelë kryesisht nga këngët iso – polifonike të Shqipërisë së Jugut; pra, për sendërtimin e tij, Tase ka zgjedhur të transkriptojë më së shumti formën e kënduar të fjalës shqipe. Ç’vend mund të zërë kjo formë në tërësinë e mjeteve fjalore të shqipes?

Shpesh thuhet se shqipes së sotme i është mpakur melodia; mirëpo veç këtij problemi estetik, ka rëndësi të kuptohet fakti se tëhuajësimi apo vrazhdësia kanë përcaktuar deri diku dhe refraktarizimin e mjeteve të shqipes letrare kundrejt çdo mjeti tjetër që nuk i nënshtrohet plotësisht sistemit normativ.

Rikthimi i bukurtingëllimit në shqipen letrare përmes zbutjes së kësaj vrazhdësie do të thotë, në terma të gjerë gjuhësorë, edhe rizgjim i shqipes së brendi. Botimi integral i “Fjalor dialektikor”, përveç risive që sjell në fjalë, ofron edhe një visar shumë të çmuar etnolinguistik.

Në të renditen, të ndara qartë dhe pastër nga hartuesi i tij, urime të ndryshme si ato për dolli, urime për lindje; ngushëllime, mallkime, pendime pas mallkimit, fjalë fyese e sharje për cene trupore, përkëdhelira, kanosje, gjëegjëza, njësi frazeologjike dhe proverba. Fjalor dialektor nuk do konsideruar thjesht si një përshfaqje e një vlere arkivore, por si shtim i lëndës shqipe që u ofrohet përdoruesve të sotëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.