TRAGJEDIA E PËRSHKALLËZUAR NJERËZORE

(Donika Dabishevci, E gjithkohshmja andërr, botoi Littera, 2024, Prishtinë)

Zyrafete SHALA

Vëllimi poetik E gjithkohshmja andërr i autores Donika Dabishevci paraqitet si një shtegtim reflektues në kujtesën tonë kolektive, që i jep zë dramës së dhimbshme dhe përvojave traumatike që populli ynë përjetoi në prag të mijëvjeçarit të tretë. Duke i përmbledhur ndjenjat e një kohe të vështirë, ky libër i ofron lexuesit mundësinë të prekë e të ndjejë pranë dhimbjen e atyre që përjetuan humbjen, tmerrin dhe përballjen e afërt me vdekjen. Megjithëse kanë kaluar mbi dy dekada nga ngjarjet që përbëjnë thelbin tematik të vargjeve në këtë vëllim, Donika Dabishevci arrin të sjellë përpara lexuesit imazhe të gjalla dhe prekëse të së kaluarës, duke na rikthyer kështu në atmosferën tronditëse të luftës. Kjo ndërthurje mes diskursit poetik dhe reales, të shtresuar në ndërdijen individuale e kolektive, na çon drejt poetikës së kujtesës, si një fushë që gjurmon dinamikën e bartjes së përvojave të dikurshme në krijimtarinë letrare.Linja narrative që përshkon vëllimin poetik E gjithkohshmja andërr shërben gjithashtu si një catarsis për lexuesin që i ka të njohura këto rrëfime, por që, përmes mekanizmave mbrojtës, mbase përpiqet t’i shtyjë në ndërdije. Nga ky këndvështrim, riprodhimi i situatave traumatike përmes një diskursi të ndërtuar me gjuhë të përditshme dhe përshkrimi i pamjeve të gjalla e tronditëse, të rrënjosura thellë në ndërdijen tonë, përmes përjetimit estetik, shërben gjithashtu si një terapi për eksternalizimin e vuajtjes.

Të katër ciklet në të cilat janë ndarë poezitë e këtij vëllimi: Zanun n’lak, Lakmia me u çmend, N’luftë me korba dhe Dhimta t’ngufatuna n’ofshama t’pazashme, krijojnë një udhëtim të thellë dhe emocional që përçon ndjenjat më të errëta dhe më të fuqishme të përvojës njerëzore. Të organizuara si akte të një tragjedie universale, këto cikle shpalosin një narrativë të brendshme që zbulon anët më të fshehta dhe më të dhimbshme të shpirtit njerëzor. Këto cikle na shfaqen në fakt si akte të një tragjedie të njohur, skenat reale të së cilës herë na ofrohen ashtu siç i kemi njohur, herë si sajesa të trishta të memories traumatike, e herë si ëndrra apo situata sureale. Ndërsa, relacioni mes katër cikleve shpërfaq brenda vëllimit poetik një konflikt që shkon duke u përshkallëzuar, ashtu siç përshkallëzohet dhuna në njërën anë dhe përjetimi intensiv i pasojave të saj. Secila poezi është një rrëfim në vete, që ka konfliktin, ka personazhet e saj dhe që na shfaqet si një sekuencë lufte, ndërsa në kuadër të vëllimit si tërësi, çdo poezi e çon një hap më tutje rrëfimin. Në anën tjetër, secili nga këto (mini) rrëfime për lexuesin është një dritare e tmerrit të përjetuar, prej nga na shfaqen trajtat më të thella të vuajtjes, shkaktuar nga egërsia antropike e gjithkohshme, nga babëzia, apo thjesht nga instinkti i brendshëm njerëzor, me i hangër s’gjalli t’dobëtit – siç thotë autorja.

Sekuencat narrative, varg pas vargu e poezi pas poezie, na ofrojnë një tablo të gjithanshme të luftës, ku me sytë e zemrës shohim tek parakalojnë: njerëz të shkulur dhunshëm nga vatrat e tyre; fëmijë që struken në gjokset e nënave të përgjakura, për të marrë aty ngrohtësinë e fundit amnore; shtëpi të përfshira nga flakët, që bashkë me ëndrrat dhe kujtimet, djegin jetë të tëra të ndërtuara me dashuri; turma që zvarriten nëpër male për t’u strehuar në mëshirën e bishave të egra; njerëz të strukur në bodrumet e errëta; fëmijë që takohen me vdekjen ende pa e njohur jetën; gra të dhunuara, burra të masakruar dhe skena të tjera rrëqethëse që nuk i përkasin Mesjetës, as Holokaustit, por fundshekullit XX dhe vatrës sëcivilizimit.

Absurditeti që i përshkon këto sekuenca zë fill qysh në poezinë e parë, Granatimet, që njëherësh vihet edhe në funksion të prologut. Për të dhënë dimensionet e paqes hyjnore, Dabishevci sjell një peizazh të natyrës së përkryer që duket se jo rastësisht na shfaqet pa njerëz, një peizazh ku zë vend gjithçka mi dhé, rreze dielli, fllad pranvere, lulesa e sytha, bari, ujna të kthjellët, zogj imcak e qiell të paqtë, por jo njerëz, asnjë njeri … mbase nënteksti i këtij imazhi na jep të kuptojmë se njeriu është e vetmja krijesë që në mënyrë të vullnetshme e prish paqen hyjnore. Simbolika e paqes së thyer shpërfaqet në vargjet e mëtejme: Nisën granatimet / Zogjtë u çakërdisën. / Nisën me u rrokë n‘njeni –tjetrin, / trumhasun me u ndesh’ fluturimeve, / si pa krye – për me pshtue kryet – ku pafajësia vihet në përballë forcave të errëta. Figura e kontrastit mes një paqeje të përkryer dhe shpërthimit të dhunës, përveç që nxjerr në pah absurditetin dhe prirjen destruktive të njeriut, është edhe një apel për reflektim mbi natyrën njerëzore. Në këtë përmbysje të ekuilibrit, ku gjithçka duket e thyer dhe kaotike, shfaqet skena e një dueli të pamëshirshëm mes jetës dhe vdekjes – një betejë ku çdo çast, është një përpjekje për të mbijetuar dhe çdo frymë bart ngarkesën e ankthit e të shpresës.

Shpalosen më tej motive të panumërta përmes situatave narrative që, megjithëse bartin kaos brenda vetes, ndjekin një rrjedhë logjike kohore:fillimisht ekuilibri natyror, më pas granatimet e papritura, sirenat e bombardimeve, ndjesia e papërballueshme e urisë, ikja e dëshpëruar për t’i shpëtuar vdekjes, fshehja në vende të errëta dhe të ftohta – për të vazhduar më tej me vargun e skenave të njëpasnjëshme, çdonjëra prej të cilave përbën vetëm një hallkë në kalvarin e vuajtjeve pa fund. Kjo rrjedhë e ngjarjeve, me ritëm të ngadalshëm dhe efekt tronditës, dëshmon për organizimin e kujdesshëm të poezive brenda vëllimit; ashtu siç e plotëson secilin varg, vargu tjetër që vjen pas tij, çdo poezi shpalos një pamje të re, gjithnjë e më të errët, një nuancë më të thellë të dhimbjes, duke krijuar kështu të gjitha së bashku një Guernikë kosovare – një imazh kolektiv, pjesë nga i cili bartim ne të gjithë, në çdo hap që hedhim.

Mirëpo, krahas dhimbjes shqiptare, në ciklin e dytë, Lakmia me u çmend, Donika sjell edhe disa poezi nga luftëra të tjera, si lufta në Bosnjë, në Palestinë e Ukrainë, me të cilat ofron një perspektivë bindëse mbi universalitetin e vuajtjeve njerëzore në luftë. Duke i pozicionuar këto luftëra përkrah njëra-tjetrës, poetja Dabishevci thekson një tragjedi të përbashkët njerëzore. Ndërsa nxjerrja në pah e modeleve të përsëritura të dhunës, krijon idenë se njerëzimi ka një prirje të rrënjosur thellë për dhunë dhe shkatërrim. Kjo e fundit, përveç dëshpërimit mbi natyrën e pandryshueshme të qenieve njerëzore, hedh dyshime mbi mundësinë e arritjes së paqes ose pajtimit të vërtetë, që në më mënyrë më të qartë shfaqet në poezinë epilog Gja s’ka ndërrue… Një epilog ky i dhimbshëm, që më tepër se shthurje e konfliktit do të mund të kuptohej si një zhvendosje e tij, me lutjen që stuhitë e çmenduna t’insinkteve primordiale të mos kthehen më: T’tanë janë dëshmitarë / marrëzish t’shpirtnav’ t’ligë / e muranave që z’vendësojnë njana – tjetrën! / Gja s’ka ndërrue n’këtë rruzullim!

Njëjtësimi i autores me ndjesitë dhe dhimbjen e secilit personazh, aftësia e saj për ta ringjallur estetikisht çdo situatë tronditëse deri në detajet më të imëta, sensi për të përdorur gjuhën dhe figurat që janë të lidhura ngushtë me botën tonë emotive, kanë bërë që secili lexues t’i pranojë këto poezi si pjesë të qenies së vet. Përdorimi i metaforave të rrënjosura thellë në traditën dhe kulturën shqiptare si: të zanun n’lak, t’u ec me dekën përdore, futëzeza, nënëzeza… luan një rol vendimtar në receptimin e poezive. Në anën tjetër, përshkallëzimi i situatave si: Arnat s’ua mlojnë brinjtë. As kockat./Ftyrzbardhemt. Syzgavruem. / Buzëshkrumbuem. Rrashtëkrisun / T’mavijosun. – përmes ngritjes së tensionit dhe frikës,thellon te lexuesi ndikimin emocional, duke e përfshirë atë në atmosferën e ashpër të luftës. Përshkallëzimi i jep lexuesit kohë për të përsiatur dhe për t’u thelluar në vuajtjet që rrëfehen, duke e bërë më të qartë shkallën e tmerrit dhe efektin që ai ka te njeriu. Kalimi gradual nga skena më pak të dhimbshme drejt skenave më të rënda,shërben gjithashtu për të shprehur humbjen e njerëzores dhe efektin që kanë situatat ekstreme në ndryshimin e njerëzve. Këto zgjedhje stilistike, përveç efektit emocional te lexuesi, sugjerojnë se ashtu siç krijohet shtresimi i dhunës gradualisht, edhe pasojat e saj rëndojnë për një kohë të gjatë në kujtesë.

Duke e vlerësuar këtë vëllim me poezi si dëshmi të së kaluarës, dëshmi të një të vërtete që nuk e shprehin dot të dhënat historike e statistikore, e shohim se elementi narrativ që i përshkon poezitë i ka shërbyer autores Donika Dabishevci si mjet i pazëvendësueshëm në krijimin e një dëshmie poetike, sepse pa rrëfim nuk mund të ketë kujtesë. E gjithkohshmja andërr portretizon në mënyrë unike brutalitetin e luftës, duke i lënë të nënkuptohen efektet psikologjike dhe traumat që lufta ka lënë pas. Si i tillë, ky vëllim poetik shërben për t’i përjetësuar rrëfimet e viktimave, por edhe për t’i kundërshtuar narrativat që përpiqen t’i minimizojnë ose edhe fshijnë ato. Nëse siç thotë Walter Benjamin: Kujtesa nuk është një instrument për të eksploruar të kaluarën, por është teatri i saj – atëherë mund të sugjerojmë që kujtesa është një hapësirë ku e kaluara formësohet dhe interpretohet vazhdimisht, por natyrisht që formësimi dhe interpretimi bëhen përmes kujtesës së shkruar, të cilës ne si popull nuk i kemi dhënë rëndësinë e duhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.