TRAJTIMI I INDIFERENTIZMIT NDËRNJERËZOR PËRMES NJË POEZIE

Poezia “Kaftjalli” e Preverit është tërësisht e zhveshur nga rekuizitat figurative dhe aq spontane në rrëfimin e idesë, e strukturuar në një monokolonësh, eventualisht në dy-tri fjalë për çdo varg. Atëherë, çfarë e bën këtë poezi aq tërheqëse, që t’i qasesh në mënyrë të veçantë dhe kreative?



Sadik KRASNIQI


Në mos të parët, shkrimtarët janë krijuesit që, në mënyrë të veçantë, hetojnë, gjegjësisht pasqyrojnë disa fenomene jetësore. Ata, edhe pse me veprat e tyre synojnë artistiken,gjithashtu zbërthejnë fenomene të fushave të ndryshme (filozofike, sociologjike, etike, psikologjike etj.), shpesh më mirë dhe më thellë sesa këto fenomene të zbërtheheshin me anë të mjeteve dhe metodave të tyre përkatëse. Në këtë mënyrë, Shekspiri pasqyron luftën,përkatësisht intrigën për marrjen e pushtetit te “Hamleti”; Balzaku trajton fenomenin e mospërfilljen fëmijë-prindër te “Xha Gorioi”; Oruelli trajton fenomenin e tretjes së qenies njerëzore si pasojë e mekanizmit ideologjik të supershtetit në romanin “1984”; ElsaTriole i qaset trajtimit të mundësisë së skllavërimit dhe të tjetërsimit të njeriut nga pasioni për pasuri te “Trëndafil me kredi”; Markezi romanin e tij “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë” e ndërton mbi fenomenin e vetmisë absolute.
Ndërsa një fenomen tjetër të kohës, indiferentizmin ndërnjerëzor, si pasojë e dinamikës së jetës, do ta hetojë, gjegjësisht pasqyrojë, poeti i madh frëng, ZhakPreveri, në një trajtë më të vogël letrare: në poezinë “Kaftjalli”.
Është thënë shumë herë, se disa poezive të disa autorëve u kthehesh përherë dhe të bëjnë disi “rob” të rileximit të përhershëm të tyre. Kjo ndodh shpesh nga niveli i tyre i lartë artistik ose ngaqë përmbajnë ndonjë veçanti, që përmbushin shijen artistike të përjetuesit.E tillë (që ia vlen t’i kthehesh përherë) është edhe poezia “Kaftjalli” e Zhak Preverit. Por këtë poezi (si shumë të tjera të këtij autori) nuk e shquan ndonjë figurshmëri e theksuar artistike, ndonjë stil i lartë apo ndonjë strukturë versifikative. Përkundrazi, si e tillë është tërësisht e zhveshur nga rekuizitat figurative dhe aq spontane në rrëfimin e idesë, e strukturuar në një monokolonësh, eventualisht në dy-tri fjalë për çdo varg. Atëherë, çfarë e bën këtë poezi aq tërheqëse, që t’i qasesh në mënyrë të veçantë dhe kreative?
Kjo është një poezi për një fenomen: fenomenin e indiferentizmit ndërnjerëzor në njërën anë, si dhe prirja e poetit që këtë fenomen ta interpretojë aq bindshëm, saqë gjatë leximit kushtëzohet një përjetim i thellë i idesë së poezisë. Poezia fillon në mënyrë të rëndomtë, si nis dita në mëngjes. Andaj që në nisje, atmosfera në këtë poezi është tmerrësisht e njëtrajtshme, monotone, e ftohtë, pa gjak, plot ironi, krejtësisht indiferente, pa intimitet afrie. Në poezi, si në jetë, ai tjetri karshi poetit-njeri, nuk bën asgjë, pos “qiti kafe / në filxhan, / qiti qumësht / në filxhanin e kafesë /, qiti sheqer / në kafe me qumësht”. Edhe pse ai/ajo është në praninë e njeriut (poetit), që ndien njerëzisht, vazhdon tmerrshëm me: lugën e vogël / e përzjeu. E ç’i mbetet atij përballë njeriut, pos që: “piu kafenë me qumësht / dhe la filxhanin…”. Çfarë tmerri, çfarë indiference ndërnjerëzore?!
Në këtë poezi-jetë (rastësisht, domosdoshmërisht) takohen e s’takohen dy veta (janë prezentë vetëm si dy qenie fizike); shihen e s’shihen; ndiejnë e s’ndiejnë asgjë për njëri-tjetrinsi qenie humane (por jo edhe si poetë). Ata, edhe pse rrinë afër (vetëm fizikisht), kurrë nuk bëjnë dy e as një të përbashkët, por gjithmonë do të mbeten si një dhe të vetmuar…
E gjithë këtë ekuacion të raportit shpirtëror e bën tjetri në prani të poetit, akëcili qoftë ai, mik apo i afërt i poetit, gjegjësisht i njeriut, me një indiferencë gati inorganike.Poeti (vetëm duke qenë i tillë) e ndien shpirtërisht këtë situatë, kështu që arrin ta inkuadrojë veten në këtë ftohtësi, me një përjetim shokues, duke lëshuar pasthirrmën: “Pa folur me mua”. Mu këtu ndodh edhe tragjikja, me praninë e poetit si qenie e ndjeshme dhe fisnike përballë një qenieje tjetër universale indiferente. E ai (ajo) prapë me atë ftohtësi:
“Ndezi një cigare /bëri rrathë / me tymin e saj”.

Mbase këto vargje paraqesin (rrathët e tymit) trysni mendimi me dozë arrogance. Madje, të gjitha këto bëhen vetëm hi, se ajo “shkundi hirin / në taketuke”, e heroi klithi: “Pa
folur me mua / pa më shikuar”.Këtë indiferencë ndërnjerëzore padyshim e kushtëzon dinamika e jetës, ku çdo gjë duhet të bëhet shpejt, sepse jeta është shumë komplekse dhe, duke qenë e tillë, njeriu ështëbërë rob i mekanizmit të saj. Si rezultat i saj, njeriu tjetërsohet, dehumanizohet, humb përafërsinë, intimitetin, bëhet boshllëk ndijimesh dhe, si i tillë, duhet të ketë kohë për çdo gjë, por jo edhe t’i kthehet vetes-njerëzores.
Njeriut, si qenie e programuar dhe e instrumentalizuar nga ingranazhi i jetës, vërehen vetëm veprimet fizike: “U ngrit / vuri / kapelën në kokë / veshi / mantelin e shiut / sepse binte shi / dhe u nis / nëpër shi / pa një fjalë / pa më shikuar”… Një mospërfillje e tillë në poezi dhenë jetë poeti e përjeton rëndë, kështu që idenë e poezisë e përmbyll në një moment dhe akt afër çmendjes, që manifestohet me një klithmë në shenjë proteste të heroit lirik të kësaj poezie: “E unë / Kapa kokë në duar / Dhe qava”.
Mendojmë se fenomene të tilla, që pasqyrohen përmes veprave letrare, nuk janë studiuar sa duhet dhe, si të tilla, janë problematika të hapura për kritikë, por me një qasje më tepër se vetëm letrare.

KAFTJALLI*

Qiti kafe
Në filxhan
Qiti qumësht
Në filxhanin e kafesë
Qiti sheqer
Në kafe me qumësht
Me lugën e vogël
E përzjeu
Piu kafenë me qumësht
Dhe e la filxhanin
Pa folur me mua
Ndezi
Një cigare
Bëri rrathë
Me tymin e saj
Shkundi hirin
Në taketuke
Pa folur me mua
Pa më shikuar
U ngrit
Vuri
Kapelën në kokë
Veshi
Mantelin e shiut
Sepse binte shi
Dhe u nis
Nëpër shi
Pa një fjalë
Pa më shikuar
E unë, unë kapa
2

Kokën me duar
Dhe qava.

*Poezia është marrë nga libri “Diell nate”, përzgjedhur dhe përkthyer nga Rexhep Ismaili

Leave a Reply

Your email address will not be published.