TREGIMTARI I REALITETEVE JETËSORE-ARTISTIKE

Autori e vështron jetën si sociolog-analist, duke evidentuar artistikisht plagët e shoqërisë, të cilat mbarten si keqkuptime, padrejtësi, hutime apo tipare egocentrike të njerëzve

Nga Fran VUKAJ

Përmbledhja me tregime”Qytet i ndaluar” me 25 tregime e 5 ese, është jo vetëm një arritje e autorit-tregimtar Qazim Shehu,por edhe e prozës së sotme moderne. Këto tregime janë të këndshme, lakonike e plot lëng jete. Lënda narrative është shkruar me gjuhë të rrjedhshme pa teprime e me kursim, me leksik të pasur, saqë këto tregime lexuesit i sjellin ndjesinë dhe perceptimin e një proze poetike dhe relaksuese. Duke sjellë ndërmend arritjet e Qazim Shehut në lëmin e prozës, poezisë, kritikës dhe studimit, mendon se ke të bësh me një krijues që jo vetëm ndjek rrjedhat e artit, por edhe se kërkon natyrshëm të lërë gjurmën e personalitetit të vet në këto rrjedha, që ngarendin me shpejtësi dhe vrullshëm në detin e gjerë të krijimtarisë. Ai është një vëzhgues serioz e i vëmendshëm i jetës njerëzore në zonat urbane e ato rurale, duke depërtuar në skutat e errëta të njeriut të thjeshtë e duke mësuar nga bota e tij e pasur, pastaj ai gdhend me detaje të kursyera portrete njerëzish, të cilët vinë e zënë vend natyrshëm larg çdo stisje.

Duke lexuar këto tregime, më erdhi ndërmend një thënie e pedagogut tim të nderuar, Kujtim Spahivogli, regjisor i madh, që në një bisedë me studentët e dramës në Institutin e Lartë të Arteve, na tha: ”Të jashtëzakonshmen e shikon çdo njeri që ka dy sy, por të zbulosh të zakonshmen, për këtë duhet të jesh artist”. Shehu skulpturon profile njerëzish të zakonshëm dhe u bën “skaner” personazheve artistike, duke ngritur madhështinë e thjeshtësisë së tyre, larg makijazheve e trilleve të stisura. Narrativja e tregimeve të tij rrjedh e qetë, natyrshëm, duke finalizuar në zgjidhje të papritura, por që i pranon logjika e jetës. Këto tregime me fabula interesante pëlqehen dhe mbahen mend pikërisht për këtë veçanti, për episodet e gjetura, të mbledhura e të ndërtuara me kujdes, ashtu siç mbledh bleta nektarin. Në këto tregime jo rrallë lexuesi gjen edhe vetveten, me të mirat dhe të metat e tij, me veset e virtytet, sa ndonjëri mendon: Ta ketë shkruar për mua këtë tregim? Por, ja që ne jemi qenie sociale dhe brenda nesh jetojnë edhe engjëlli edhe djalli, siç thotë Naimi.

Tregimet e Qazim Shehut rrjedhin qetë, lirshëm, pa sforcime, por ashtu papritur marrin vrull drejt finalizimit, me plot mesazhe e kumte filozofike, duke na befasuar dhe emocionuar dhe na sheqerojnë me një buzëqeshje relaksuese të këndshme edhe prej një ironie të hollë e të shëndetshme. Autori e vështron jetën si sociolog-analist, duke evidentuar artistikisht plagët e shoqërisë, të cilat mbarten si keqkuptime, padrejtësi, hutime apo tipare egocentrike të njerëzve. Skena me pamje drithëruese e tablo të gjalla migjeniane vijnë përmes tregimit “Solidaritet njerëzor”, ku nga një çast i thjesht në dyluftimin e romit me qenin te kazani i plehrave, autori ndërton një simbolikë të hollë therëse dhe nderin e romit në këtë dyluftim e shpëtojnë punëtorët e pastrim-gjelbërimit…

Me detaje të gjetura jepet tema e braktisjes së malësisë ndërthurur me atë të emigracionit në tregimin “Flamuri”. Autori rrëfen për kullën dyqindvjeçare të Daimit, tani e kthyer në një vilë të bukur nga puna e fëmijëve në Evropë. Në këtë vilë trokasin dy të panjohur, mbledhës të stemave të vjetra, mahniten nga pritja dhe bujaria, por u çuditën kur në mure vështrojnë flamurë anglezë, gjermanë e grekë, ndërsa ata nga jashtë u orientuan drejt kësaj vile prej flamurit kombëtar që valëvitej me shtizën e tij në soletën e vilës. Gjyshi i Daimit ishte vrarë për flamurin kombëtar, po nipat të endur nëpër botë, sa do ta mbajnë këtë amanet dhe a do kthehen më këtu? Një dramë me përmasa kontekstuale drithëruese, jetësimi i së cilës rri zhytur në mjegullën e pamundësisë së përfytyrimit. Dhe, thënë aq bukur me pak faqe e me detaje të kujdesshme në zgjedhjen e tyre. Një shkrimtar i vërtetë është një i shqetësuar i madh. Dhe një përjetues i madh. Nga këto dy premisa të formimit të tij jetësor dhe intelektual, shto këtu edhe talentin, e nga këto premisa nuk ka sesi të mos formëzohen e të përçohen krijime të arrira dhe me vlerë. Shpirti i vërtetë i artistit trazohet kur shikon mashtrime, braktisje të vendit, njerëz të vetmuar, korrupsion, moral të ulët, prostitucion, përçmime ndaj njeriut të thjeshtë, imazhe false dhe delire të panevojshme. Dhe nuk ka sesi këto të mos i hedhë në letër e t`u japë udhën e mishërimit artistik sipas zhanrit të zgjedhur. Por, ai nuk është thjesht një konstatues, as komentues dhe analist, ai është së pari artist. Dhe si artist, e ka për detyrë që tregimet t`i ngjyrosë emocionalisht, t`i organizojë e qepë në një strukturë solide, episodeve t`u japë aromë jete dhe energji transmetimi artistik, me shprehje të zgjedhura e figura, me leksik të rrallë e funksional.

Kështu, tregimet e Qazim Shehut janë si një bahçe me larushi lulesh, kur do të zgjedhësh një prej tyre dhe nuk e zgjedh dot jo se janë të ngjashëm, por ngjashmërish të bukura këto tregime të befasojnë për finesën e të shprehurit dhe për aromën e jetës. Një gjë e them me bindje duke u nisur edhe nga profesioni im i regjisorit, se disa nga tregimet mund të jenë objekt dhe e kanë premisën për skenarë filmi me metrazh të mesëm. Sipas preferencës sime, tregime të tilla janë ”Solidaritet njerëzor”, ”Flutura”, ”Frymëmarrje”, ”Shkëlqimi i tehut të sëpatës”, ”Mjeshtri i makinave të shkrimit”, ”Roja e parkingut”, ”Libri i mallkuar” e ndonjë tjetër. Gjuha filmike e rrëfimit është një tjetër tipar i stilit të autorit në këto tregime dhe bërthama e idesë dhe shtrati i problemit ku ai shtrohet, jep mundësinë për këtë.

Leximi i një proze të mirë gjithnjë është kënaqësi për lexuesin, veçanërisht leximi i tregimit, i cili për shkurtësinë e tij kërkon më tepër mund, që të thuash shumë ide me pak faqe e fjalë. Prandaj, edhe tregimi duhet të godasë e të të shkundë emocionalisht e për këtë kërkohet kujdes, vëzhgim të asaj që do të trajtosh, problematikë e zhvillim të saj pa u shkapërderdhur. Pastaj, rrjedhshmëri, shmangie nga ngjashmëritë, pastrim prej teprive, qasje ndaj të vërtetave drithëruese me peshë kohore dhe universale, dhe të gjitha këto, Qazim Shehu i realizon në këtë vëllim dinjitoz me tregime. Ne mund të ceknim edhe tregime të tjera nga ky vëllim, por u morëm vetëm me disa sipas shijes personale. Në një vështrim të shkurtër është domosdo të japësh vetëm tiparet kryesore të një libri, pa hyrë në komente e analiza të thelluara, por edhe një vështrim i tillë është patjetër një hapje porte për të hyrë me dëshirë në oborrin e tregimtarisë së një libri të bukur.

(Autori është regjisor, kritik arti)

Leave a Reply

Your email address will not be published.