UDHËTIMI I INKONSHOVE

Të gjitha revolucionet, si sociale po ashtu edhe kulturale, në thelb, mbeten sipërfaqësore. Gjithçka mëton në dhënien jetë hipotezave, ose në përthithjen e jetëve prej hipotezave.

(Hamdi) Erjon MUÇA

Arti poetik është i përjetshëm dhe i përbotshëm. Vetvetiu, ai lëviz, si në errësirë, nga një inkosho tek tjetra, nga një poet i largët në kohë dhe hapësirë, tek një tjetër poet, dhe nuk mund të ndalohet nga kufijtë, të asnjë lloji. Për shembull: Montale, në fillesat e veta u influencua së tepërmi nga Ungaretti, Eliot, dhe padyshim Leopardi. Ndërsa Ungaretti ishte i magjepsur pas Malarme-s, po ashtu edhe nga Leopardi. Ndërsa Tomas Eloit, influencuesi i Montales, ishte i influencuar nga JulesLaforgue. Po jo vetëm kaq; sipas vëzhgimeve të studiueses italiane, LucianaFrezza, duket sikur poetika e Montales është një përvijim, pas një pauze dyzet vjeçare, i stilit poetik, të vargut të lirë, të Laforgue, kjo e pasuruar me eksperiencat e shekullit të XX. E gjitha kjo është tepër e çuditshme dhe e hatashme pasi, meqë Montale është idhulli im më i madh, dhe atë e njoh shumë mirë, Montale nuk e njihte Laforgue-n, të paktën në rininë e tij të hershme, atëherë kur morën jetë edhe “Kocka prej sepje” ose “Rastësitë”; ndoshta me Laforgue-n është përballur më vonë, e megjithatë edhe për këtë aspekt, nëse ka ndodhur nuk kemi të dhëna të sakta. Ja pra se si arti poetike, nëpërmjet disa perceptimeve thuajse të padukshëm, kalon nga një poet francez, i lindur në Montevideo, në Uruguai, në 1860, për më tepër i njohur dhe pëlqyer më shumë në Angli dhe Gjermani se sa në Francë, tek një poet italian, i lindur në Xhenova më 1896. Ja pra përse u hodha tek JulesLaforgue; arti është e vetmja gjurmë që ne lejmë në këtë jetë. Ndërsa arsye e dytë ka të bëjë me stilin.

Shekulli XIX ishte shekulli i revolucioneve, në kundërshtim me shekullin XX që ishte i eksperimentimeve. Ky shekull mbisundohet nga simbolika, dhe simbolika ka nevojë për shumë vargje për t’u shfaqur, në kundërshtim me vizionarizmin që mjaftohet me pak vargje. Dhe në këtë lëmsh revolutiv spikasin poetë si Laforgue apo edhe GustavKahn. Në fakt, në periudhën kur jetuan, këta poetë nuk spikatën edhe aq shumë, u desh ardhja e brezit të ri, për t’i dhënë vendin e merituar këtyre krijuesve të parakohshëm.Po le ta shohim më nga afër këtë poet dhe vizionarizmine tij prehermetik.

Po , kjo botë është e sheshtë, dhe sa për tjetrën, pallavra.

Një pohim e madh, por për një pavërtetësi, në dukje. Bota fizike nuk është e sheshtë, ka kohë që kjo është konstatuar dhe vërtetuar. Bota për të cilën poeti thotë që është e sheshtë, është bota njerëzore; si të thuash, që njerëzimi është i parevolueshëm, ose nuk ka revolucion që të kapërthejë thelbësisht botëkuptimin njerëzor. Të gjitha revolucionet, si sociale po ashtu edhe kulturale, në thelb, mbeten sipërfaqësore. Gjithçka mëton në dhënien jetë hipotezave, ose në përthithjen e jetëve prej hipotezave. Pra, Pallavra…

Pa shpresë unë endem, i paqtë, me timin fat:

për të kaluar kohën, duke pritur vdekjen,

tymos përballë perëndive cigare të holla.

Diku në shkrimet e shenjta shkruhet se dituria largon nga besimi. Mirëpo, duke fituar diturinë që largon besimin, shpresën, njeriu fiton paqen. (Dituria largon besimin nuk ka vetëm një kuptim metafizik, nuk ka të bëjë unidrejtimisht vetëm me besimin shpirtëror. Kjo thënie duhet të lexohet shumëdimensionalisht; me të përftuar diturinë njeriu humb bindjet politike, besimin shpirtërorë, ndjenjën patriotike, jo më kot Wilde do të shkruante: Patriotizmi virtyt i perversëve. Njeriu i ditur nuk marshon dot në parada dhe nuk hidhet në llogore, ai jeton në paqe, dhe ia shfryn tymin, përçmimin, në fytyrë të gjitha marrëzive njerëzore. Ngaqë me diturinë ka kuptuar atë thënien e vjetër herbraike: Natyrës i kemi hua një vdekje.

Hë, të gjallë, dihatni, o skelete të së ardhmes.

Njerëzit që rropaten, përplasen, përleshen, a thua se janë të përjetshëm, kur edhe eshtrat nuk janë të përjetshme. Dhe është i mrekullueshëm vizioni i frazës: Skelete të së ardhmes. Pak kush, kur sheh një skelet, nuk sheh vetëm një përfundim të shëmtuar të diçkaje që dikur ka jetuar; pak kush sheh në një skelet, përfundimin e dikujt që mbarti shumë emocione, bindje dhe besime; pak kush sheh përfundimin e atij që u përlesh me mish e me shprit në mbrojtje të një hipoteze, çfarëdo.

Mua, kaltërsia e honit që drejtë qiellit përthyhet

më zhyt në një ekstazë të pashtershme dhe më përgjum

ashtu si të vdekshmet aroma të njëmijë djegësve.

Poetin, të diturin, atij që ka fituar paqen e vetëdijes, gjithçka që e rrethon e zhyt një thuajse apati të kënaqshme; ngathtësi kënaqësie shpëtimtare. Në atë përgjumjen e shijimit; të përjetimit të një ëndrre të bukur dhe të pashtershme. Larg nga vorbulla e flakës që djeg kërcurët në sobë, larg edhe tymit të ngrohtë, verbues dhe lotues, që del nga tymtarët, më pranë asaj gjendej ku mbetet vetëm aroma e këndshme dhe e vdekshme e drurëve të djegur, aromë këndellëse si e një gjëje të ngrënshme. E kuptuat metaforën? Ka të bëjë thuajse me gjenezën, atëherë kur asgjë ishte e përfunduar, kur e mira dhe e keqja nuk ekzistoni. Atëherë kur as e keqja nuk ishte e keqe. Aty mbërrin njeriu që ka përftuar diturinë dhe paqen.

Dhe futem në të lulëzuarin eden prej ëndrrash të qarta,

ku elefantë në epsh u gërshetohen të zbehtit

vallëzime të mushkonjave, në valcer fantastikë.

Në vargjet në vijim poeti e përforcon atë që parashtrova pak më lart. Pra, në përftimin e dijes dhe paqes, për njeriun gjithçka është e mundur, madje edhe përjetimi i paradokseve. Me përftimin e diturisë, njeriu përfton t’i kënaqet jetës dhe të mos frikësohet nga vdekja. Të pranojë humbjen dhe të mos ekzaltohet nga fitoret.

Dhe kur atëherë të miat vargje mendoj dridhem,

zhbiroj, zemrën plot me të ëmblën kënaqësi, të shtrenjtin

gishtin tim të madh të skuqur si një kofshë pate.

Fitoret janë vetëm fiktive, të pjesshme, të lëvizshme dhe aspak të qëndrueshme, të gjitha, pa as më të voglin dyshim, herët a vonë, në më të mirën e mundshme derdhen në lumin e harresës, për të mos thënë që jo pak herë, fitoret më të mëdha, në realitet kanë qenë edhe humbjet më të mëdha, por shumica këtë as që e ka kuptuar dhe as ka për ta kuptuar ndonjëherë. Këtë e kupton vetëm pakica, dhe kjo pakicë, shumë shumë e vogël edhe për t’u quajtur pakicë, kalon e pa kuptuar nga shumica. Ndërsa në mbyllje Laforgu është shumë hermetik edhe për kohën që jetoi por edhe për ne që erdhëm më pas, dhe i vetmi shpjegim të cilin mund t’u jap, të kuptueshëm, por larg poetikës, është, që njeriu i ditur apo jo, me vetëkënaqësi fitimtari apo me mllef hakmarrës prej të humburi, mbetet gjithnjë me gisht në gojë. Kur do që t’i vij fundi, njeriut do t’i ketë mbetur gjithnjë një peng i pa shlyer, pra në fund, nëse nuk do kishte njëri që t’i rregullonte kufomat, ne të së ardhmes, apo edhe të ardhshmit tanë, do të zbulonin skelete me gisht në gojë.

Tani në mbyllje dua të ndalem pak tek titulli. Pse e ka titulluar CIGARJA këtë sonet. Për mendimin tim shumë thjeshtë. Cigarja është një objekt i mbarueshëm i krijuar nga njeriu, që pjell një kënaqësi fiktive, por vrasëse. Dhe që kur mbaron dhe ti e ke hedhur në tokë, kënaqësinë nuk ta ka dhënë plotësisht. Do të doje, gjithmonë, ta thithje edhe një herë pas thithjes së fundit…

Ky është arti poetik, që lëviz në inkoshot e gjenialëve, nga njëri shekull në tjetrin, nga njëri vend në tjetrin. Ky ishte Jules Laforgue, një pararendës i psotmodernizmit në përgjithësi dhe i hermetizmit në veçanti.

CIGARJA

Po, kjo botë është e sheshtë, dhe sa për tjetrën, pallavra.

Pa shpresë unë endem,i paqtë, me timin fat:

për të kaluar kohën, duke pritur vdekjen,

tymos përballë perëndive cigare të holla.

Hë, të gjallë, dihatni, o skelete të së ardhmes.

Mua, kaltërsia e honit që drejtë qiellit përthyhet

më zhyt në një ekstazë të pashtershme dhe më përgjum

ashtu si të vdekshmet aroma të njëmijë djegësve.

Dhe futem në të lulëzuarin eden prej ëndrrash të qarta,

ku elefantë në epsh u gërshetohen të zbehtit

vallëzim të mushkonjave, në valcer fantastikë.

Dhe kur atëherë të miat vargje mendoj dridhem,

zhbiroj, zemrën plot me të ëmblën kënaqësi, të shtrenjtin

gishtin tim të madh të skuqur si një kofshë pate.

Leave a Reply

Your email address will not be published.