UDHËTIMI NËPËR KOHË

(Rreth romanit “Ashensori” të autorit Ferid Selimi)

Skender LATIFI

Romani “Ashensori” i autorit tanimë të dëshmuar preshevar, FeridSelimi më ktheu për disa vjet pas apo thënë më qartë në fëmijërinë dhe rininë e hershme. Si fëmijë, ndodhte jo shpeshherë që të familjarët tanë më të moshuar të na merrnin me vete kur ata shkonin t’i vizitonin të afërmit e tyre apo të qëndronin si mysafirë për dy apo tre ditë radhazi larg vendlindjes sonë Preshevës, sidomos në “kohët shterpa”, siç quheshin ditët e pas përfundimit të punëve sezonale bujqësore. Dhe me të arritur në ato shtëpi të të afërmve tanë, më së tepërmi më binin në sy arkat e mëdha apo baullet, ku ruheshin sendet me vlerë të shtëpive ku qëndronim ne. Nuk di as sot se si ndodhte që çelësat e baulleve në të shumtën e rasteve i mbanin nënat apo zonjat e atyre shtëpive, përkundër që të zotët e shtëpive ishin burra hijerëndë, që prisnin e përcillnin me përzemërsi mysafirët e tyre, por që lehtë ktheheshin në burra fjalëpak kur ata ktheheshin në atmosferën intime familjare!

Pasi vetë i përkas brezit që ishim dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha socio-ekonomike të gjysmës së fundit të shekullit të XX, romanin “Ashensori” unë e kam konceptuar si “Baullja e shtëpisë” që rrethanat bashkëkohore e kanë shndërruar në “Ashensor”. Pra, autori na sjell në këtë libër kujtime për njerëz, ngjarje, vende me të cilët ai ka udhëtuar dhe do të udhëtojë tërë jetën e tij, sa herë që ai ka nevojë për shoqërimin e tyre. Por, edhe për lexuesit ky udhëtim do të jetë sfidues dhe mbresëlënës, sepse në librin e Ferid Selimit ata do të gjejnë episode ngjarjesh, emra vendesh e njerëzish që fatkeqësisht tanimë nuk janë në mesin tonë.Edhepse autori ka qenë modest në përshkrimin e detajeve rreth çështjes së të besuarit të çelësit të “Baulles së shtëpisë”, vërehet qartë se edhe në shtëpinë e tij të lindjes ai çelës iu ishte besuar zonjës së shtëpisë, apo së ëmës së autorit. Duke e njohur për së afërmi atë grua fisnike, nuk mund të heshti e të mos i them disa fjalë për të. Në sytë e mi të një fëmije apo të riu, ajo grua në çdo çast e dëshmonte një shkallë të lartë të vetëbesimit, diçka të pazakontë për bashkëmoshataret e saja që jetonin midis terheqshmërisë dhe gjysëmheshtjes.

Prandaj vetëm ajo mund t’i besonte të birit çelësin e ruajtjes së kujtimeve dhe vetëm ata dy mund ta dinin se si pse kishte ngjarë kështu, duke e pasur parasysh se në shtëpi kishte edhe fëmijë tjerë. Pa një besim dhe guxim të tillë nga ana e zonjës së shtëpisë, në “Ashensor” nuk do të kishte vend për kamerierenSanije, e cila nga rrethana të ndryshme u detyrua të punonte një punë jo edhe aq të popullarizuar ndër preshevarët e asaj kohe, por që me mënyrën e saj dinte t’i gëzonte fëmijët e lagjes.Në udhëtimin nëpër kohë, anekënd vendbanimeve të Preshevës, në faqet e librit autori balancon midis nostalgjisë për të kaluarën e vendlindjes së tij, për dhembjen për ata që i ka njohur edhe nuk janë më në këtë botë, për rrugët e sokaqet që siç e përmenda më lartë nuk janë më ashtu siç kishin qenë dikur dhe që autori sikur me dëshirë kërkon që së paku për disa çaste asfaltin e rrafshët të vendlindjes ta ndërrojë me pluhurin dhe gurët e dikurshëm mbi të cilët bashkëqytetarët e tij dhe ai vetë hodhën hapat e parë të fëmijërisë dhe të rinisë.

Në fund mund të them se në “Ashensorin” e FeridSelimit nuk mungon guximi, sepse ai në “udhëtimin” e tij iu ka bërë vend edhe atyre personaliteteve e figurave të Preshevës dhe rrethinës së saj, që ishin të pastrehë apo me zhvillim të vonshëm mendor dhe gjithnjë ishin në kërkim të këndit të tyre të rehatshëm të nënqiellit preshevar. Guximi i autorit nuk ka munguar edhe në të deshifruarit e shprehjes së njohur “a pate apalaç pahiri”, me të cilën shprehje thuajse amnistoheshin të gjithë ata bashkëvendës të autorit që e pinin duhanin tinëz…“Baullja e shtëpisë”, e cila dikur qëndronte në një pjesë gjysmë të errët të shtëpisë dhe dera e së cilës hapej edhe mbyllej rrallë, e shndërruar në “Ashensor” nga Ferid Selimi për lexuesit do të afrojë një udhëtim mbresëlënës duke kujtuar detaje, personalitete, vende të përcjellë me një dozë jo aq të përballueshme nostalgjie, por edhe me një shpresë për një mihje edhe më të thellë të kujtesave tona për një të kaluar jo aq të largët, jo aq të pasur por të dëshiruar dhe të përballueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.