UJI QË RRJEDH

(Mikpritja shqiptare e Abdurrahman Pashait nga Tetova në poemën e Ashik Kenziut)

Metin IZETI

Abdurrahman Pashai, prefekti i Tetovës në fillim të shekullit të XIX, është një nga personalitetet më të shquara të jetës shoqërore dhe kulturore në këtë periudhë në Tetovë dhe me gjerë. Ai ishte djali i Koxha Rexhep Pashait dhe baba i shumë veprimtarëve shoqërorë dhe kombëtarë që erdhën nga loza e tij. Veçanërisht është i njohur me restaurimin e Harabati Baba Teqesë, Xhamisë së Larme në Tetovë, Çifte Hamamit në Tetovë si dhe ndërtimit të ndërtesave të verores së tij në Kalanë e Tetovës.

Në fillim të shekullit të XIX, Tetovën e ka vizituar poeti i njohur me origjinë nga Qiproja, Ashik Kenziu dhe është pritur me bujari të pashoqë nga ana e pashait tetovar. Si rrjedhojë, ai e ka shkruar edhe një poemë lëvdate për pashain të cilën e ka emërtuar, Dasitan-i med’h-i Rasim Pasha/ Poema lavdëruese për Rasim Pashain. Ashik Kenziu në poemë e ka përdorur emrin lavdërues për pashain Rasim, që e ka kuptimin metaforik “Uji që rrjedh” dhe këtë emër lavdërues Ashik Kenziu e ka përdorur për ta treguar bujarinë e Pashait dhe atë duke u bazuar në porosinë profetike, i cili vepërmirësinë e kategorizon si sinqeritet rrjedhës (sadaka xharije).

Në katërvargëshin e parë Ashik Kenziu kështu e fillon poemën e tij:

Fisnikëria dhe pushteti të qëndrofshin përgjithmonë

Sërish e gëzove këtë zemër të dëshpëruar

O zotni i im, o Mbret i dashur

Të nderoftë edhe ty Zoti që gabimet mbulon

Ashik Kenziu i mahnitur me fisnikërinë dhe burrninë e Abdurrahman Pasahit i drejtohet atij me epitetet më të larta të asaj kohe, madje këtë e lidh edhe me përmasën fetare, duke iu lutur Zotit me cilësinë e Tij Settar (Mbulues i të metave), që në përshpirtshmërinë islame është përdorur si lutje për mbretërit të cilët gjatë veprimtarisë së tyre shoqërore gjithsesi se do të përballen me situata kur edhe kanë mundësi të bëjnë lëshime. Në vazhdim Ashik Kenziu thotë:

Sërish fytyra më qeshi dhe u zbukurova

E fshiva ndryshkun e pasqyrës në shpirtin tim

Minierë e haresë je ti, e kuptova

Në burrni e ke shembull Aliun trim

Ditët që Kenziu i ka kaluar në Tetovë në konakun e Pashait si dhe në teqenë Harabati Baba, i ka karakterizuar si ditë të pastrimit të tij shpirtëror. Kjo kështu pasi ziqri dhe përmendja e Zotit, sipas porosive profetike, e lustron dhe e fshin ndryshkun e zemrës. Ndërsa fisnikëria dhe burrnia e Pashait në relacion me shoqërinë në përgjithësi është cilësuar si burrnia e Hazreti Aliut, që është sinonim i burrnisë dhe besnikërisë në përshpirtshmërinë islame dhe në poezinë e tesavvufit.

Nuk kam pa bujar si ti, o i nderuar

Njëmijë poetë virtytet t’ua nuk mund t’i përshkruajnë

I lutem Perëndisë që në dukje dhe fshehtësi të të ruaj

Evliatë të jenë me ty dhe të të mbrojnë

Njerëzit jomirënjohës, Mbreti im, mos të të afrohen

T’u mbyllen të dy sytë mos të të shikojnë

Në dy botët mos të gëzohen

Ata që bujarinë ta mohojnë.

Në këto vargje, Ashik Kenziu, nga njëra anë lutet që Zoti dhe miqtë e Tij t’i qëndrojnë në ndihmë Pashait, ndërsa nga ana tjetër i qorton ata që nuk janë mirënjohës ndaj mirësive dhe bujarisë së Pashait. Është fakt se në këtë periudhë të trazirave shoqërore në shtetin Osman, Pashai, si edhe shumë pashallarë të tjerë të trojeve shqiptare, i kanë kundërshtuar disa nga veprimet e shtetit në relacion me trojet shqiptare dhe si pasojë e kësaj ka pasur edhe njerëz të cilët e kanë kritikuar Abdurrahman Pashain.

Pa mungesë, Krijuesi i Madh, të ka krijuar

Në katër anë je zgjatur, si shqiponjë fluturon

Dielli digjet bukurinë për ta shikuar

Hëna të sillet përreth, natën ta ndriçon.

Të poshtërit fisnikërinë, nuk ta kuptojnë

Djali i vezirit nuk ka sens për bujarinë

Prej ku ta dijë vlerën e Rasim Pashait tonë

Një i papastër dhe cofëtinë.

Ashik Kenziu në këtë pjesë të poemës e tregon edhe konfliktin që Pashai e ka pasur me djalin e ndonjërit prej ministrave të shtetit osman në atë kohë. Përderisa nga njëra anë e përmend vlerën e Pashait, në anën tjetër ai e qorton dhe e tregon pakujdesinë dhe injorancën e birit të vezirit.

Në katërvargëshin e fundit Ashik Kenziu lutet për pashain duke e vendosur edhe emrin e tij poetik në varg, siç ishte traditë e të gjithë poetëve klasikë osmanë:

Çdo shkathtësi nga Zoti ty t’u dhanë

Gjuha e Kenziut e pamundshme të të lavdërojë

Çdo ditë bajram dhe çdo natë, Natë Kadri, t’u bëftë

Armiqtë u shkatërrofshin, toka mos t’i durojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.