UMBERTO EKO, ASKUSH SI AI

(Njëri nga intelektualët më të famshëm italianë, “qytetar i botës”, që me “punë kalamajsh”, “kur e mori seriozisht”, u bë i përbotshëm)

Grigor JOVANI

U largua nga jeta në moshën 84 vjeçare shkrimtari dhe filozofi italian Umberto Eko. Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 21.30, të së premtes, 19 të shkurtit, në shtëpinë e tij, siç njofton “La Republica”, bazuar në të dhënat e familjes. Shkrimtari italian me famë botërore, që rronte në Milano, vuante nga kanceri. Ai e mbaroi.

Lamtumira e fundit njeriut të shquar të letrave dhe mendimit do t’i jepet javës së ardhshme, të martën, tek “Kastello Sforcesko” e Milanos. Zgjodhi vetë për ndarjen një kështjellë monumentale, në vend të kishës, sepse sipas redaktorit të tij të gjithëhershëm, Mario Andeoze, “ishte thellësisht ateist, gjithë jetës”. Siç duket, ngaqë u ngjit vetë në qiejt, nuk kishte nevojë për ndihmën e etërve të shenjtë dhe të engjëjve.

Ardhur në jetë në Alesandria, në veri të Italisë, më 5janar 1932, studioi filozofi në Universitetin e Torinos. Për t’u bërë i përbotshëm në “shkencën e mendimit”.Ndërsa u afroheshe të 50-tave, Eko njohu sukses të papritur me romanin e tij të parë, “Emri i trëndafilit”, që u botua më 1980 dhe shiti miliona kopje, pasi u përkthye në 43 gjuhë të botës. U transferua në ekranin e madh nga regjisori frëng Zhan Zhak Ano, me protagonist Shon Konerin, në rolin e Guljelmit, ish gjykatës i shenjtë, që merr përsipër të hetojë vdekjen e dyshimtë të një murgu, në një manastir të Italisë veriore.

“Umberto Eko, njëri nga intelektualët më të famshëm italianë, është i vdekur”, ky është titulli rreth lajmit i “Corriere della Sera”. “Umberto Eko ishte një prezencë e rëndësishme e jetës politike italiane të 50 viteve të fundit, por emri i tij mbetet pazgjidhshmërisht i lidhur, në shkallë ndërkombëtare, me suksesin e jashtëzakonshëm të romanit të tij “Emri i trëndafilit” – vazhdon “Corriere della Sera”. “Bota humbi njërin nga njerëzit më të rëndësishëm të qytetërimit modern”, rezymon ky organ i rëndësishëm i medias italiane.

Umberto Eko, bashkë me emra të tjerë të njohur të letërsisë italiane kishin vendosur të tërhiqen nga Shtëpia historike botuese “Bompiani”, e blerë nga simotra e saj “Mondadori”, e interesave të familjes Berluskoni, për t’iu akorduar Entit të ri të pavarur botues “La nave di Teseo”. Ngaqë, sipas tyre, mendimi i lirë nuk mund të kushtëzohet prej asgjëje. Elisabeta Sigarbi, titullarja e këtij Enti botues, njëri prej themeluesve të së cilit ishte edhe Eko, tha -për ANSA-n, se në majin e ardhshëm do të dalë nga shtypi libri i tij i fundit, shkrime publicistike dhe ese, të periudhës 2000-2015, botuar tek “L’Espresso”, me theks shoqëror.

Poliglot, bashkëshort i një gjermaneje dhe “qytetar i botës”, Eko ligjëroi në shumë universitete, kryesisht në Bolonjë, ku kishte katedrën e vet të semantikës gjer në tetorin e 2007-ës, kur doli në pension.

Është rrëfyer se u mor vonë me letërsinë, ngaqë e quante shkrimin e romaneve një “punë kalamajsh”, ndaj dhe nuk e merrte seriozisht. Pas “Emrit të trëndafilit” botoi ndër të tjera “Ishulli i ditës së kaluar” (1994), “Flaka misterioze e mbretëreshës Loana” (2004) dhe romani i fundmë “Numri zero” (2014), ku trajton tentakulat e medias së Apenineve, që kishin mbërthyer për fyti shoqërinë italiane të viteve 90-të.

Shkroi ndërkohë me qindra ese, shkrime kritike, sprova filozofike, duke dëshmuar gjithmonë nivel botëror në mendim dhe shprehje. Në “tornon” e tij të fjalës dhe mendimit morën trajtë të përkryer zbulimet dhe komentet mahnitëse për poetikën e Xhojsit, guximin e Xhejms Bondit, estetikën mesjetare, historinë e së bukurës, por dhe të shëmtuarës. Bëri filozofi dhe estetikë të shkallës së lartë me kuptueshmërinë më efikase. Askush si ai.

Eko, që nuk e fshehu kurrë se i takonte të Majtës, nuk u mbyll kurrë në një “kështjellë prej xhami”. Vazhdonte të shkruante vazhdimisht në rubrikën e vet tek “L’Espresso”, duke mos iu shmangur kurrë gjykimit të problemeve aktuale shoqërore. Gjithmonë vështronte me një sy kritik shoqërinë moderne, ku edhe vetë bënte pjesë.

“Faqet e rrjeteve sociale u dhanë mundësi shprehjeje legjioneve të idiotëve, që dikur flisnin vetëm kafeneve, pasi kishin zbrazur ndonjë kupë vere, pa dëmtuar shoqërinë. I detyronim menjëherë të pushonin, por sot kanë të njëjtën mundësi shprehjeje me ata që fitojnë Nobelin. Rrojmë ofensivën e idiotëve”, ka thënë Eko, sipas gazetës “Messaggero”.

Kush nuk e kuptoi mendimin e mësipërm? Kush mund ta kundërshtojë? Natyrisht, vetëm idiotët!

Leave a Reply

Your email address will not be published.