Intervistë me Bajrush Mjakun, aktor
Gjatë një interviste për gazetën elektronike HEJZA, me z. Bajrush Mjakun, njërin prej aktorëve më të mirë shqiptarë, do të shpaloset jeta e tij aktoreske, sfidat nëpër të ciilat ka kaluar ai; do të bisedohet për identitetin teatror shqiptar të paidentitet, për politikat kulturore të disfavorshme për teatrin shqiptar etj. Z. Mjaku, në bisedë e sipër, do të shprehet: “Përtej çdo gjëje tjetër, identiteti teatror përbënë pjesën time kryesore, pra nëse do më kërkohej të përgjigjem se prej nga vij, do thosha pa mëdyshje – nga Teatri!
Avni HALIMI
HEJZA: Aktori rilind, rilind dhe rilind pas realizimit të çdo roli. Kur saktësisht u lind Bajrush Mjaku?
MJAKU: Nuk e di datën e saktë të lindjes! Prindërit vazhdimisht më thonin se jam lindur dy javë para se të martohej axha im, Limani. Axha ishte martuar dy javë para mesit të dimrit – duke u bazuar në mbledhje – zbritjet matematikore del se unë jam lindur në 3-4 ditët e para të janarit të vitit 1952, në fshatin Gjurgjedel të Grykës së Kaçanikut, një fshat atëherë pa infrastrukturë, pa kushte për jetë, me një shkollë fillore, ku mësimi zhvillohej vetëm deri në klasën e katërt. Për arsye të shkollimit tim, të vëllait dhe shtatë motrave të mia, po dhe për shkak të politikës së asaj kohe që promovonte jetën në qytet dhe punën në fabrikë, babai vendosi që ta lëmë fshatin dhe të shpërngulemi në Kaçanik.
Pas kryerjes së klasës së katërt në Gjurgjedell, regjistrohem në klasën e V në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Kaçanik. Pas mbarimit të fillores, në mungesë të ndonjë shkolle të mesme në Kaçanik, në vitin 1966, me sugjerimin e prindërve të mi, do të nisem drejt Shkupit dhe do të regjistrohem në gjimnazin “Koço Racin” në Gjorçe Petrov, në paralelen e vetme shqipe, si “prva shiptarska”, ku do vazhdoj deri në fillimin e klasës së IV, për të vazhduar dhe diplomuar në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup.
HEJZA:Pas gjimnazit u regjistruat në artin dramatikë në “Shkollën e Lartë Pedagogjike”në Universitetin e Prishtinës?
MJAKU: Zyrtarizimi i “Universitetit të Prishtinës”, në viti 1970, ishte e arritur e madhe për shqiptarët në ish-Jugosllavi. Gjenerata e parë e studentëve në Universitetin e Prishtinës filloi rrugëtimin e arsimimit të lartë në gjuhën amtare. Përkrahë të gjitha fakulteteve, hapet edhe dega e Artit Dramatikë në kuadër të “Shkollës së Lartë Pedagogjike” ku unë, së bashku edhe me 15 studentë të tjerë, do jemi gjenerata e parë e aktrimit pranë “SHLP.” Kisha fatin që në studime t’i kem profesorë dy aktorët më eminent të asaj kohe. Fillimisht profesor të interpretimit pata Faruk Begolli dhe mandej në vitin e dytë Bekim Fehmiun.
Viteve të 70-ta Faruku ishte aktori më i popullarizuar në ish-Jugosllavi, ai u bë shumë i adhuruar nga rinia jugosllave me filmin “Prva ljubav” (Dashuria e parë). Ndërsa Bekimi pas suksesit të madh që korri me filmin e Aleksandër Petroviqit në Festivalin e Kanës në Francë dhe pas serialit “Odiseu” dhe filmit “Avanturieri”, për kënaqësinë tonë, tërë semestrin e tretë do u bëjmë analizë personazheve më domethënëse të Shekspirit.
Shfaqja e Faruk Begollit e pastaj edhe e Bekim Fehmiut para ne studentëve sigurisht që ishte shumë mbresëlënëse, gati e pabesueshme. Të vjelësh mësimet apo të futesh në botën e teatrit nga përvoja e dy aktorëve me nam, nga më të suksesshmit e më të popullarizuarit në lëmin e filmit dhe teatrit në nivel Jugosllav e më gjerë, sigurisht se ishte privilegj.
HEJZA:Pse erdhët në Shkupit, pse nuk ngelët në Prishtinë?
MJAKU: Shkupi më dha mundësi të mëdha drejt kultivimit dhe formimit tim si njeri e më vonë si artist, sepse pikërisht në Shkup për herë të parë rashë në kontakt me teatrin, për herë të parë ndjeva frymën e multikulturalizmit, diçka që ende është karakteristikë dhe pasuri e pamohueshme e Shkupit. Natyrisht, ambienti i ri i Shkupit, por edhe ajo ”ashpërsia e bukur “e maleve të Grykës së Kaçanikut që kisha marrë me vete, janë gjurmë që kanë ndikuar në formimin e personalitetit tim….Tani jam ky që jam – nga Gjurgjedelli i Grykës së Kaçanikut e Shkupit multietnik, e mbi të gjitha nga teatri. Përtej çdo gjëje tjetër, identiteti teatror përbënë pjesën time kryesore, pra nëse do më kërkohej të përgjigjem se prej nga vij, do thosha pa mëdyshje – nga Teatri.
HEJZA:A do na veçonit ndonjë moment, apo këshillë që ju ka ngelë në kujtesë nga Bekimi?
MJAKU: Vitin 1988, Teatri “Pralipe” nga Shkupi në krye me regjisorin Rrahim Burhan, në koproduksion me “Qendrën e të rinjve” (MKC) në Beograd, inskenonte tekstin e P.Wais “Mara/Sad”, ndërsa unë kisha pranuar ta realizoja rolin e “Markiz de Sad”. Me të arritur në Beograd, vendosem në hotel dhe menjëherë i paraqitem në telefon Bekim Fehmiut. Paraqitet zonja Branka, bashkëshortja e Bekimit, e cila më tha se Bekimi nuk gjendet për momentin në shtëpi dhe posa të vinte do t’i tregonte se e kam kërkuar.
Në orën 18.00 do fillonim provën e mbrëmjes dhe, deri sa presim për fillimin e provës, papritmas futet në sallë recepsionisti i MKC-së. Bajrush Mjaku! Po, i them urdhëro. Po ju kërkon Bekim Fehmiu! Shkova te recepcioni, mora telefonin dhe, Bekimi, me atë diksionin e tij dhe theksin e tij të prerë më pyet se çfarë po bëj në MKC. I fola për angazhimin tim në shfaqjen “Mara/Sad “ – P.Wais, në produksion të Teatrit “Pralipe” nga Shkupi dhe në regji të Rrahim Burhanit, dhe se në Beograd do qëndroja 25 ditë deri në shfaqjen e premierës dhe pesë reprizave.
Urime, më thotë Bekimi, paske për të realizuar një personazh shumë domethënës. Të dëshiroj suksese, por më thuaj si është itinerari i provave. I them, për çdo ditë nga ora 10 deri në ora 14 dhe në mbrëmje nga ora 18 deri në ora 22. Mirë, tha ai, nesër në orën 14.30 minuta të pres te Klubi i artistëve – “Bojan Stupica”
Të nesërmen, ashtu siç ishim marr vesh, takohemi në bufenë “BS” dhe përnjëherë fillon Bekimi me pyetjen se cili është motivi i regjisorit, i ekipit, por edhe i yti si aktor që ka pranuar ta interpretojë rolin e Markiz de Sad? I them: Romët të getoizuar nëpër lagje të ndryshme të Shkupit e në shumë lagje të ndryshme nëpër botë, MARA i cullakosur në një vaskë me plot ujë, mundohet t’i orientojë kah bota romët e diskriminuar dhe të humbur në kohë e hapësirë. SHARLOTA tërë kohën i rri afër dhe përmes këngës rome “Gjelem gjelem” mundohet t’i bëjë lajka, kurse MARKIZ DE SADE, me një megafon dhe një shishe raki në dorë mundohet ta udhëheq një Revolucion, i cili që në fillim është i dështuar, nga vetë fakti se rakia i turbullon mendjet e shëndosha dhe asnjëherë nuk mundë të drejtojë turmën në destinacion të saktë.
Ishte ndejë e këndshme dhe them se mezi e prisja takimin e nesërm për të vazhduar temën e shfaqjes e të shfaqjeve të realizuara e të parealizuara. Të nesërmen në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën hapësirë.
Ku mbetëm, o Bajrush Pasha, më pyet Bekimi. (Bekimit i pëlqente të më quante Pasha). Më trego a u ndërpre fushata kundër teje pasi të shpallën “nacionalist”- ”irredentist”-“seperatist”, apo akoma po hulumtojnë.
Mbeta i habitur se prej nga i kishte këto informata të sakta! Jo, i thashë, është formuar një “drugarski sovet” (këshill shoqëror) prej 10 anëtarëve, pesë nga brenda organizatës së partisë komuniste që vepronte në teatër dhe pesë nga Komiteti Qendrorë i Qytetit të Shkupit dhe, që nga viti 1981 e këndej po mundohen ta matin “nacionalizmin”, “irredentizmin “ dhe “seperatizmin” tim … U qesh me të madhe dhe më tha: “Majakovski ka thënë: “Ati që ka marrë hov, pickimet e mushkonjave nuk mund t’ia ndalin hovin! Ti vazhdo, shaloje atin dhe mos e ndal hovin…
HEJZA:Me sa kam lexuar, kanë pasur tendenca për t’ju larguar nga profesioni?
MJAKU: Rasti i parë ndodhi ende pa filluar profesionalisht të merrem me aktrim. Në muajin shtator të vitit 1972, më fton sekretari i Komitetit komunal në Kaçanik dhe në prezencë të sekretarit të Lidhjes socialiste në nivel komunal dhe në prezencë të përgjegjësit për arsim në Komunën e Kaçanikut, sikur më urdhëron që unë t’i përvjel mangët, t’i blej një palë çizme dhe në Biçec (një fshat nja 5 km afër Kaçanikut)! Po çka do bëjë në Biçec?! Më thotë: ti ke studiuar artin dhe do jesh arsimtar i artit figurativ! Unë si në qeshje i them: Faleminderit o shoku sekretar, por unë nuk kam studiuar artin figurativ, por artin dramatik! Sekretari me një shikim dhe me intonacion tjetër të zërit më thotë: art ai, art ky! Në Biçec! Në rregull them, dal nga kabineti i sekretarit të komitetit dhe nuk m’u deshtë shumë që të sjelli vendim! Shkoj drejt e në stacion të trenit, nisem për në Shkup, dhe 8 muaj nuk u ktheva në Kaçanik. PO, unë e braktisa familjen dhe këtë e bëra vetëm e vetëm që të mos e braktisja profesionin.
Rasti i dytë: Teatri shqiptar në Shkup, regjistroi dhe përjetoi të gjitha kohërat dhe stuhitë të cilat dominonin në këto hapësira, ashtu siç frynin erërat në rrafshin politikë në Federatën jugosllave, ashtu kjo erë ndjehej edhe në Teatrin shqiptar. Demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës më vitin 1981, politika jugosllave i cilësoi si kundër-revolucion dhe shumë të rrezikshme për sistemin komunist. Në institucionet kulturore e arsimore shqiptare me të madhe filloi pastrimi i kuadrove të cilët premtonin ardhmëri të shëndosh në profesion! Në muajin prill të vitit 1981, në një ndejë të rastit në klubin e teatrit me disa prej kolegëve, duke i komentuar demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, kisha deklaruar se në Prishtinë po ndodh mrekullia. Dikush prej të pranishmëve ua kishin përcjellë “syçeltëve“ dhe, kuptohet, “syçeltët”, ngjeshën dhe stërngjeshën deklaratën time, duke ia mveshën edhe 6 pesha të tjera të rënda dhe më 6 qershor të vitit 1981, konvokojnë mbledhje partiake në teatër, me të vetmen pikë të rendit të ditës:“Sjellja e Bajrush Mjakut gjatë demonstratave të studentëve të universitetit të Prishtinës”.
Mbledhja zgjati plotë 8 orë me akuza shumë të rënda. Më diferencojnë si “nacionalist-irredentist-separatist” dhe, fill pas këtij cilësimi politik, duhej të më përjashtojnë nga radhët e partisë, në të cilën më kishin future vetëm një vit para dhe kështu unë arrita që, brenda vitit, të bëhem armiku më i madh i partisë komuniste. Por, këtu më duhet të pranoj se, falë disa prej kolegëve të Dramës turke, të cilët e kishin guximin që të flasin zëshëm, për dallim prej atyre pak shqiptarëve që ishin në radhët e organizatës partiake dhe nuk lejuan përjashtimin tim nga radhët e partisë duke insistuar në atë që t’i provojnë të gjitha ato akuza aq të rëndë për kohën!
“Kujdestarët e rendit” u detyruan të shpallin pauzë prej një ore. Pas konsultimeve me shokët nga Komiteti i Qytetit të Shkupit, mbledhja vazhdon dhe kërkohet nga të pranishmit që të formohet një ”Këshill shoqëror” prej 10 anëtarësh, pesë nga organizata partiake që vepronte në teatër dhe pesë nga Komiteti partiak i Qytetit të Shkupit. Ky “Këshill….”, mori për sipër që të matin nacionalizmin tim, për të cilin unë nuk e kamë mohuar asnjëherë. Gjithmonë kam thënë se po, jam nacionalist, po nacionalizmin tim e kam dëshmuar në skenë përmes kreacioneve të mija.
Rasti i tretë: Në vitin 2007,dhjetë vjet para pensionimit tim, nga drejtoria e teatrit, me urdhër nga lartë, pa kurrfarë dëshmie, më akuzojnë për vepër penale: “Abuzim me mjetet financiare”. Në vitin 2010 nga gjyqi marr vendimin që jam i liruar nga aktpadia, kuptohet në mungesë të fakteve…
HEJZA:Çka është Teatri për aktorin: Vend pune apo shtrat lindje, ku aktori përjeton Rilindjen e vet në çdo karakter që e ndërton?
MJAKU: Teatri për aktorin është përjetim – ndryshe nga krejt përjetimet tjera, tjetërsim, shkarkim emocionesh, ballafaqim me shumë të panjohura, frikë dhe, mbi të gjitha, zbulim…. Aktorit në atë shtrat lindjesh, siç e keni quajtur ju, i jepet mundësia që të ndjejë e prekë shumë situata të këndshme dhe të pakëndshme, shumë klithje e përpëlitje shpirtërore… si përpjekje për ta bërë të veten atë ‘botën e tjetrit’, të personazhit që realizon. Pra, merr, por edhe jep – i jep personazhit tërë qenien e vet. Aktori i teatrit i dorëzohet atij ‘shtrati’ deri në sakrificë, duke lindë të tjerë, por edhe duke u ri-lindë vetë… Dhe kjo ngjizje e bën të shenjtë lojën në teatër, e aktorin e bënë njëlloj profeti…
HEJZA: Cili është kufiri mes aktrimit dhe interpretimit? Apo kërkimi i këtij kufiri është një aventurë e pakuptimtë, prandaj e injoruar edhe nga kritika jonë teatrore?
MJAKU: Këto nocione nuk është se janë shumë larg njëra-tjetrës dhe nuk është se kanë ndonjë dallim të madh. Aktrimi është procesi i veprimit të aktorit në skenë (pra, gjithçka që ai bënë në skenë), kurse me ‘interpretim’ zakonisht mendohet mënyra e realizimit të aktrimit – pra, në aspektin zhanror, stilistik etj. interpretimi kryesisht ka kuptim të “deshifrimit” të tipit të aktrimit, të qasjes që aktori ka ndaj personazhit që është rrekur për ta realizuar…Aktrimi është (siç thotë Stanislavski) një e vërtet e qartë, e pa diskutueshme, e pranuar nga të gjithë…
Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, do të shprehesha se problemi kryesor është jo te “mos-kompetenca e kritikës”, por te fakti që ne nuk kemi kritikë fare! Pra, jo se nuk kemi njohës të teatrit apo të tillë që kanë njohuri e ndjeshmëri për të vlerësuar një shfaqje teatrore, por e vërteta qëndron diku tjetër; tek zotërinjtë të cilët vendosin për politikat redaktuese në gazeta, tv, radio, e portale të ndryshme, tek pronarët e këtyre mediave, të cilët, kritikën teatrore e kanë eliminuar fare. As që çajnë kokën për të!
HEJZA: A kemi politika të qëndrueshme nacionale për teatrin si segment jashtëzakonisht jetikë për kulturën e një etnie?
MJAKU: Me keqardhje mund të konstatojmë: jo! Pra, jo, nuk mund të bëjmë fjalë për kurrfarë politika e aq më pak për politika të qëndrueshme për teatrin. Fitohet përshtypja se repertorët e teatrove bëhen në mënyrë aksidentale, pa ndonjë elaborim ose pa ndonjë përgjigje të tipit: përse pikërisht ky autor tani, përse ky tekst në këtë kohë, e kështu me radhë. Kam përshtypjen se jemi shndërruar në improvizues teatror. E them këtë duke e pasur parasysh faktin se në repertorët e teatrove shqiptare gjejnë vend shumë më shumë komedi komerciale, të lehta që synojnë vetëm ta argëtojnë publikun, e rrallë ndonjë shfaqje që përpiqet të artikulojë dramat aktuale të shoqërive tona… Pra, kjo është situata sa u përket teatrove, ndërkohë që të mos flasim për qasjen që kanë ministritë tona të kulturës ndaj teatrit… dhe ndaj kulturës në përgjithësi! Pra, janë politika që jo vetëm se nuk e stimulojnë zhvillimin e teatrit, por e dekurajojnë, i bëhen pengesë.
HEJZA: Cilat janë politikat nacionale të teatrove për dramaturgjinë kombëtare?
MJAKU: Janë kurrfarë. Pra, nuk ka kurrfarë politikash! Madje, teatrot tona, as që lodhen të mendojnë në atë drejtim. Teatrot tona në hapësirën gjithë-shqiptare, sikur janë të vetëkënaqur me idenë që janë “Teatro me interesa nacionale” – por për të qenë një teatër i këtillë nuk mjafton vetëm gjuha e shprehjes në skenë, në këtë rast gjuha shqipe, por teatri do duhej të frymojë shqip edhe përmes temave. E kjo nënkupton se vend të posaçëm duhet të zë drama kombëtare, respektivisht autorët shqiptarë, natyrisht pa pasur nevojë që të anashkalohet as dramaturgjia botërore. Por, është e domosdoshme ta stimulojmë zhvillimin e dramës shqipe, t’i stimulojmë e promovojmë autorët shqiptar, sepse kështu e ndihmojmë në fakt zhvillimin e vet teatrit.
HEJZA: Aktori dhe politika ditore! Aktori si aktivist politik apo militant partiak! Aktorëve u mungon “klubi i debateve artistike”, lëvizjet që do të sillnin dinjitet më të fort për aktorin në skenë dhe jashtë skene! Por, nuk i mungon elani për t’u angazhuar për pushtet! Si duket aktori i pushtetit në skenë: është politikan, artist apo artist politikan?
MJAKU: Për fat të keq, është shtuar numri i aktorëve që kanë nisur të merren aktivisht me politikë – e madje, janë shtuar edhe militantët politikë. Por që, duhet ta themi: prej momentit kur aktori tjetërsohet, jo në personazh, por në militant partiak, ai e ka tradhtuar teatrin, respektivisht profesionin e tij. Ibseni te “Armikun i Popullit”, nëpërmjet dr. Stokmanit, që në vitin 1882, ka dhënë definicionin për militantët partiak. Ai thotë: militantët partiak janë një kope e madhe e dhenve, të cilët mundohen të futen në kazan (aludim për partinë) – delet vrapojnë të futen në atë kazan, ku pastaj zihen e përzihen e nga aty dalin të ngjyrosura (me ngjyrë partiake). Në këtë kohë kur numri i partive politike është i madh, edhe numri i aktorëve me ngjyra partiake është marramendës. Ata aktorë të ngjyrosur më nuk i hyjnë në punë skenës, e shpesh, as politikës… Prandaj, sa më larg ngjyrave që dalin nga kazani partiak. Aktorëve nuk u mungon “klubi i debateve artistike”, se në fakt ai “klub” për aktorin është teatri – skena. Pra, skena është ai forumi ku aktori komunikon idetë dhe rrah e diskuton me publikun çështje të ndryshme, politike e sociale.
HEJZA: Teatrot në botën e civilizuar janë shenja gjuhësore të shpirtit aristokrat. Çka janë teatrot tona? Pse artistët tanë janë më të suksesshëm dhe shumë fish më të çmueshëm jashtë teatrove tona se sa brenda tyre?
MJAKU: Ky përkufizimi për teatrin si medium “aristokrat” mendoj që tashmë është i tejkaluar. Teatri duhet të jetë për të gjitha shtresat e publikut – pra, edhe për të varfrit, edhe për ata të margjinave, të provincave… Prandaj, unë nuk besoj që teatri është vetëm për “elitat” apo për “aristokracinë”. Teatri duhet t’u flas të gjithëve – pavarësisht klasës sociale e pavarësisht moshës. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.
HEJZA: Ju jeni njeri prej aktorëve të rrallë që jeni kurorëzuar-vlerësuar nga juri të ndryshme profesionale. Vlerësimi i fundit i cili na bëri krenar të gjithëve ishte nga Asambleja e Përgjithshme e Akademisë Ballkanika Europiana “Ballkani i bashkuar në Europën e bashkuar”, e cila përfshinë artistë dhe ekspertë shkencorë më të mirë nga dhjetë vende të Ballkanit.
MJAKU: Më 9 dhjetor të vitit 2022 në Shkup, në prezencë të kryetarit të “Fondacionit Zhan Mone “ nga Parisi, z. Anri Malos, kryetari i Akademisë Ballkanika Europiana, z. Jordan Plevnesh, ndau çmimin SEE AKTOR 2022 për Europën Juglindore, për opusin impozant aktoresk, Bajrush Mjakut.
Me këtë rast thashë: “Të nderuar anëtarë të Akademisë Ballkanika Europiana “Ballkani i bashkuar në Europën e bashkuar”, të nderuara zonja dhe zotërinj!
Në vitet e hershme të rinisë sime, ditën kur mora rrugën e gjatë e të mundimshme të artit, isha thellësisht i bindur se duke bartur peshën e kryqit të shpirtit mbi shpatulla, një ditë do të arrij në fund të rrugës, në pleqërinë e jetës sime, duke kapërcyer pengesa të frikshme ne misionin tim jetësor për ta ndryshuar botën. Por, tani kuptova se arti që unë krijova me trupin, gjakun, frymën e shpirtin tim, me artin tim, për mua të shenjtë, nuk kisha arritur të ndryshoj realitetet e vrazhda të botës, por kisha ndikuar mbi, dhe kisha ndryshuar individë të përkushtuar, të cilët shpresoj se një ditë do të mund ta bëjnë botën më të mirë. Sidoqoftë, do të shkoja në amshim me lumturinë e paskajshme të një fëmije naiv, sikur arti im të kishte pasur fuqi ta ndryshojë qoftë edhe një ditë të vetme mizorie që sot po ndodh në Ukrainën e Gogolit! Aty ku pata fatin ta interpretoj “Ditarin e një të çmenduri” të Gogolit, pikërisht në Kiev.
Duke u solidarizuar me gjithë fuqinë e shpirtit tim me dhembjet e gjithë atyre që sot përkujtojnë viktimat e Teatrit te Mariopolit dhe viktimat e gjithë Ukrainës, këtë çmim me të cilin ju keni nderuar veprën time, unë ua kushtoj artistëve të Ukrainës, të cilët me trupat e vet sot e mbrojnë ndërgjegjen e vrare në muzgun e civilizimit të kësaj bote.
Edhe një herrë, ju faleminderit shumë për vlerësimet tuaja dhe për çmimin që ma keni ndarë.”
HEJZA: Keni kaluar 50 vjet të jetës suaj në skenë, studentët e aktrimit dhe aktorët e rinj presin një këshillë a mesazh nga ju?
MJAKU: Teatri para së gjithash kërkon sakrificë! Nëse nuk je në gjendje të sakrifikohesh për teatrin, atëherë shumë punë e ndershme do ishte të bësh jetë jashtë teatrit. Dhe, mesazhi im do ishte: TEATRIN TA BARTIN NË VETE, E JO VETEN NË TEATËR!