Atëherë kur në një pjesë të truallit shqiptar, vetëm se ishte instaluar një dogmë e krijimit siç ishte realizmi socialist dhe tashmë letërsia ishte vënë komplet në funksion si vegël e propagimit të sistemit politik, në Kosovë po shpërthente një rrymë e re jo krejt e strukturar, por në formë të një fryme që ndjehej për një letërsi të re që do t’ i kundërvihej edhe dogmës po edhe sistemit diktatorial
Adriatik ZEQIRI
Fundi i viteve ‘60 dhe fillimi i viteve ‘70 në Letërsinë e Kosovës do të sjellë një strukturë të re si të krijimit, si të studimit dhe mendimit letrar. Tashmë është epoka e rezistencës ndaj sistemit. Ende është metafora si dominantë në diskurs. Figurimi i tekstit është i domosdoshëm e simboli bëhet qendror për të arritur në nivelet e dëshiruara të shprehjes letrare. Si pasojë do t’i hyhet në hak metonimisë dhe dalëngadalë metafora do të bëhet mbretëreshë e një diskursi etnopsikologjik ndër shqiptarët e Kosovës, duke mos arritur që të zhvendoset edhe sot nga froni, përkundër ringritjes në disa momente të meotnimisë, megjithatë kjo është për një studim antropologjik që nuk është interes i kësaj trajtese. Kjo si pasojë prodhon edhe zhanret e dyzuara. Jo pak kritik do të shohim që përmendin proza poetike (Ibrahim Rugova) ose proza lirike (Sabri Hamiti).
“Letërsia shqiptare e viteve ’50-’70, për ndryshim nga të gjitha letërsitë e tjera të botës, nuk ka asnjë poet nihilist. Kjo pa mëdyshje dëshmon sa vital janë shqiptarët. Mund të konstatojmë lirisht se lufta e egër e intelektit të thellë të dekadencës evropiane kundër letërsisë shqiptare ishte e kotë.” Kjo është ajo çka do të thoshte me një ironi të hollë e shumë domethënëse për atë që mendonte për epokën paraardhëse Teki Dërvishi, derisa autorë të tjerë kishin shpërthimet e tyre edhe më të hershme kundër një krijimi të mëhershëm. Atëherë kur në një pjesë të truallit shqiptar, vetëm se ishte instaluar një dogmë e krijimit siç ishte realizmi socialist dhe tashmë letërsia ishte vënë komplet në funksion si vegël e propagimit të sistemit politik, në Kosovë po shpërthente një rryme e re jo krejt e strukturar, por në formë të një fryme që ndjehej për një letërsi të re që do t’ i kundërvihej edhe dogmës po edhe sistemit diktatorial. Në fakt Fuko në një interpretim të tij thotë që sistemi i krijon edhe kundërshtarët e vet, e këtë rrjedhë edhe mjetet e nevojshme të shprehjes për ata që e kundërshtojnë atë.
Heshtja e poetit është akt terrorist, thotë poeti Dan Fante, pra poeti, shkrimtari duhet të flasë, por të flasë të vërtetën. Poeti nuk është ai i konformizmave, i himnizimeve të shtypësve, ai që pajtohet me rrjedhën e zakonshme, poeti është rebel, kundërshtues. Poezia më e fuqishme lind burgjeve, aty ku gulçon shpirti për lirinë. I burgosuri e din çmimin e lirisë më shumë se kushdo tjetër.
I tillë do të jetë edhe Teki Dërvishi, i cili e përjetoi burgun famëkeq të Goli Otokut qysh në rininë e tij të hershme. Persekutimet ndaj tij do të vazhdonin edhe më pas duke mos pasur për një kohë të gjatë mundësi që të sistemohej me punë në vendlindje dhe duke qenë gjithmonë nën vëzhgimin e pushtetit sundues Jugosllav. Kur je nën vëzhgim dhe i përcjellë edhe nga censura, kjo detyrimisht nxitë që diskursi të jetë më finok dhe më i mbuluar, komplet i koduar për të mos u zbuluar nga kundërshtari, por nevoja për të shprehur, nxjerr në pah pastaj gjenialitetin krijues. Figura latohet deri në perfeksion, shenjat janë aty për të shkuar drejt kuptimeve tematike e ideore.
Idetë pastaj ngritën në nivele të tjera dhe krijohen lidhjet nga teksti në tekst për të krijuar librin e madh të një ideologjie antisistem. Jo më kot Teki Dërvishi në tekstet e tij do te shkruante vazhdimisht se këtë libër do ta shkruaj edhe njëherë! Kjo është thirrje për lexim, të tillë e kemi identifikuar në interpretimin që do të mundohemi të nxjerrim. Një thirrje për të parë në shtresime tjera ideo-tematike tekstet e tij. Pra diktatura ka prodhuar alegorinë. I ka dhënë poetit një armë të veçantë të shprehjes. Shprehjes së koduar, shprehjes së mbuluar, por që është aty dhe pret zbulesën e saj të madhe.
Në këtë frymë do të krijohet poezia fillimisht për të kaluar pastaj te format e tjera letrare. Është koha e simbolizmit në letërsi, e në politikë është koha e diktaturave komuniste në lindje, pas luftë së dytë botërore por gjithashtu është koha e lëvizjeve antidiktatoriale gjithandej Evropës. Simbolizmi si rrymë padyshim do të prekë edhe letërsinë e Kosovës që po zhvillohej viteve të 70–ta e 80-ta, dhe këtë do ta shohim te shumë tekste. Megjithatë e thamë edhe njëherë që po ndërtohej dalëngadalë një libër i vetëm si rrjet i teksteve tematike për nga ideologjia e ai është libri që përmbajtje ka temën e madhe kundër diktaturës dhe shtypjes. Gjithashtu gjakimi për emancipim shoqërorë do të ishte i pashmangshëm në diskursin e letërsisë së atyre viteve kur shoqëria jonë po bënte hapa të mëdhenj drejt çlirimit nga padija dhe prapambetja. Njëkohësisht edhe shkrimtarët dhe kritika jonë tashmë kishte qasje të jashtëzakonshme në dijen botërore mbi artin dhe letërsinë dhe komunikimi i saj kishte edhe ndikimin e madh, në atë sesi shumë kritikë filluan të interpretonin veprat e ndryshme, duke ikur nga klishetë që kishte krijuar sistemi dhe duke hyrë në interpretime moderne. Refuzohej realizmi socialist si shkollë dhe leximi kishte filluar të hapej në horizonte të jashtëzakonshme ndaj disa rrymave tjera, deri te poststrukturalizmi. Teoricienë si Barti, Sosyri, Fuko, Derrida, Zhenet etj, ata ishin bërë referencë e interpretimeve, ndërsa autorë si Kamy, Kafka, Borhes, Xhojsi etj ishin modelet që reflektonin në procesin e shkrim/krijimit. Andaj, si çdo moment kthese në histori edhe ky ishte i përmasave të mëdha, duke prodhuar një nga letërsitë shqipe më të mira që kemi deri tash.
“Madje, në vijimësinë e zhvillimit të letërsisë së Kosovës, vrojtuar në planin fenomenologjik, vepra letrare e Teki Dërvishit del të jetë ura kaluese apo këputja ndërmjet asaj që e kemi cilësuar si letërsi e përshtatjes drejt letërsisë së refuzimit (së bashku me Pashkun e Musliun), sepse ndonëse botimet e saj shfaqen në vitet ’70, hetohet fryma e verbit të viteve ’60, e cila braktiset sidomos në fundin e viteve ’70 me librin poetik-prozaik Shtëpia e sëmurë.”
Kjo është edhe letërsia që lindi Teki Dërvishin, kjo është koha e tij dhe e artit të tij, artit të revoltës të dhimbjes dhe të vetmisë së madhe njerëzore. E thamë edhe në fillim sistemi i lind format nga shtypja e edhe nga nevoja për ta kundërshtuar atë. I tillë është arti i Teki Dërvishit.