URREJTJA E KATALOGIZUAR

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk arritën që bashkërisht, të gjithë faktorët me relevancë, të organizonin debate, t’i tubonin subjektet kulturore, artistët, krijuesit, të shteroheshin të gjitha mendimet dhe propozime që do ta ndihmonin një strategji afatgjate kulturore e cila, do të ishte e paprekshme, pavarësisht ndërrimit të pushteteve

Nga Avni HALIMI

Në periudhën e “zgjimit etnik” për “rimodelim të kombit”, kuazi-intelektualët maqedonas si dhe ata intelektualë të instrumentalizuar nga pushteti gruevskian, nisën realizime të shumë projekteve të cilët, fatkeqësisht, u rikthyen si bumerang dhe sot po i vuajnë pasojat vetë maqedonasit si asnjë komb në botë! U munduan të vjedhin histori, heronj, vlera të shumta nga trashëgimia kulturore, nisën t’i riemërtojnë gjetjet arkeologjike dhe, përtej kësaj “hajnie intelektuale”, çuditërisht, hapën një front të provokimeve etnike duke shpresuar në ndonjë qërim hesapesh etnike në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Peng e kishin (madje, akoma e kanë) “poshtërimin” që e përjetuan nga konflikti 2001. Krahas përvetësimit të fakteve të huaja, nisën edhe me përçmim, ofendim e nënvlerësim të shqiptarëve rezidentë! Sa i përket përvetësimit të fakteve nga historiografia dhe arkeologjia greke e bullgare, tashmë ndërkombëtarisht janë obliguar që përmes komisioneve të ndryshme t’i revidojnë të gjitha shkrimet, tekstet, librat, botimet për një “popull maqedonas antik, me një mesjetë të begatë dhe me ngjare e heronj që qysh se u rehatua toka në sistemin e planetëve paskëshin luftuar dhe na qenkan angazhuar për Maqedoninë e sotme! 

“Enciklopedia” e dështuar e filmit

Po kështu, tekste të pista ka pasur edhe për shqiptarët të cilët, madje u quajtën si cuba të zbritur nga malet që kanë plaçkitur, vrarë e detyruar maqedonas që të ikin “nga vatrat e tyre shekullore”! Heronjtë shqiptarë të 2001-shit u quajtën terroristë. Dhe, fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite këto tekste janë legale, përdoren nëpër shkolla dhe, të rinjtë maqedonas mësohen me të tilla teza fashizoide që nuk i bëjnë nder asnjë maqedonasi. Asnjëherë nuk u formuan komisione të përbashkëta shqiptaro-maqedonase, siç po funksionojnë komisione maqedono-bullgare, maqedono-greke! Të tilla tekste jo që akoma nuk janë reviduar, por gjenden të arkivuar, madje të katalogizuar e me isbn numra, të radhitura nëpër raftet e hapësirave të bibliotekave (në Shkup, Manastir, Shtip), nëpër të cilat nuk mund të kenë qasje qytetarë të rëndomtë (studentë dhe studiues shqiptarë)! Shqiptarëve mbase u thonë se e kanë tërhequr tirazhin e botimit problematik, por, në të vërtetë, ato botim tashmë janë të regjistruar nëpër biblioteka dhe bëjnë jetën institucionale! Studiohen dhe përdoren si literaturë shkencore për citime, për fusnota!

Një prej “enciklopedive” të fundit dhe mjaft problematik ka qenë edhe “Enciklopedia e filmit”, i autorit Georgi Vasilevski, botuar nga ShB “Kultura”, sponsorizuar nga Ministria e Kulturës së RMV-së. Sipas autorit, bëhet fjalë për një enciklopedi që përfshinë ngjarje, personalitete e krijime nga bota e filmit. Ajo që të bie sakaq në sy është fakti irritues e që ka të bëjë me përfshirjen e shumë aktorëve e filmave maqedonas që janë ngritur në nivelin e aktorëve dhe filmave botërore. Në kuadër të filmave dhe aktorëve botërore vend të konsiderueshëm zënë edhe filmat dhe aktorët serbë, pastaj ata kroatë, boshnjakë, turq dhe, si shkarazi do t’i jepet një shtyllë hapësirë edhe aktorit me përmasa botërore, Bekim Fehmiut. Asgjë nga bota filmike shqiptare! Fatkeqësisht, edhe në këtë rast vije në shprehje qëndrimi antishqiptar tashmë i brumosur në ndërdijen e disa qarqeve intelektuale maqedonase! Vasilevski, Bekim Fehmiu e quan “aktor serb”! Tekstualisht thuhet: “Bekim Fehmiu është aktor serb i filmit dhe i teatrit”!

Tërë bota, madje edhe vetë serbët e njohin si aktor shqiptar, përveçse maqedonasit! Autori i kësaj “enciklopedie” nuk nënvizon faktin që, në vitin 1987, në mënyrë demonstrative Bekim Fehmiu hoqi dorë nga shfaqja “Madame Kolontine” të autorit Anete Playel, edhe atë jo për shkaqe teknike, por pikërisht për faktin se serbët e kishin mbushur kupën e propagandës antishqiptare. Dhe, që nga ky moment, ai kurrë më nuk është ngjitur as në skenat e teatrit serb dhe as në shesh-xhirimet e filmit serb!

Gënjeshtra e heshtur nis dhe e merr trajtën e së vërtetës! Në rastin e Bekim Fehmiut është vetëm një e vërtetë. Ai ishte shqiptar me rrënjë e me gjak. Fatkeqësisht, askush nuk u mor me këtë “Enciklopedi”, heshtën të gjithë subjektet shqiptare, heshtën institucionet përkatëse kombëtare. Mbase duke u nisur nga një logjikë e mbrapshtë që projektet maqedonase t’i kundrojnë vetëm si “problem i karakterit etnik maqedonas”! Megjithatë, si pasojë e këtij karakteri, raftet e bibliotekave nacionale maqedonase janë përplot me botime të katoligizuara që mes kopertinave ruhen shtrembërimet e fakteve, shpifjet, trillimet, urrejtjet antishqiptar të ca “akademikëve” maqedonas!

Identitet i trazuar

Trashëgimia kulturore është bazë e pacenueshme e një etnie, është Arka e ADN-së së një populli që ka një kontinuitet historik. Trashëgimia kulturore, është fakt autentik që flet për autoktoninë e një populli shumë të moçëm. Prandaj, reliktet që janë pjesë e trashëgimisë kulturore e që vijnë nga atllasi i arkeologjisë, etnologjisë, folklorit, as nuk huazohen, as nuk mund të vidhen, as nuk mund të përvetësohen; madje as që lejohet që dikush të shërbehet me ato relikte sa për ta krijuar identitetin e vet etnik, sepse kësaj i thonë IDENTITET I TRAZUAR që jeta do ta mbajë mend si një shaka me fund tragjik!

Kjo që po i ndodhë kombit maqedonas nuk i ka ndodhur asnjë populli në botë! Deri më vitin 2006 e kanë pasur për nder të konsiderohen ashtu siç janë, sllavë! Faktet historike thonë se sllavët u dyndën në Ballkan aty kah shekulli VI, do me thënë që, zbritën në një vend të banueshëm, ku ka pasur jetë, ku ka pasur civilizim! Faktet historike mësojnë se në këto troje kanë jetuar fiset ilire si dhe paraardhësit e tyre! Meqë faktet historike e pranojnë se pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve janë shqiptarët e sotshëm, të cilët, për gati gjysmë shekulli komunizëm në Maqedoninë e sotshme, nga maqedonasit sllavë po trajtoheshin si qytetarë të rendit të dytë! Po pse ky superioritet të mos vazhdojë edhe më tej! Keqtrajtimi ndaj shqiptarëve nuk u sanksionua asnjëherë, për më keq, ky keqtrajtim robërues u fal prej vetë shqiptarëve! Grekët nuk i falën, madje e ngritën peshë krejt dynjanë se maqedonasit po i kërkonin rrënjët e tyre në antikë! Ishin “të detyruar” në këtë aventurë, madje jo vetëm teorike por edhe praktike, duke ndërtuar imazhe nga antikiteti, sepse, si pastaj të argumentohej dhe dokumentohej “e vërteta” maqedonase e shtypur edhe nëpër libra shkollor se, shqiptarët janë barbarë, janë ardhacakë, janë cuba që zbritën nga malet para 120 viteve dhe dhunshëm i pushtuan tokat antike maqedonase! Gjenerata të tërë janë shkolluar me tekste të tilla! Shqiptarët edhe më tej heshtën, sepse prioritet të prioriteteve e patën “fqinjësinë e mirë”, “Ope Ballkanin”, “Korridorin 8”! Grekët nuk i falën, madje i ndëshkuan duke i detyruar ta ndërrojnë edhe flamurin edhe emrin e shtetit!

Si “popull i Aleksandrit të Maqedonisë”, trimërinë e tyre e paskan treguar edhe në luftëra për çlirim nga Perandoria Otomane, dhe më vonë edhe nga nazizmi (por nuk përmendin asnjë luftë kundër mbretërisë serbe e cila i pati serbizuar në rrënjë)! Luftëtarët e tyre paskan qenë heronjtë bullgarë, heronjtë shqiptarë që paskan luftuar për kauzën maqedonase! Shqiptarët heshtën (pati reagime intelektuale, por jo strategji politike kombëtare), sepse prioritet e kishin “fqinjësinë e mirë”, “Ope Ballkanin”, Korridorin 8, së fundmi edhe atë 10D (Prilep-Manastir)!

Problem na bëri Dardanus-i, pllakë e nxjerrë gjatë punimeve për të ngritur ndërtesa mbi truallin arkeologjik të SKUPIT! Maqedonasit nuk lejonin që pllaka të fotografohet, sikundër as edhe hapësira ku dikush po tenton të ndërtojë diçka! Patriotët me bateri u ngritën në këmbë duke premtuar se pllaka do të përfundojë aty ku e ka vendin, në Muzeun e Maqedonisë! Patriotë të tjerë me bateri nisën gëzueshëm të flasin se janë paraqitur plotë shqiptarë që ta blejnë atë truall të Skupit ku u gjet Dardanus-i dhe të mos ketë shans askush ta prekë më atë tokë shqiptare!

Në fakt, historia shqiptare në Maqedoninë e Veriut fillon me këtë dokument arkeologjik! Tjetër fakt nuk ka! Gazetari hulumtues, Marin Mema, u fut nëpër institucionet nacionale muzeale dhe, askund nuk gjeti asnjë gjurmë që do të dëshmonte për autoktoninë e shqiptarëve, si pasardhës të ilirëve. Madje, edhe një helmetë që paska qenë e vetmja e njohur si “Helmeta Ilire” nuk ekziston më, sepse maqedonasit paskan zbuluar se ajo paska qenë “Helmetë Maqedonase”! Këtej pari nuk paska pasur ilirë, por vetëm kolonë romakë, të cilët, nuk dihet se kë e kanë kolonizuar!

Politikat kulturore me hapa të gaforres

Për këto tri dekada të sistemit post-komunist, të cilin, politikat nacionaliste ballkanike mundohen ta quajnë “sistem demokratik”, Maqedoninë e Veriut e karakterizuan dhjetëra zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Pas çdo afere korruptive, pas çdo aksioni të montuar politiko-policor, pas çdo nevoje për të legjitimuar (përmes vjedhjes së votës!) politikat destruktive, pushteti ka organizuar zgjedhje të parakohshme duke e “rimarrë” verdiktin e popullit për të vazhduar edhe më tej me nëpërkëmbjen e dinjitetit dhe me rrënimin e të gjitha parimeve të integritetit si vlerë e pacenueshme e sistemeve të mirëfillta demokratik.

Në kontekstin politiko-kulturor këto zgjedhje të parakohshme, si metodë perfide e legjitimimit të pushtetit korruptiv dhe dhunues, më së shumti i dëmtuan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sepse vazhdimisht hartoheshin strategji nacionale (me politika nacionaliste) për zhvillim të kulturës dhe, gjithnjë është kërkuar “mirëkuptim” nga partitë shqiptare që bëheshin pjesë e koalicionimit qeveritar që, ta pranojnë “strategjinë” nacionale maqedonase, kurse me vendim qeveritare do të intervenohet për avancim dhe “buxhetim” të kulturës shqiptare! Natyrisht, këto premtime asnjëherë nuk realizoheshin, sepse, niste faza e nacionalizmit maqedonas në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Premtimet e rreme u bënë parim për çdo nomenklaturë politike maqedonase, ndërsa “politik-bërësit” shqiptarë të vetmin dert e kishin zgjatjen e sefasë në pushtet! Fokusi partiak në sferën e politikave kulturore përqendrohej vetëm në “aktivitete kulturore” militantësh, pa kurrfarë vizioni afatgjatë dhe kryesisht për interesa të ngushta retrograde. Pas plotë tri dekadave, cilët subjekte partiake shqiptare sot mund të flasin për “strategjitë politike” që u ndërmorën për ta ruajtur dhe për ta shprehur fuqishëm identitetin kulturor shqiptar! Pa dyshim, kombi shqiptar e ka shumë të fuqishëm identitetin e vet kulturor, por shtrohet pyetja, sa është vepruar për ta ruajtur origjinalitetin e këtij identiteti ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut?!

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk arritën që bashkërisht, të gjithë faktorët me relevancë, të organizonin debate, t’i tubonin subjektet kulturore, artistët, krijuesit, të shteroheshin të gjitha mendimet dhe propozime që do ta ndihmonin një strategji afatgjate kulturore e cila, do të ishte e paprekshme, pavarësisht ndërrimit të pushteteve! Debate të tilla nuk pati, sepse partitë tona, fatkeqësisht, nuk dëshirojnë korniza vendimesh në të mirë të kulturës e në asgjësim të orekseve për përfitime partiake dhe të militantëve partiakë! Shqiptarët sot do të duhej të kishin një “manifest kulturor” i cili do t’i kushtëzonte të gjitha subjektet që ia mësyjnë formimit të qeverisë! Shqiptarëve nuk u duhen ministri, nuk u duhet as “kryeministri”, nuk u duhet as kryetar parlamenti e shteti, sepse, të gjitha këto funksione janë për “kukulla”! Sa e sa ministra shqiptarë deri më sot kanë qenë nëpër qeveritë maqedonase, e megjithatë kemi pasur “enciklopedi” antishqiptare të “institucioneve” nacionaliste maqedonase; sa tekste shkollore janë botuar me përmbajtje armiqësore kundër shqiptarëve; sa e sa procese të montuara janë zhvilluar kundër shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, sa e sa aksione policore, me të plagosur e të vrarë, janë ndërmarrë nëpër vendbanime shqiptare, sa e sa përçmime institucionale janë shprehur publikisht kundër arsimit, kulturës dhe avancimit të shqiptarëve! Kjo, sepse, partitë shqiptare nuk janë “subjekte shqiptarësh” por janë subjekte qeveritare që hartojnë dhe zbatojnë strategji politike të qeverive maqedonase të miratuar në Parlament!

Komuniteti i artistëve shqiptarë tash e tri dekada pret një rend në shfrytëzim të parave publike për kulturë dhe, po kaq dekada pret të ketë edhe një qasje të përbashkët në paratë publike për të gjithë aktorët e kulturës!

Mendimi kritik kundër diskriminimit kulturor te shqiptarët me tepër është “protestë” individuale se sa që është brengë kombëtare për një strategji nacionale kulturore që do të ndihmonte dhe do të nxiste në hartimin e politikave kulturore në nivel kombëtar. Pa dyshim, subjektet politike shqiptare nuk do të pajtoheshin me këto qëndrime editoriale, megjithatë, si do t’u përgjigjeshin këtyre pyetjeve: Si bëhet konkursi vjetor i Ministrisë për Kulturë, cilët janë kriteret sipas të cilave vendoset dhe, kush vendos? Modeli ekzistues financiar, a i përmbushë njësoj nevojat e të gjithë institucioneve, asociacioneve, aktorëve të ndryshëm në sferën e kulturës dhe, a mund të bëhet kjo ekskluzivisht vetëm përmes një konkursi vjetor?

Sa institucione nacionale nga sfera e kulturës u duhen shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe sa herë e kanë kushtëzuar formimin e qeverisë me pranim të politika kulturore të paraparë në “manifestin kulturor” të dakordësuar nga të gjithë subjektet kulturo-politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut!

Leave a Reply

Your email address will not be published.