VDEKJA E NOSITIT, TRAGJEDI APO DRAMË POETIKE!

Lasgush Poradeci me “Vdekja e Nositit”, na çon të mendojmë dhe na bën me dije se nuk është jetë ajo që thuhet para se të vdesim, por jetë është ajo kur kemi forcë ta durojmë vdekjen, të përballemi me të dhe të dalim fitimtarë dhe të mbijetojmë me të

Sulejman MEHAZI


Vdekja është gjeja më e tmershme nëse kështu kemi dëshirë ta pagëzojmë. Të përcaktohesh për vdekjen është niveli më i lartë shpirtëror e artistik, që kërkon fuqi tejet të madhe, pasi dashuria pa fuqi shpirtërore urrehet nga arsyja, sepse asaj i ngarkohet diçka që nuk mund ta durojë.Lasgush Poradeci me “Vdekja e Nositit”, na çon të mendojmë dhe na bën me dije se nuk është jetë ajo që thuhet para se të vdesim, por jetë është ajo kur kemi forcë ta durojmë vdekjen, të përballemi me të dhe të dalim fitimtarë dhe të mbijetojmë me të. Kërkon dhe do të forcojë unin e tij poetik për ta luftuar në çdo mënyrë të keqen. Këtë përkapje origjinale të përmasës poetike e shohim edhe si koncept të përsosjes dhe njohjes poetike, kjo njohje poetike shpreh pasqyrimin e vetvetes ndaj unit të tij artistik dhe nëpërmjet pelegrinazhit shpirtëror primordial tragjik, arrin shkallën e ndritjes poetike.E çfarë do të thotë kjo për Lasgushin dhe ne si studiues dhe lexues të tij?Kjo do të thotë jetë shpirtërore e imagjinative, dramatike e tragjike, artistike e poetike, jetë e hapjes së varrit në gji:

“Me zjarr ju flas.., me zjarr…
Në gjirin t’im kam hapur varr”

Zjarri është shpirti i poetit, kur në këtë moment të frymëzimit digjet çdo gjë në mbrendinë e tij, kjo krijon dhembje të fuqishme, prej kësaj dhembje të fuqishme formohet flaka poetike, kjo flakë krijon në gjirin, gjoksin dhe zemrën e Nositit një varr të hapur, që e ka kuptimin e sakrificës poetike, idealit dhe rrugës poetike të tij. Kjo sakrificë poetike, ky varr i mbrendshëm është shkak i”liqerit zemërak” që te “zemra” e Nositit “kullon gjak”.

“Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:”

Gjaku që kullon nga zemra e Nositit shdërrohet në tragjedi apo dramë poetike, që për poetin do të jetë përcjellëse e përhershme e rrugëtimit të tij poetik. Nositi duke qenë i pa aftë të tolerojë dhembjen, përballon kundërshtitë e vdekjes, pa asgjë, pa forcë fizike, por me zjarrin e gjuhës poetike:
“Me zjarr ju flas…, me zjarr”, me varrin në gji: “Në gjirin t’im kam hapur varr” dhe kullimin e gjakut në zemër: “Po zemra  ime kullon gjak”, që e ka kuptimin e qetësisë poetike shpirtërore.Kjo fuqi nuk është diçka pozitive që stërvishet prej negatives, por kjo është fuqi që e shikon në sy negativen dhe është gati të banojë në të. Këtu nuk bëhet fjalë për diskurse shterpe, por për sfida serioze, është kjo jetë e shpirtit që është gati të ballafaqohet me gjërat që janë të padurueshme.
Valët e ujit, gjenocidi, holokausti, despotizmi dhe fatalizmi, bile edhe ballafaqimi me këto fuqi të shkatërrimit është obligim i të menduarit dhe autoterapia është në të vërtetën e vdekjes. Fuqia e shpirtit është në artin poetik si mikrokozmos, gjegjësisht si botë e vogël, që përbën kurorën e makrokozmosit dhe poeti si mikrokozmos, gjegjësisht, si botë e vogël që përbën kurorën e makrokozmosit, dhe, si mikrokozmos apo si botë e vogël që përmban shpirt të çiltër nëpërmjet të cili depërton në rrugën e ndritur të artit dhe i përjeton pasqyrimet e poezisë së frymëzuar.
Ky etos i çmendur i shpirtit dhe vlerat e përtypura të këtij etnosi çojnë drejtë një kataklizme eskatologjike të ekohapsirës shpirtërore, ndotja e shpirtit në faqet e natyrës makrokozmike lë gjurmët e saj edhe në natyrën mokrokozmike.
Si ka mundësi që shpirti të vuajë e trupi mos ta ndiejë këtë vuajtje. Pikërisht, Lasgush Poradeci me anë të kultivimit të ekologjisë shpirtërore i del përballë dhe i kundërvihet fuqisë intenzive dhe të fuqishme të së keqes, pasi ajo është “raison detrë” e fatkeqësisë ose mirëqenies, fascinimit ose mallkimit, jetës ose vdekjes, shpresës ose optimizmit.

1.”Me zjarr ju flas… me zjarr”
Paralajmërim apo përkujtim, rikujtim artistik, që do të thotë mbrojtje e gjërave të çmuara, është trajtë më e përsosur e veprimit të brendshëm, thelbi i brohoritjes dhe artit poetik dhe i pranishëm në gjithë sistemin poetik të L.Poradecit.
2. “Un’ik liqerit zemërak”
Në aspektin poetik, pendim për gabimet e bëra, kthim prej mëkateve duke u penduar. Pendimi është trajtë më e çiltër e kërkimit të faljes dhe ndjesës, pendim i sinqertë poetik që mund ta shpreh poetikisht vetëm Poradeci. Pendim vetëm me zemër e gjak të pastër, kërkim i ndjesës me gjuhë të zjarrtë dhe vendosmëri me trup të mos bëhet më ai mëkat.
3, “Se vijnë-urtuar zoqtë e mi”
Në aspektim metaforik do me thënë, dashuri kuptimore, pastërti e qetësi, lartësi dhe pasqyrim, lidhje apo përgjegjësi, thelbi i diçkaje, mbrojtje dhe rruajtje e dashurisë. Dashuri më e fortë, më e thellë, më e fuqishme dhe më e lartë.
4. “Pa nis ah! Gjirin ta godas”
Ekstazë, që do me thënë, gjetja e pjesës së humbur, hidhërim, dëshpërim, ankesë, helmim, pasuri potenciale, dashuri e tepër e kulminante.
5. “Ahere-helmohet e buçet”
Zili poetike e liqerit të shkretë për shkak flijimit artistik.
6..”Ay e tund, ay e shkund”
Paraqet rrugën më të sigurtë të vajtjes së shpirtit në përsosuri.
7. “E shpirtin dyke m’a përcjellë
Më thotë-ah shih sesa’sht’ i fellë
Ky gjir’i em që të pat pjellë…
Me zjarr ju flas, me zjarr”
Lasgushi shpreh një poetikë që njeriut ia mundëson përkujtimin e origjinës së tij artistike.


VDEKJA E NOSITIT

Me zjarr ju flas…, me zjarr.
Në gjirin tim kam hapur varr…
Që t’i jap shpresë-edhe t’j-a marr…

Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari:

Pa nis ah! gjirin t’a godas…
Dh’ e hap ah!-gjirin më një ças…,
Dh’ i nginj ah! zogjtë-e vdes me gas!…
Ahere – helmohet e buçet
pas mallit t’im liqeri – i shkret,
e rit tallazin posi det.
Ay e tund, ay e shkund,
ay e hap sa me të mund,
gjer mu në gjit, gjer mu në fund.
E shpirtin dyke m’a përcjellë,
më thotë-ah! Shif sesa ‘sht i fellë
ky gjir’ i em që të pat pjellë…
…Me zjarr ju flas, me zjarr.

Leave a Reply

Your email address will not be published.