VEPËR E RRALLË DHE E MUNGUAR

(Fitim A. Nuhiu, CARPE DIEM, përkthime letrare, fq. 440, botoi Lena Graphics, Prishtinë, 2025)

Shkodran H. ISMAILI

Shkrimtari dhe përkthyesi Fitim Nuhiu, një emër i ri në ngritje e sipër dhe me një talent letrar goxha zhbirues e universal emancipues, ka sjellë në shqip një vepër sa interesante aq dhe të rrallë. Bëhet fjalë për veprën me përkthime letrare, e titulluar CARPE DIEM. Është kjo një vepër me punime të përkthyera si përmbledhje e punës së tij të palodhur të viteve të fundit, nga shumë shkrimtarë, poetë, artistë, aktorë teatri dhe letrarë nga Lindja e Perëndimi, Veriu e Jugu, të atyre që shkruajnë në anglisht, si gjuhë amtare apo dhe si gjuhë të dytë të punës intelektuale. Meqë dhe vetë përkthyesi është profesor i gjuhës angleze, ai gjithnjë e më shumë po na sjell freski dhe rikthesë emancipuese në letrën/at shqipe, duke u munduar të sjellë e të flasin shqip e të komunikon imagjinata letrare e botës me publikun tonë ashtu siç është më së miri.

Me një gjuhë të rrjedhshme, strukturë fjalëformimi dhe narrativë po ashtu të shkëlqyeshme, paragrafë që konceptojnë dhe përmbledhin brenda logjikën përmbajtësore të lëndës që trajtohet, libri ka një vlerë të shtuar dhe meriton që të jetë në mesin e letrarëve tanë, madje të përbrendësohet në kuadrin e sistemit tonë letrar e kulturor. Librit vlerën akoma ma shumë ia shtojnë temat apo tematologjia e larmishme e autorëve, poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve nga anë e mbanë bota që sjellin me vete. Që të gjithë sjellin botën e imagjinatës së vetë letrare dhe botëkuptimit të tyre, se si ata e shohin aktualitetin e sotshëm dhe “socialitetin letrar“ të njerëzimit.  

Filluar me shkrimin letrar, me këshilla për mjeshtërinë e shkrimit, për fiksionin letrar dhe narrativën e tij (Herman Diaz, Zemra e fiksionit – trillimit) si finalist i çmimit Pulitzer për letërsinë artistike dhe i përkthyer në më shumë se njëzetë gjuhë (yalereview), ai ka bindje se fiksioni është një shpikje, por jo e dëmshme, një lojë apo sekuencë e shkëputur nga jeta reale, që nuk duhet marrë doemos aq seriozisht. Për vlerën e poezisë (poetja greke Evangelia Liana Sakelliou), të bukurës, të së mirës, duke vazhduar me tema siç janë, emancipimi universal që di të sjell letërsia, freskia kozmopolite e disa autorëve, tema të tilla për gruan, femrën e vlerat e saj në shoqërinë e sotme, feminizmin (pa ose me ngjyrime ideologjike), tematikën e rezistencës emancipuese të përditshmërisë kundër kolonizatorit (mjeku palestinezo-amerikan Fady Joudah), shkrimtarin e madh palestinez në ekzil dhe të pa-atdhe Ibrahim Nasrallah, i cili me një theks të veçantë i shkruan dashurisë për atdheun e tij, e që artin dhe letërsinë e sheh si përgjegjës për riformësimin e identitetit të Palestinës pas Nakbes (katastrofës palestineze) etj.

Këta shkrimtarë sjellin edhe tema të tilla si dashuria dhe fuqia e madhe ndikuese e pamasë dhe intensive e njeriut mbi njeriun, siç është Sally Rooney, autore irlandeze me romanin e saj „Normal People“ 2018. Ky roman ishte në listën e gjatë për çmimin Man Booker dhe fitoi kategorinë e romanit më të mirë në Costa Book Awards 2018. Po ashtu këta shkrimtarë sjellin temat si familja dhe madje – madje duke shkuar deri te kriza planetare e klimës (polikriza) dhe problemet e klimatogjisë botërore, siç është artikulli nga Daniel Simon, redaktor i World Literary Today (WLT).

Ndërsa do të veçoja ata që na shkruajnë për mjeshtërinë e shkrimit, artin e tij, metodologjinë, imagjinatën e shkrimtarit, poetit dhe në përgjithësi të njerëzve të letrave. Novelisti Hernan Diaz, një argjentinezo-suedez, të shkruarit e quan si një akt monstruoz dhe leximin e quan gjithmonë si një akt besimi dhe ka bindje se libri gjithmonë na kërkon të vëmë në dyshim supozimet e tij.

Duke vazhduar më tutje me disa fakte nga letërsia, që nga zanafilla e saj, atë që deri tani e njeh njerëzimi, me poemat epike të para, si mite dhe tregime për të bëmat e heronjve dhe „zotave“, siç janë Ramayana dhe Mahabharata (v. 500 para erës së re), me dy poemat e famshme të lashtësisë Odisenë dhe Iliadën e Homerit (shek. 8 para erës së re), me njërin ndër romanet më të hershme që njeh historia e shkrimtarisë, Don Kishotin (1605) etj.

Po ashtu vepra në fjalë na sjell edhe analitikën letrare, tema të cilat na duhen në letrat tona, dallimin mes shkrimtarit dhe autorit, tema të tilla se si të analizohet një roman, interpretimi letrar i poezisë, tema për teatrin dhe frymën emancipuese që sjell ai, edukimin shpirtëror të publikut dhe popullit përmes tij, temën e rezistencës që sjell teatri dhe filozofia e tij, për kritikën letrare, të artit dhe analitikën zhbiruese e të thellë që sjell si frymë dhe formë e të menduarit etj etj.

Si përmbledhje të fundit mund ta themi se vepra në fjalë s’është për lexues të rëndomtë. Ajo është më shumë për studentë të letërsisë, studiues, artistë të niveleve të ndryshme dhe pse jo edhe publicistë e punëtorë të penës. Vepër me vlera të larmishme, me përkthime nga mendje të thella të letërsisë nga Lindja e Perëndimi, gjë që atë e bëjnë akoma më me vlerë! Libri në fjalë sjell emra deri tani të panjohur të letërsisë botërore, e që ndoshta asnjëherë nuk janë përkthyer në shqipen tonë!

Emancipimi letrar është një dimension dhe vlerë e shkëlqyer e njeriut dhe qenies së tij, andaj një letërsi e mirë është goxha një botëkuptim i thellë për reflektimet e rrethanave dhe situatave tona në të cilat gjendemi. Një letërsi e mirë dhe mirëfilli e strukturuar, do të thoja është “ana tjetër religjioze e jetës sociale të njeriut“ dhe njëri ndër zërat më të fuqishëm për rezistencë intensive, aktive dhe të përditshme ndaj çdo forme të letargjisë së pari dhe më pastaj edhe ndaj çdo forme, apo më mirë ta themi „të çfarëdo parimi amorf“ të të menduarit kolonialist dhe pushtetmbajtës që sjell bota sot. Thjesht, letërsia e mirë është zëri më i thellë i arsyes dhe i Zotit mbi ndërgjegjen e njeriut thellë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.