Me çka mund të dëshmohet “Ansambli nacional i këngëve dhe valleve popullore shqiptare” se është institucion kombëtar i shqiptarëve të RMV-së?! Pse mos të lejohet që ky institucion jetik për shqiptarët e RMV-së të quhet IN “Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve shqiptare në RMV”!
Nga Avni Halimi
Institucionet kulturore në Kosovë kaluan nëpër disa situata të pavolitshme statusore. “Ligjet” e UNMIK-ut insistonin në ruajtjen e kontinuitetit juridik që nga periudha e okupatorit serb, kurse shqiptarët insistonin që institucionet e nacionalizuara edhe t’i kombëtarizojnë!
Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala “nacionalizim” do me thënë “shtetëzim”, kalimi i një gjëje në pronë shtetërore, kurse fjala “kombëtarizim” do me thënë kur një gjëje i jepet karakteri kombëtar, i jepet veçori a tipare kombëtare; i thellohet karakteri kombëtar. (Kombëtarizoj kulturën, artin)! Deri në këmbëngulje të shqiptarëve të Kosovës (deri më vitin 2013) shqiptarët e Kosovës kishin Galeri të arteve të Kosovës, Filarmoni, Operë dhe Balet të Kosovës, Ansamblin e këngëve dhe valleve “Shota” etj. Ndërsa sot, këto institucione si dhe shumë të tjerë tashmë janë të kombëtarizuar, duke kaluar në Galeri Kombëtare të Kosovës, Filarmoni kombëtare, Balet kombëtar, Ansambël kombëtar, Bibliotekë kombëtare etj, kurse funksionojnë edhe institucione kulturore dedikuar vlerave nga trashëgimia kulturore dhe shpirtërore, arkivore e muzeale, që trajtohen si vlera madhore të Shtetit të Kosovës (Muzeu i Kosovës, Instituti arkeologjik i Kosovës, Instituti për konservim dhe restaurim i Kosovës, etj.)
Të kombëtarizohen institucionet nacionale
Institucionet që merren me krijimtari artistike patjetër që duhet të kombëtarizohen, sepse vetëm të nacionalizuara ato mund të kalojnë edhe në institucione publike lokale! Gjithsesi, themelues duhet të jetë shteti (duke u emërtuar ligjërisht si “institucione nacionale”), por ama shqiptarët në viset e veta etnike duhet të këmbëngulin në kombëtarizimin e institucioneve kulturore!
Le të kthehemi e t’i shohim se cili është statusi kombëtar i institucioneve kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ku me ligjin për decentralizim të institucioneve kulturore shumica e tyre do të ngelin institucione publike që do të menaxhohen nga pushteti lokal, “Teatri Shqiptar Shkup”, do të ngelë nën menaxhimin e Qytetit, kurse nuk e ka atë peshë juridike, atë status që do ta kishte “Teatri Kombëtar i Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”! Shqiptarët mund të themelojnë plot teatro, gjithandej nëpër qytete të mëdha mund të kenë “Institucioni Nacional Teatri Shqiptar”, por se duhet të funksionojë një “Teatër Kombëtar Shqiptar” në Maqedoninë e Veriut dhe në këtë gjithsesi që duhet të këmbëngulet në marrëveshje të veçanta gjatë formimeve të koalicioneve qeveritare.
Me çka mund të dëshmohet ligjërisht se “Instituti për trashëgimi kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të RMV-së” është “institut kombëtar shqiptar”, kur një institucion të tillë mund ta themelojnë edhe maqedonasit, edhe shkencëtarët e nacionaliteteve të tjerë që shprehin interes për “trashëgimi kulturore e shpirtërore të shqiptarëve”! Me çka mund të dëshmohet se Institucioni Nacional (i shtetëzuar) “Galeria e Arteve Tetovë”, është galeri kombëtare e shqiptarëve të RMV-së?! Me çka mund të dëshmohet “Ansambli nacional i këngëve dhe valleve popullore shqiptare” se është institucion kombëtar i shqiptarëve të RMV-së?! Pse mos të lejohet që ky institucion jetik për shqiptarët e RMV-së të quhet IN “Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve shqiptare në RMV”!
Çdo artist i institucioneve kombëtare ka tjetër tretman dhe tjetër peshë karshi botës artistike! Populli maqedonas e ka Institucionin Nacional “Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve të Maqedonisë “Tanec”, dhe cili është mesazhi i këtij Ansambli gjatë prezantimit në botë! Repertori i tij është ekskluzivisht maqedonas, dhe ky repertor në përmbajtje të vet ka vetëm ato “këngë dhe valle që kultivohen në Maqedoni”! Të tjera nuk ka!
Si përfundim, të gjitha institucionet kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut duhet patjetër që të kombëtarizohen dhe të mos ngelin vetëm të shtetëzuar, sepse kështu do të konceptohen vetëm si “administrata shtetërore maqedonase ku angazhohen edhe administratorë shqiptarë”! “Ushtria maqedonase”, “policia maqedonase”, “shërbimi inteligjent maqedonas”, “banka popullore maqedonase”, “shëndetësia maqedonase”, “kultura maqedonase” etj. – të gjitha të shtetëzuara ku marrin pjesë edhe shqiptarët! Në këtë formë prezantohet vetëm karakteri nacional i institucioneve me peshë dhe jetik të shtetit të RMV-së! Institucionet e arsimit dhe të kulturës, sipas të gjitha konventave për të drejtat kulturore e arsimore, patjetër që duhet të jenë të kombëtarizuar, sepse edhe ashtu janë me veçori e tipare të tjera kombëtare, që dallojnë dukshëm nga ato maqedonase!
Mungesë e frikshme interesimi për institucionalizim të kulturës
Asnjë shtet si Maqedonia e Veriut nuk e ka përjetuar shkallëzimin e poshtërimit që po i vije nga popuj e shtete të ndryshëm! Në emër të evro-integrimeve u deshtë të ndërrojë emër, flamur, kushtetutë, mësime fetare, historike, gjeografike etj. Në vitin 2001 edhe shqiptarët kërkuan ndryshime racionale për të cilat u deshtë të zhvillohet madje edhe një luftë! Të gjithë kush ka kërkuar ndryshime, ka dalë i nderuar, por urrejtja nacionale maqedonase u derdh dhe po derdhet vetëm mbi shqiptarët! Pengesa e fundit për perspektivën e ndritshme të Maqedonisë së Veriut ka ngelur ndryshimi që duhet ta pësojë Kushtetuta e vendit! Për këtë qëllim në këmbë janë ngritur shqiptarët! Natë e ditë i apelojnë popullit maqedonas që të ndërgjegjësohen dhe të përfshihen në votim për ndryshimet kushtetuese (duhet të përfshihen bullgarët në Kushtetutë!) VMRO-ja e djeshme opozitare nuk pranonte dhe, po flitej se, meqë ka mjaft ish-funksionarë të burgosur e në procese gjyqësore për vjedhje e korrupsion, kërkonte që fillimisht Kodi penal të pësojë ndryshime, të sillet ligj për amnisti të politikanëve dhe pastaj mund të zbutej e ta mendonte votimin për ndryshime Kushtetuese. Krejt kjo, me shpresë se do t’ju amnistohej edhe ish-kryetari i VMRO-së, azilanti Nikolla Gruevski, dhe të kthehet në vend nga Hungaria për të na “udhëhequr”!
Partitë politike shqiptare, sidomos BDI-ja, 22 vite në pushtet, e patën mundësinë që të ngulin këmbë në krijimin e një buxheti për ngritjen e resurseve për institucionalizimin e kulturës shqiptare në RMV! Në vend të marrëveshjeve për sjellje të ligjeve për amnisti të elementëve të kriminalizuar, do të ishte shumë e njerëzishme që të vënin kusht: shqiptarët e Maqedonisë së Veriut inkuadrimin në Evropë e dëshirojnë me teatro nacionale, me shtëpi të kulturës nëpër komunat shqiptare, me filarmoni nacionale, me operë shqiptare, me shtëpi artistësh, piktorësh, me shtëpi të librit shqip, me themelim të manifestimeve, festivaleve, konferencave e kongreseve kulturore si institucione nacionale. Këto janë vlera për Evropën, ndërsa amnistia, korridori 8 apo 80, takimi apo jo me Gruevskin, kush sa fitoi e përfitoi nga Lotaria e nga kasinot, të gjitha këto janë dofarë “mëlemsash” për mirëqenie për shoqërinë e vendit!
Prej të gjitha kërkesave me të cilat u përball RMV-ja vetëm kërkesat për institucionalizim të kulturës shqiptare do të ishin të logjikshme, të pranueshme e të arsyetueshme nga evropianët! Megjithatë, shqiptarët zgjodhën të ndryshojnë Kodin penal në pjesën që do t’i amnistojë politikanët dhe segmentet e kriminalizuar, sidomos Nikolla Gruevskin, te i cili janë varur të gjitha shpresa e sigurimit të votave për ndryshimet kushtetuese!
Për katër vite u shpenzuan mbi 500 milionë euro për ta “antikizuar” Maqedoninë, ndërsa për ta institucionalizuar kulturën shqiptare në vend, nuk do të duheshin as çereku i kësaj shume. Janë ndarë miliona euro për analizimin dhe festimin e “Marrëveshjes së Ohrit”, kurse për istitucionalizimin e kulturës shqiptare as që ka guxuar dikush të mendojë! Ja pra që prioritet e paskemi pasur jo kulturën e një shoqërie (shqiptare), por amnistinë e segmenteve të kriminalizuar që do të sjellin “mirëqenie dhe stabilitet” në vend! Me këta elemente destruktiv në politikë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut edhe më tej do të bëjnë jetë të varfër kulturore, kulturë amatore dhe do të jenë konsumues besnikë të kulturave dhe vlerave që nuk kanë asgjë të përbashkët me identitetin kulturor shqiptar. Mund të ndodhë që institucionet kulturore shqiptare (siç i ndodhi Ansamblit të këngëve dhe valleve të shqiptarëve të Maqedonisë), të ngelin pa artistë shqiptarë!
Ansambli me artistë sezonalë
Na qenka një nen (1) në ligjin për kulturë i cili po i detyruaka të gjithë artistët e institucioneve nacionale që të punojnë me kontratë pesëvjeçare në vepër dhe, pas çdo pesë viteve nëse dëshirojnë të merren me arte përkatës, duhet që të rikonkurojnë në konkurse dhe të futen nëpër audicione! Deri më sot në RMV një ligj i tillë nuk është aplikuar as në Filarmoni, as në Balet, as në Operë, as në Teatër, as në Ansamblin maqedonas “Tanec”! Ky ligj qenka i vlefshëm vetëm për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve të Shqiptarëve të RMV-së!
Çka është ansambli i këngëve dhe valleve popullore? Natyrisht, është një institucion që ruan, kultivon dhe prezanton thesarin e begatë kulturo-artistik të një populli. Ky thesar prezantohet nga artistë reprezentativë të kësaj fushe dhe, këta artistë, në kuadër të një Ansambli paraqesin vlera ndër më të lartat artistike të popullit përkatës. Pra, janë vlera dhe nuk luajnë rolin e çorapeve apo mbathjeve që duhet të ndërrohen në çdo mbrëmje apo në çdo mëngjes, siç po pretenduaka një “ligj” i tillë i vlefshëm vetëm për shqiptarët, për më tepër, për drejtorin aktual të Ansamblit!
A mund të bëhet kulturë me artistë sezonalë? Po pse 34 artistë të këtij Ansambli kanë ngelur të trajtohen si artistë sezonalë, si artistë që do të rikonkurojnë në çdo pesë vjet nëse dëshirojnë të shfaqin vlerat më të larta kulturo-artistike të shqiptarëve? Prej nga kjo e drejtë e drejtorit, e ministrit të kulturës, e ministrit të financave? Pse kjo sjellje jo vetëm noshalante, por edhe shumë fyese e subjektit politik që e themeloi këtë Institucion nacional? Pse pesë vite me radhë t’i mbajë artistët me kontratë në vepër dhe t’i llogarisë si thasë që duhet të sjellin vota nëse dëshirojnë të “arnohen”! Dhe, tashti fajtore qenka qeveria aktuale që nuk po hap konkurs për ripranimin e këtyre 34 artistëve! Fyerje e skajshme e të gjithë atyre që mendojnë se artistët e popullit që mbi supet e veta profesionalisht mbajnë aktivitetet dhe programet e një ansambli popullor duhet t’i rinënshtrohen konkurseve dhe audicioneve! Këtij rikonkurimi duhet t’i nënshtrohet edhe njëri nga artistët më të shquar shqiptar, këngëtari Jetmir Rexhepi, i cili, pa dyshim, për çdo ansambël do të ishte një vlerë e padiskutueshme interpretative e këngës shqipe.
Artistët e këtij kalibri janë pasuri emblematike që kalojnë në legjenda të ansamblit dhe nuk guxon të jenë “qytetarë të rëndomtë” që, si të gjithë të tjerët, kanë të drejtë të kandidojnë e rikandidojnë në një ansambël! Artistët e popullit duhet të trajtohen e të respektohen me dinjitet dhe jo të shikohen thjesht si makineri propagandistike e partisë në pushtet që bëhet “sebep” për buxhetin (pra, edhe për rroga) të artistëve! Artistët e një ansambli janë të popullit dhe jo të një partie, të një pushteti, apo të një drejtori partiak! Artisti ka të drejtën absolute që mos ta përfillë një drejtor, një funksionar partiak apo një ministër, të gjithë këta janë të detyruar që të “nusërojnë” para artistit të popullit! Arlekinët nuk mund të jenë as pjesë e estradës profesionale dhe as e ansambleve popullore! Artistët profesionistë gjithmonë kalojnë në legjenda të institucioneve nacionale! Këtë duhet ta ketë të qartë edhe Shkodran Tolaj, drejtori aktual i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, i cili paska refuzuar të japë dorëheqje për këtë dështim dhe fyerje të dinjitetit të artistëve shqiptarë të RMV-së! Në aspektin e angazhimit artistik profesional Tolaj doli të jetë shumë i suksesshëm, por në aspektin e “arkitektit” të Ansamblit, paskësh menduar se Institucioni nacional mund të funksionojë edhe pa themele. Artistët janë themeli dhe arsyeja e ekzistimit të një institucioni kulturor, dhe jo “struktura menaxheriale” të ansamblit që mund të ndërrohen si çorapet.