VITET E FUNDIT TË NJË GJENIU

Britanikët nuk dëshiron të humbisnin një shkrimtar kaq të madh, me famë botërore. Qarqet qeveritare e pyetën jo zyrtarisht, nëse do të pranonte nderimin me “Urdhrin e Meritës”. Nuk pranoi. Përgjigja e tij mbeti në histori: “Një shkrimtar mund të nderohet vetëm pas vdekjes nga historia”

Grigor JOVANI

Lufta e Dytë Botërore, që shpërtheu më 3 shtator 1939 me pushtimin e shpejtë të Polonisë dhe ngjarjet dramatike që ndodhën në vazhdim, qenë një “shok” i vërtetë për Xhorxh Bernard Shoun, dramaturgun më të madh perëndimor të kohës. Thjesht u mpi, nuk mbajti qëndrim menjëherë dhe, si rrjedhim, u akuzua për indiferencë dhe utopi idiote, aq më shumë që kur vendosi të flasë, tek një artikull i bujshëm tek “New Statesman”, ndërkohë që Rajhu i Tretë po përparonte me krime të frikshme qëllimet e tij, ai propozoi organizimin e një… konferencë paqeje. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Një mendje kaq gjeniale sa e tij nuk mund të ishte gjatë në gjendje… gjumi. Kuptoi shumë shpejt se konferencave të paqes u kishte ikur koha, kur kishin filluar ndërkohë gjerësisht luftimet ekspansioniste të nazistëve në të gjithë Evropën. Shou kërkoi publikisht që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hynin në luftë, në krah të frontit antifashist.

Ndërkohë, krijimtaria e tij letrare nuk po shkaktonte euforinë e mëparshme. Mbase ngaqë njerëzit e kishin mendjen në luftë. “Karroca e Alpeve” u prit ftohtë. Veprat e tij të mëparshme, i shpëtuan indiferentizmit të publikut dhe kritikës nga transferimi i tyre në skenat e përtej Atllantikut, në Amerikë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Protagonistë të tyre ishin aktorë të njohur, si John Gielgud, Deborah Kerr dhe Robert Donat. Aty nga fundi i Luftës, më 1944, ngjiti përsëri në Londër veprat e tij, nëntë premiera të reja, duke përfshirë në to rdhe kryeveprën “Armët dhe njeriu”, me protagonistë Ralph Richardson, Laurence Olivier, Sybil Thorndike, Margaret Leighton. Dy agjenci teatrore shëtitën veprat e tij në të gjithë Britaninë.

Shaw ndjehej i lodhur. Lufta e kishte dërmuar psikologjikisht. Bombardimet e Londrës nga “stuck”-ët gjermanë e detyronin herë pas here të strehohej në vilën e shkrimtares së njohur, Ansi Astor, mikes së tij, në Klaivden. Gjatë vitit 1943, më i vështiri në Londër për sa u përket bombardimeve, familja Shaw u kthye në shtëpinë e tyre, në Whitehall Court, për shkak edhe të gjendjes shëndetësore të keqësuar të bashkëshortes Charlotte. Këtu mund të kurohej më lehtë dhe më mirë. Mirëpo, nuk i shpëtoi fundit fatal. Vdiq në shtator të atij viti.

Këtej e tutje, jeta Xhorxh Bernard Shout ndryshoi. Humbjen e të shoqes nuk e tejkaloi kurrë. Dëshpërimi erdhi për të mos u larguar asnjëherë, gjer në fund të jetës. Miku i tij, shkrimtari dhe kritiku i njohur irlandez St. John Greer Ervine, do të shkruante më 1959: ““Vitet e mbetura të jetës së Shou-t ishin të qeta dhe vetmitare. Humbja e gruas ishte shumë më e ndjeshme se sa mund ta kishte parashikuar, më tepër se çdo humbje tjetër: sepse mburrej për një forcë stoike përballë çdo humbjeje dhe fatkeqësie.”

Nuk kishte më dhe kaq qejf të shkruante letërsi. Për një kohë shkroi publicistikë politike, siç qe libri “Gjithçka është politikë. Çfarë është çfarë?”, botuar më 1944. Por pa sukses. Politikani frënge- britanik Aleksander Holroyd i përshkruan këto përpjekje të Shaw-t si “rrëfime aventureske… ku përsëriten idetë e shkuara të shkrimtarit…” Të njëjtin fat patën edhe pamfletet e tij politike për Gjyqin e Nurembergut, ku dënoi – çuditërisht – “përndjekjen”e pasluftës të udhëheqësve të Rajhut të Tretë, si “akte vetëdrejtësie”. “Jemi të gjithë kriminelë të mundshëm!”, deklaroi Shou, duke ngjallur kudo në Perëndim reagime të shumta kundërshtuese.

Herë pas here ishin bërë përpjekje nga moderatorët e veprës së Shout të përcilleshin veprat e tij në kinematografi, që po popullarizohej gjithnjë e më shumë. Dramaturgët si ai kishin fjalën e nderit. Tre herë regjisorit të njohur Paskal i ishte dhënë mundësia të ngjiste në ekran vepër të Shout. Pa ndonjë sukses të madh. Së fundi, “Cezarin dhe Kleopatrën”, më 1945. U karakterizua nga kritika “dështimi më i madh ekonomik në historinë e kinematografisë britanike.” Ndonëse në Amerikë filmi u prit disi më mirë dhe kritika nuk e sulmoi kaq sa në Britani, Shou ishte i pakënaqur nga gjithë përpjekjet e tij. I ngjante se po i sakrifikoj vepra, për të sponsorizuar dështimet e një regjisori. U shpreh në dëshpërim e sipër se “luksi i filmit anulon dramën e tij dhe në përgjithësi kjo vepër filmike është një imitim i keq i atyre të Cecil B. de Mille, në epokën e kinemasë pa zë…”

Më 1946 Shou ishte tashmë 90 vjeç. Ndërkohë që dëshira dhe mundësia për punë letrare po i zvogëlohej, qëndronte megjithatë në këmbë si një veprimtar i paepur dhe i pavarur shoqëror. Në vijë të parë. Si irlandez, pranoi çlirimin e Dublinit, pa përfillur qëndrimet konservatore në Londër. Megjithatë, britanikët nuk dëshiron të humbisnin një shkrimtar kaq të madh, me famë botërore. Qarqet qeveritare e pyetën jo zyrtarisht, nëse do të pranonte nderimin me “Urdhrin e Meritës”. Nuk pranoi. Përgjigja e tij mbeti në histori: “Një shkrimtar mund të nderohet vetëm pas vdekjes nga historia”.

Po këtë vit qarkulloi veprën “Krimi i burgut” (The Crime of Prisonment), një studim për kushtet në burgjet britanike, ide që po e punonte për njëzet vjet. Pati reagime pozitive të menjëhershme. Biles ndërkombëtare. “American Journal of Public Health” shkroi se “është e domosdoshme që këtë vepër ta sudiojë çdo student i juridiksionit të drejtësisë në Amerikë dhe në botë.”

Paskëtaj shkroi veprat e tij të fundit, “Miliardat Buoyant” (1946), “Përralla të largëta” (1948) – një përmbledhje gjashtë veprash të vogla teatrale dhe “Shakes kundër Shou” (1949), një vit para se të vdiste. Kjo e fundit është tejet interesante. Një vepër dhjetëminutësh, ku Shekspiri dhe Shou shkëmbejnë fyerje. Sipari i tij artistik mbyllet me veprën “Përse ajo nuk do” (1950), të cilën vetë Shou e përshkroi si “një komedi e vogël”, që u shkrua pak pas ditëlindjes së tij të 94-tët.

Vitin e fundit të jetës ia përkushtoi kopshtit. Kishte ca borxhe të vjetra me lulet… I ngjante se i kishte lënë jashtë kujtesës, harrim që ato krijesa nuk mund ta meritonin.

Mbylli sytë 94 vjeçar, në qetësi të plotë, nga pleqëria e thellë. Shkaku zyrtar, mosfunksionimi i veshkave, dëm që iu shkaktua kur u rrëzua nga një pemë që po e krasitet. Hiret e tij, së bashku me ato të së shoqes Charlotte u shpërndanë në kopshtin për të cilin përkujdeseshin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.