VIZIONI PËR KULTURË ELITARE

Avni HALIMI

Secili komb, në secilin shtet, ka figurat e veta emblematike, institucionet e veta që me të drejtë konsiderohen si simbole të krenarinë kombëtare. Natyrisht, në të shumtën e rasteve, këto figura e institucione i përkasin sferës kulturore. Jo rrallë, fjala, qëndrimi, sugjerimi, vlerësimi i tyre bëhen vendimtare për të mirën e shtetit dhe të kombit, bëhen ligj i patejkalueshëm madje edhe për organet drejtuese më të larta të vendit. Kjo është forca e një kombi para së cilës përkulen “zeusët politikë”, “herkulët partiakë”.

Në ato shoqëri ku në çdo hap e në çdo kohë gëlojnë aktivitetet dhe veprimtaritë jo humane, në ato shoqëri me një demokraci të pazhvilluar e skajshmërisht të brishtë, jo që nuk dëgjohet asgjëkundi ai zë emblematik por, fatkeqësisht, artikuluesit e këtij zëri janë të ngulfatur deri në shuarje. Kështu zë fill dhe vazhdon sa më gjatë jeta e pseudovlerave kombëtare. Hiç “vlera” e kombit rritet me mynxyrat e kulturës kombëtare tek jep shpirt.

Një komb sa më larg kulturës të qëndrojë aq më afër injorancës politike do të jetë dhe, sa më injorant politik që të jetë aq më të lehtë e ka shpërfytyrimin në qenie me vlera primitive. Kultura është ajo që i ushqen vizionet, idealet kombëtare që i japin kuptim politikës.

Në Maqedoninë e Veriut të gjithë shqiptarët duan të merren me kulturë, sepse, të gjithë mendojnë se marrja me kulturë sjell përfitime të majme, të gjithë mendojnë se kultura është një tezgë gjigante ku mund të shiten dhe të blihen deri edhe kalbësirat më kutërbuese. Të gjithë i përcjellin aktivitetet limonadë që shiten për kulturë, por, sa herë që shprehet nevoja për ta ndihmuar kulturën kombëtare, për të nxjerrë në pah personalitete kompententë që të shprehin brengë dhe vizion për kulturë, të gjithë i rrudhin krahët, të gjithë shprehen si me grahmën e fundit të jetës së tyre duke u arsyetuar me “nuk është koha tani për kulturë’’! Strategji brilante kjo e të gjithë atyre që kanë interes ta nënshtrojnë një popull dhe të luajnë pa dhimbje mbi kurrizin e tij.

Të marrësh një post ministror, apo, të arrish që ta bindësh partnerin qeveritar që ta ndihmojë kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, është ngjashëm sikur t’ia mbash dikujt shpirtin gjallë duke i dhënë ujë me bisht të lugës. Të shprehësh kënaqësinë për disa aktivitete kulturore do të thotë të vetëpajtohesh për të qëndruar miliona kilometra larg botës së profesionalizimit dhe institucionalizimit të jetës së mirëfilltë kulturore. Pra, kultura shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk ka nevojë për ndihma prej institucioneve përkatëse shtetërore por, ka nevojë për një strategji kombëtare, për një plan zhvillimor si dhe për buxhet konkret shtetëror. Këto tri elemente shumë shpejt do të bëhen digë për lumin e politikave diskriminuese maqedonase, sepse elementët kulturorë janë në rritje e sipër, fakulteti i arteve pranë USHT-së tash e sa kohë është duke prodhuar kuadro kulturore, po ashtu edhe fakultetet e tjera shoqërore. Potenciali kreativ kulturor shqiptar është në rritje e sipër përkundër thellimit të hendekut në mes të tyre të subjekteve politike e shtetërore. Shtimi i këtij potenciali në njërën anë dhe, rritja e moskokëçarjes politike në anën tjetër, do të jenë shkaktare të shkëndijave të një konflikti të paevitueshëm ndëretnik në Maqedoni. Do të nisë si një “revolucion kulturor” i cili, në historinë e njerëzimit, gjithnjë ka hasur në simpati, në përkrahje dhe në madhërim nga shoqëritë e civilizuara.

Subjektet tona politike janë të themeluar dhe duhet të funksionojnë ekskluzivisht në mbrojtje të të gjitha tipareve që e përbëjnë identitetin kombëtar. Identiteti kulturor është dhe duhet të jetë bazë e veprimtarisë së tyre kombëtare. Le të merren të gjithë me kulturë, le të prodhojë të gjithë kulturë, le të kënaqen të gjithë me kulturë, ngjashëm si në sport: një komb sa më masivisht që merret me sport aq më i shëndetshëm do të jetë por, megjithatë, trupat reprezentative, pra përfaqësuesit e kombëtares, flasin për seriozitetin e kombit në këtë sferë. Edhe në kulturë, populli duhet t’i ketë përfaqësuesit e vetë reprezentativë, qofshin këta institucione apo individë profesionistë që me dinjitet dinë t’i mbrojnë dhe t’i artikulojnë vlerat kombëtare. Veprimet amatore në kulturë janë si ato sporte që zhvillohen në rrugë: ndonëse kanë atraktivitetin e vet nuk flasin për kurrfarë vlere sportive kombëtare.

Elita politike e shqiptarëve të Maqedonisë duhet të ketë të qartë se ka ardhur koha edhe për një elitë kulturore shqiptare. Bashkëjetesa e këtyre dy elitave si dhe bashkërendimi i veprimeve të tyre do të fliste për një pjekuri dhe për një perspektivë të bujshme kombëtare. Elita kulturore shqiptare në Maqedoni gjithnjë do të ishte pararojë e çështjeve kombëtare ndërsa do të ishte edhe rrufe mbi të gjithë ata që mundohen të na e shesin sapunin për djathë. Në suaza të interesave kombëtare, elita kulturore perceptohet si legjislativi ndërsa elita politike si ekzekutivi kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.