VLERË KOHE DHE DIMENSION EDUKATIV

(Rreth novelës për fëmijë “ONI S’ËSHTË MË I VOGËL…” i shkrimtarit Vath Koreshi, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1987)

Xhahid BUSHATI

Vath Koreshi (Lushnjë, 07.05.1936 – Romë, 03.02.2006) me krijimtarinë e tij letrare është një nga shkrimtarët më origjinalë e të talentuar të letrave shqipe. Siç thuhet me të drejtë nga kritika letrare, ai solli një filozofi të re në prozën shqipe. Na la një krijimtari të pasur në fushën e tregimit, novelës dhe romanit, si dhe në kinematografi, ku disa filma kanë emrin e tij si skenarist. Nuk ishte më shumë se 51-vjeç, kur botoi novelën për parashkollorë me titullin “Oni s’është më i vogël…” (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1987). Është i vetmi krijim i autorit në fushën e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj.

Novela “Oni s’është më i vogël…” është i konceptuar dhe i strukturuar mbi bazën e tetë kapitujve, ku çdo kapitull shënon një formulim, të cilët në përbashkësinë e tyre krijojnë një tablo të qartë të një njohjeje paraprake e të një zhvillimi fabulor në mënyrë lineare me dy personazhe: Oni dhe motra e tij Selma; më pas me veprimet, ndodhitë, e të papriturat e tyre.

Çdo tekst-kapitulli në rrëfimin e autorit ruan masën dhe ngarkesën e duhur të moshës që i drejtohet. Ndiqet me kërshëri dhe e shoqëron pyetja: “Ç’po ndodh me Selmën që ka humbur? Oni, a do ta shpëtojë atë?” Lejtmotivi: “Oni nuk është më i vogël, por i madh”, është një frazë që ia thotë përherë vetes”. Mbi bazën e kësaj formule, ai ndërmerr të gjitha veprimet për ta shpëtuar motrën dhe arrin me sukses. Nga ana e autorit është ruajtur me kujdes e finesë kjo “rritje” e Onit, i cili edhe kur merr veprimet, i përligj ato jo vetëm nga ana moshore por realisht dhe artistikisht. Fantazia e tij shëtit mes reales dhe ireales, njohjes dhe guximtarisë, çudive e të papriturave… Përmes këtyre planeve dhe ndërthurjes së tyre ne besojmë në rritjen e Onit.

Duke u bazuar në përvojën e tij të pasur krijuese në letërsinë për të rritur e në kinematografi, shkrimtari Vath Koreshi, edhe me këtë krijim të vetëm në fushën e letërsisë për fëmijë, tregoiqë njeh psikologjinëdhe botën e fëmijës, i ofroi asaj plot ngjyra, përshkrime të befta e hapësira fantazie çudibërëse. Oni dhe Selma përshkruhen dhe vizatohen me dashuri autori. Edhe mjedisi shoqërues me natyrë përralle e bën më jetësor rrugëtimin e peripecive tëOnit “që tashmë i thotë vetes: – nuk jam më i vogël”. Nga njëri kapitull në tjetrin, kurioziteti është bashkudhëtar me lexuesin e vogël, kuriozitet që të shtyn që veprën të mos e heqësh nga dora e ta lexosh me një frymë.

Ndonëse është shkruar 36-vjet më parë, novela “Oni s’është më i vogël” i shkrimtarit Vath Koreshin ruan kujtesën e një vepre se si duhet shkruar ajo për fëmijë, si duhet të jetë marrëdhënia vepër – lexues, si duhet të jetë ndërtimi dhe struktura e frazës, fjalori (numri i fjalëve), etika dhe estetika e saj. Edhe në këtë vepër për fëmijë ai ruajti tiparet e krijimtarisë së tij, na dha një novelë që ka vlerë kohe dhe dimension edukativ.

Leave a Reply

Your email address will not be published.