VRASËSIT E SHQIPES

Gjuha është një nga komponentët kryesore që e determinon identitetin kombëtar! Gjuha është shkencë formulat e së cilës mësojnë se si të mbushen me ajër mushkëritë e qenies kombëtare. Gjuha e pastër është e vetmja “vaksinë e qenësishme” kundër elementeve kancerogjene në trungun kombëtar. Një shtet dhe një komb i mirëfilltë gjuhën e mbron me ligje dhe me mekanizma adekuate për mbrojtjen e komponentëve të kombëtarisë. Kombëtarizimi i gjuhës reflekton dinjitet

Nga Avni HALIMI

Nisur nga këto vlerësime të pacenueshme që u theksuan në hyrjen e këtij shkrimi, përfaqësuesit shqiptarë që morën pjesë në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit, jo vetëm që e mbrojtën gjuhën shqipe por asaj ia siguruan edhe një pozitë të dinjitetshme duke e bindur palën maqedonase që ta pranojë edhe shqipen dhe alfabetin e saj si gjuhë dhe shkrim zyrtar në tërë shtetin. Më vitin 2002 në pushtet vjen koalicioni LSDM-BDI, liderët e së cilëve gjënë e parë që do ta arrijnë do të jetë parcializimi, deformimi si dhe degradimi i Marrëveshjes së Ohrit. Ali Ahmeti, duke pasur respekt si dhe mirëkuptim për Branko Cërvenkovskit i cili atëbotë gjendej nën presionin e shërbimeve serbe, hoqi dorë nga shumë pika origjinale të Marrëveshjes e në të mirë të maqedonizmës dhe të shtetit klasik unitar! Me këtë rast gjuha shqipe u lejua të flitet vetëm në ato komuna ku shqiptarët përbëjnë njëzet përqindëshin e popullatës së përgjithshme lokale. Me këtë rast, pala maqedonas haptazi tregoi një urrejtje ndaj gjuhës shqipe, urrejtje këtë që e zyrtarizoi dhe e normatizoi edhe me ligj në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut të cilin me lezet e votuan që të gjithë deputetët shqiptarë të partisë në pushtet. Pra, partia shqiptare në pushtet nuk zbatoi Marrëveshjen e Ohrit të cilën e garantuan përfaqësuesit e NATO-s dhe të BE-së por zbatoi teket, degradimet, qëndrimet si dhe disponimin e palës maqedonase ndaj gjuhës shqipe.

Po atë kohë nga deputetet shqiptar dikush kumtoi një vendim për të punësuar 19 përkthyes shqiptarë që do të merren me përkthim maqedonisht-shqip dhe anasjelltas në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. I luti të gjithë shqiptarët që të paraqiten tek ai në zyret e Parlamentit, pavarësisht nëse janë edhe me shkollë të mesme, vetëm të dijnë që të komunikojnë! Këtu paradoksi zë e lëshon rrema! Përkthyes me shkollë të mesme! Pavarësisht në e dinë gjuhën shqipe!

Ne të gjithë e flasim shqipen por sa e njohim këtë gjuhë?! A e njohim gjuhën e përkthimit dhe cili është ai njohës i shqipes që mendon se di të përkthejë pa e njohur gjuhën jo vetëm të përkthimit por edhe të materies që përkthehet! Përkthyesit profesionistë e dinë fare mire se çka do të thotë gjuha e materies që përkthehet! Gjuha e përkthimit të poezisë dallon nga gjuha e përkthimit të prozës, e të mos flasim nga gjuha e materies së ekonomisë, filozofisë, financave, arkeologjisë, sociologjisë, politikës etj. Nuk është akoma e qartë se cili do të jetë ai kriter sipas të cilit do të pranohen përkthyesit shqiptarë në Parlament!

A e njohin shqiptarët shqipen

Ekziston një përshtypje e përgjithshme se shqiptarët janë më të vetëdijshëm për sa i përket kësaj zeje! Nuk i rreken me aq lehtësi profesionit të përkthyesit, sepse, ose për faktin se nuk kanë përvojë profesionale në këtë fushë ose për faktin se nuk janë njohës të denjë të njërës nga gjuhët në të cilën duhet të përkthejnë. Shqipja është një nga gjuhët më të vështira në familjen e saj të cilën nuk mund ta njohin mirë dhe drejt madje edhe profesorët e sotshëm të gjuhës shqipe e lëre më studentët apo ata me shkollë të mesme. Politikanët duhet rreptësisht të përjashtohen nga e drejta për të folur në emër të gjuhës shqipe apo për të marrë vendime rreth kësaj gjuhe. Pjesa dërmuese e politikanëve tanë, e ministrave, e deputetëve, e funksionarëve, madje, çuditërisht, edhe të pseudo-analistëve, pseudoshkrimtarëve, pseudo-gazetarëve, të cilëve për momentin po ju ecë mirë puna, janë në nivelin e injorancës në raport me gjuhën shqipe. Në Maqedoni, përditë e nga pak po vritet gjuha shqipe, madje, edhe me ligj dhe me vendime zyrtare, natyrisht, si pasojë e injorancës së madhe, si pasojë e mungesës së institutit për gjuhën shqipe, si pasojë e mungesës së lektorëve profesionistë dhe, si pasojë e lejimit dhe të publikimit të materieve pa kurrfarë kontrolli gramatikor, pa kurrfarë sintakse dhe pa kurrfarë njohurish me gjuhën e shkruar shqipe.

Kjo injoranacë, madje fatkeqësisht edhe politika shovene e mosdurimit të shqiptarëve në administratë, ju ka dhënë të drejtë shumë maqedonasve që të mbarojnë fakultetin albanologjik, të cilët, si dikur kinezët në Fakultetin e Gjuhës shqipe në Kosovë, notohen me nota dhjetë. Mbarojnë studimet dhe punësohen si përkthyes, fatkeqësisht nga maqedonishtja në shqip dhe, për pasojë kemi doracak për fëmijë me një shqipe të bastarduar, për më keq, kemi edhe udhëzime të ilaçeve në të cilat mund të gjesh edhe këtë përkthim “dva tri pati na den” – “dy-tre rrugë në ditë”, në vend të “dy-tri herë në ditë”! Fjalën “pat”ose “put” e përkthejnë në “rrugë”, sepse ky është kuptimi në gjuhët sllave!

Maqedonasit me të madhe “po e mësojnë” gjuhën shqipe! Çdo ditë po punësohen si ekspertë të shqipe, ndërkohë që shqiptarët përjetojnë orgazëm tek e dëgjojnë një maqedonas se si flet shqip, pavarësisht se ajo e folur në fakt është një atentat klasik mbi gjuhën shqipe! Asnjë vendim, asnjë institucion, apo, më së paku, asnjë iniciativë për ta mbrojtur gjuhën shqipe në Maqedoni, ku shqiptarët, për shkak të tendencave permanente sllave për asimilim, para se t’i shqiptojnë fjalët janë të detyruar që së pari të mendojnë maqedonisht e pastaj të flasin apo të shkruajnë shqip. Ndaj dhe kemi një sintaksë hibride, të papranueshme, të refuzueshme.

Doracak për mbrojtjen e gjuhës

Nga ana tjetër, ky (anti)standard nuk vlen për gjuhën maqedonase! Përveç që për drejtshqiptimin dhe drejtshkrimin e gjuhës maqedonase kujdesen institucionet përkatëse shkencore, këtu është edhe ligji! Këtë vit u miratua ligji që e degradoi gjuhën shqipe por u miratua edhe ligji për gjuhën maqedonase. Me këtë ligj sanksionohen të gjithë ata që gabimisht e shkruajnë gjuhën maqedonase, sanksionohen të gjitha ato shtëpi botuese që lejojnë të botohen libra maqedonase pa lekturë, sanksionohen të gjithë ato redaksi që e shkruajnë apo e flasin gjuhën maqedonase me gabime gramatikore, morfologjike e sintaksore. Për lektorë nuk mund të punësohen autodidaktë, lektorë amatorë, apo në variantin më të mirë, njerëz që kanë kryer letërsinë apo maqedonistikën! Lektorë mund të punësohen vetëm ata persona që pas studimeve në fakultetet e gjuhës maqedonase do ta kalojnë edhe provimin e lektorit i cila mbahet në Institutin e Gjuhës Maqedonase por që financohet nga Ministria e Kulturës. Për këtë provim çdo vit kjo Ministri ndanë nga 3 milion denarë (mbi 18 mijë euro) honorarë për profesorë të cilët në çdo afat të provimeve nuk kalojnë më tepër se një-dy kandidatë, që do të thotë se kriteri është shumë i rreptë! E çka ndodhë me gjuhën shqipe! Jo që nuk mbrohet të paktën nga profesorët por as nga mediat e as nga institucionet kombëtare apo shtetërore. Agjensionin për nëpunës shtetërore kishte iniciuar kurs për të gjithë nëpunësit për drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e maqedonishtes. Nga viti i ardhshëm duhet që çdo ministri të punësojë lektorë të gjuhës maqedonase. Pra, favorizohet një gjuhë hibride, një gjuhë që nuk është folur kurrë më parë se 40-50 vjet ndërsa anashkalohet një gjuhë e cila në grupin e vet familjar të gjuhëve lirisht mund të vlerësohet si gjuhë më e vjetra në rajon, si një trashëgimi kulturore botërore!

Shqipen po e vrasin edhe maqedonasit edhe shqiptarët. Maqedonishten nuk guxojnë ta vrasin! Do të ndëshkohen të gjithë ata që nuk do ta shkruajnë mirë maqedonishten! Do të ndëshkohen sipas ligjit aktual të cilit i dhanë dritë jeshile edhe deputetët shqiptarë. Jo njëherë maqedonasit, madje që nga premieri e deri te rojtari më i thjeshtë thonë se, gjuha maqedonase është “gjuhë e shenjtë”. Sipas kësaj “të shenjte” do të anatemohen të gjithë ata shqiptarë që do ta përdhosin këtë gjuhë! Aty ku nuk kuptohet gjuha shqipe (edhe nëpër institucione) nuk ka problem nëse nuk përdoret dhe nuk llogaritet si gjuhë zyrtare! Nuk ka ligj që mund t’i sanksionojë, prandaj, shqiptari nëpër ato institucione shtetërore duhet të drejtohet vetëm maqedonisht!

Leave a Reply

Your email address will not be published.