SHTËPIA E ZVARRANIKUT
Ja ku e kemi lirinë
si kafshë të lidhur prapa nevojtores
mbi kulmin e së cilës valon
flamuri kombëtar
dhe e ushqejmë kur t’na bie ndërmend për te
me përralla
me këngë patriotike dhe me poezi
Dhe nuk jemi pak që përkujdesemi për të
në një shtëpi të vogël
jetojmë
katër gjenerata
pesëdhjetëedy anëtarë të familjes
dhe shpesh na vizitojnë nipërit e mbesat
farefisi e miqtë po ashtu
së bashku arrijmë të jemi afër dy milionë
Sa herë të kemi nevojë për ajër të pastër
shkojmë në kafene
apo ikim përgjithmonë në shtetet e huaja
dhe atje bëjmë selfi
Veç thonjtë i presim në oborr
dhe qethemi ndonjëherë
se duart
paj duart i kemi larë qëmoti