ZËRAT QË VIJNË NGA GULAGËT E DIKTAURËS KOMUNISTE

(Rreth librit me tregime “Në anën tjetër” të shkrimtarit Muç Xhepa)

Agim BAJRAMI

“Koha është dhe mbetet e përjetshme, kurse diktaturat dhe njerëzit janë të përkohshëm”. E shkëputa këtë postulat nga monologu i njërit prej personazheve të këtij libri, me mendimin se ndoshta kjo mund të ishte një nga shtysat bazë nga është motivuar autori për të shkruar këtë libër kaq interesant. Dhe nuk e ka pasur keq. Sepse, “Në anën tjetër, tregime Uberi” është një libër që di të rrëfejë në vetën e parë ngjarje dhe ndodhi të dala nga një kohë dhe vend i çuditshëm, ku njerëzve çdo mëngjes u kërkohej të raportonin për ëndrrat që kishin parë gjatë natës dhe më pas të shkelnin mbi to pa mëshirë. Nga një vend, ku njerëzit i ndiqte hap pas hapi syri i “Bigbradhërve” të partisë në pushtet dhe spiunëve të pafund, që gëlonin ngado të hidhje sytë, nga një vend i kthyer në ferr dhe Golgotë, ku për ata që s’dinin ta mbyllnin gojën dhe s’pranonin të zbatonin citatet bolshevike të “Enhaxhuzesë” kishte Spaç, kënetë Maliqi dhe Qafë-Bari.

Në këtë kontekst, krijimet e këtij autori luhaten sa mes tregimeve të mirëfillta artistike, aq edhe mes refleksioneve të gjera dhe të thella për një periudhë kohore të quajtur komunizëm. Edhe për të ashtuquajturën demokraci që erdhi më pas. Pavarësisht emërtimeve të ndryshme, në thelb ato mbesin periudha kohore që pak ndryshojnë nga njëra tjetra, për sa i përket iluzioneve dhe zhgënjimit që mbollën te njerëzit e thjeshtë. Është kjo arsyeja që e ka bërë të vështirë edhe sot e kësaj dite skicimin e një kufiri ndarës mes tyre. Liria e cunguar dhe demokracia vetëm në letër, janë që të dyja dimensione të munguara apo të dhunuara brutalisht.

Në këtë kontekst janë të shumtë autorët e letërsisë së postdiktaturës, që kanë provuar herë pas here të vihen në kërkim të tyre, por pak ia kanë arritur t’ia dalin me sukses. Natyrisht të tilla përfundime janë të pritshme, pasi tema të tilla kaq madhore janë aq të gjera, sa dhe delikate. Kam përshtypjen se libri i Muç Xhepës jo vetëm ia ka dalë t’i pasqyrojë këto mungesa, por edhe të krijojë një lloj komunikimi në distancë, mes realitetit dhe asaj që u pretendua se po vinte. Një arritje e tillë mund t’i dedikohet talentit dhe njohjes së thellë që ka ky autor për këto periudha, duke provuar thellësinë e të vështruarit të gjërave dhe jo tangencialitetin. Pesha e ngjarjeve dhe aftësia pasqyruese e personazheve kanë qenë edhe një plus më tepër për autorin, për materializimin e asaj që ka marrë përsipër të trajtojë. Edhe pse ndonjëherë vihet re një sjellje disi e shkujdesur në strukturën narrative, faktet tregojnë të kundërtën. Autori është gjithmonë në kërkim dhe studim të personazheve dhe individëve të tij. Mjafton vetëm një hollësi e vogël apo një komunikim spontan me një udhëtar të “Uberit”, që rrëfimi i tij të shkruhet dhe formatohet në funksion të ideve të autorit.

Përshkrimet e gjalla dhe të hollësishme të peizazheve të ferrta të ambienteve nga koha e diktaturës, rënkimet e lirisë të mbyllura në kasafortë dhe në gojën e një shqiponje të tjetërsuar nga ylli komunist, klithma e kufomave të masakruara në dekada në kampet e vdekjes të Maliqit, Elbasanit dhe Tiranës, s’janë gjë tjetër përveçse një dekor i trishtë i tragjedive të pafundme të ndodhura në këtë vend. Ky është shkaku që shumicën e personazheve të këtij libri do t’i ndjekë nga mbrapa me kokëfortësi thënia e Longfellout: “Shpresat e mia, si gjethe të thara, bien shpejt”.

Duke qenë një ditar pa data i një shoferi “Uberi”, që lëviz nëpër rrugët e kryeqytetit amerikan, Uashingtonit, bisedat e pafundme me njerëz të profesioneve dhe pasioneve të ndryshme, si: mjekë, artistë, diplomatë, zyrtarë të lartë të departamentit të shtetit, njerëz të thjeshtë, sindikalistë, poetë, senatorë etj., kanë përbërë gjithmonë një gjah të majmë për autorin, por gjëja më me vlerë këtu është aftësia e tij për t’u gjetur atyre, me një saktësi matematikore, homonimet përkatëse, me njerëz nga vendi tij, aq të panjohur për bashkëbiseduesit e tij amerikanë. Pikërisht ky është dhe “kurthi” i këtij libri, brenda të cilit kanë ngecur dhe vazhdojnë të ngecin personazhet reale, të gjallë dhe të vdekur. Kështu p.sh., Magda nga Uashingtoni, e braktisur nga i shoqi, i kujton autorit një histori të ngjashme të një shoqes së tij nga Rrogozhina apo një bisedë e rastësishme me një emigrante kubaneze, që kishte humbur të dashurin gjatë përpjekjes për arratisje, i rikrijon atij portretin e shokut të rinisë, Ilir Mitaren, përballë syrit vëzhgues të operativit të egër Sheme. Lexuesi nuk mund t’i përmbajë emocionet dhe tronditjen e thellë shpirtërore kur njihet me historinë tragjike të ekonomistit Petrit Isufaj, një nga specialistët më të mirë të industrisë së përpunimit të naftës, i cili, vetëm pse guxoi të parashtronte gjendjen mjerane të kolektivit të uzinës ku punonte, iu nënshtrua ndjekjeve dhe persekutimeve të egra dhe çnjerëzore nga organet e Sigurimit të Shtetit. Të së njëjtës peshë dramatike janë edhe fatet e Selim Zymës dhe Hildës austriake, viktima të pafajshme, të cilat i paguan me jetë trillet dhe egërsinë e diktaturës.

Kjo gjë e bën kohën e leximit të këtyre tregimeve të shoqërohet me një gjendje ankthi dhe psherëtimash, që vjen gjithmonë në rritje edhe nga fakti se koha narrative e tij shoqërohet vazhdimisht nga hija kobndjellëse e një kryqi, në të cilën janë gozhduar dhe kryqëzuar me mijëra e mijëra kufoma. Edhe pse zhurmat e kryeqytetit amerikan mundohen ta minimizojnë këtë prani, kujtesa s’mund ta refuzojë kurrsesi. Është kjo kujtesë që i detyron ata të zbresin edhe njëherë nga kryqi, për t’iu nënshtruar procesit të rrëfimit. Janë shpirtra njerëzorë që ende i kanë peng ikjet e tyre të parakohshme nga kjo botë, heronj dhe heroina, të cilat diktatura më e egër në Lindje i gëlltiti dhe i masakroi me një egërsi prej përbindëshi. Tregimet e MuçXhepës gjithmonë kanë provuar të evidentojnë raportet mes individit dhe diktaturës në një shoqëri pa demokraci, dhe ia kanë dalë. Kjo edhe për faktin se autori zotëron aftësi psiko-analitike të veçanta. Depërtimi në pjesët e mjegullta të koshiencës dhe subkoshiencës së individit dhe vendosja e tij në fokus, e kanë ndihmuar në zbulime befasuese. Në portretet e tyre tragjike, autori ka mundur të zbulojë heroiken dhe lirikën e brendshme të tyre. Është një binom me fuqi të jashtëzakonshme, që i ka bërë ata të ngjajnë kaq të bukur dhe fisnikë në sytë e lexuesit.

Le të shqyrtojmë tregimin kushtuar poetit, mjeshtër të sonetit, Uran Kostrecit. Tregimi ka një nisje të thjeshtë, por që gradualisht ngjitet deri në kufijtë e emocionit. Makina që ecën në një peizazh gati-gati fantastik, rruga me dëborë, muzika dhe drita magjike e sonetit hënor, shoqëruar edhe nga historia tragjike e jetës së poetit, të mbeten të gdhendura në kujtesë për një kohë të gjatë. Ose tregimi tjetër, “Valsi vjenez”, kushtuar inxhinierit SelimZyma. Ndonëse një tregim ku forca e tragjikes duket se mund të çajë edhe malin, jo më qëndresën e disa individëve të vendosur në darën e terrorit, përfundimi është në kufijtë e të pabesueshmes. Heronjtë ia dolën përballë saj. Ashtu si në balada, ata u mbështetën fort mbas rrezes së vogël të dritës që vinte nga lart. Si ata dhe shumë të tjerë, Lef Nosi, Emin Haxhiademi, Uran Kostreci, Petro Zheji, Petrit Isufaj, Naim Asllani, Bardhyl Narazani, Mira, Rexhep kino-operatori, Selim Zyma, Hilda, Ismetja, Ilir Mitarja etj. Janë personazhe me një vështrim të bukur, por edhe me një epikë qëndrese në vetvete. Edhe pse makina vrastare e diktaturës i vrau, i dogji dhe persekutoi, ata mbetën gjer në fund të bukur dhe fisnikë.

Cila ishte arsyeja? Arsye ka disa, por më qendrorja ishte se ata ditën të ruanin nga degradimi institucionin e ëndrrës. Vetëm ajo dhe askush tjetër i bëri ata të mbeten të tillë në një kohë të pa kohë. Të ëndërronin edhe kur ishin tetëqind metra thellë në galeritë vdekjeprurëse të Spaçit apo të zhytur gjer në fyt në llucën thithëse të kënetës së Maliqit. Heronjtë e Muç Xhepës janë të ngjashëm vetëm me vetveten, ndonëse më kujtojnë herë-herë heronjtë lirikë të Nizar Qabanit, për të cilët nuk kishte rëndësi sa herë ndalnin orët, por sa herë do të rrotulloheshin ato sërish në të ardhmen. Ndaj është e kuptueshme që refleksionet e herëpashershme të tyre nuk ndodhin për të mbushur kohët e mbetura, por dhe për t’u treguar brezave përvojat e tyre. Nuk mund të ketë të ardhme pa një të shkuar dhe çdo shembull i dikurshëm mund të orientojë realitetet dhe të ardhmet e tyre në autostradat e duhura. Në tekstet narrative të tyre, secili e mishëron vetveten me portretin e atdheut. Edhe pse mund të kenë mbyllur mbas vetes nga një derë gulagu dhe halli, edhe pse i ndjejnë akoma sytë përqeshës të persekutorit apo vrasësit të ëndrrës së tyre, ata vazhdojnë të mbesin sërish të veshur me një mantel të purpurt ideali dhe pastërtie.

Është ky lloj idealizimi që nënshkruan edhe pavdekësinë e tyre, pohon artistikisht dhe në nëntekst autori. Dhe për ta përforcuar më shumë këtë gjë i vesh portretet e tyre edhe me një fragment kënge apo balloje vjeneze. Muç Xhepa është vetë një prej tyre. I burgosur i ndërgjegjes dhe mendimit të lirë për kaq vjet. Kjo është edhe një nga arsyet që portretet e vizatuara prej tij janë kaq të afërta dhe të prekshme për secilin. Në anën tjetër, autorit nuk i durohet pa parodizuar me një theks të ndjerë satire diktaturën dhe veglat e betuara të saj. Hetues, prokurorë, spiunë e vegla të tjera qorre. Ishin ata që vunë në lëvizje makinerinë e saj vrastare dhe vazhdojnë ta bëjnë ende.

Më ka mbetur në mendje portreti prej liliputi i Agim Popës, përballë Makensen Bungos, në orën e gjeografisë dhe ndihem i trishtuar që flas të njëjtën gjuhë me të, sepse janë ata dhe vetëm ata shkaktarët potencialë që sollën rrënimin tragjik të këtij vendi. Zoti marrtë hak mbi ta! Gjuha e tregimeve të këtij libri është e pasur dhe e zhdërvjellët. Dublimi i rrëfimeve dhe bashkëjetesa e dy linjave brenda një tregimi nuk ia ul intensitetin, pasi autori priret nga një e folur gati-gati telegrafike, pasi i jep më tepër rëndësi dialogëve dhe kthesave të befta të situatave. Përdorimi i simbolikave, si cilësi e prozës moderne, është një plus më shumë për të. Libri “Në anën tjetër, tregime Uberi” është një libër që duhet të mbahet në duar, jo vetëm për t’u lexuar, por edhe për të medituar mbi të gjatë, shumë gjatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.