Veprat e Zhan Koktosë ekspozohen në galeritë e famshme botërore të artit, si në Muzeun e Artit Modern të Nju Jorkut, tek Galeria Kombëtare në Uashington DC dhe në Institutin e Artit Courtauld të Londrës
Grigor JOVANI
Erdhi në jetë në periferinë Maizon – Lafit të Parisit dhe u nda prej saj në një periferi tjetër të kryeqytetit frëng, në Mili la Fore, 74 vjeçar. Rridhte nga një familje e pasur dhe u edukua në Liceun Kontorse. Qe më tepër autodidakt, tërhiqte më shumë miqtë dhe të njohurit me stilin karakteristik, në dukje të parë të shkujdesshëm, por thellësisht të informuar nga njohuritë që kishte për kubizmin, psikoanalizën dhe katolicizmin. “Poetët nuk vizatojnë, – tha dikur për veprat e artit, – shpalosin dorëshkrimin e tyre, pastaj e mbledhin prapë, por ndryshe…”
Ka qenë një artist poliedrik në kohën midis dy luftërave botërore, anëtar i avangardës franceze. Poet, romancier, dramaturg, piktor dhe regjisor kinematografik. Iu përkushtua Teatrit Psikologjik dhe u përfshi në rrymën e neoromantizmit. Pasioni i tij ishte rindërtimi dhe interpretimi hiper-realist i miteve të antikitetit grek, siç qenë ato të Edipit, Orfeas, Antigonit etj. Ndër veprat më të shquara kinematografike ka “Bukuroshja dhe Bisha” edhe “Prindër të tmerrshëm” (sipas veprës teatrore).
I talentuar qysh herët në artet, sidomos në ato të shkrimit, Kokto botoi përmbledhjen e parë poetike më 1909, të titulluar “Llamba e Aladinit” (La Lampe d’ Aladin). Ishte vetëm 18 vjeçar. Bota frënge e Letrave ia provoi talentin e dukshëm edhe në përmbledhjet e tjera poetike: “Princi i paqëndrueshëm” (1910), “Vallja e Sofokleut” (1912) dhe “Kepi i Shpresës së Mirë” (1919). Ajo që ra më tepër në sy në këto libra ishte brishtësia e ndjenjave, stili origjinal dhe fantazia e pasur.
Hiret poetike i transmetoi edhe tek proza. Zaten, tek gjithë vepra e tij, sidomos tek romanet, por edhe tek botimet filozofike dhe eseistike, ndihet një ndjenjë naiviteti fëmijëror, bashkë me agoninë e përhershme të kërkimit. Shembulli më i mirë janë romanet “Thoma mashtruesi” (Thomas l’ imposteur, 1923) dhe “Fëmijë të tmerrshëm” (Les Enfants terribles, 1929).
Viti 1923 shënon startimin në Teatër, me veprën “Të porsamartuarit e Pirgut Ejfel” (Les Mariés de la Tour Eiffel). Këtu ndihet tendenca e tij karakteristike: një prirje largimi nga stili i realizmit që mbizotëronte dramaturgjinë dhe zhvillimi i vlerës së vetë-qëllimit në artin teatror.
Në vazhdim u shpall në favor të ideve më novatore, mbështet artistët avangardistë dhe shfaqet gradualisht ithtar i “izmave” që kaluan mbi fytyrën e artit frëng të kohës: futurizmit, surealizmit, kubizmit dhe dadaistizmit: Të kësaj periudhe janë veprat e njohura: “Romeo dhe Zhuljeta” (1924), “Orfeu” (1927), “Antigoni” (libret për operën e Honegerit) dhe “Edipi tiran” (libret për operën e Igor Stravinskit) – të dyja më 1928.
I ndikuar prej rrymës surealiste dhe avangardistët e artit abstrakt në pikturë dhe skulpturë, Kokto eksperimenton transferimin e këtyre ideve dhe praktikave në teatër. Kështu lindën veprat “Parada” (1917) me skenograf Pablo Pikasonë dhe muzikë nga Erik Satie, si edhe “Kau në çati” (1920) me skenografi të Dufusë dhe muzikë nga Darius Milo. Për sa i përket letërsisë, vepra e Koktosë u ndikua nga Edmon Rostan, Raimon Radige, kontesha de Noaiy, por mbi të gjithë nga Andre Zhid, me të cilin e lidhi një miqësi e madhe dhe produktive. E veçanta është se Kokto nuk u mjaftua me shkrimin e veprave, mori pjesë edhe vetë në ngjitjen e tyre në skenë, si aktor, producent, skenograf. Për nevojat e skenës shkroi edhe skenarë baleti, cirku, muzikale, skenarë kinematografikë (siç qe ai për filmin surealist “Buluroshja dhe bisha”).
Bashkëpunoi me emra të famshëm të arteve të ndryshëm, si Fransua Kopo, kompozitorin Artur Honeger, piktorët e mëdhenj të kohës Pikaso dhe Modiliani, me koreografin dhe regjisorin e madh rus, Serzh Diagilev, krijuesin e “baleteve ruse” etj. Duhet theksuar këtu miqësia e tij e gjatë me Pablo Pikason, biles ishte kumbarë në dasmën e piktorit avangardist spanjoll me Olga Hohlovën. Miq të tjerë të famshëm të Koktosë qenë edhe Marsel Prusti, Andre Zid dhe stërnipi i Viktor Hygosë, Zhan. Prej vitit 1937 e gjersa vdiq e lidhte një miqësi e ngushtë (edhe erotike) me aktorin e njohur Zhan Mare.
Vdiq më 1963, një ditë pas Edit Piafit. Shiko ç’trille të çuditshme luan fati: Zhan Kokto dhe Edit Piaf ishin njohur më 1940, kur Piaf luajti mrekullueshëm “Të bukurën e pakorruptuar”, që Kokto e kishte shkruar posaçërisht për të. Andej e tutje i lidhi një miqësi e pandarë. Bashkë shkuan në përjetësi, me një ditë diferencë. Sot veprat e Zhan Koktosë ekspozohen në galeritë e famshme botërore të artit, si në Muzeun e Artit Modern të Nju Jorkut, tek Galeria Kombëtare në Uashington DC dhe në Institutin e Artit Courtauld të Londrës.
DEKALOGU I KOKTO-së
Shkrimtari dhe artisti i famshëm Zhan Kokto u bë personalitet i rëndësishëm i kulturës frënge qysh në të 17-tat e tij. Stigmatizoi epokën e vetë me kureshtjen e pashuar, me dëshirën për të eksperimentuar të renë. Shumë gjëra mund të thuhen për të, por si të biem në një “rezyme” sa më të saktë se kush ishte? Kritika frënge dhe ajo botërore e artit ka zbuluar 10 gjëra, ku mund të mbështetemi, për të njohur sa më mirë këtë artist të jashtëzakonshëm.
1. RITI I PRANVERËS. Më 1913 Kokto pa premierën e “The Rite of Spring”, baletit të famshëm që veshi me muzikën e tij Igor Stravinski. I tronditur nga një shfaqje e tillë novatore, që nuk përputhej me rregullat ekzistuese të krijimit, ajo ishte një zbulim i madh për Koktonë. Pasi përjetoi këtë atmosferë, Kokto shkroi dhe ilustroi veprën “Le Potomak”, e cila konsiderohet vepra e tij e parë e rëndësishme. Më vonë ka shkruar: “Puna ime fillon me “Le Potomak”, është si të thuash prologu”.
2. ARTI I KURIOZITETIT. Ç’nuk përmbante menyja e tij artistike! Shkrimtar, piktor, kineast, skenarist, skenograf… Arketipi i artistit poliedrik! Provoi talentin edhe tek mozaikët, qeramikën, gjer edhe tek mjeshtëria e tekstileve, sikundër është tapeciria. Edhe pse e konsideronte veten në radhë të parë poet, arti i tij është mbi të gjitha ai i… surprizave. Ky art e ka zanafillën kryesisht prej… kureshtjes.
3. AFËRSIA E DHIMBSHME ME VDEKJEN. Erdhi në kontakt me vdekjen në një moshë të vogël, i ati iu vetëvra kur ishte vetëm 9 vjeç. Vite më vonë humbi një mik të afërt, prozatorin dhe poetin Raymond Radiguet, që vdiq më 1923, duke zhytur Koktonë në një dëshpërim të thellë. Megjithë mundimet që i ka shkaktuar vdekja, ballafaqimi dhe përballimi i dëshpërimit e mbushi njëkohësisht me një mirënjohje të thellë për jetën. Kjo u shpreh mrekullueshëm në veprën e tij.
4. ZHAN MARE & ZHAN KOKTO – NJË TAKIM DASHURIE DHE KRIJIMTARIE. Gjatë një audicioni për “Edipin mbret” më 1938, Koktoja njohu aktorin e famshëm frëng Zhan Mare. Mare ishte 24 vjet më i ri se ai. U mrekullua prej tij dhe u dashuruan reciprokisht. Ishte njëkohësisht edhe zanafilla e një bashkëpunimi të bukur artistik. Vitin që u njohën, Kokto shkruante “Prindërit e tmerrshëm”, që kur u ngjit në skenë nxiti së tepërmi karrierën e Maresë. Pastaj, prej këtij bashkëpunimi lindën “Përbindëshat e shenjtë”, “Bukuroshja dhe bisha” dhe “Kthimi i përjetshëm”.
5. PRODHUES PRODUKTIV DHE I PALODHUR. Ishte i pashtershëm dhe shumë prodhimtar. Një makinë krijimtarie. Kishte aftësinë të shkruante kryevepra në kohë rekord. Kështu ndodhi me “Fëmijët e tmerrshëm”, vepër që e shkroi për 17 ditë. Nëntë vite më vonë i erdhi radha “Prindërve të tmerrshëm”, që e përfundoi për 8 ditë.
6. FITUES I RREGULLT ÇMIMESH. Fama e talentit të Koktosë u shpërblye në mënyra të ndryshme. Natyrisht, me çmime të shumta e të shpeshta. Mori “Legjionin e Nderit” më 1949 dhe ishte anëtar i Këshillit Kritik të Festivalit Ndërkombëtar Kinematografik të Kanës katër vjet më vonë. Më 1955 u bë anëtar i Akademisë Franceze, kur mori vendin e Jérôme Tharaud.
7. DEMONËT: HIDHËRIMI DHE VARTËSIA PREJ TIJ. Dashuria e parë e Koktosë dhe mbase më e rëndësishmja ishte Raymond Radiguet. Hidhërimi për vdekjen e tij e zhyti në një depresion të thellë. Filloi të merrte opium. U shtrua në një klinikë, por nuk arriti kurrë ta ndalojë. Shumë vepra që shkroi (“Shtëpia e shëndetit”, “Opium”, “Ditari i një kurimi”) janë dëshmitare të marrëdhënies që kishte me narkotikët, i përpjekjeve pa sukses për t’u çliruar prej tyre.
8. IKONË E KOHËS SË VETË. Asnjë bashkëkohës nuk vuri në dyshim talentin e Koktosë. Qysh nga 1909-a njohu sukses të madh. Ishte takimi i tij i parë me Édouard De Max, i cili i hapi portat e botës letrare dhe artistike. Dhe ku, në Parisin e qindra erërave artistike nga e gjithë bota… Gradualisht u bë mik dhe bashkëpunëtor i njerëzve më të mëdhenj të artit në atë kohë: Apollinari, Coco Chanel, Marcell Prust, Pol Elyard, Edit Piaf, Toso e shumë të tjerë. Fakt është se Kokto u çmua shumë nga bashkëkohësit.
9. NJË FËMIJË I PËRJETSHËM. Edhe aty nga fundi i jetës së vetë, Kokto linte shpirtin e tij fëmijëror të fliste. Kishte ruajtur një mënyrë të çrregullt jetese, që i karakterizonte vitet e fëmijërisë. Edhe në moshë të shkuar, e mahnisnin basmat dhe tapiceritë me stampa panterash. Edhe trupin e vetë kishte vizatuar me këto motive…
10. LETËRSIA – ARRATISJA E TIJ. Ishte një karakter shumëplanësh dhe i ndërlikuar. Eksplorues, i zhvilluar, i munduar, i tejndjeshëm. Rizbulon vetveten vazhdimisht, për të shijuar sa më mirë artin. Por jo gjithmonë mirëqenien e tij personale. Letërsia e tij brilante funksionoi si shërim në jetë. Ishte një arratisje e vërtetë nga realiteti, e ndihmoi të përballonte shumë vështirësi.
REZYME
Avangardist i vendosur, Kokto stigmatizoi epokën e tij me mënyrë origjinale. Akoma edhe sot vepra që krijoi arrin të prekë dashamirët e artit dhe letërsisë kudo në botë, i frymëzon të tentojnë novatoren. Të tejkalojnë vetveten. Mbi të gjitha, Kokto të jep mundësinë të shikosh përtej fenomeneve. Sepse, siç i pëlqente të thoshte: “Pasqyrat do të ishte mirë të reflektonin ca më shumë, para se të na kthenin pas ikonat…”
(Athinë, tetor 2024)