Poezi: Nizar KABBANI

TI SHKRUAN POEZI, UNË VETËM VENDOS EMRIN!

Nuk kam i fuqi të të ndryshoj
dhe as të të shpjegoj…
Mos beso asnjëherë se burri mund të ndryshojë një grua,
dhe as fantazitë e burrave që pretendojnë…
se kanë krijuar gruan nga brinja e tyre.
Gruaja nuk mund të dalë nga brinja e burrit,
por është burri ai që del nga barku i saj
Siç del peshku nga thellësitë e ujit.
Është ai, që shkëputet prej saj
siç ndahet rrëkeja prej lumit
Është ai që sillet rrotull diellit të syve të saj…
dhe i ngjan, se qëndron në zyrë i ulur.

Nuk jam i aftë të të mësoj asnjë gjë,
kraharori yt është mishërimi i dijes,
buzët e tua janë mishërim i historisë së verës…
Ti je një grua e plotësuar
Vaji yt, është prej teje
Gruri yt, është prej teje
Zjarri yt, buron prej teje
Vera jote, dimri yt,
vetëtima jote, bubullima jote,
shiu yt, dëbora jote,
dallgët e tua, valët e tua…të gjitha burojnë prej teje.

Unë s’kam fuqi të të zbus,
dhe as të ndryshoj instiket e tua…
ky është një mision i pamundur.
Testova me ty inteligjencën time
Dhe marrëzinë time gjithashtu.
Por as udhëzimet , as joshja nuk solli dobi.
Qëndro primitive, ashtu siç je.

Qëndro e qeshur, ashtu siç je.
Qëndro e vrullshme, ashtu siç je.
Ç’do t’i mbetej Afrikës,
nëse i marrin erëzat, apo tigrat e saj?
Po gadishullit Arabik ç’do ti mbetej,
nëse prej tij marrin burimet me naftë..
ose hingëllimat e kuajve Arabë?

Unë nuk kam fuqi , ti thyej zakonet e tua,
e tillë je ti,  prej tridhjetë vitesh,
prej treqind vitesh,
prej tremijë vitesh…
Je një stuhi e mbyllur në shishe,
një trup që e ndjen aromën e një burri natyrshëm,
që e sulmon atë natyrshëm,
Dhe që natyrshëm fiton mbi të.

Mos iu beso fjalëve që burri thotë për veten:
Se… “ është ai që i shkruan poezitë”,
Se… “ është ai që i bën fëmijët”…
Në fakt ,është gruaja ajo që i bën poezitë
burri vendos vetëm emrin e tij në fund.
Është gruaja ajo që sjell në jetë fëmijët,
ndërsa burri vetëm firmos në maternitet…
që është bërë baba.

Unë nuk jam i aftë, të ndryshoj natyrën tënde,
tek ty,  nuk ndikojnë librat e mi.
Bindjet e mija, nuk të bindin ty,
as këshillat prindërore nuk kanë dobi.
Ti je mbretëresha e kaosit, e marrëzisë, si përket askujt…
Atëherë, qëndro e tillë !
Ti je pema e feminilitetit që rritet në errësirë,
që s’ka nevojë për ujë , as diell.
Ti je princesha e detit, që deshi të gjithë burrat,
por nuk deshi asnjërin.
Që ke fjetur me të gjithë burrat, por s’ke fjetur me asnjë.
Ti je gruaja beduine, që ka shkuar me të gjitha fiset
dhe është kthyer e virgjër.
Qëndro kështu siç je…

NJE LETËR NGA NËN UJI!

Në qofsh miku im më ndihmo
që të largohem nga ti.
Në qofsh i dashuri im , ndihmomë
të shërohem nga ti.
Nëse do ta dija dashurinë kaq të rrezikshme,
nuk do dashuroja.
Nëse do ta dija detin kaq të thellë,
në të , s’do lundroja.
Nëse do ta dija se ky është fundi
kurrë nuk do filloja.

Më përzhiti malli, ndaj mësomë
të mos përvëlohem.
Më mëso si ti pres gjer në rrënjë
rrënjët e dashurisë për ty.
Se si vdes zemra, si vetëvritet dashuria …
Mësomë, si vdes loti në sy .

Në ke fuqi, më shpëto
nga ky det me stuhi,
sepse nuk di të notoj.
Dallga blu në sytë e tu, më tërheq thellë e më thellë.
Dhe unë nuk kam përvojë në dashuri,
nuk kam as ndonjë varkë të lundroj.
Në më ke të shtrenjtë, zgjatma dorën.
Unë jam e dashuruar në ty, kokë e këmbë,
aq sa po marr frymë dhe nën ujë.
Unë po mbytem,
po mbytem,
po mbytem…

E PARA FEMËR, I PARI BURRË!

Më ngjan, sikur je e para femër
që u shfaq prej miliona vjetësh .
Dhe unë – i pari burrë që dashuroi një grua
që prej miliona vjetësh.
Mendoj se e njoh mirë k’të fytyrë, këto buzë.
Se…gjatë pushimeve, mblidhja pambuk te bardhë
në pemën e shtatit tënd të lartë.
Më ngjan sikur të pashë këmbëzbathur k’të mëngjes
teksa dilje nga thellësitë e detit
e stolisur si nimfë e mermertë.

Më ngjan, sikur të kam dashur para ekzistencës së dashurisë…
që kam shkruar poezi , përpara ekzistencës së poezisë,
përpara çlirimit të Shamit.
Më ngjan, sikur u martova me ty ,
dhe fëmijë në ngjyrë ëndrrash sollëm në jetë
Shkruam poema, poezi dhe yje…
shtuam një fis me pëllumba dhe drerë .

Më ngjan, sikur të kam takuar
përpara kohës së Kananëve,
përpara epokës Greke,
përpara epokës Fenikase,
para matjes së kohës dhe emërtimit të ditëve
Më ngjan, sikur ke qenë gruaja ime
që prej miliona vitesh.

LETRA E TETË!

Vallë, cila je ti moj grua?!
Moj e futura si kamë në historinë time të jetës.
Moj e bukura si sytë e lepurit.
Moj e buta  si pushi i pjeshkës.
Moj e brishta si degë jasemine.
Moj e pastërta si gushore fëmijësh.
Moj e mahnitshme, si fjalët…
dil nga fletët e fletoreve,
nga çarçafët e shtratit tim.
Hiqu nga filxhanët e kafeve,
nga lugët e sheqerit, dil.
Dilmë nga kopsat e këmishës,
nga të palosurat e shamisë së dorës
Nga furça ime e dhëmbëve,
nga shkuma e sapunit të fytyrës…
Dil nga të gjitha gjërat e mija të vogla,
që të mundem të dal për në punë…

MË I BUKURI LAJM!


Shkrova : “ Të dua” mbi murin e hënës.
Të dua shumë,
siç nuk të deshi njeri asnjëherë.
A nuk e lexon në vijat e mija të dorës?

A nuk lexon mbi murin e hënës,
mbi stolat në park,
mbi trungjet e pemëve,
mbi degët, mbi tryeze, mbi frytet,
dhe mbi planetët ku fshij pluhurin e udhëtimit.

Gdhenda :” Të dua “ mbi gurët magjikë.
Gdhenda kufijtë e qiellit dhe të fatit.
A nuk arrin ta shohësh
në petalet e luleve,
mbi shpat, mbi lum, mbi urë
në guaskat e detit, në piklat e shiut?

A nuk e shikon,
në çdo degë, guriçkë e gur?
Në fletoren e diellit kam shkruar
lajmin më të bukur:
“ Të dua shumë “
Ah, sikur ta kishe lexuar…

(Përshtati nga gjuha arabe, Artan Almeta)

Leave a Reply

Your email address will not be published.