Poezi: Jeff Weddle
MANIFESTI
Për kë të shkruajmë, nëse jo për njerëz?
Profesorët, predikuesit dhe shefat
nuk na duan dhe nuk kanë nevojë për ne.
Ata janë të mbushur me dogmat e shekujve.
Çfarë leverdie do të kishin prej poezie?
Pyetni profesorët dhe ata do të thonë
e dinë se çka është poezia, dhe çka nuk është
dhe kujt i lejohet ta shkruajë. Në pidh të s’amës
le të shkojnë.
Pyetni predikuesit dhe ata do të thonë
vargu i urryer i dymijë viteve të kaluara
është i mjaftueshëm për të na mbajtur të gjithëve të ngopur,
duke dhjetuar, të frikësuar dhe nën kontroll. Në pidh
të s’amës le të shkojnë.
Pyetni shefat edhe ata do të thonë
se nuk marrin vesh gjë nga poezia
dhe duan që asgjë të mos ndryshojë
as për ta dhe as për punëtorët e tyre.
Trutrumcakëve u pëlqejnë trutrumcakët dhe,
bile edhe më shumë, turrja pas parasë. Në pidh
të s’amës le të shkojnë.
Por punëtorët, disa prej tyre,
kanë nevojë për atë që ne ofrojmë,
bile edhe nëse e kuptojnë poezinë.
E njëjta gjë vlen për të varfërit,
të harruarit, të dëbuarit.
Është e vërtetë për të rinjtë ende të paregjur
me rutinë dhe rrena.
Është e vërtetë për shpirtin e lirë,
kërkuesit, të trishtuarit, të vetmuarit, të zgjuarit,
të çuditshmit, tinëzakët në errësirë,
të harlisurit, paranojakët, maniakët seksual,
narkomanët, pijanecët, të çmendurit
dhe të hareshmit.
Është e vërtetë për planetin tonë të pushtuar,
duke u vrarë minutë pas minute
nga përsëritja e pamend e së djeshmes.
Njerëzit kanë nevojë për poezi
bile edhe nëse nuk e kuptojnë fort mirë.
I rrini në besë poezisë, vëllezër dhe motra.
Shkruani ëndrra dhe vizione të reja.
Ky është melhemi që ne sjellim.
Kjo është ajo që mban dritën e botës.
VRITMË NËSE KE KOQE
Unë nuk u besoj librave që i kam lexuar
as flamujve të vendit tim
as flamujve të shtetit tim
dhe po qe se qyteti im ka një flamur
as atij nuk i zë besë.
Jam mosbesues ndaj zogjve të caktuar
dhe shumë fëmijëve.
Vashat më trembnin kur isha i ri
dhe më në fund e kam kuptuar
se nuk kisha faj.
Unë nuk u besoj këngëve tua patriotike
bile as slloganeve tua finoke.
Vritmë nëse ta merr mendja.
Nuk besoj se ke koqe.
Ngandonjëherë besoj në filma,
nëse janë përnjëmend filma të mirë
mbi krimet serioze dhe femrat fatale,
ose, edhe më mirë, Porky Pig.
Kryesisht shikoj në horizont
dhe pyes veten pse shikimi i një gjëje të tillë
mund të ketë rëndësi.
Dhe po kërkoj kafe në kuzhinë
dhe shikoj orën time për justifikime
dhe i rrëmbej librat me grusht
dhe aty-këtu e lexoj nga ndonjë rresht
dhe pastaj ndaloj dhe përpiqem të fle.
Unë besoj në ëndrrat e mia më të thella,
në ato që vijnë rrallë.
Po kërkoj rrugëdalje nga këtu,
dëshira ime më e rëndësishme që kam pasur ndonjëherë,
ama nuk besoj se do të realizohet ndonjëherë.
Përktheu: Fadil Bajraj