AA224349 cucina 178 243 300 2098 2875 Scala di grigio

Poezi: Ezra POUND

PORTRAIT D’UNE FEMME

Mendtë tua dhe ti jeni Deti ynë Sargaso,

Londra u trazua shkaku yt bash këto vite

Dhe anijet shpresëplota ta lanë këtë apo atë si shpagim:

Idetë, thashethemet e moçme, cikërrimat e të gjitha gjërave,

Zënkat e çuditshme për dije dhe çmimet e zbehta të mallrave.

Mendjendriturit të kanë kërkuar – në mungesë të dikujt tjetër.

Ti gjithmonë ke qenë e dyta. Tragjike?

Jo. Ti e preferoje këtë si gjë të zakonshme:

Një njeri i mërzitshëm që të mërzit dhe i nënshtruari i gruas,

Një mendje mesatare – me nga një mendim më pak, secilin vit.

Oh, ti je durimtare, të kam parë se si rrije

Me orë, ku diç ka mundur të ketë flluskuar.

Dhe tash ti e paguan sall një. Vërtet, ti paguan për bukuri.

Ti je person i njëfarë interesi, njeriu vjen te ti

Dhe ta merr me vete fitimin e çuditshëm:

Trofetë e grumbulluara: dofarë sugjerimesh kureshtare;

Fakt që s’të çon askund; një rrëfenjë a dy,

Shtatzëne me madërgona, apo me diç tjetër

Që mund të dëshmohet si diç e dobishme e megjithatë kurrë s’dëshmohet,

Që kurrë s’hyn në punë e as që sjell farë dobie,

Apo që gjen çastin e vet në shfaqjen e ditëve;

Vepër e mrekullueshme e moçme, e njollosur, e pispillosur;

Idhujt dhe qelibari e zbukurimet e rralla,

Këto janë pasuritë tua, depozita jote e madhe; e megjithatë

Për tërë këtë thesar deti i gjërave gjethrënëse,

Pyjet e çuditshme përgjysmë të qullura, dhe gjëja më e re shpresëdhënëse:

Në rrjedhën e ngadalshme të dritës së ndryshme dhe të thellësisë,

Jo! në to s’ke gjë! Para së gjithash e tekembramja,

Asgjë s’është bash e jotja.

Megjithatë kjo je ti.

CANTO XIV

Io venni in luogo d’ogni luce muto;

Kundërmimi i thëngjillit të lagur, politikanët

……..e dhe ……….n, kyçet i

                                    kanë të lidhur për noçka,

Qëndrojnë cullak,

Në prapanica fytyra të pispillosura,

            në bythën e lëmuar syri i zgurdulluar,

Çufra si mjekër u rri varur,

U drejtohen masave përmes birave të bythës,

U drejtohen shumicës në baltë,

            kërmijtë, salamandrat, larvat,

Dhe me ta …….r,

            shaminë e bukës të pastër si loti,

E ka paluar përposh penisit,

            dhe …………m

Ai që neveritej nga gjuha e folur,

Jakat e kollarisura, por të ndyta,

            të lidhura rreth këmbëve,

Lëkura me qime, plot puçrra

            përtej cepit të jakës ka dalë,

Matrapazët pijnë gjak të ëmbëlsuar me mut,

E pëmbas tyre……….f dhe financierët

            me zinxhirë të çeliktë i fshikullojnë.

Edhe tradhtarët e gjuhës

            ………….n dhe tarafi i gazetarisë

Ata që gënjyen për para;

çorodat, çoroditësit e gjuhës,

            çorodat, që etjen për para

E kanë vënë mbi kënaqësitë epshore;

ulërijnë, shtypshkronja si të ishte kotec pulash,

                                    rraptim presash,

shpërthim i pluhurit të thatë dhe i letrave të shpërndara,

erë e keqe dhe djersë, kundërmim portokajsh të kalbur,

bajgë, kallumja e mbrame e gjithësisë,

mysterium, acid squfuri,

shpirtpaktët, tërbohen;

hedhin margaritarë në baltë,

            dhe ulërojnë ngase balta nuk ngjitet për ta;

nënat hasetqare shtyjnë çikat e veta në shtretërit e jetosve,

dosa që hanë këlyshët e vet,

e aty pllakati ΕΙΚΩΝ ΓΗΣ,

            atje: NDËRROHET PERSONELI,

shkrihen si dyll i pistë,

                        qirinj të dobësuar, bythë të mefshta,

fytyrat të zhytura në tul,

E në llumin përfundi tyre,

të ndarë, taban në taban,

pëllëmbë me pëllëmbë, agjentprovokatorët

Vrasësit e Pearsit dhe MacDonaghut,

                                    kapiteni H. shef i xhelatëve;

Jashtëqitje e ngurtësuar që dikur ishte Verres,

            sektarë, Calvin dhe Shën Klementi i Aleksandrisë!

bumballat që futen në mut,

Dhe i shkallmuar, llumi plot troshka,

kontura të humbura, erozione.

                        Përmbi qelbje-ferri

birë e madhe bythe,

            që vuan nga majasëlli,

stalaktite të varura,

            i yndyrtë si qielli mbi Uestminster,

të padukshëm, shumë anglezë,

            vend jo interesant,

mjeri, rrënim i plotë,

luftëtarët e veseve, pordhin nëpër mëndafsh,

përshëndesin me simbole krishterimi,

. . . . . . . . tund në pipin e hamamtë,

Mizat shpërndajnë lajme, harpitë dhiejnë në fluturim,

Batak rrenësash të kulluar,

            hale budallallëqesh,

budallallëqesh keqdashëse, e budallallëqe,

Qelb që vlon nga mutsihanet, përplotë parazitë,

skrajat e cohta lindin skraja të të gjalla,

            pronarë skutash të ndyta,

kamatamarrësit që qijnë morra, këlyshë pushteti,

pets-de-loup, rrijnë ulur në  stivat e librave të ngurtësuar,

me filologji mjegullojnë tekstet,

            që me veten e tyre i fshehin,

ajri pa asnjë kënd qetësie,

            luzmë morrash, dalja e dhëmbëve,

dhe mbi të oratorë që ta thijnë karin,

            gromësirje bythe predikuesish.

                        Dhe Individia,

mitosje, myk dhe kërpudhë,

shtazë jargavelle, eshtra të shkrirë,

kalbje e ngadalshme, djegie infektuese,

            bishta të përtypur cigaresh, pa dinjitet, pa tragjedi,

…….m Episcopus valëvit kondomin plot buburreca të zinj,

monopolistët, penguesit e dijes,

            penguesit e shpërndarjes.

HEW SELVIN MAUBERLY (IX) ZOTI NIXON

Në kabinën e praruar të jahtës së tij

Zoti Nixon më këshilloi me  dashamirësi si të përparoj

Me sa më pak mund. “Kij parasysh recensentët, merri me të mirë.”

“Isha i varfër siç je ti;

Kur ia fillova, natyrisht, mora

Paradhënie, së pari pesëdhjetë”, tha z. Nixon,

Më dëgjo, mbaje një rubrikë në gazetë

Makar edhe të punosh kot.

Bëju lajka recensentëve. Nga pesëdhjetë arrita në treqind

Brenda tetëmbëdhjetë muajsh;

Halë në sy më kishte

Zoti Dundas.

Kurrë s’përmenda njeri veç kur doja

Gjërat e mia t’i botoja.

Kjo është këshilla më e mirë, e sa i përket letërsisë

Ajo njeriut s’i ofron kolltuk.

Dhe askush s’mund ta dallojë, në shikim të parë, kryeveprën.

Dhe çoji duart nga vargjet, biri im,

Se kush hairin s’ua pa.

Më pati këshilluar dikur një mik i Blugramit:

Zor është të mbetesh ujk në mesin e dallkaukëve.

Mbaje mend.

“Të nëntëdhjetat” njësoj si ti provuan

Dhe dështuan, se hair nuk ka prej kësaj pune.

UDHËZIMET E MËTUTJESHME

Ejani, këngët e mia, t’i shprehim huqet tona të mbrapshta,

Ta shprehim smirën tonë ndaj njerëzve me punë të përhershme,

            që s’kanë gajle për ardhmëri.

Keni nge, këngët e mia.

Druaj se fundi do t’ju vijë si mos më keq.

Sorrollateni rrugëve,

Shpesh ndaleni nëpër kënde dhe vendndalime të autobusëve,

Vërtet me asgjë s’merreni.

Bile as nuk i vini në dukje cilësitë tona të brendshme;

Si mos më keq do t’ju vijë fundi.

E unë?

Gjysmë i shkalluar,

Aq shumë ju kam folur,

            gati po ju shoh rreth meje,

Kafshë të paturpshme, faqezeza, lakuriqe!

Po ju, këngët e mia më të reja, ende s’jeni

Aq të vjetra sa për të sjellë shumë dëme;

Do t’ua gjej një pallto të gjelbër prej Kine

Të qendisur me dragonj,

Do t’ju gjej pantallona pëlhurë purpuri

Nga shtatorja e Krishtit të vockël në Santa Maria Novella,

Të mos na thonë se nuk kemi shije,

Apo se nuk ka shik në këtë familje.

IONA, QËKUR E VDEKUR

Të boshatisura janë rrugët

Të boshatisura janë rrugët e kësaj toke

Edhe lulet kokëvarur përkulen

Kot përkulen

Të boshatisura janë rrugët e kësaj toke

Ku Iona

Shëtiste njëherë e tash s’shëtit më

Por duket sikur personi i posashkuar.

MONUMENTUM AERE, ETC.

Thoni se jam tepër i vetëdijshëm,

Se në petk të krenarisë po kapardisem.

Në vitet e ardhshme askush s’do ta kujtojë buffon,

Askush s’do t’i përmendë pjesët e mia të parëndësishme,

Do të zhduken hollësitë qesharake.

E sa u përket juve, në dhe do të kalbeni,

Dhe është pikëpyetje se a do të jetë kalbësira e juaj aq e begatshme

Që mbi varr barin

T’ua rrisë.

Përktheu: Fadil BAJRAJ

Leave a Reply

Your email address will not be published.