Poezi
Bob Dylan
BALADA E DONALD WHITE
(Historia e trishtë e një vrasësi)
Emri im është Donald White siç e shihni,
para jush po qëndroj,
i dënuar për vrasje, dhe së shpejti
koka ime në duar të xhelatit do të jetë.
Kur të kem dhënë shpirt
atje lart hëna butësisht do të ndriçojë,
këto janë fjalët e fundit
që do t’i dëgjoni nga goja ime.
Nga shtëpia ime në Kansas
u largova kur qeshë fare riosh
për të zbarkuar në veriperëndim,
në Seatël të Uashingtonit.
Bëra gjithë ato milje udhë
por kurrë s’gjeta një mik për të qenë,
megjithëse shumë njerëz takova
ata në shoqërinë e tyre s’më pranuan.
Sikur të mund të arsimohesha
në fillimet e mia,
tani do të isha doktor i njohur
apo mjeshtër i ndonjë arti.
Por ç’e do që duart i përdora
për vjedhje në rininë time,
s’kalojë shumë, ata në birucë më mbyllën.
Ja, kështu filloi jeta ime…
Oh, mes atyre të burgosurve
gjeta njerëz të sojit tim,
aty prapa hekurave
mendja ime sikur gjeti paqen…
Në këtë botë të madhe
rreziku është aq afër kudo,
në këtë botë ku secili çapitet për liri
për mua rreziku më i madh qe në shoqëri.
U kërkova atyre në Institucion
të më dërgojnë
por më thanë se ai ishte mbushur i tëri,
mua s’mund t’më gjendej një vend…
U ula në gjunjë, iu përgjërova:
“Oh, ju lutem më nxirrni që këtej”,
por ata s’donin ta dëgjonin lutjen time
dhe asgjë që unë thosha.
Ndodhi në prag të Krishtlindjeve,
qe një mbrëmje e vitit ‘59
kur vrava një njeri,
nuk u përpoqa ta fsheh këtë.
Juria më shpalli fajtor
s’kam si t’i ikë këtij dënimi,
dhe sado që të protestoj
a mundem gjë të ndryshoj?
Ndihem mirë që s’i kam prindërit
për të më parë si jam katandisur
dhe për të derdhur lot për mua,
s’do e dinë ç’vdekje e tmerrshme më pret.
Jam i lumtur që as miq s’kam pasur
që tani të turpërohem para tyre,
ata s’do ta shohin kurrë kokën time
teksa në duart e xhelatit përfundon.
Lamtumirë o pyje veriore
brodha aq shumë nëpër ju,
lamtumirë mejhane të mbushura
që shtëpia e streha ime keni qenë.
Lamtumirë dhe ju o njerëz
që sado pak ndjeni dhimbje për mua,
disa nga ju edhe do të ndiheni mirë
kur të më shihni të varur atje lart.
Kam sall një pyetje para se shpirt të jap,
djemtë e tjerë që rrugën time do ta ndjekin
a do t’i konsideroni vërtet armiq
apo viktima të shoqërisë suaj?
(1962)
Shqipëroi: Bujar Meholli