Artur Spanjolli
TË FLESH SI ËNDËRR
Të flesh si ëndërr
në vend që të zgjohesh si mashtrim
mëngjeseve kur dielli lind
në mesditë kur drita bëhet mat
mbrëmjeve kur koha e ikur,
e padurueshme bëhet,
si një trok kali mbi kalldrëm
le të flesh si ëndërr
Jo të zgjohesh mashtrim.
Druhem të të prek
kam frikë se krejt do shprishesh
si një katedrale e ylbertë në ag
kur sapo jemi zgjuar
dhe dritat e mjegullta të ëndrrave
akoma i kemi parasysh.
Te flesh si ëndërr
të zgjohesh si mashtrim.
Po si një pjatë mbushur iluzionesh ti je
ku unë drekoj ulur në sofrën e shpresës
Ëndrra ime e gjallë
mbas çdo lumturie çastesh
pikarritje boshe, vatër ku çlodhem
tempull i paarritshëm lutjesh
me tërbim krejt i mallëngjyer.
Të flesh më mirë si një ëndërr
në vend që të zgjohesh si mashtrim.
Ndaj,
Nëse një kuptim kjo dashuri do të ketë
do ta gjejë atë një ditë.