Inida Brahimi

LULE

Ti në stacion për çdo ditë

Pret e zbret

Andej -këndej i hedh sytë

Asnjëherë drejt!

Në një vagon që të mbyt

Shkëputur prej realitetit

Ti gjithë veten e degdis

Jashtë trenit

Diku n’aromë aq të njohur

Me grushte malli zë qafon

Një njeri me sy të njomur

Një zemër që të mungon

Dikë që veten ka mohuar

Vetëm për pesë gishtërinj

Ti ia merr duart

Dhe shpirtin tënd në shpirt ia shkrin

Diçka që dot nuk zëvendësohet

Se sytë e saj plot ujë e diell

Ti do a s’do prapë e kërkove

Jashtë botës që aq shumë zien

Aty nëpër një bar jeshil

Ku tharë e mbirë në tokën djerrë

Ajo bën të qeshë një dimër

Ajo në zemër ngroh sa herë…

Një lule të pakëputur

Në një “më fal”, në një “më prit”

Ku ti prapë duke iu lutur

E quan “shpirt”

Ti pret e zbret nëpër stacion

Por pa e ditur

Se për ty ajo jeton

Një lule e bukur

E saj aromë…

Aq e padukur

Leave a Reply

Your email address will not be published.