Marsela Neni

HARTË MEMECE

Në agshol,

një qiell ngjyer safir

prej “Një mijë e një netësh”,

më zgjon ndër sy rrënjë këngësh

të lashta sa bota,

që vallen heqin nga gruaja në grua

prej mijëra vjetësh…

…dhe vetja, ah vetja, m’i ngjan një kubi,

më i qëndrueshmi vëllim

            ndaj shkelmave të fatit.

       Krishti erdhi, iku, unë këtu,

hartë memece për udhë parabolash

        pështjelluar nga stuhitë.

O bukuri, që bie shpirtit,

si kurmi bie në krahët e vdekjes!

Në alkiminë e lojës hidhem zar

e pres me durim lëvizjen e radhës

se fati im është me mbajt gjallë

do këngë mrizesh, rrethuar shtjellë

prej ferrit të uritur të harresës.

        Këngë mrizesh hoje-hoje

mrekulli e grunjtë e shijes së gjelbër të krijimit

        të ruaj si sytë e ballit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.