Lindita Ahmeti
KULLA
im atë del nga shtëpia
pa vënë re kulmin që mungon
futet në hapësirën e pafundme shkretinore
i mbështjellë me gjysmëterrin ngjyrë vjollce
dhe me të ftohtin e thatë
del të sodisë
t’i venerojë pikat e shtigjeve
që shpijnë në tri qytetet e pikëlluara
e vë dorën im atë mbi vetulla
asgjë e veçantë
vetëm kulla
e lartë e lartë
po kulla është diç tjetër
asaj vetë ia ka vënë themelet
fshati s’e çmon veprën e bashkëfshatarit
prandaj askush s’e heton
im atë ia kthen shpinën kullës
pastaj ulet në rërë
duke i fërkuar duart prej së ftohti
kulla
sërish kulla para tij
kulla në pafundësinë ngjyrë vjollce
noton në vetmi
ngado që kthehet im atë
kulla para tij
ai shkon me bohçen e dhembjes mbi kokë
kulla i bën roje lartësisë dhe bardhësisë
dhe duket larg larg
midis gjysmëterrit
me veshën e saj prej fildishi
me stolitë prej vargjeve të ndritshme
me këngën time të këputur
me frymën e ngrohtë të erosit
pastaj brof në këmbë im atë
era e ftohtë bën muzikë
kurse grimcat e rërës lozin vallen e vetmisë
nga dritaret e shumta të kullës rrumbullake
fluturojnë flutura të bardha
u nis im atë
ylli i dritës lart
kjo kullë poshtë
ai i ka koordinatat e mëngjesit