Xhavahir Spahiu
PËRVËLIMI I FJALËS SË PATHËNË
Ulej në shkallë
dhe thinjej çdo ditë nga pak;
diçka desh të thoshte,
u bë gati,
po s’e tha.
Një muzg s’ishte më:
në mur nekrologji gërmëzeza.
Vdiq fjala e pathënë;
mbi gur ishin ulur pikëllimi dhe heshtja.
Ç’ish ajo fjalë që s’ma tha ai plak?
Fjalë e pjekur nën saç të një jete,
fjalë e thënë vetëm kur flokët zbardhen.
Të ngrihet nga varri,
të ma thotë atë fjalë,
në mos po kam për të plasur
siç pëlcet një gjinkallë.
Ma thoni atë fjalë.
VERBIMI
Mos më fol për Zakinon.
Tak-tak trokiste mbi gurë
shkopi i syve të verbër.
Bota varrosur në bebëzat boshe,
si nata e përmbytjes së përbotshme.
Tak-tak. As dashuri. As urrejtje.
Zjarr i fikur. Tak-tak. Kohë e palexueshme.
Tak-tak. E përjetshme.
Zakino, ç’kërkon atje lart?
Ti po shkel hijen tënde?
Po për mua, ç’thonë për mua në botën e përtejme?
Me Zakinon apo natën flet zëri njëherësh?
Ndërroja rrugë sa e shihja,
nga verbëria e tij edhe eshtrat më dridhen.
Prej teje jam sulur si i verbri drejt dritës,
faleminderit, Zakino.
1989
LIGJËRIM MBI QENIN PA JETË
Qeni im, kush të vrau,
e pse të vrau, qeni im?
Shtrirë si dhembje përmbi bar
pranë lules së gjakut tënd;
sytë e tu të hapur dikë presin t’i mbyllë,
dy lehje të pakuptuara sytë e tu.
Po vijnë delet gjakun tënd të lëpijnë,
tunde pakëz bishtin si biskonjë prilli.
S’ka paksa që hënës mitikisht i lehje,
dhe tani … dru i prerë … heshtje…
Një histori dhelprash është varrosur me ty;
atje në bjeshkë,
atje në vërri
ujku nga tronditja bren këmbën e tij.
Ti i pagjumi kur edhe krojet fl inin,
ti bir i besës kur pabesitë nxinin,
ma ktheve kërrabën në hakërrim drejt qiejve;
e ndien si rrëzohen mbi sytë e tu të zbrazët
lotët e nxehtë të mi?
Angulli dhe njëherë,
të mos angullij.
1985
KËNGA E LIRISË
Toka, qëngj i therur, përpëlitet.
Pyet bari: ç’do të thotë jetë?
Pyet i vrari: hyj a dal në mesjetë?
Si lumenj të turbullt,
nga zemërimi fl asin përçart
poetët.
Plumbin ua vodhën,
me plumb i goditën,
gotat delirante kryeqyteteve ngritën.
Po foshnja e mbytur në gjak,
po plaku i këputur në prag,
edhe të vdekur
shpallin shpagë e fj alë zgjimi:
Bashkimvëllazërimi – perdekrimi.
Po këngët,
këngët a do të gdhihen pa pranga?
A do ta shkulë jeta me dorën e vet
atë thikë të ngulur mbi shpinë?
Kosova është në muajin e nëntë
dhe do të pjellë lirinë.
1990
NJERIU PA EMËR
Jam njeri pa emër,
Ç’është ai që kalon? – pyesin njerëzit në rrugë.
Si e quajnë? Si?
O shok!
O burrë i dheut!
O njeri!
Unë eci dhe kokën s’e kthej,
jam njeri pa emër dhe në ç’kohë jetojmë nuk e di:
emrin ma kanë kyçur në dosje dhe zyra,
ia shtrëngojnë qafën me rrathë kuqalashë,
ia shtojnë pikëpyetjet si kosa kërcënuese,
tmerrohen kur unë dhe emri im jemi bashkë.
Jam njeri pa emër,
jam emërharruar.
O zot, më keq akoma:
kanë harruar të duan.
Ku shkoi emri im,
Mos njerëzit kanë harruar të flasin, të shkruajnë?
ma tregoni pak varrin.
Kam frikë se ndonjë ditë do të dal si i çmendur,
të kap cilindo për mënge në rrugë e ta pyes:
Më thuaj, o njeri:
Si quhem unë?
25 gusht 1985
ZEZONA
Ka muaj që duart e ngrata s’më punojnë
dhe koka më bën dimër tej e tej;
s’e di se nga më vijnë dhe ku shkojnë
ca akuj kallur tinëz nëpër dej.
Çdo ditë gishtërinjtë i flasin nikotinës
ca fjalë uloke … dhe … sot… ashtu si dje;
aq sa je gati me grusht t’i biesh pasqyrës,
fytyrën tënde ta rrëzosh përdhe.
Mungesa e vetmisë më ka munduar,
tani i vetëm ndihem, si në morg;
në se përshesh me kocka më kanë shtruar
as korbit vetë unë nuk i ndolla kob.
Ngre kurthe ditënata; dimër vera
shtrigon, mpreh thikat; ç’besëlidhje e zezë!
Pas çdo rrënoje iluzionesh, era
fryn, o njeri, mbi ty si mbi varrezë…
Dhjetor 1984