Letër nga diaspora

POROSIA E MADHE E MITRUSH KUTELIT

Kutelit kërkoi që e mira të triumfojë mbi të keqen, e vërteta mbi gënjeshtrën, dashuria mbi urrejtjen…

Neviana SHEHI/ Itali

Në letrën e fundit për të shoqen, i madhi Mitrush Kuteli, kishte një porosi edhe për fëmijët e tij: “Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh, zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë”.

Kjo porosi e madhe e Kutelit është shenjë e një njeriu që pati një shpirt të veçantë, që gjithmonë kërkoi e mira të triumfojë mbi të keqen, e vërteta mbi gënjeshtrën, dashuria mbi urrejtjen. Kuteli do të mbetet një nga figurat më të shquara të letrave shqipe, një nga themeluesit e prozës moderne, përkthyes dhe kritik. Ndonëse ishte ekspert ekonomie, ai u shqua më shumë si personalitet i letrave, të cilat ndikuan në fisnikërimin e shpirtit të tij aq bujar, siç e shohim në pjesën e letrës së mësipërme drejtuar katër fëmijëve të tij.

Kjo qartë tregon se çfarë ndikimi pati letërsia në formimin e tij prej një intelektuali të rrallë në galerinë e personaliteteve më të shquara të kombit tonë. Në thelb, letërsia na ndihmon të bëhemi më të pasur shpirtërisht, më të informuar dhe më të ndërgjegjshëm për botën që na rrethon. Ajo është një mjet i fuqishëm për zhvillimin personal dhe shoqëror. Dhe pikërisht kjo u dëshmua në rastin e Kutelit, i cili pavarësisht kalvarit nëpër të cilin kaloi, insistoi që zemra mos ta njohë urrejtje, mërinë, duke këmbëngulur në butësi e urtësi. Duke trajtuar temat universale si dashuria, humbja, lufta, drejtësia, dhe liria, letërsia krijon një ndjesi të përbashkët humanizmi. Lexuesit ndihen të lidhur nëpërmjet ndjenjave dhe përvojave që përcjellin librat, dhe kjo ndihmon në shtimin e empatisë dhe mirëkuptimit ndaj të tjerëve. Në fund të fundit, letërsia na tregon që, pavarësisht dallimeve, jemi të gjithë pjesë e të njëjtit rrëfim njerëzor, duke na çuar përtej realitetit tonë të përditshëm dhe duke na ndihmuar të imagjinojmë një botë të mirë me përvoja të ndryshme. Pra, duke qenë pranë librit, ne sado pak reflektojmë mbi vetveten, vlerat dhe qëllimet tona. Letërsia mund të na frymëzojë të rishikojmë përvojat tona dhe të kuptojmë më mirë mendimet dhe ndjenjat tona. Meqë dinte disa gjuhë, Kuteli ishte njohës i shkëlqyer i letërsisë botërore, gjë që është mbase e natyrshme të konstatojmë se edhe kjo njohje do të ketë ndikuar dukshëm në fisnikërimin dhe madhështinë e tij shpirtërore. Një shembull që duhet të na ndihmojë edhe neve në dinamikën e përditshmërisë sonë, e cila po bëhet më e mbyllur, më nihiliste dhe më tjetërsuese…

Leave a Reply

Your email address will not be published.