Tregim/ Xheni SHEHAJ
NJË TAKIM NË “SPIRIT COFFEE”
Për dreq na ra për pjesë të jetonim në një kohë dreqërish. Sepse ishte kohë dreqërish. Kudo ku shkelje do ti gjeje nga të gjitha ngjyrat, format e madhësitë. Njerëzit mundoheshin t’u shmangeshin. Ndërronin rrugë, heshtnin ndaj provokimeve të tyre,
Por djajtë ashtu të papunë, të etur për prapësi e ligësi silleshin papushim rreth e rreth.
Aso kohe, edhe pse ndihesha e frikësuar njëlloj si të tjerët, u miqësova me një djallush të vogël e çapkën. U përplasëm rastësisht në një rrugë dytësore, ku ai po nxitonte të largohej nga telashi që sapo kishte krijuar, ndërsa unë po ecja ngeshëm me nervat e cingërisura.
Përplasja qe paksa e fortë aq sa u lëkunda ndjeshëm e m’u desh të mbahesha pas brirëve të tij rinorë.
Djallushi, duke u përpjekur të tregohej i sjellshëm, më pyeti nëse u vrava. Urrejtja që kisha grumbulluar gjatë gjithë kohës ndaj sojit të tij u fashit kur vërejta se ai kishte ende dhëmbët e qumështit. “Qumështor”, “qurrash”, qelbësirë”, mendova teksa e vëzhgoja imtësisht.
Nisi kështu një shoqëri të cilën as që e kisha imagjinuar. Fill pas incidentit, djallushi më ftoi për një kafe. Pranova. U ulëm në “Spirit coffee”, një bar i këndshëm, i pozicionuar në qoshe të rrugës. Porositëm dhe teksa prisnim porosinë u prezantuam shkurtimisht. Ai, një djallush i ri, ngatërrestar, me prindër intelektualë dhe anëtarë nderi në Akademinë e Djajve. Unë, një shkrimtare pa të ardhme, me ëndrra të mëdha të destinuara të shkërmoqeshin pa dalë ende nga sirtarët e komosë sime. Kafetë erdhën dhe ne i rrufitëm pa u ftohur ende. Biseda na shkonte mirë dhe nuk na bëhej të ngriheshim. Por duhej. Kështu që e lamë të takoheshim të nesërmen, në studion e tij. Djallushi kishte prirje për pikturë.
E nesërmja erdhi dhe unë pa e kuptuar as vetë, u gjenda në derën e studios së shokut tim të ri. E gjeta duke punuar mbi portretin e Atij. Pa folur, iu afrova e po vështroja me vëmendje. Djallushi hoqi dhe një tjetër laps dhe e la punën. U kthye nga unë dhe duke më buzëqeshur më uroi mirëseardhjen në mbretërinë e tij.
Kaluam në divanin e vetëm dhe aty nuk u përmbajta pa e pyetur se i kujt ishte portreti.
– Është portreti i Zotit, – u përgjigj ai.
Qesha, dhe duke e parë në sy i thashë se sigurisht kjo ishte imagjinata e tij.
– Sigurisht që jo. Ndryshe nga ti, unë e kam parë Atë. Prindërit e mi më morën me vete në një takim të rëndësishëm dhe atje e pashë. E tani jam në gjendje të riprodhoj portretin e Tij.
Kisha mbetur pa gojë. E pra, ja që ekzistoka dikush që e njeh portretin e Zotit. Por interesi i djallushit isha unë, ndaj nuk ngurroi ta sillte bisedën rreth meje dhe identitetit tim. Atij i interesonte të dinte se kush isha. Ma bëri pyetjen thjesht por u ndjeva e vënë në vështirësi. Në përsiatjet e mia rrallë herë isha thelluar në gjetjen e identitetit tim. E pra, e kapur gafil, u rehatova në divan dhe nisa një ligjëratë mbi prejardhjen time, edukimin, shkollimin, mënyrat e sjelljes, etj. I rrëfeva djallushit jetën time. Ai pasi më dëgjoi pa më ndërprerë më tha:
– Të gjitha këto që më the, janë në rregull. Po prapë unë të pyes se kush je. Cila je ti? Nga anon shpirti yt? Mendimet e tua çfarë hapësirash zënë?
Në lidhje me këto pyetje kisha përgjigje jo shumë të plota. E shihja veten si një miks, një gërshetim i së mirës e së keqes. Shpirti im në më të shumtën e rasteve anonte nga e drejta. Që herët isha personi që kur shihja një më të dobët të keqtrajtohej i dilja në mbrojtje, ndihmoja të moshuarit, kujdesesha për më të vegjlit. Më tërhiqte e mira, e drejta, e bukura. Ndaj pa frikë iu përgjigja djallushit duke i thënë se nuk i përkisja mbretërisë së tij. Fytyra e tij u vrenjt paksa dhe pas pak në studio ra heshtja. E kuptova se kisha prekur një tel të gabuar ndaj nuk e zgjata më tej. U përshëndeta me të dhe dola nxitimthi nga studio.
E nesërmja më gjeti në “Spirit coffee” duke shkruar një tregim. Por e vërteta është se thellë brenda vetes dëshiroja të takoja djallushin, dhe i vetmi vend ku gjasat ishin më të mëdha për ta takuar ishte kafeneja ku ndodhesha. Dhe nuk u gabova. Ai erdhi. Erdh’ e u ul drejt e në tavolinën time. Nuk do të zgjatem të tregoj zhvillimin e historisë mes meje dhe djallushit çapkën. Por sot që rrëfej të gjithë këtë dua t’ju them se jam kandidate për t’u bërë anëtare nderi në Akademinë e Djajve. Se çfarë ndodhi me shpirtin tim, me të brendshmen, me mirësinë, drejtësinë e gjepurat e tjera të kësaj natyre nuk kam pse i jap shpjegime askujt. Identiteti im u zhbë, u shkërmoq. Vlerat, parimet, u zhdukën ose ndoshta nuk kishin pasur rrënjë aq të forta duke parë rezultatin.
Gjithsesi, tashmë i përkas Mbretërisë së Errësirës. Qenia ime, shpirti, gjithçka imja është e tjetërsuar. Dy herë, e ndodhur në një gjendje depresioni të lehtë, kam tentuar të kërkoj veten time të vjetër. U futa në skutat e errëta të shpirtit por askund nuk gjeta qoftë dhe një grimë të vetes sime. E pra e kotë të vazhdoj, vetja ime e vjetër ka vdekur. Tashmë jam një tjetër. Notoj në të tjera ujëra dhe kam të tjera qëllime. Dhe ndjehem e plotësuar. Ose gjysmë e plotësuar. Vetëm kur të arrij majën e Errësirës ndoshta atëherë do të jem tërësisht e plotë. Deri atëherë qëndroni pranë vetes suaj. Ha! Ha! Ha!