Ornela Radovicka, studiuese

ARBËRESHËT MBIJETUAN FALË PUNËS SË TYRE

Nënat arbëreshe mundohen të mbajnë gjallë botën arbëreshe nëpërmjet kostumit te grave arbëreshe. Kostumi është një kod më vete. Çdo fshat mban kostumin e tij karakteristik, i cili ka evoluar sipas kontestit historik

Zyrafete SHALA

Ornela Radovicka është një studiuese, pedagoge dhe aktiviste e shquar në fushën e gjuhës dhe kulturës arbëreshe. E lindur në Shqipëri dhe e emigruar në Itali në vitin 1991, ajo ka ndjekur një karrierë të spikatur akademike dhe profesionale, duke u diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi, si dhe duke përfunduar studimet e doktoraturës në Pedagogji në Milano. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës arbëreshe, ajo ka drejtuar Qendrën Albanologjike mbi Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe dhe ka qenë bashkëthemeluese e kurseve të mësimit të arbërishtes në Kalabri. Kontributi i saj përfshin një sërë botimesh, si libra studimorë, artistikë dhe artikuj në revista dhe gazeta prestigjioze shqiptare dhe ndërkombëtare.

HEJZA: Si nisi angazhimi juaj në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës arbëreshe? Cili ishte momenti kyç që ju motivoi më shumë?

O. RADOVICKA: Ishte korrik i viti 1990 kur e njoha për herë të parë At Bellushin. Nuk ishte një njohje fizike me të, por virtuale. Televizioni shqiptar në atë vite jepte një regjistrim nga një transmetim të televizionit të Kosovës ku fliste për Arbëreshët e Italisë, të cilëve iu jepej mundësia për të marrë pjesë në seminarin e gjuhës shqipe, që organizohet pothuajse çdo vit, që prej 1974, në Prishtinë. I ftuar atë ditë në emisionin e mëngjesit ishte At Bellushi. U mrekullova jo vetëm nga ajo bisedë e tij mbi kërkimet etnologjike në Helladë (pranë arbërorëve të Greqisë), por më bëri shumë përshtypje ajo gjuhë arbërore me të cilën ai shprehej. Më erdhi një mendim flesh në ato momente që t’i shkruaja, por nuk arrita të merrja adresën që ishte vendosur si nëntitull për të prezantuar mysafirin e radhës. Syri më kishte mbërthyer vetëm disa fjalë:“Studiues, prift arbëreshë, Kozencë”. Më mjaftoi kjo adresë e çalë për të nisur një letër. Nisa t’i shkruaj. Ngjyeja penën në realitetin tim dhe rrëfeja për çdo gjë që perceptoja; mjerimin, varfërinë dhe depresionin kolektiv të këtij populli të vuajtur, e në veçanti profilin e “gjeneratës sime”, ku në shpirtrat tanë aq pasiv, ishin ankoruar stalagmitet e hijes“frikë”. Ajo frikë ku për gjysmë shekulli dallgët na kishin shtyrë në gadishullin e klauzurës fatale, dhe tani mbi boshtin “molin-kaus” kërkonim të  montonim“bulonat – shpresë”. Qëndronim si “pulëbardhat” mbi dallgë në det të hapur, ku askush nuk e di ku e kanë shtëpinë. Kur mbarova së shkruari, vura re që brenda në të ishin edhe njollat e lotëve të mi. E dërgova letrën ashtu siç ishte me ato njolla, sikur të ishte një tufë me tulipan me petale kripëza nga shpirti im. Kështu filloi korrespondenca ime me z. Bellushi. Ishte 12 shtator 1990. Të nesërmen në mëngjes e nisa me postë. Nuk mund ta imagjinoni se sa u lumturova kur pas një muaji më erdhi një zarf nga At Bellushi, i cili më shkruante se revistën “Lidhja” si  dhe dy kartolinat me kostumin arbëresh, ishin dhuratë prej tij. Ajo që më çuditi më shumë ishte se Ai më ftoi menjëherë që unë të shkruaja dhe të bashkëpunoja për revistën e tij, “Lidhja”. Nga ajo ditë, për 35 vjet, e deri më sot iu përkushtova kërkimeve, hulumtimeve të botës arbërore, kurse këtë punë ia dedikova At Bellushit.

HEJZA: Si ka evoluar gjuha arbëreshe ndër vite dhe cilat janë sfidat kryesore që e kërcënojnë sot?

O. RADOVICKA: UNESKO e ka deklaruar arbërishten e arbëreshëve të Italisë si një gjuhë në rrezik zhdukje. Mjafton kjo deklaratë për të kuptuar se si ka evoluar kjo gjuhë 600 vjeçare në tre – katër dekadat e fundit. Ligji 482\ 99 në Itali i jep popullsisë arbëreshe, e cila shtrihet vetëm në gjashtë krahina historike ku janë ngulimet arbëreshe si: Abruco, Molise, Puglia, Kapania, Basilikata, Kalabria, Sicilia, mundësinë fakultative të studimit të gjuhës arbëreshe, gjë që do të thotë që mësimi i arbërishtes nuk është pjesë e detyrueshme e kurikulave shkollore. Një faktor tjetër i asimilimit të tyre është edhe shpopullimi në ngulimet e tyre. Veriu i Italisë, që mbështetet në kapitalizmin industrial po i thithë nga dita në ditë si trurin ashtu edhe krahun e qytezave me ngulime arbëreshe.

HEJZA: Keni bashkëpunuar ngushtë me figura të rëndësishme, ndër të cilët edhe me At Antonio Bellushin. Çfarë keni mësuar prej tyre dhe si kanë ndikuar këto marrëdhënie në punën tuaj?

O. RADOVICKA: Kam pasur fatin tè punoj me njërin nga personalitetet më në zë të botës arbëreshe, Prof. At Antonio Bellushi, i quajtur nga Aristidh Kola Marotonomaku arbëror i kohëve moderne. Nuk la kontinent ku ka shqiptar pa vizituar. Punoi dhe hulumtoi për 40 vjet rresht botën arbërore – arvanitasit ( që ai i thërriste arbëror) në Greqi. Ishte autor i 24 veprave. Themelues i dy revistave “Vatra jonë” dhe “Lidhja”, si dhe hapi me dhjetëra e dhjetëra kurse si në gjuhën arbëreshe për arbëreshët, ashtu edhe për gjuhën shqipe pranë Qendrës së tij. Por, ai dallohet edhe për Bibliotekën e tij internacionale, themeluar në vitin 1964, e cila ka mbi 10 mijë ekzemplarë revista, shtypi, libra e dokumente që prej shekullit XVI. Ishte njeriu me të cilën punova për 35 vjet. Në kohën e lirë transformohej në tjetër njeri. Kishte natyrën që rrëfente. Mjaftonte pak dhe me kujtesën e tij formidabile të rrëmbente në botën e tij. Kishte një respekt të veçantë për ata njerëz të punës dhe për ata akademikë që punojnë në bazë, që mbledhin fakte në  terren dhe pasurojnë atë epope te pashtershme, gurrën popullore të përjetshme arbërore. Kur rrëfente kujtimet e tij, shpesh i thahej goja. Pinte vazhdimisht një gllënjkë uji, aq sa të njomte kordat, dhe vazhdonte. Ishte interesante entuziazmi që ai vendosi në çdo gjë që bënte, por nuk i harroj ato pauza kur si një tenor niste dhe këndonte ndërsa punonim. Zëri i tij, me një ton energjik, i ngjante një lahutari, apo një rapsodi të malësive tona, ku melodia rrjedh lehtë e zbret furishëm, si një ujëvarë. Ishte kënaqësi ta dëgjoje atë zë. Figura e tij e plotë, flokët e tij të thinjura, lëvizja e dorës, ndërsa dirigjonte këtë harmoni të ngadalshme të këngëve arvanitase. Tingujt, fjalët, ajo hare e atmosferë krijonte një energji që të përcillnin në një jehonë të stërlashtë, ku shumë piktorë të mëdhenj i kanë pikturuar në një atmosferë bukolike. Arbërishtja e tij me atë intonacionin jugor, të çonte në Olimp, ku ngjyhej me gegërishten dhe krijohej ai Zë, ajo iso, frymë e tingujve pellazge, që mblidhen në kërthizën e Dodonës Epirote. Nuk kam ndeshur kurrë një njeri kaq komunikues, i thjeshtë, të linte liri veprimi, kishte sensin e të dëgjuarit, dhe kurrë nuk ndjeva të më këshillonte, por sillej në mënyrë të tillë që të impononte respekt, por edhe të ishte si një shok i mirë që shkëmben ide. Biblioteka Antonio Bellushi ka pasur rastin të jetë e vizituar nga figurat më të mëdha të botës shqiptare dhe arbërore. E vizituan shumë njerëz të politikës Dardane dhe asaj shqiptare. Për rëndësinë e saj dhe punën që kemi bërë është vizituar nga shumë studiues, miq e vëllezër të At Bellushit, si prof Jup Kastrati, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Nasho Jorgaqi, Neritan Ceka, Ali Podrimja etje. U vizitua edhe nga bota arbërore e Greqisë, si Kosta Biris, Aristidh Kola. Na erdhi, na gjeti edhe zonja Nermin Vlora Falaschi, u vizituan nga President i Republikës së Shqipërisë, po ashtu edhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Zojna Vjosa Osmani, e cila i la shumë mbresa të mira At Bellushit. Dua të ndalem te një albanolog që e ruaj në kujtesë.

Të gjithë vizitorët lënë gjithmonë diçka pozitive me energjinë e tyre. Do të përmend një të huaj, albanolog, Robert Elsie. Të gjithë më kanë lënë diçka kur i kam takuar, por ajo që më ka ngelur në mendje, është takimi me albanologun Elsie. Ishte viti 2003. Në bibliotekën tonë erdhi Robret Elsie, albanologu me origjinë nga Kanada. Ishte albanologu më i drejtpërdrejt që unë kam njohur. Ai më pyet se me çfarë isha duke u marrë. I tregova se isha bashkëpunëtore e revistës “Lidhja”, se ndihmoja në hulumtimet mbi botën arbëreshe. Albanologu Elsie më vështroi ndër sy dhe më tha: Përse nuk shkruani për këta arbëresh të sotëm, sepse vitet ikin dhe do të humbasin edhe këta që keni. Shkruani arbërishte dhe shqip, sepse historia gojore ka të njëjtat vlera si historia e kronikave, personalisht mendoj se ka edhe më tepër vlera se ajo e regjistruara. Kronikën e shkruajnë gjithmonë ata që e fitojnë luftën dhe asnjëherë nuk i përmbahen me vërtetësi të vërtetës. Kur Robert Elsie u largua, At Bellushi i thashë: Profesor, përse mos të shkruajmë një libër mbi të gjitha ngulimet arbëreshe. Nuk ekziston një libër i tillë deri më sot?

Në ato vite kishim filluar të vizitonim fshatrat arbëreshe një për një që të gjitha. Nuk ishte e lehtë, sepse janë në distancë dhe me një pozitë gjeografike të thyer, sidomos ngulimet arbëreshe në Kalabri. Për çdo vizitë që bëja, fillova të mbaja një ditar. Njerëzit që takoja, fjalët që përdornin, vjershat, ninullat që na rrëfenin. Të gjitha i mblodhëm dhe i hodhëm në një dokument, që më vonë ia dorëzuam Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve në Tiranë, me drejtuese Diana Kastrati, të cilët e realizuan si libër. Ishte i vetmi libër ku mblidheshin të gjitha fshatrat në NJË. Deri në atë kohë askush nuk kishte menduar që të kodifikoheshin të gjitha fshatrat në një libër të vetëm, dhe askush nga institucionet nuk kishte botuar qoftë edhe një vepër të At Bellushit.

HEJZA: Në përvojën tuaj si drejtoreshë e Qendrës Albanologjike, çfarë do të veçonit nga arritjet që shënuat apo edhe vështirësitë me të cilët u përballët?

O. RADOVICKA: Mendoj se nuk kemi arritur asgjë, vetëm kemi lëvizur, por duhet të keni parasysh edhe atë shprehjen që me një dallëndyshe nuk vjen pranvera, sepse nëse bota arbëreshe do të kishte arritje të mëdha, nuk do të kishim përfunduar në këtë gjendje, ku arbërishtja është deklaruar nga UNESKO si një gjuhë në rrezik zhdukje. Vështirësitë qëndrojnë se arbëreshët nuk kanë ende një gjuhë të përbashkët, dhe këtë e hasim kur krijojmë kurse për gjuhën arbëreshe. Bota arbëreshe nuk ka arritur ende të krijojë një bosht nacional, bazuar në të folmet lokale që është e rëndësishme mos të asimilohet, sepse ruhet gjuha e folur. Nuk është arritur në përfundime që arbërishtja që qarkullon sot duhet të pastrohet nga krahinorizmat dhe italianizmat, edhe pse arbërishtja rezulton e shkruar në shekujt e mëparshëm. Nuk kemi ende një abetare të përbashkët, përveç dy volumeve Alfabetizzazione e ndonjë tekst tjetër që qarkullon. Nuk kemi një fjalor të përgjithshëm, një fonetikë, një morfologji, një sintaksë, e kështu me radhë. Atë që mban gjallë botën arbëreshe është arbëreshi vet. Të tjerët vetëm e shfrytëzuan dhe bënë karrierë. Bota arbëreshe në gjirin e saj ka atë pjesë që e do Arbërinë, ndeshet çdo ditë me problemin e asimilimit dhe nëse këta arbëreshë ende mbijetojnë edhe pas gjashtëqind vjetësh, kjo është falë vetë punës së arbëreshëve, qofshin ata studiues, mësues, aktivistë, koreografë, artistë, aktorë, arkitektë, historianë, poetë, gazetarë, të cilët punojnë si në formë të pavarur, ashtu edhe nën ndikimin e shoqatave si ato në Kalabri Uniarb dhe FAA (me presidentët e tyre, prof. Italo Elmo e Damiano Gualiardi ku përqendrohen një numër i madh shoqatash). Por, ka edhe një numër të madh aktivistësh të botës arbëreshe, si Carmine Stamile, Cettina Mazzei, Anna Stratigo, Maria Antonieta Rimoli, Benedetto Guaragna, Lucia Martino, Giusi Skiro, Klaudja Cardaonna, Caterina Adducci, mësuese Sara në Sicili, Mario Masari, Mario Bellizzi, Tomasina Guerino, Calegero Raviota, Silvia Licursi, Emanuele Rosanova, Michele Greco, Castantino Belluscio, Flavia D-Agostino, Francesco Marchiano, Adelina Ajello, Zef Skiro di Maggio, Gennaro de Cicco, Francesco Perri, Atanazio Pizzi, Fernanda Pugliese, Dimetro Emanuele, Vicenzo Bruni, i madhi prof Agostino Giordano e shumë të tjerë.

Nga përvoja ime mund të them se Qendra jonë albanologjike, ka qene gjithmonë e hapur në ndihmë të studentëve, për përgatitjen e diplomave universitare mbi tematikën për botën arbëreshe, po ashtu edhe për studiuesit dhe hulumtuesit. At Bellushi ishte shtylla e kësaj Qendre që themeloi vet. Deri në momentin e fundit të jetës, punoi me nxënës dhe studentë. Dy studentët e fundit të tij qenë: Francesco Frega Ungra, student i jurisprudencës që i interesonte tema e Kanunit të Lekë Dukagjinit, si dhe Emanuele Rosanova, një student i cili mësoi arbërisht për 6 muaj dhe At Bellushi e caktoi si sekretar të Bibliotekës. Kemi bërë edhe shumë takime për sensibilizimin dhe shpërndarjen e gjuhës dhe kulturës së botës arbëreshe.

HEJZA: Cili është roli i diasporës shqiptare në mbështetjen dhe ruajtjen e identitetit arbëresh? A ka projekte konkrete që e lidhin më shumë komunitetin arbëresh me Shqipërinë dhe Kosovën?

O. RADOVICKA: Qendra Albanologjike mbi Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe, themeluar nga prof Antonio Bellushi, në bashkëpunim me Lidhjen e krijuesve dhe poetëve në mërgim, me kryetar të saj, zotin Musa Jupolli dhe sekretar Mentor Thaqi, të udhëhequr nga një mik e vëlla i arbëreshëve (por do të thosha apostulli i arbëreshëve siç e ka pagëzuar i madhi At Bellushi) zotin Rexhep Rifatin, kemi krijuar një binjakëzim midis një klase me 21 nxënës arbëresh të drejtuara nga mësuese Maria Tolisano e Nicoletta Buono në qytezën arbëreshe të Ungrës, me një klase në Zvicër, me nxënës të mërgatës shqiptare nën drejtimin e profesor Vaxhid Sejdiu. Me këtë rast dua të falënderoj Lidhjen në mërgatë, por edhe drejtorin e përgjithshëm të shkollës, inxhinierin Gianfranco Maletta, presidentin e Bibliotekës internacionale, Tommaso Bellushi si edhe inxhinierin Tomaso Ferrari që na ka dhënë një ndihmë në realizimin e këtij projekti. Ky projekt është një projekt dy vjeçar për mësimin e gjuhës dhe të kulturës arbëreshe.

HEJZA: Keni themeluar kurse për mësimin e gjuhës arbërisht-shqip. A po tregon rinia arbëreshe interes për ta mësuar këtë gjuhë? Si mund të forcohet më tej ky interes?

O. RADOVICKA: Në vitin 1993, për shkak të fluksit të madh të refugjatëve shqiptarë, ku kishte edhe shumë fëmijë, At Bellushi hapi një pikë ku vinin fëmijët emigrantë shqiptarë. Kjo pikë shkollore zgjati deri në vitin 1998. Me daljen e ligjit italian në vitin 1999, ku përfshihet edhe mësimi i arbërishtes, ne menjëherë hapëm një klasë për fëmijë arbëreshë dhe shqiptarë në Frasnitë. Kjo zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2005. Unë isha mësuese e gjuhës shqipe dhe At Bellushi për arbërisht. Këtë vit, siç iu thashë edhe më sipër, kemi hapur një klasë në shkollën shtetërore të Ungrës\ Kalabri, një projekt që aplikohet për herë të parë dhe është dyvjeçar. Ne jemi të kënaqur. Për sa i përket botës arbëreshe, sot shohim se ka një rizgjim, një rilindje mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe. Në gjithë Arbërinë janë hapur kurse për të rinj, por edhe për mosha të rritura.

HEJZA: Sa e vështirë është për një fëmijë arbëresh të rritet me dy gjuhë primare në një botë gjithnjë e më të globalizuar? A ka modele suksesi që mund të ndjekin?

O. RADOVICKA: Sot, fëmijët arbëresh janë të asimiluar. Ata nuk flasin arbërisht. Gjuha flitet nga mosha 40 vjeç e lart. Nga eksperienca ime, mund të them se arbëreshi është shumë i mprehte. Ata mësojnë dhe kapin menjëherë gjuhën arbërore. Kjo gjë më mahnit edhe te fëmijët e klasës që kemi hapur në Ungra. Nënat arbëreshe mundohen të mbajnë gjallë botën arbëreshe nëpërmjet kostumit te grave arbëreshe. Kostumi është një kod më vete. Çdo fshat mban kostumin e tij karakteristik, i cili ka evoluar sipas kontestit historik.

HEJZA: Si mund të integrohet më mirë gjuha arbëreshe në sistemin arsimor në Itali? Cilat janë pengesat kryesore për këtë?

O. RADOVICKA: Sipas ligjit 482\99, që ua përmenda më sipër, ky ligj mbron gjuhën arbëreshe në gjashte krahinat historike të saj dhe nuk është pjesë e detyrueshme në kurikulat shkollore. Gjuha arbëreshe lejohet të mësohet në shkolla, por në formën e saj fakultative, që do të thotë, nëse do familja, prindi, i bëhet kërkese drejtorit të shkollës, krijohet një klasë dhe mësohet një apo dy herë në jave, gjë e cila nuk e plotëson kërkesën e një populli 600 vjet në ato territore ku ende ruhet gjuha dhe kultura e një populli gjashtëqind vjeçar. Ndryshimi i këtij ligji është një faktor politik që iu takon qeverive në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Itali. Në vitin 2022 unë isha pjesë e një komiteti shkencor drejtuar nga ish drejtori i RAI Calabria të televizionit italian mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe dhe shkuam deri në Senatin italian për të sensibilizuar këtë ligj. Punët nuk bëhen lehtë, por pas shumë tentativash të bërë nga bota dhe politika arbëreshe, pas 8 muajsh Gazzeta Ufficiale, nr 121, iu dha mundësinë arbëreshëve të Kalabrisë përdorimin e gjuhës së tyre në gazetari, radiofoni e shumë programe të RAI në shtetin italian. Ky ligj është pengesë edhe për arbëreshët e emigruar në veri të Italisë, të cilët vijnë nga këto krahina, por nuk kanë të drejtë të aplikojnë këtë ligj në krahinat e tyre, sidomos në krahinën e Piemontes ku janë rreth 10 mijë arbëreshë.

HEJZA: Keni shkruar disa libra dhe artikuj mbi kulturën arbëreshe. Cili prej tyre është më i rëndësishmi për ju dhe pse?

O. RADOVICKA: Janë rreth 8 libra që kam shkruar mbi botën arbëreshe. Gjashtë janë publikuar, dy janë në dorëshkrim. Librat janë pak a shumë si fëmijët e tu, janë krijesat e tua dhe nuk zgjedh dot, janë të gjitha të rëndësishme. Librat hulumtues nuk i përkasin sferës motive, si një libër artistik, ku mund të shprehësh disi më tepër sentimentin, por në këtë grup libri që më tërheq sot për sot nga ana emotive është libri kushtuar At Bellushit. Jam ende e emocionuar shumë kur e lexoj, edhe pse është reduktuar shumë, por përfitoj nga rasti të falënderoj miqtë e At Bellushit të Shoqatës Pal Engjëlli që e publikuan këtë libër. Në ato faqe është jeta e gjallë e arbërorëve, janë sakrificat e shqiptarëve, janë përpjekjet e njerëzve për të mbajtur gjallë identitetin arbëror dhe sidomos përpjekjet dhe sakrificat e këtij njeriu gjigand që tërë jetën ia kushtoi Arbërisë. Por, nuk e mohoj se edhe libri “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe”. Ky libër më pëlqen, sepse janë prekur 52 fshatrat arbëreshe. Kam parë pozitën e tyre gjeografike, përjetova vështirësitë ku rrinte e jetonte ky popull i rrallë, kam takuar shumë njerëz me At Bellushin gjatë atyre viteve, por kjo është një histori më vete. Në atë pak krijimtarinë time jam munduar të kodifikoj me sinqeritet intelektual punën time në terren. Kërkova të kodifikoja gjithçka që hasja mbi botën arbëreshe dhe të gjitha ato përpjekje e hulumtime i kam mbledhur në librat: “Rrugëtimi i një arbëreshi”, dedikuar At Antonio Bellushit, “Spezzano albanese\ Spixan dje dhe sot”, “Antroposofia arbëreshe në rrëfimet e Rinës”, “Rrugëtime në ngulimet arbëreshe”, bashkëpunëtore me At Bellushi, redaktore dhe përkthyese e librit “Arbëreshët, fotosintezë e shpirtit tim” e autorit Rexhep Rifati dhe shumë artikuj në shtypin e huaj dhe shqiptar.

HEJZA: Si e shihni të ardhmen e studimeve arbëreshe? A ka mjaftueshëm kërkime dhe interes akademik mbi këtë fushë?

O. RADOVICKA: Akademikët kanë dhënë kontribut në fushë të letërsisë dhe historisë arbërore, por edhe në fushë të etnografisë. Këta akademikë kanë ecur edhe në karrierën e tyre, por nuk kanë bërë asgjë për gjuhën. Me siguri kanë pasur vështirësi edhe ata vetë, duke konsideruar faktin se, sidomos akademikët arbëreshë që mbulojnë katedrat në Kalabri dhe në Palermo, ku shtrihet bota arbëreshe, nuk vijnë nga universitetet ku të jenë diplomuar në gjuhën shqipe, kështu që me siguri kanë pasur vështirësi në menaxhimin e situatës për të bërë diçka mbi gjuhën. Duhet të studiosh gjuhën shqipe që të kuptosh mirë arbërishten. Edhe Akademia e këtyre tridhjetë vjetëve e Tiranës si edhe e Kosovës, janë në një indiferencë të madhe për të bërë diçka për gjuhën arbëreshe. Tendenca e tyre ka qenë që arbëreshët të mësojnë shqipen standarde, gjë e cila do të ishte edhe më e lehtë për akademikët arbëreshë, por kjo bie në kundërshtim me pjesën masive të arbëreshëve të cilët duan gjuhën e tyre.

HEJZA: Cili ka qenë momenti më i vështirë në aktivizmin tuaj për kulturën arbëreshe? A keni ndjerë ndonjëherë mungesë mbështetjeje nga institucionet shqiptare?

O. RADOVICKA: Dua të them që në fillim se Qendra e themeluar nga At Antonio Bellushi nuk ka pasur asnjëherë ndihmë shtetërore nga institucionet shqiptare. E vetmja ndihmë konkrete që na u dha ishte botimi i librit “Antroposofia arbëreshe në rrëfimet e Rina Bellushi”, me mbështetjen e z. Vehbi Miftari, kreu i Komisionit të lartë pranë Vatikanit, ku jemi në pritje për numrin e kopjeve. Institucionet nga Shqipëria kurrë nuk kanë pyetur,  e jo më të na ndihmojnë. Kemi ecur me forcat tona.

HEJZA: Si e vlerësoni rolin e mediave shqiptare dhe italiane në pasqyrimin e kulturës arbëreshe? A bëhet mjaftueshëm për promovimin e saj?

O. RADOVICKA: Gazzeta Ufficiale, nr 121, e cila iu dha mundësinë arbëreshëve të Kalabrisë përdorimin e gjuhës së tyre në gazetari, radiofoni e shumë programe të RAI në shtetin italian, ka bërë që të lëvizet. Ka një ringjallje, por ka edhe shumë vështirësi, sepse kemi ligjin, por nuk kemi një gjuhë të unifikuar. Në cilin standard arbërishte do të bëhet përkthimi, kur kemi vetëm 50 të folura lokale/idioma dhe nuk kemi një gjuhë standarde?

HEJZA: A mendoni se gjuha arbëreshe mund të mbijetojë edhe për shekujt e ardhshëm? Çfarë duhet të bëjmë sot që ta ruajmë për nesër?

O. RADOVICKA: Çështja arbëreshe është një fenomen i rrallë antropologjik, siç ka thënë i madhi Pasolini. Kam krijuar idenë se sa herë duket apo mendohet që arbëreshi po shuhet, ai fillon të lëvizë e të ringjallet. Ngjan me feniksin. Është një popull që përthyet, por nuk thyhet.

HEJZA: Çfarë këshille do t’i jepnit të rinjve arbëreshë që duan të angazhohen në ruajtjen e identitetit të tyre kulturor?

O. RADOVICKA: Mendoj se nuk jam unë ajo që duhet t’iu jap direktivat, por mund t’iu paraqes situatën e sotme për mësimin e arbërishtes. Sot për sot për mësimin e gjuhës arbëreshe në Kalabri janë në qarkullim dy tekste “Alfabetizzazione” në dy volume, publikuar në vitin 2000, nga shefi i Katedrës mbi gjuhën dhe kulturën shqipe në Napoli, së bashku me një grup autorësh kompetent. Janë në qarkullim teksti “Arbërisht? Përse jo? Kurs i shkurtër në gjuhën shqipe (?) botuar në 2022-2023”, janë në qarkullim edhe dy tekste mbi alfabetizimin në Sicili për arbëreshët e Sicilisë Ligji 482\ 99, është një ligj sakat\ i gjymtuar, por në fund të fundit edhe pse gjysmak, mbron dhe duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme derisa forcat politike dhe ato institucionale të arrijnë në një akord të vetëm midis tyre, për futjen e arbërishtes në kurikulat shkollore. Arbëreshët që kanë interes për ruajtjen e identitetit të tyre, nuk duhet të qëndrojnë duarkryq,  se nuk ka kohë, por me patjetër të shfrytëzojmë këtë ligj, edhe pse në formë fakultative, kështu që të krijohen klasa dhe të frekuentojnë mësimin në arbërisht. Autonomia e shkollës ua jep këtë mundësi, ju vëllezër arbëresh nuk duhet të humbisni rastin, por duhet të regjistroni fëmijët tuaj në shkolla. Mendoj se vetëdija juaj arrin në atë pikë që të kuptoni rëndësinë antike që ka kjo gjuhë si gjuha më e lashtë ne Europë dhe të vazhdoni të mbani atë identitet si populli më i rrallë dhe më unik në rruzull.

HEJZA: Në librin tuaj “I them botës jam arbëresh”, kushtuar Zef Cacozzas, keni dashur të përcillni një mesazh për identitetin arbëresh apo thjesht ta përjetësoni personalitetin e veçantë të Cacozzas?

O. RADOVICKA: “I them botës jam arbëresh”, është një libër që e kam për zemër dhe nuk isha e përgatitur të shkruaja një libër për mikun Zef Cacozza, sepse ai iku papritur e pakujtuar. Ishim takuar në aktivitete të ndryshme. Zefi është personifikimi i arbëreshit të djeshëm dhe të sotëm. Ai është një simbol i kulturës dhe gjuhës arbëreshe. Ishte një figurë e thjeshtë, por kur fillova të shfletoj deri diku punën e tij, pash madhështinë e këtij njeriu sa të artit aq dhe të shpirtit. Zefi është ai arbëresh që mallin e një vendi  të të parëve të tij që edhe pse nuk e pa, e skaliti në zemrën e tij dhe venat e tij. I dridhej buza për Arbërinë, dhe ishte i lumtur sa herë nisej për Shqipëri apo në Kosovë. Zefi të mallëngjen me zërin dhe vargjet e bukura, është zëri i gjithë atyre arbëreshëve që ruajnë në shpirt botën arbërore. Zefi kur recitonte, apo këndonte, tingujt që dilnin nga zëri i tij sa herë që mblidhej me shokët arbëreshë, ai zë i nënshtrohej një partiture shpirti të tij, ku lirikja dhe epikja ndërthuren, krijojnë shtëllunga të ngrohta në ajër, bartin flatra, të cilat të rrëmbejnë e të çojnë të toka e etërve të tyre në Koronë\ Peleponez, në gadishullin Ilirik, të cilët të dëbuar nga pushtimi otoman lanë tokat e tyre, mëmëdheun e tyre, por morën me vete gjuhën, ritin, besimin e çdo gjë të bukur që kishte shpirti i tyre dhe ja po e mbajnë më shumë mundime për 600 vjet.

“Jemi fara çë lulzon edhe te guri! (Ne jemi fara që mbin edhe mbi gur!). Jemi ariu qe presim pranverën te zgjohet. Jemi nusja që mezi presim të martohemi. Jemi foshnja në bark që nuk e di pse ka lindur. Jemi njeriu i mundur që gjen forcën të dehet. Jemi bota e tretë që nuk vdes dot. Ne jemi era, vala e detit, lumi shqiptar”, jemi një kulturë çë nëng mund të vdes – thoshte Pino! Kjo këngë është vërtetë një himn popullor e shpirtit arbëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published.