Poezi: Arif Bozaxhi

BIBLIOTEKË YJESH

për ta dashuruar gruan

nuk mjafton një jetë

pa i lexuar yjet.

LEJLEKU

në lumin Majna

një lejlek, pinte diellin.

VETMIA

shtrati pa grua

në arkën e vetmisë

kufomë mbi mua.

GRUA

i vetmi planet

ku lulëzojnë yjet.

ENDRRA

vetëm zogjtë

mund ta dinë

peshën e gurit

mbi varr.

KOHA

koha në vargun tim

lëkurë e trupit

që pikon kaltërsi.

PREKJE

lulet çmenden

për një puthje të fluturës

e unë, kur ta shpaloj

prushin në gjinjtë e tu.

FLUTURAT

Nga një puthje

e diellit

shumëzohen

fluturat.

XHELOZIA E PESHQVE

peshqit

të vetmen xhelozi

i kanë krahët e zogjve.

THATËSI

toka pa shi

deti një grusht hi

në buzë të zogjve.

NË MUA DIELLI

me asnjë parajsë

nuk e ndërroj

diellin

që këndon në mua.

EPSHI

epshi pa dashni

farë e lulëzuar

në arë të huaj.

QIELLI I RINISË

grua e bukur

thyen pasqyrën

për ta puthur qiellin

e rinisë.

FOLEJA NË PLEP

plepat ëndërr kanë

folenë e lejlekut

thahen duke pritur

kthimin e zogjve.

PAFAJËSIA

duke lut zotin

për pafajësinë

s´kam kohë as me vdek.

(Nga libri, “Prushi i gurit”)

Leave a Reply

Your email address will not be published.