Poezi
Taxhudin SHABANI
FABULA URBANE
I.
kam një torbë
që fusja kokën e përdhemë
e nuk i shija retë
se kjo botë ka engjëj
e nuk e dija
se ata dilnin nga torba ime
nëpër skuta
e stufa të prera
pa dashje e pa pasion,
nuk dija si ti dashuroja…
II.
gjyqet shekullore
për t’u fajësuar unë,
bënin presione
e kallëzime penale
ndërsa unë
ngjalë e përbetuar
iki liqeve
nuk ka varkë që nuk
i përbetohem
se vetmia nuk pranon gjyqe
e dua lirinë aty ku s’je ti më!
III.
dritare
që ushqehen me ushunjëza
tavane të ngopura me britma
dyer të fashitura gjarpërinjsh
e murete shembura frymonin,
thjesht
binte shi,
lagej shpirti
në dhomën ku jetoja!
IV.
krahu u thye
prej pambukut
panxharsheqerit
gjersa rigonte ujë i verdhë
nga gjirizet që shpërlanin
fytyrën e vjeshtës
shekullore,
PIK, me pykë
mu bë krahu i thyer
me allçinë e ngjizur
nga gjethnajat
V.
tallaze deti mbi floknajë
spira xhami qenë dromcuar
kuajt ishin ende të qetë
me hingëllimën
si kurorë lulesh
nisur përpjetë,
liri e dendur
si floknaja shtëllungë
me një pajton duke
lundruar mbi det.
VI.
Në disa rezervuare indiane
(jo tek te gjithë)
ua kishin prerë
gjuhën shqiponjave,
lumenjtë që kalonin
nëpër këto rezervuare
qepin lëkurën
e kuqe të indianëve,
meqë gjuha e shqiponjave
nuk sokëllinte, beteja
nuk i zmbrapsi asnjëherë,
por, atë natë
vdiq zemërluani
bashkë me
kokëujkun,
ranë dëshmorë
në betejën e quajtur
beteja e shqiponjave
nëpër mjegulla.
VII.
atdhe
ora e prishur
në vakt të sosur
një predhë me lule
ra mbi
gjelin këndes
buzëqeshte me peshqesh
ngrefosej
deri në mbrëmje
gjersa ja prenë kokën,
agimet vdiqën
bashkë me flamujt!
VIII.
kur flasin mushkonjat
mpikset gjaku
e asfalti që shtrihej
mbi ëndrrën
e qepur tog
gjithherë kërmijtë
krijonin karvanë shkretëtirash
IX
zebrat laramane
pollën
në kohën kur yjet
sinkronin
në rrugën e qumështit
e rruga gjerë
te kafazet e hekurta
përjashtoj bylbylat laraman
obobo, çfarë xhungle
në autobusët urbane.
X.
e gërdallë ishte mushka
as fijen e kreshtës
se mbante më si pasqyrë
imazh e vitrazh
i dendur e i kotë,
dihatej në grahmën
fundit
me kërpeshinduke cofë.
XI.
kasolle e mbushur me barishte
xixëllonjë e fikur në kuzhinë
shkëlqente thika
në kavanozin e harruar
jetë e mbushur përplot vetmi
si drenushë e humbur maleve!
XII.
kishte vdekur e ëmbla
gjithë të kripësuar
e mbanin veten e tyre
urithet,
breshkat,
bletët,
gjirafat,
nuk më lëkundi fare
nëndhesja, jetëgjatësia,
punëtorja e gjatësia,
por e keqja ishte
se të gjithë ishin
nëpërkëmbur
nga analistët politikë në TV
XIII.
piktura ishte pikturuar
nga bojërat e harabelave
lehtësisht
si pendël
shkelte këmba e elefantit,
por të gjitha thanë
se është këmba e diktatorit!
XIV.
zanat e malit
qenë të trishtuara,
njësojë kur turren
kamerat para
ndërtesave të paligjshme
që kërkojnë deklarata
të qarta, por me prapavijë,
pronarët ishin zgjuar
lugetër!
zanat e malit i kishin përpijë
XV.
me forcat e fundit
lepuri ja kaloj
me shpejtësi breshkës,
më duket se ndodhi e kundërta,
legjendat thanë
atë që nuk e besuam,
mos vallë
ka forcë më të madhe
sesa ta tejkalosh vetveten!
XVI.
harmonia
ju hidhërua
disharmonisë
dhe në një rast e pyeti
si është e mundur
që dhelpra dinake gjithnjë të fiton?
erdhe kaosi me shpejtësi,
i shkeli të gjithë me BMW.
XVII.
doemos fytyrat
të lahen me qerpiç
aty ku grerëzat
nuk gumëzhinë
me grimasa,
ka supozime
se fytyra deformohet,
por për elasticitet
i lyejmë me bojërat origjinale
dhe nuk duket gjë fare më pastaj,
njëjtë ecim rrugëve ende
s’ka drita, nuk na duket fytyra më!
XVIII.
në gjethe të rrushit
hardhuca bashkë me hardhinë
bënin koalicione partiake
ndjesë pastë
i gjithë faktori
i jashtëm dhe i brendshëm
ne u fotografuam
mirë kanë dalë fotot,
tjetra nuk është me rëndësi!
XIX.
strofull minjsh
përkundin djepin e lashtë
nuk e do dora
që të prek më kullat
na i shtrembëruan edhe plisat
njësojë kur hakun e hëngrëm
në mexhe të fqinjit
e tani as minjtë nuk na hajn më!
XX.
ti je vetmia ime
që dergjem ende ,
dashuri e paarritur,
flutur, që jetoje mbi
mëngën time
kur të përkëdhelja,
gjithnjë na ngrohte dielli
por tullat dhe hekurat
e ndërtimeve të paligjshme
na ndanë përgjithmonë!