Poezi

SHEKUJT E GËNJESHTRAVE

Charles Bukowski

një i njohur më shkruan nga Parisi

për të më thënë

se ende po

flasin për kohën

që e pata dhjerë punën

në TV

francez

disa vite më parë.

e gjitha më sjell gazin tash

ngase aq pak më kujtohet nga

ajo vaki

megjithatë më ka ndihmuar t’ua shes

disa libra më shumë

atje

disa intelektualëve

për arsye krejtësisht të gabuara.

e njëjta gjë ishte me kritikët

të cilët kujtonin se ishte gjë madhështore

ajo që nuk desha ta vizitoj

Sartrein.

kritikët besonin se po

e

refuzoja

atëherë kur kjo ishte për shkak

se nuk dija çfarë t’i thosha

plakut

për të cilin mendoja se ishte shkrimtar shumë i

mirë.

me sa duket kur gjërat marrin

kahjen e vet

mund të fitoni shumë e më shumë kredi

për t’i përmbushur gjërat e mëdha për të cilat

kurrë as të ka shkuar mendja

dhe së shpejti një shtresë shtesë e mitit

ta rrethon veprën 

që nuk është për t’u besuar

ama i besohet

prapëseprapë

dhe ja përse aq shumë

të ashtuquajtuarit gjeni janë vërtet

halabaka

dhe ja përse shumë halabaka janë

të ashtuquajtur kritikë

letrarë.

ALBUMET

rrija në dhomën time të lirë, i ri

krejtësisht jashtë kësaj bote.

zor që haja, sall vera dhe

muzika klasike

ushqenin.

jetoja si mizë e mallkuar, ose ndoshta si

mi

i hutuar.

nga i qelepirosja paratë më nuk më

kujtohet.

ama më kujtohet shitorja e pllakave

ku mund t’i këmbeje 3 albume të përdorura për

2.

duke blerë albume herë pas here dhe me këmbimin

e vazhdueshëm

gradualisht i pata dëgjuar gati të gjitha

albumet klasike

në atë shitore.

ama për shkak se isha pa asnjë dysh në xhep shumicën e kohës

shpesh isha i shtrënguar t’i lëshoja 2 albumet

orë

e

ças.

pija dhe dëgjoja

derisa

secila notë dhe frazë muzikore

nga ato albume

nuk u bënë pjesë

imja

përgjithmonë.

tash

dekada më vonë

ngandonjëherë dëgjoj

ndonjërin nga ato albumet e njohura

në radio –

po i njëjti dirigjent, po e njëjta

orkestër –

dhe menjëherë

ia rris

zërin

dhe me dashuri kujtoj

atë kohë

të largët

melankolike.

Përktheu: Fadil Bajraj

Leave a Reply

Your email address will not be published.